Sipas Lukës 12:1-59
-
Majaja e farisenjve (1-3)
-
Kini frikë Perëndinë, jo njerëzit (4-7)
-
Të pranojmë se jemi në unitet me Krishtin (8-12)
-
Ilustrimi me të pasurin e pamend (13-21)
-
Mos jini më në ankth (22-34)
-
Kopeja e vogël (32)
-
-
Të rrimë zgjuar (35-40)
-
Kujdestari besnik dhe një kujdestar i pabesë (41-48)
-
Jo paqe, por përçarje (49-53)
-
Nevoja për të shqyrtuar kohët (54-56)
-
Të zgjidhim mosmarrëveshjet (57-59)
12 Ndërkohë ishte mbledhur një turmë prej mijëra vetash, aq e madhe, sa po shkelnin njëri-tjetrin. Jezui u foli së pari dishepujve të vet: «Ruhuni nga majaja e farisenjve, që është hipokrizi,+
2 sepse s’ka asgjë të fshehur me kujdes që nuk do të merret vesh dhe asgjë të mbuluar që nuk do të dalë në dritë.+
3 Prandaj, çdo gjë që thoni në errësirë, do të dëgjohet në dritë, dhe çdo gjë që pëshpëritni skutave të shtëpisë, do të predikohet nga tarracat.
4 Veç kësaj, o miqtë e mi,+ unë po ju them: mos u frikësoni nga ata që vrasin trupin, dhe pastaj nuk mund të bëjnë asgjë tjetër.+
5 Por do t’ju them nga kush të frikësoheni: frikësohuni nga Ai që, pasi t’ju ketë vrarë, ka autoritet t’ju hedhë në Gehenë.*+ Po, unë po ju them: nga Ai kini frikë.+
6 A nuk shiten pesë harabela për dy monedha të vogla?* E megjithatë, Perëndia nuk harron* asnjë nga ata.+
7 Madje edhe fijet e flokëve tuaj janë të gjitha të numëruara.+ Prandaj mos kini frikë: ju vleni më tepër se shumë harabela.+
8 Unë po ju them: këdo që më pranon para njerëzve,+ edhe Biri i njeriut do ta pranojë para engjëjve të Perëndisë.+
9 Por këdo që më mohon para njerëzve, edhe unë do ta mohoj para engjëjve të Perëndisë.+
10 Dhe kushdo që flet kundër Birit të njeriut, do të falet, por kushdo që blasfemon* kundër frymës së shenjtë, nuk do të falet.+
11 Kur t’ju marrin në pyetje para një mbledhjeje të hapur* ose para zyrtarëve të lartë dhe autoriteteve, mos jini në ankth si do të flitni ose ç’do të thoni për t’u mbrojtur,+
12 sepse pikërisht në atë çast fryma e shenjtë do t’ju mësojë çfarë të thoni.»+
13 Atëherë dikush nga turma i tha: «Mësues, thuaji vëllait tim ta ndajë trashëgiminë me mua.»
14 Ai ia ktheu: «Or mik, kush më caktoi mua gjykatës ose ndërmjetës mes jush?»
15 Pastaj i tha turmës: «Mbajini sytë hapur dhe ruhuni nga çdo lloj lakmie,+ sepse edhe kur dikush ka me bollëk, jeta e tij nuk varet nga gjërat që zotëron.»+
16 Më pas vazhdoi me një ilustrim: «Toka e një njeriu të pasur dha prodhime të mbara.
17 Prandaj ai nisi të arsyetonte me vete: ‘Ç’të bëj tani që s’kam ku t’i fut të korrat?’
18 Kështu tha: ‘Ja ç’do të bëj:+ do t’i shemb depot që kam e do të ndërtoj më të mëdha. Atje do të fut gjithë grurin dhe gjithë të mirat që kam
19 dhe do t’i them vetes: ‘Ti ke vënë mënjanë shumë të mira që do të të mjaftojnë për shumë vjet. Prandaj merre shtruar, ha, pi dhe kënaqu.’
