Sipas Mateut 6:1-34
6 Kini kujdes që të mos bëni vepra të drejta vetëm për të rënë në sy të njerëzve,+ përndryshe nuk do të merrni asnjë shpërblim nga Ati juaj që është në qiej.
2 Prandaj, kur t’u japësh dhurata të varfërve,* mos i bjer trumbetës si bëjnë hipokritët në sinagoga dhe në rrugë, që të marrin lavdi nga njerëzit. Vërtet po ju them: ata e kanë marrë tashmë të plotë shpërblimin e tyre.
3 Por, kur t’u japësh dhurata të varfërve, dora e majtë të mos e dijë ç’po bën e djathta,
4 që dhuratën ta japësh në fshehtësi. Atëherë Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë.+
5 Gjithashtu, kur të luteni, mos jini si hipokritët,+ sepse atyre u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në kryqëzimet e rrugëve kryesore, që njerëzit t’i shohin.+ Vërtet po ju them: ata e kanë marrë tashmë të plotë shpërblimin e tyre.
6 Por, kur të lutesh, hyr në dhomën tënde dhe, pasi të kesh mbyllur derën, lutju Atit tënd që është në fshehtësi.+ Atëherë Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë.
7 Kur të lutesh, mos përsërit gjithnjë të njëjtat gjëra, si bëjnë njerëzit nga kombet e tjera, të cilët kujtojnë se do të dëgjohen ngaqë përdorin shumë fjalë.
8 Mos jini si ata, sepse Ati juaj e di për çfarë keni nevojë,+ madje përpara se t’ia kërkoni.
9 Ju lutuni në këtë mënyrë:+
‘Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë*+ emri yt!+
10 Ardhtë Mbretëria jote!+ U bëftë vullneti yt,+ si në qiell, edhe në tokë!+
11 Na e jep bukën për këtë ditë+
12 dhe na i fal mëkatet,* sikurse edhe ne i kemi falur ata që kanë mëkatuar kundër nesh.*+
13 E mos lejo të biem* në tundim,+ por na çliro* nga i Ligu.’+
14 Se po t’ua falni njerëzve shkeljet,* edhe Ati juaj qiellor do t’ju falë ju,+
15 por, po të mos ua falni njerëzve shkeljet, as Ati juaj qiellor nuk do t’i falë shkeljet tuaja.+
16 Kur të agjëroni,+ mos e ngrysni më fytyrën si hipokritët, sepse ata shfytyrohen* që njerëzit t’i shohin se po agjërojnë.+ Vërtet po ju them: ata e kanë marrë tashmë të plotë shpërblimin e tyre.
17 Por, kur të agjërosh, lyeje kokën me vaj dhe laje fytyrën,
18 që të mos të shohin njerëzit se po agjëron, por vetëm Ati yt që është në fshehtësi. Atëherë Ati yt që po sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë.
19 Mos grumbulloni më thesare në tokë,+ ku brejnë mola dhe ndryshku, dhe ku hajdutët hyjnë e vjedhin.
20 Më mirë grumbulloni thesare në qiell,+ ku nuk bren as mola, as ndryshku,+ dhe ku hajdutët nuk hyjnë e nuk vjedhin,
21 sepse ku të jetë thesari yt, atje do të jetë edhe zemra jote.
22 Llamba e trupit është syri.+ Prandaj, nëse syri yt është i përqendruar,* gjithë trupi do të jetë i ndriçuar,*
23 por, nëse syri yt është lakmitar,*+ gjithë trupi do të jetë i errët. Në të vërtetë, nëse drita jote kthehet në errësirë, ah, sa e madhe do të jetë kjo errësirë!
24 Askush s’mund të jetë skllav i dy zotërinjve: ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin,+ ose do të qëndrojë besnik ndaj njërit e do të përçmojë tjetrin. Ju s’mund të jeni skllevër edhe të Perëndisë, edhe të Pasurisë.+
25 Për këtë arsye po ju them: mos jini më në ankth+ për jetën* tuaj, se ç’do të hani ose ç’do të pini, as për trupin tuaj, se ç’do të vishni.+ A nuk ka më shumë vlerë jeta* se ushqimi, dhe trupi më shumë se veshja?+
26 Vështroni me kujdes zogjtë e qiellit:+ ata nuk mbjellin, nuk korrin dhe nuk mbledhin në depo, e megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju më shumë se ata?
27 Kush nga ju, duke qenë në ankth, mund t’i shtojë qoftë edhe një çast* jetës së vet?+
28 Gjithashtu, pse jeni në ankth për veshjen? Shihni si rriten zambakët e fushës dhe mësoni prej tyre. Ata as robtohen, as tjerrin,
29 e megjithatë unë po ju them se as Solomoni,+ me gjithë madhështinë e tij, nuk ishte i veshur si një prej tyre.
30 Tani, nëse Perëndia i vesh kështu bimët e fushës, që sot janë e nesër hidhen në zjarr,* a nuk do t’ju veshë shumë më tepër ju, ju që keni kaq pak besim?!
31 Prandaj mos jini kurrë në ankth+ e mos thoni: ‘Ç’do të hamë?’ ose ‘Ç’do të pimë?’ ose ‘Çfarë do të veshim?’,+
32 sepse të gjitha këto i kërkon me etje bota,* por Ati juaj qiellor e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra.
33 Vazhdoni, pra, të kërkoni në radhë të parë Mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë, dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen.+
34 Prandaj mos jini kurrë në ankth për të nesërmen,+ sepse e nesërmja do të ketë ankthet e veta. Secilës ditë i mjaftojnë hallet e veta.
Shënimet
^ Ose «lëmoshë». Shih Fjalorthin.
^ Ose «u konsideroftë i shenjtë».
^ Fjalë për fjalë «borxhet».
^ Fjalë për fjalë «borxhlinjtë tanë».
^ Fjalë për fjalë «mos na ço».
^ Ose «shpëto».
^ Ose «fajet».
^ Ose «lënë pas dore pamjen e tyre».
^ Ose «i kthjellët». Fjalë për fjalë «i thjeshtë».
^ Ose «plot dritë».
^ Domethënë, që kërkon shumë gjëra. Fjalë për fjalë «i keq; i lig».
^ Ose «shpirti».
^ Ose «për shpirtin».
^ Fjalë për fjalë «një kut». Shih Shtojcën B14.
^ Ose «në furrë».
^ Fjalë për fjalë «kombet». Shih Fjalorthin.