Sipas Lukës 7:1-50

  • Besimi i një centurioni (1-10)

  • Jezui ringjall djalin e një vejushe në Nain (11-17)

  • Lëvdohet Gjon Pagëzori (18-30)

  • Dënohet një brez i pandjeshëm (31-35)

  • Falet një mëkatare (36-50)

    • Ilustrimi me borxhlinjtë (41-43)

7  Pasi i tha popullit çfarë kishte për të thënë, ai hyri në Kapernaum.  Tani, skllavi i një centurioni* ishte sëmurë për vdekje.+ Centurioni e donte aq shumë atë skllav, saqë,  kur dëgjoi për Jezuin, dërgoi tek ai disa pleq të judenjve që t’i kërkonin të vinte e t’i shëronte skllavin.  Ata vajtën te Jezui dhe nisën t’i përgjëroheshin me gjithë shpirt: «Ai e meriton ta ndihmosh,  sepse e do kombin tonë dhe na ndërtoi sinagogën.»  Prandaj Jezui shkoi me ta. Ai po i afrohej shtëpisë, por centurioni kishte dërguar tashmë disa miq të tij për t’i thënë: «Imzot, mos u mundo, sepse unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën çatinë time+  e për këtë arsye nuk erdha te ti. Por ti thuaj veç një fjalë, dhe shërbëtori im do të shërohet,  sepse edhe unë, ndonëse jam nën autoritetin e dikujt, kam ushtarë që janë nën urdhrat e mi. Njërit i them: ‘Shko’, dhe ai shkon. Tjetrit i them: ‘Hajde’, dhe ai vjen. Edhe skllavit tim i them: ‘Bëje këtë’, dhe ai e bën.»  Kur dëgjoi këto fjalë, Jezui u mahnit me të, u kthye nga turma që e ndiqte dhe u tha: «Unë po ju them se as në Izrael nuk kam gjetur një besim kaq të madh.»+ 10  E kur u kthyen në shtëpi, njerëzit që kishte dërguar centurioni, e gjetën skllavin shëndoshë e mirë.+ 11  Pak pas kësaj, Jezui udhëtoi për në një qytet që quhej Nain. Bashkë me të po udhëtonin dishepujt e tij dhe një turmë e madhe. 12  Kur iu afrua portës së qytetit, pa që po nxirrnin një të vdekur, djalin e vetëm* të një vejushe.+ Bashkë me nënën e tij ishte edhe një turmë mjaft e madhe nga ai qytet. 13  Sa e vuri re, Zotëria u shty nga keqardhja për të+ dhe i tha: «Mos qaj më!»+ 14  Pastaj u afrua dhe preku vigun* e varrimit, ndërsa ata që e mbanin, u ndalën. Më pas vazhdoi: «Djalosh, ty po të them: ngrihu!»+ 15  I vdekuri u kthye në jetë, u ngrit e ndenji ulur, dhe nisi të fliste. Jezui ia dha së ëmës.+ 16  Atëherë të gjithë mbetën gojëhapur dhe filluan t’i jepnin lavdi Perëndisë e të thoshin: «Na është dhënë një profet i madh mes nesh»,+ dhe «Perëndisë i erdhi keq për popullin e vet».+ 17  Fjala për të u përhap në tërë Judenë dhe në gjithë vendin përreth. 18  Tani, dishepujt e Gjonit ia treguan atij të gjitha këto gjëra.+ 19  Prandaj Gjoni thirri dy nga dishepujt e vet dhe i dërgoi te Zotëria që ta pyetnin: «A je ti ‘ai që duhet të vijë’,+ apo duhet të presim një tjetër?» 20  Kur vajtën te Jezui, ata i thanë: «Gjon Pagëzori na dërgoi te ti që të të pyesim: “A je ti ‘ai që duhet të vijë’, apo duhet të presim një tjetër?”» 21  Në atë kohë, Jezui shëroi shumë veta nga sëmundjet,+ lëngatat e rënda dhe nga frymërat e liga,* si dhe u fali dritën e syve shumë të verbërve. 22  Ai iu përgjigj: «Shkoni, tregojini Gjonit çfarë patë dhe dëgjuat: të verbrit tani po shohin,+ të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen, të shurdhrit po dëgjojnë,+ të vdekurit po ringjallen dhe të varfërve po u shpallet lajmi i mirë.+ 23  Lum ai që nuk gjen arsye të dyshojë për mua!»*+ 24  Kur lajmëtarët e Gjonit ikën, Jezui nisi ta pyeste turmën për Gjonin: «Çfarë donit të shihnit kur dolët në shkretëtirë? Një kallam që tundet nga era?+ 25  Çfarë donit të shihnit, pra? Një njeri të veshur me rroba cilësore?