20 Por Perëndia i tha: ‘Njeri i paarsyeshëm, sonte do të kërkojnë jetën tënde.* Të kujt do të jenë, atëherë, gjërat që vure mënjanë?’+
21 Kështu i ndodh njeriut që vë mënjanë thesare për vete, por nuk është i pasur në sytë e Perëndisë.»+
22 Pastaj u tha dishepujve: «Për këtë arsye po ju them: mos jini më në ankth për jetën* tuaj, se ç’do të hani, as për trupin tuaj, se ç’do të vishni,+
23 sepse jeta* vlen më shumë se ushqimi, dhe trupi më shumë se veshja.
24 Mendoni pak për korbat: ata as mbjellin e as korrin dhe nuk kanë as hambar e as depo, e megjithatë Perëndia i ushqen.+ A nuk vleni ju shumë më tepër se zogjtë?!+
25 Kush nga ju, duke qenë në ankth, mund t’i shtojë qoftë edhe një çast* jetës së vet?
26 Prandaj, nëse nuk bëni dot një gjë kaq të vogël, pse të jeni në ankth për të tjerat?+
27 Mendoni pak si rriten zambakët: as robtohen, as tjerrin, e megjithatë unë po ju them se as Solomoni, me gjithë madhështinë e tij, nuk ishte i veshur si një prej tyre.+
28 Tani, nëse Perëndia i vesh kështu bimët e fushës, që sot janë e nesër hidhen në zjarr,* aq më shumë do t’ju veshë ju, ju që keni kaq pak besim!
29 Prandaj, mos u merakosni më se ç’do të hani e ç’do të pini dhe mos jini më në ankth,+
30 sepse të gjitha këto i kërkon me etje bota,* por Ati juaj e di mirë se ju keni nevojë për këto gjëra.+
31 Përkundrazi, vazhdoni të kërkoni në radhë të parë Mbretërinë e Perëndisë, dhe këto gjëra do t’ju shtohen.+
32 Mos ki frikë, o kope e vogël,+ sepse Atit tuaj i ka pëlqyer t’ju japë Mbretërinë.+
33 Shitni zotërimet tuaja dhe jepuni dhurata të varfërve.*+ Bëni për vete kuleta që nuk vjetrohen, po, një thesar të pashtershëm në qiej,+ ku as hajduti nuk afrohet, as mola nuk bren,
34 sepse, ku të jetë thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj.
35 Jini gati e të veshur,*+ dhe mbajini llambat ndezur.+
36 Jini si ata që e presin zotërinë e tyre të kthehet+ nga dasma+ që t’ia hapin menjëherë derën kur të vijë e të trokasë.
37 Lum ata skllevër që zotëria i tyre i gjen zgjuar kur vjen! Vërtet po ju them: ai do të vishet* që t’u shërbejë, do t’u thotë të shtrohen në tryezë dhe do të vijë vetë t’u shërbejë.
38 Nëse vjen në mesnatë* ose në agim* dhe i gjen gati, lum ata!
39 Por mos harroni: po ta dinte i zoti i shtëpisë në ç’orë do të vinte hajduti, nuk do ta linte të futej në shtëpi e të vidhte.+
40 Prandaj, edhe ju rrini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në një orë që s’e mendoni.»+
41 Atëherë Pjetri e pyeti: «Zotëri, këtë ilustrim po e tregon vetëm për ne apo edhe për gjithë të tjerët?»
42 Zotëria ia ktheu: «Kush është në të vërtetë kujdestari besnik,* i mençuri,* të cilin zotëria i tij do ta emërojë mbi gjithë shërbëtorët e vet,* që të vazhdojë t’u japë ushqimin e nevojshëm në kohën e duhur?+
43 Lum ai skllav nëse zotëria i tij e gjen duke bërë kështu kur të vijë!
44 Vërtet po ju them: ai do ta emërojë mbi gjithë zotërimet e veta.
45 Por, sikur skllavi të thoshte me vete: ‘Zotëria im po vonon’ e të fillonte t’i rrihte shërbëtorët e shërbëtoret dhe të hante, të pinte e të dehej,+
46 zotëria i tij do të vinte në një ditë që ai s’e priste dhe në një orë që ai nuk e dinte, do ta ndëshkonte me ashpërsinë më të madhe dhe do ta vinte bashkë me të pabesët.
