Sipas Markut 1:1-45
-
Predikimi i Gjon Pagëzorit (1-8)
-
Pagëzimi i Jezuit (9-11)
-
Satanai tundon Jezuin (12, 13)
-
Jezui nis predikimin në Galile (14, 15)
-
Thërret dishepujt e parë (16-20)
-
Dëbon një frymë të ndyrë (21-28)
-
Jezui shëron shumë veta në Kapernaum (29-34)
-
Lutet në një vend të veçuar (35-39)
-
Shëron një të lebrosur (40-45)
1 Fillimi i lajmit të mirë për Jezu Krishtin, birin e Perëndisë,
2 sikurse është shkruar në librin e profetit Isaia: «(Ja, unë po dërgoj përpara teje lajmëtarin tim, i cili do të të përgatitë udhën!)+
3 Dëgjohet zëri i dikujt që thërret në shkretëtirë: ‘Përgatitni udhën për Jehovain!* Drejtojini rrugët për të!’»+
4 Gjon Pagëzori ishte në shkretëtirë dhe predikonte pagëzimin si simbol të pendimit për faljen e mëkateve.+
5 Gjithë territori i Judesë dhe tërë banorët e Jerusalemit shkonin tek ai. Ai i pagëzonte* njerëzit në lumin Jordan, dhe ata i rrëfenin hapur mëkatet.+
6 Gjoni vishte një rrobë me lesh deveje, mbante në mes një brez lëkure+ dhe ushqehej me karkaleca e me mjaltë bletësh të egra.+
7 Ai predikonte: «Pas meje po vjen një më i fortë se unë, dhe unë nuk jam i denjë as të ulem e t’i zgjidh lidhëset e sandaleve.+
8 Unë ju pagëzova me ujë, kurse ai do t’ju pagëzojë me frymë të shenjtë.»+
9 Ato ditë, Jezui erdhi nga Nazareti i Galilesë, dhe Gjoni e pagëzoi në Jordan.+
10 Sapo doli nga uji, ai* pa qiejt të hapeshin dhe frymën e Perëndisë të zbriste mbi të porsi një pëllumb.+
11 Nga qiejt u dëgjua një zë: «Ti je Biri im, Biri im i dashur; unë të kam miratuar.»+
12 Menjëherë fryma e Perëndisë e nxiti të shkonte në shkretëtirë.
13 Ai qëndroi 40 ditë në shkretëtirë, ku e tundoi Satanai.+ Atje kishte kafshë të egra, por engjëjt kujdeseshin për të.*+
14 Tani, pasi Gjoni u arrestua, Jezui shkoi në Galile+ dhe predikonte lajmin e mirë të Perëndisë:+
15 «Koha e caktuar është përmbushur dhe Mbretëria e Perëndisë është afruar. Pendohuni+ dhe kini besim te lajmi i mirë.»
16 Kur po ecte përgjatë detit të Galilesë, pa Simonin me të vëllanë, Andrean,+ që po hidhnin rrjetat në det,+ sepse ishin peshkatarë.+
17 Atëherë Jezui u tha: «Ejani pas meje, dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish.»+
18 Ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën.+
19 Pak më tutje pa Jakovin, birin e Zebedeut, dhe Gjonin, vëllanë e tij, duke arnuar rrjetat në varkën e tyre,+
20 dhe i thirri menjëherë. Kështu, ata e lanë te varka të atin, Zebedeun, bashkë me punëtorët dhe shkuan pas tij.
21 Pastaj ikën në Kapernaum.
Sapo filloi Sabati, Jezui hyri në sinagogë dhe nisi të mësonte.+
22 Njerëzit mahniteshin me mënyrën si mësonte, sepse ai mësonte si njeri me autoritet e jo si skribët.+
23 Në atë moment, në sinagogën e tyre gjendej një burrë i pushtuar nga një frymë e ndyrë,* i cili bërtiti:
24 «Ç’punë ke me ne, o Jezu nazareas?+ Erdhe të na shkatërrosh? Unë e di shumë mirë kush je ti: i Shenjti i Perëndisë.»+
25 Por Jezui e qortoi frymën e ndyrë: «Hesht dhe dil nga ai!»
26 Atëherë fryma e ndyrë, pasi e përpëliti burrin dhe ulëriti sa t’i hante zëri, doli nga ai.
27 Njerëzit ishin kaq të befasuar, saqë nisën të flisnin me njëri-tjetrin: «Ç’të jetë vallë?! Një mësim i ri?! Ai ka autoritet madje të urdhërojë edhe frymërat e ndyra, e ato i binden.»
28 Kështu lajmi për të u përhap menjëherë në mbarë rajonin e Galilesë.
29 Pas kësaj ikën nga sinagoga dhe shkuan në shtëpinë e Simonit e të Andreas bashkë me Jakovin dhe Gjonin.+
30 Mirëpo vjehrra e Simonit+ dergjej në shtrat me ethe, dhe ata i treguan menjëherë për të.
31 Ai iu afrua, e kapi për dore dhe e ngriti. Atë e lanë ethet dhe nisi t’u shërbente.
32 Kur u ngrys, pas perëndimit të diellit, njerëzit filluan të çonin tek ai gjithë të sëmurët dhe ata që ishin të pushtuar nga demonët.+
33 Tërë qyteti ishte mbledhur para derës,
34 prandaj ai shëroi shumë njerëz që vuanin nga sëmundje të ndryshme+ dhe dëboi shumë demonë. Por nuk i linte demonët të flitnin, ngaqë e dinin se ai ishte Krishti.*
35 Herët në mëngjes, pa zbardhur ende, ai u çua, doli përjashta dhe shkoi në një vend të veçuar, e atje nisi të lutej.+
36 Mirëpo Simoni dhe ata që ishin me të, e ndoqën nga pas.
37 Kur e gjetën, i thanë: «Po të kërkojnë të gjithë.»
38 Por ai ua ktheu: «Le të shkojmë diku tjetër, në qytezat këtej afër, që të predikoj edhe atje, sepse për këtë kam ardhur.»+
39 Atëherë i ra përqark mbarë Galilesë duke predikuar në sinagogat e tyre dhe duke dëbuar demonët.+
40 Atje vajti edhe një i lebrosur, që i ra në gjunjë dhe iu përgjërua: «Po të duash, ti mund të më pastrosh.»+
41 I shtyrë nga keqardhja, ai zgjati dorën, e preku dhe i tha: «Po, dua! Pastrohu.»+
42 Menjëherë lebra iu zhduk, dhe ai u pastrua.
43 Mirëpo para se ai të ikte, Jezui e urdhëroi prerazi:
44 «Shiko se mos i tregon njeriu! Por shko, paraqitu te prifti dhe jep për pastrimin tënd ato që udhëzoi Moisiu,+ si dëshmi që je shëruar.»*+
45 Megjithatë pasi iku, ai filloi të hapte fjalën për këtë gjithandej, aq sa Jezui nuk mund të hynte më në ndonjë qytet pa rënë në sy,* por qëndronte jashtë në vende të veçuara. Prapëseprapë tek ai shkonin njerëz nga çdo anë.+
Shënimet
^ Shih Shtojcën A5.
^ Shih Fjalorthin.
^ Duket se i referohet Jezuit.
^ Ose «i shërbenin».
^ Shih Fjalorthin, «Demonët».
^ Një mundësi tjetër «e dinin se kush ishte».
^ Fjalë për fjalë «si dëshmi për ta». Ka të ngjarë t’u referohet priftërinjve.
^ Ose «haptazi».