Sipas Lukës 13:1-35

  • ‘Në mos u pendofshi, do të shkatërroheni’ (1-5)

  • Ilustrimi i fikut që s’jep fryt (6-9)

  • Shërohet në Sabat një grua e kërrusur (10-17)

  • Ilustrimet për kokrrën e sinapit dhe për majanë (18-21)

  • «Përpiquni fuqimisht të hyni nga dera e ngushtë» (22-30)

  • Herodi, ‘ajo dhelpër’ (31-33)

  • Jezui shpreh keqardhje për Jerusalemin (34, 35)

13  Në atë rast, ca të pranishëm i treguan Jezuit për disa galileas, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me gjakun e flijimeve të tyre.  Atëherë ai u tha: «Mendoni se ata galileas ishin më shumë mëkatarë se gjithë galileasit e tjerë, ngaqë vuajtën në atë mënyrë?  Aspak! Por, në mos u pendofshi, ashtu do të shkatërroheni edhe ju të gjithë.+  Apo, mendoni se ata 18 njerëz mbi të cilët ra kulla në Siloam dhe i vrau, ishin më shumë fajtorë se gjithë banorët e tjerë të Jerusalemit?  Aspak! Por, në mos u pendofshi, ju do të shkatërroheni të gjithë, si ata.»  Pastaj u tregoi këtë ilustrim: «Një njeri kishte mbjellë një fik në vreshtin e tij dhe shkoi të mblidhte fryte, por nuk gjeti asgjë.+  Atëherë i tha vreshtarit: ‘U bënë tre vjet që vij të mbledh fryte nga ky fik, por s’kam gjetur asnjë kokërr. Prite! Pse ta zërë tokën kot?!’  Por ai iu përgjigj: ‘Zotëri, lëre edhe këtë vit, sa ta punoj tokën rreth e rrotull dhe t’i hedh pleh.  Nëse pastaj prodhon fryt, mirë, përndryshe prite.’»+ 10  Tani, Jezui po mësonte në një sinagogë në Sabat. 11  Kur ja, aty ishte një grua e pushtuar nga një frymë e ndyrë* prej 18 vjetësh, e si pasojë ishte krejt e kërrusur e nuk mund të drejtohej fare. 12  Kur e pa, Jezui i tha: «O grua, je çliruar nga vuajtjet e tua.»+ 13  Pastaj vuri duart mbi të,* dhe ajo u drejtua në çast e nisi t’i jepte lavdi Perëndisë. 14  Por i pari i sinagogës u indinjua që Jezui shëroi në Sabat, prandaj i tha turmës: «Ka gjashtë ditë për të punuar,+ prandaj hajdeni të shëroheni gjatë këtyre ditëve dhe jo në Sabat.»+ 15  Mirëpo Zotëria iu përgjigj: «Hipokritë,+ a nuk e zgjidhni të gjithë ju në Sabat, demin a gomarin nga stalla që ta çoni për të pirë?+ 16  A nuk e meritonte kjo grua, që është bijë e Abrahamit dhe që Satanai e mbajti të lidhur për 18 vjet, të çlirohej nga këta vargonj në Sabat?» 17  Pasi tha këto fjalë, të gjithë kundërshtarët e tij u turpëruan, kurse turma u gëzua për gjithë gjërat e mrekullueshme që kishte bërë.+ 18  Prandaj ai vazhdoi: «Kujt i ngjan Mbretëria e Perëndisë dhe me çfarë ta krahasoj? 19  Ajo ngjan me një kokërr sinapi që një njeri e mori dhe e mbolli në kopshtin e vet. Ajo u rrit e u bë si pemë, dhe zogjtë e qiellit ngritën fole në degët e saj.»+ 20  U tha përsëri: «Me çfarë ta krahasoj Mbretërinë e Perëndisë? 21  Ajo është si majaja, të cilën një grua e mori dhe e përzieu me tri masa të mëdha* mielli, derisa erdhi i gjithë brumi.»+ 22  Pastaj shkoi nga qyteti në qytet e nga fshati në fshat, duke i mësuar njerëzit ndërsa ishte rrugës për në Jerusalem. 23  Tani, dikush e pyeti: «Zotëri, a është e vërtetë se pak veta do të shpëtojnë?» Ai u përgjigj: 24  «Përpiquni fuqimisht të hyni nga dera e ngushtë.+ Unë po ju them se shumë do të kërkojnë të hyjnë, por nuk do të munden, 25  sepse, kur i zoti i shtëpisë të ngrihet e të kyçë derën, ju do të ngelni jashtë, do të trokitni e do të thoni: ‘Zotëri, na e hap derën!’+ Por ai do t’ju përgjigjet: ‘Unë nuk ju njoh.’ 26  Atëherë do të thoni: ‘Ne hëngrëm dhe pimë me ty, dhe ti na mësove rrugëve kryesore të qytetit tonë.’+ 27  Por ai do t’ju thotë: ‘Unë nuk ju njoh. Largohuni nga unë të gjithë ju që veproni me padrejtësi!’ 28  Atje do të qani dhe do të kërcëllini dhëmbët kur të shihni që Abrahami, Isaku, Jakobi dhe gjithë profetët janë në Mbretërinë e Perëndisë, kurse ju jeni flakur jashtë saj.+ 29  Jo vetëm kaq, por do të vijnë e do të shtrohen në tryezë në Mbretërinë e Perëndisë njerëz nga lindja e perëndimi, nga veriu e jugu. 30  Kështu, disa nga të fundit do të jenë të parët dhe disa nga të parët, do të jenë të fundit.»+ 31  Pikërisht në atë moment u afruan disa farisenj dhe i thanë: «Dil, largohu që këtej, sepse Herodi kërkon të të vrasë.» 32  Ai u përgjigj: «Shkoni e i thoni asaj dhelpre: ‘Unë do të dëboj demonë e do të kryej shërime sot e nesër, dhe do të mbaroj ditën e tretë.’ 33  E megjithatë më duhet të vazhdoj sot, nesër e pasnesër, sepse një profet nuk mund* të vritet jashtë Jerusalemit.+ 34  Jerusalem, Jerusalem, vrasës i profetëve, që i vret me gurë ata që janë dërguar te ti!+ Sa herë desha t’i mblidhja bashkë fëmijët e tu, ashtu si i mbledh klloçka zogjtë nën krahë! Por ju nuk deshët.+ 35  Ja, shtëpia juaj është braktisur dhe është lënë në dorën tuaj.+ Unë po ju them se nuk do të më shihni më kurrë, derisa të thoni: ‘I bekuar është ai që vjen në emër të Jehovait!’»*+

Shënimet

Shih Fjalorthin, «Demonët».
Shih Fjalorthin, «Vënia e duarve».
Ose «rreth 10 kilogramë». Fjalë për fjalë «tri masa sea». Një sea ishte 7,33 l. Shih Shtojcën B14.
Ose «është e pakonceptueshme që një profet».