Sipas Mateut 17:1-27
17 Gjashtë ditë më pas, Jezui mori me vete Pjetrin, Jakovin dhe vëllanë e tij, Gjonin, dhe i çoi në një mal të lartë, ku ishin vetëm.+
2 Atje ai u shpërfytyrua* para tyre; fytyra i shkëlqeu si dielli dhe rrobat i shndritën* si drita.+
3 Kur ja, u shfaqën Moisiu dhe Elija, që bisedonin me të.
4 Atëherë Pjetri i tha Jezuit: «Zotëri, sa mirë që jemi këtu me ty. Po të duash, unë do të ngre këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elijan.»
5 Ndërsa ai po fliste, një re e shndritshme i mbuloi dhe një zë u dëgjua nga reja: «Ky është Biri im, Biri im i dashur, që unë kam miratuar.+ Dëgjojeni.»+
6 Sapo dëgjuan këtë, dishepujt u përkulën me fytyrë përtokë dhe u frikësuan shumë.
7 Atëherë Jezui u afrua, i preku dhe u tha: «Ngrihuni. Mos kini frikë.»
8 Kur ngritën sytë, ata nuk panë asnjeri, përveç Jezuit.
9 Ndërsa po zbritnin nga mali, Jezui i urdhëroi: «Mos ia tregoni askujt vegimin,* derisa Biri i njeriut të ngrihet nga të vdekurit.»+
10 Megjithatë dishepujt e pyetën: «Pse, atëherë, skribët thonë se më parë duhet të vijë Elija?»+
11 Ai iu përgjigj: «Po, është e vërtetë që Elija duhet të vijë dhe të rivendosë gjithçka.+
12 Megjithatë unë po ju them se Elija tashmë ka ardhur, por ata nuk e pranuan dhe bënë me të çfarë deshën.+ Po kështu do të vuajë edhe Biri i njeriut në duart e tyre.»+
13 Atëherë dishepujt e kuptuan se u foli për Gjon Pagëzorin.
14 Kur arritën te turma,+ atij iu afrua një burrë, që i ra në gjunjë dhe i tha:
15 «Zotëri, ki mëshirë për tim bir, se është epileptik e po vuan shumë. Shpesh ai bie në zjarr e në ujë.+
16 E çova te dishepujt e tu, por ata nuk e shëruan dot.»
17 Atëherë Jezui i tha turmës: «O brez pa besim dhe i shtrembër!+ Edhe sa duhet të rri me ju? Edhe sa duhet t’ju duroj? Ma sillni këtu.»
18 Jezui e qortoi demonin, dhe ai doli nga djali, i cili u shërua që nga ai çast.+
19 Atëherë dishepujt iu afruan veçmas Jezuit dhe e pyetën: «Pse ne nuk e dëbuam dot?»
20 Ai u përgjigj: «Ngaqë keni pak besim. Vërtet po ju them se po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t’i thoni këtij mali: ‘Lëviz nga këtu atje’, dhe ai do të lëvizë, e asgjë nuk do të jetë e pamundur për ju.»+
21 *——
22 Ndërsa ishin së bashku në Galile, Jezui u tha: «Birin e njeriut do ta tradhtojnë dhe do ta dorëzojnë në duart e njerëzve,+
23 të cilët do ta vrasin. Por ditën e tretë ai do të ngrihet nga të vdekurit.»+ Prandaj ata ishin shumë të hidhëruar.
24 Pasi mbërritën në Kapernaum, njerëzit që mblidhnin dy drahmat* e taksës, iu afruan Pjetrit dhe i thanë: «A i paguan mësuesi juaj dy drahmat e taksës?»+
25 Ai tha: «Po.» Mirëpo, sapo Pjetri hyri në shtëpi, Jezui e pyeti: «Si mendon Simon? Nga cilët i marrin mbretërit e tokës taksat ose haraçet* për kokë? Nga bijtë e tyre apo nga të huajt?»
26 Kur ai iu përgjigj: «Nga të huajt», Jezui i tha: «Ashtu është, bijtë janë të përjashtuar nga taksat.
27 Megjithatë, që të mos bëhemi pengesë për ta,+ shko në det, hidh grepin dhe, peshkut të parë që do të kapësh, hapi gojën e do t’i gjesh një monedhë argjendi.* Merre dhe jepua për mua e për vete.»
Shënimet
^ Ose «u tjetërsua; u shndërrua».
^ Ose «iu bënë të bardha».
^ Shih Fjalorthin.
^ Shih Shtojcën A3.
^ Fjalë për fjalë «drahmat dyshe». Shih Shtojcën B14.
^ Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «monedhë statere», që mendohet të ishte tetradrahma. Shih Shtojcën B14.