Sipas Lukës 21:1-38
21 Tani, Jezui ngriti sytë dhe pa të pasurit që po hidhnin dhuratat e tyre në arkat* e thesarit.+
2 Atje pa edhe një vejushë të varfër, që hodhi dy monedha me vlerë shumë të vogël*+
3 dhe tha: «Vërtet po ju them se kjo vejushë e varfër hodhi më shumë se gjithë të tjerët,+
4 sepse ata të gjithë hodhën dhurata nga tepricat, kurse ajo, në skamjen* e saj, hodhi gjithçka kishte për të jetuar.»+
5 Më vonë, kur disa po flisnin për tempullin, se si ishte stolisur me gurë madhështorë dhe me dhurata kushtuar Perëndisë,+
6 ai tha: «Sa për këto gjëra që po shihni tani, do të vijnë ditët kur këtu nuk do të mbetet gur mbi gur pa u rrëzuar.»+
7 Atëherë ata e pyetën: «Mësues, kur do të ndodhin vërtet këto gjëra dhe cila do të jetë shenja kur këto gjëra do të jenë afër?»+
8 Ai u përgjigj: «Kujdes se mos mashtroheni,+ sepse shumë veta do të vijnë, dhe duke përdorur emrin tim, do të thonë: ‘Unë jam ai’ dhe ‘Koha e caktuar është afruar’, por ju mos shkoni pas tyre.+
9 Për më tepër, kur të dëgjoni të flitet për luftëra dhe trazira,* mos u tmerroni sepse më parë duhet të ndodhin këto gjëra, por fundi nuk do të vijë menjëherë.»+
10 Pastaj tha: «Do të ngrihet komb kundër kombi+ dhe mbretëri kundër mbretërie,+
11 do të ketë tërmete të mëdha, mungesa ushqimi dhe murtaja+ nga njëri vend në tjetrin; do të ketë fenomene të frikshme dhe shenja të mëdha nga qielli.
12 Por, para se të ndodhin gjithë këto gjëra, njerëzit do t’ju kapin, do t’ju përndjekin+ dhe do t’ju dorëzojnë në sinagoga e burgje. Për shkak të emrit tim do t’ju nxjerrin para guvernatorëve e mbretërve,+
13 që të jepni dëshmi para tyre.
14 Jini, pra, të vendosur* të mos përgatitni që më parë çfarë do të thoni në mbrojtjen tuaj,+
15 sepse unë do t’ju jap mençuri dhe fjalët e duhura, që gjithë kundërshtarët tuaj së bashku të mos jenë në gjendje t’ju kundërvihen ose t’ju kundërpërgjigjen.+
16 Veç kësaj do t’ju tradhtojnë edhe prindërit, vëllezërit, farefisi e miqtë, dhe ata do të jenë shkaktarët e vdekjes suaj.+
17 Për shkak të emrit tim, të gjithë do t’ju urrejnë.+
18 E megjithatë, asnjë fije floku nuk do t’ju humbasë.+
19 Me qëndrueshmërinë tuaj do të shpëtoni jetën.*+
20 Megjithatë, kur ta shikoni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë që kanë ngritur kampin përreth,+ dijeni se shkretimi i tij është afruar.+
21 Atëherë ata që janë në Jude, të fillojnë të ikin me të shpejtë në male,+ ata që janë brenda qytetit, të largohen dhe ata që janë në fshatra, të mos hyjnë në qytet,
22 sepse në ato ditë do të vihet në vend drejtësia,* që të përmbushen të gjitha gjërat e shkruara.
23 Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që kanë foshnjë në gji ato ditë,+ sepse do të ketë vështirësi* të mëdha në vend dhe një zemërim i furishëm do të bjerë kundër këtij populli!
24 Ata do të bien nga tehu i shpatës e do t’i çojnë robër nëpër të gjitha kombet,+ kurse Jerusalemin do ta shkelin kombet* me këmbë, derisa të përmbushen kohët e caktuara të kombeve.*+
25 Gjithashtu do të ketë shenja në diell, në hënë dhe në yje,+ kurse në tokë, kombet do t’i zërë ankthi, sepse nuk do të dinë nga t’ia mbajnë nga gjëmimi dhe trazimi i detit.
26 Njerëzit do të mpaken nga frika dhe nga pritja e ankthshme se ç’do të ndodhë në tokën e banuar, sepse qiejt* do të shkunden.
27 Atëherë do të shohin Birin e njeriut+ duke ardhur në re me fuqi dhe lavdi të madhe.+
28 Megjithatë, kur të fillojnë të ndodhin këto gjëra, drejtoni trupin dhe ngrini kokën lart, sepse çlirimi juaj po afrohet.»
29 Pastaj u tregoi një ilustrim: «Vëreni fikun dhe gjithë pemët e tjera.+
30 Kur shihni se kanë lëshuar sythe, ju e dini se vera është afër.
31 Po ashtu edhe ju, kur t’i shihni të ndodhin këto gjëra, dijeni se Mbretëria e Perëndisë është afër.
32 Vërtet po ju them se ky brez nuk do të marrë fund kurrsesi, pa ndodhur të gjitha gjërat.+
33 Qielli dhe toka do të marrin fund,* por fjalët e mia do të mbeten përgjithmonë.*+
34 Prandaj kushtojini vëmendje vetes, që të mos ju rëndohen kurrë zemrat nga të ngrënët dhe të pirët e tepërt,+ e nga ankthet e jetës,+ që ajo ditë të mos ju zërë befas si një lak,+
35 sepse ajo do të vijë mbi të gjithë ata që banojnë në mbarë faqen e dheut.
36 Rrini zgjuar,+ duke u përgjëruar pareshtur,+ që t’ia dilni mbanë të shpëtoni nga të gjitha këto gjëra që duhet të ndodhin dhe të qëndroni para Birit të njeriut.»+
37 Kështu, ditën mësonte në tempull, kurse natën dilte dhe e kalonte në malin e quajtur Mali i Ullinjve.
38 Herët në mëngjes, gjithë njerëzit shkonin tek ai në tempull që ta dëgjonin.
Shënimet
^ Ose «mbajtëset».
^ Fjalë për fjalë «2 lepta». Shih Shtojcën B14.
^ Ose «në varfërinë».
^ Ose «rrëmuja; kryengritje».
^ Fjalë për fjalë «Vendosni në zemër».
^ Ose «do të fitoni shpirtin».
^ Ose «do të merret hak».
^ Ose «vuajtje».
^ Ose «jojudenjtë».
^ Ose «të jojudenjve».
^ Ose «fuqitë e qiejve».
^ Fjalë për fjalë «do të kalojnë».
^ Fjalë për fjalë «nuk do të kalojnë kurrsesi».