47 Kështu, skllavit që e kishte kuptuar cili ishte vullneti i zotërisë, por nuk u bë gati dhe nuk bëri atë që i kërkoi ai,* do t’i jepen shumë të goditura.+
48 Por skllavit që nuk e kishte kuptuar, e si pasojë bëri gjëra që meritonin të rrihej, do t’i jepen pak të goditura. Vërtet, kujtdo që iu dha shumë, do t’i kërkohet shumë, dhe atij që iu besua shumë, do t’i kërkohet më shumë se zakonisht.+
49 Unë erdha për të ndezur një zjarr në tokë. E ç’dua më tepër nëse ai është ndezur tashmë?!
50 Në të vërtetë, unë duhet t’i nënshtrohem një pagëzimi, dhe sa në ankth jam derisa të kryhet!+
51 Kujtoni se erdha të sjell paqe në tokë?! Përkundrazi, erdha të sjell përçarje.+
52 Që tani e tutje, pesë veta në një shtëpi do të jenë të ndarë: tre kundër dyve dhe dy kundër treve.
53 Ata do të kenë përçarje: babai kundër djalit dhe djali kundër babait, nëna kundër vajzës dhe vajza kundër nënës, vjehrra kundër nuses dhe nusja kundër së vjehrrës.»+
54 Pastaj iu drejtua edhe turmave: «Kur shihni një re të ngrihet nga perëndimi, ju thoni menjëherë: ‘Po vjen një stuhi’, dhe ashtu ndodh.
55 Ndërsa, kur shihni se po fryn juga, ju thoni: ‘Do të bëjë vapë e madhe’, dhe ashtu ndodh.
56 Hipokritë, ju dini t’i shqyrtoni dukuritë e tokës dhe të qiellit, por si nuk ditkeni të shqyrtoni çfarë po ndodh në këtë kohë të veçantë?!+
57 Pse nuk gjykoni dot ç’është e drejtë?!
58 Për shembull, kur të shkosh me kundërshtarin tënd për te një magjistrat,* bëj çmos ta zgjidhësh mosmarrëveshjen rrugës, që ai të mos të detyrojë të paraqitesh te gjykatësi. Përndryshe gjykatësi do të të dorëzojë te nëpunësi i gjyqit, dhe ky do të të futë në burg.+
59 Unë po të them se nuk ke për të dalë që andej pa paguar edhe monedhën e fundit.»*
Shënimet
^ Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «për dy asarionë?» Shih Shtojcën B14.
^ Ose «nuk lë pas dore».
^ Shih Fjalorthin.
^ Një mundësi tjetër «para sinagogave».
^ Ose «shpirtin tënd».
^ Ose «shpirtin».
^ Ose «shpirti».
^ Fjalë për fjalë «një kut». Shih Shtojcën B14.
^ Ose «në furrë».
^ Fjalë për fjalë «kombet». Shih Fjalorthin.
^ Ose «jepni lëmoshë». Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «Ngjishni ijët».
^ Ose «do të ngjeshë rrobën».
^ Fjalë për fjalë «në kohën e ndërresës së dytë të natës». Domethënë, rreth orës 9 të mbrëmjes deri në mesnatë.
^ Fjalë për fjalë «në kohën e ndërresës së tretë të natës». Domethënë, nga mesnata deri rreth orës 3 të mëngjesit.
^ Ose «administruesi i besueshëm i shtëpisë».
^ Ose «i maturi».
^ Ose «shërbëtorët e shtëpisë».
^ Ose «nuk veproi sipas vullnetit të tij».
^ Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «leptonin e fundit». Shih Shtojcën B14.