Sipas Mateut 24:1-51
24 Tani, ndërsa Jezui po dilte nga tempulli, dishepujt iu afruan që t’i tregonin ndërtesat e tempullit.
2 Por ai u tha: «A i shihni gjithë këto gjëra? Vërtet po ju them: me siguri, këtu nuk do të mbetet gur mbi gur pa u rrëzuar.»+
3 Kur po rrinte ulur në Malin e Ullinjve, dishepujt iu afruan veçmas dhe e pyetën: «Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e pranisë* sate+ dhe e përfundimit të sistemit?»*+
4 Jezui iu përgjigj: «Kujdes se mos ju mashtron ndonjë,+
5 sepse shumë veta do të vijnë dhe, duke përdorur emrin tim, do të thonë: ‘Unë jam Krishti’ dhe do të mashtrojnë shumë njerëz.+
6 Do të dëgjoni të flitet për luftëra dhe lajme luftërash, por mos u alarmoni sepse këto gjëra duhet të ndodhin, por ende nuk është fundi.+
7 Atëherë do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie+ e do të ketë mungesa ushqimi+ dhe tërmete nga njëri vend në tjetrin.+
8 Të gjitha këto janë fillimi i dhembjeve therëse.*
9 Atëherë njerëzit do t’ju lënë në duart e përndjekësve*+ e do t’ju vrasin,+ dhe të gjitha kombet do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.+
10 Shumë veta do të heqin dorë nga besimi,* do të tradhtojnë dhe do të urrejnë njëri-tjetrin.
11 Do të dalin shumë profetë të rremë, që do të mashtrojnë shumë veta,+
12 dhe për shkak të rritjes së ligësisë,* dashuria e shumicës do të ftohet.
13 Por ai që qëndron* deri në fund, do të shpëtojë.+
14 Dhe ky lajm i mirë për Mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet,+ e atëherë do të vijë fundi.
15 Prandaj, kur të vini re gjënë e neveritshme që shkakton shkretim, si tha profeti Daniel, e cila qëndron në vend të shenjtë+ (lexuesi të përdorë aftësi dalluese),
16 atëherë ata që janë në Jude, të fillojnë të ikin me të shpejtë në male.+
17 Ai që është në tarracë, të mos zbresë në shtëpi për të marrë të mirat e veta,
18 dhe ai që është në arë, të mos kthehet për të marrë mantelin.*
19 Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që kanë foshnjë në gji ato ditë!
20 Vazhdoni të luteni, që të mos ju ndodhë të ikni në dimër, as në ditë Sabati,
21 sepse atëherë do të ketë një shtrëngim aq të madh,*+ sa nuk ka pasur që nga fillimi i botës e deri tani, e as do të ketë përsëri.+
22 Në fakt, po të mos shkurtoheshin ato ditë, asnjë njeri* nuk do të shpëtonte. Por, për hir të të zgjedhurve, ato ditë do të shkurtohen.+
23 Atëherë, nëse ndonjë ju thotë: ‘Ja, Krishti është këtu’+ ose ‘Ja, është atje’, mos e besoni,+
24 sepse do të dalin krishtër të rremë dhe profetë të rremë+ e do të bëjnë shenja të mëdha dhe mrekulli, që të mashtrojnë+ madje edhe të zgjedhurit.
25 Ja, unë ju paralajmërova!
26 Prandaj, nëse ju thonë: ‘Ja, ai është në shkretëtirë’, mos dilni. Edhe nëse ju thonë: ‘Ja, ai është në dhomën e brendshme’, mos e besoni,+
27 sepse ashtu si rrufeja del nga lindja dhe ndriçon deri në perëndim, ashtu do të jetë edhe prania* e Birit të njeriut.+
28 Ku të jetë kërma, atje do të mblidhen shqiponjat.*+
29 Menjëherë pas shtrëngimit të atyre ditëve, dielli do të errësohet+ e hëna nuk do të ndriçojë më. Yjet do të bien nga qielli dhe qiejt* do të shkunden.+
30 Atëherë do të shfaqet në qiell shenja e Birit të njeriut, dhe të gjitha fiset e tokës do t’i bien gjoksit me grushte nga hidhërimi,+ e do të shohin Birin e njeriut+ duke ardhur në retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe.+
31 Ai do të dërgojë engjëjt e vet me buçitje trumbetash dhe ata do t’i mbledhin të zgjedhurit nga të katër anët,* nga njëri skaj i qiellit në skajin tjetër.+