*+ Ata që vishen me rroba madhështore dhe që jetojnë në luks, banojnë në pallate mbretërore. 26  Vërtet, çfarë donit të shihnit? Një profet? E pra, unë po ju them se ai është shumë më tepër se një profet.+ 27  Është ai për të cilin është shkruar: ‘Ja, unë po dërgoj përpara teje lajmëtarin tim, i cili do të të përgatitë udhën!’+ 28  Unë po ju them: ndër ata që kanë lindur nga gratë, nuk ka asnjë më të madh se Gjoni, e megjithatë, ai që është i vogël në Mbretërinë e Perëndisë, është më i madh se ai.»+ 29  (Kur e dëgjuan këtë, gjithë populli dhe taksambledhësit pranuan hapur se Perëndia është i drejtë, sepse ata ishin pagëzuar me pagëzimin e Gjonit.+ 30  Por farisenjtë dhe ata që e njihnin mirë Ligjin, e shpërfillën drejtimin* e Perëndisë,+ sepse nuk ishin pagëzuar nga Gjoni.) 31  «Me kë t’i krahasoj njerëzit e këtij brezi dhe me kë ngjajnë?+ 32  Ata ngjajnë me fëmijët që rrinë ulur në një shesh pazari dhe i thonë njëri-tjetrit: ‘I ramë fyellit për ju, por ju nuk kërcyet; vajtuam, por ju nuk qatë.’ 33  Po kështu erdhi Gjon Pagëzori që nuk ha bukë e nuk pi verë,+ e megjithatë ju thoni: ‘Ai ka një demon.’ 34  Erdhi Biri i njeriut që ha e pi, dhe prapëseprapë ju thoni: ‘Ja, një grykës i dhënë pas verës, mik i taksambledhësve dhe i mëkatarëve.’+ 35  Gjithsesi, mençuria del e drejtë* nga gjithë fëmijët e saj.»*+ 36  Tani, një farise i lutej të hante me të. Prandaj Jezui shkoi në shtëpinë e fariseut dhe u shtrua në tryezë. 37  Kur ja, erdhi një grua e njohur në qytet si mëkatare. Ajo kishte marrë vesh se ai ishte shtruar për të ngrënë në shtëpinë e fariseut, prandaj solli një enë alabastri me vaj aromatik.+ 38  Kështu, ajo qëndroi prapa, te këmbët e tij, qau dhe nisi t’ia lagte këmbët me lot dhe t’ia fshinte me flokët e saj. Gjithashtu, ia puthi këmbët dhe ia leu me vajin aromatik. 39  Kur e pa këtë, fariseu që e ftoi, tha me vete: «Po të ishte vërtet profet, ky do ta dinte kush është ajo që po e prek dhe ç’grua është, se është një mëkatare.»+ 40  Por Jezui i tha: «Simon, kam diçka për të të thënë.» Ai ia ktheu: «Po, Mësues, më thuaj.» 41  «Dy njerëz i kishin borxh një huadhënësi: njëri 500 denarë* dhe tjetri 50. 42  Meqë nuk kishin t’ia kthenin, ai i fali bujarisht që të dy. Cili nga të dy do ta dojë më shumë?» 43  Simoni iu përgjigj: «Ma ha mendja, ai të cilit i fali më shumë.» Jezui i tha: «Gjykove drejt.» 44  Pastaj u kthye nga gruaja dhe i tha Simonit: «A e sheh këtë grua? Unë hyra në shtëpinë tënde, mirëpo ti nuk më dhe ujë për të larë këmbët. Kurse kjo grua m’i lau këmbët me lotët e saj dhe m’i fshiu me flokët e vet. 45  Ti nuk më puthe, kurse kjo grua, që kur hyra, nuk pushoi së puthuri këmbët e mia. 46  Ti nuk më derdhe vaj mbi kokë, kurse kjo grua m’i lau këmbët me vaj aromatik. 47  Për këtë arsye, unë po të them se mëkatet e saj, edhe pse të shumta,* i janë falur,+ sepse tregoi shumë dashuri. Por, kujt i falet pak, tregon pak dashuri.» 48  Pastaj i tha gruas: «Mëkatet e tua janë falur.»+ 49  Ata që ishin shtruar me të në tryezë, nisën t’i thoshin njëri-tjetrit: «Kush është ky që fal edhe mëkatet?»+ 50  Kurse ai i tha gruas: «Besimi yt të shpëtoi.+ Shko në paqe.»

Shënimet

Komandant i 100 ushtarëve.
Fjalë për fjalë «e vetëmlindur».
Ose «shtratin portativ».
Shih Fjalorthin, «Demonët».
Fjalë për fjalë «që nuk gjen shkak për t’u penguar nga unë!»
Fjalë për fjalë «të buta?»
Ose «këshillat».
Ose «shfajësohet».
Ose «nga gjithë rezultatet».
Ose «të mëdha».