32 Tani, mësoni nga ilustrimi për pemën e fikut: sapo del bisku e lëshon gjethe, ju e dini se vera është afër.+
33 Po ashtu edhe ju, kur t’i shihni të gjitha këto gjëra, dijeni se ai* është afër, te dera.+
34 Vërtet po ju them se ky brez nuk do të marrë fund kurrsesi, pa ndodhur të gjitha këto gjëra.
35 Qielli dhe toka do të marrin fund,* por fjalët e mia do të mbeten përgjithmonë.*+
36 Mirëpo ditën ose orën askush s’e di,+ as engjëjt e qiejve, as Biri, por vetëm Ati;+
37 sepse ashtu siç ishin ditët e Noesë,+ ashtu do të jetë edhe prania* e Birit të njeriut.+
38 Ashtu si njerëzit në ato ditë përpara Përmbytjes, hanin e pinin dhe burrat e gratë martoheshin, deri ditën që Noeja hyri në arkë,+
39 dhe nuk kushtuan vëmendje derisa erdhi Përmbytja e i përpiu të gjithë,+ kështu do të jetë prania e Birit të njeriut.
40 Atëherë dy burra do të jenë në arë: njëri do të merret dhe tjetri do të lihet.
41 Dy gra do të jenë duke bluar në mulli:* njëra do të merret dhe tjetra do të lihet.+
42 Prandaj qëndroni vigjilentë, sepse nuk e dini në ç’ditë vjen Zotëria juaj.+
43 Por mos harroni: po ta dinte i zoti i shtëpisë në ç’orë* të natës do të vinte hajduti,+ do të rrinte zgjuar dhe nuk do ta linte të futej në shtëpi e të vidhte.+
44 Prandaj edhe ju rrini gati,+ sepse Biri i njeriut do të vijë në një orë që s’e mendoni.
45 Kush është në të vërtetë skllavi besnik dhe i mençur,* të cilin zotëria i tij e emëroi mbi shërbëtorët e shtëpisë së vet, për t’u dhënë atyre ushqim në kohën e duhur?+
46 Lum ai skllav nëse zotëria i tij e gjen duke bërë kështu kur të vijë!+
47 Vërtet po ju them: ai do ta emërojë mbi gjithë zotërimet e veta.
48 Por, sikur ai skllav të ishte i lig e të thoshte me vete: ‘Zotëria im po vonon’+
49 e të fillonte t’i rrihte skllevërit e tjerë dhe të hante e të pinte me pijanecët,
50 zotëria i tij do të vinte në një ditë që ai s’e priste dhe në një orë që ai nuk e dinte,+
51 do ta ndëshkonte me ashpërsinë më të madhe dhe do ta vinte bashkë me hipokritët. Atje do të qante dhe do të kërcëllinte dhëmbët.+
Shënimet
^ Ose «të kohës; të rendit?» Shih Fjalorthin.
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «fillimi i kohëve të hidhura; i kohëve të mundimshme». Fjalë për fjalë «fillimi i dhembjeve të lindjes».
^ Fjalë për fjalë «do t’ju dorëzojnë në shtrëngim».
^ Fjalë për fjalë «do të pengohen».
^ Fjalë për fjalë «së paligjshmërisë». Kjo fjalë shpesh nënkupton shpërfillje ndaj ligjeve të Perëndisë.
^ Ose «qëndron besnik».
^ Ose «veshjen e sipërme».
^ Shih Fjalorthin, «Shtrëngimi i madh».
^ Fjalë për fjalë «mish».
^ Shih Fjalorthin.
^ Disa lloje shqiponjash hanë kërma.
^ Ose «fuqitë e qiejve».
^ Fjalë për fjalë «erërat».
^ Domethënë, Biri i njeriut.
^ Fjalë për fjalë «do të kalojnë».
^ Fjalë për fjalë «nuk do të kalojnë kurrsesi».
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «në mokër». Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «në cilën ndërresë».
^ Ose «i besueshëm dhe i matur».