Nehemia 6:1-19

  • Vazhdon kundërshtimi për rindërtimin (1-14)

  • Muri përfundoi brenda 52 ditësh (15-19)

6  Kur i thanë Sanballatit, Tobisë,+ arabit Geshem,+ dhe pjesës tjetër të armiqve tanë se e kisha rindërtuar murin+ dhe se nuk kishte mbetur në të asnjë çarje (edhe pse deri në atë kohë nuk i kisha vënë dyert nëpër porta),+  Sanballati dhe Geshemi më dërguan menjëherë këtë lajm: «Eja të takohemi në një nga fshatrat e luginës* së Onos.»+ Por ata po thurnin plane që të më bënin keq.  Prandaj u dërgova lajmëtarë e u thashë: «Po merrem me një punë të madhe e të rëndësishme dhe nuk mund të vij. Pse ta ndërpres punën, që të largohem e të vij te ju?»  Ata më dërguan të njëjtin lajm katër herë, dhe çdo herë iu përgjigja njësoj.  Pastaj Sanballati më dërgoi për të pestën herë shërbëtorin e tij me të njëjtin lajm, me një letër të hapur.  Në të ishte shkruar: «Mes kombeve thuhet, dhe e pohon edhe Geshemi,+ se ti dhe judenjtë po thurni plane për t’u rebeluar.+ Prandaj po e ndërton murin dhe, sipas këtyre raporteve, do të bëhesh mbreti i tyre.  Ke caktuar madje edhe profetë që të shpallin anembanë Jerusalemit për ty: ‘Ka një mbret në Judë!’ Tani, këto gjëra do t’ia tregojnë mbretit. Prandaj, hajde ta flasim bashkë këtë punë.»  Megjithatë i dërgova këtë përgjigje: «Asgjë nga ato që po thua nuk ka ndodhur, por ti i sajon nga mendja.»  Të gjithë ata po përpiqeshin të na frikësonin dhe thoshin: «Ata ka për t’i lëshuar zemra* dhe puna nuk do të përfundojë.»+ Por tani, o Perëndi, më forco!*+ 10  Pastaj shkova në shtëpinë e Shemajahut, bir i Delajahut, bir i Mehetabelit, ndërkohë që ai ishte mbyllur brenda. Ai më tha: «Të lëmë një takim te shtëpia e Perëndisë së vërtetë, brenda tempullit, dhe t’i mbyllim dyert e tempullit, sepse ata po vijnë të të vrasin. Po vijnë të të vrasin natën.» 11  Por unë ia ktheva: «A duhet t’ia mbathë një burrë si unë? A mund të hyjë në tempull një njeri si unë dhe të vazhdojë të jetojë?+ Nuk do të hyj!» 12  Pastaj kuptova që nuk e kishte dërguar Perëndia, por e kishin paguar Tobia dhe Sanballati+ që të thoshte këtë profeci kundër meje. 13  E kishin paguar që të më frikësonin dhe që të mëkatoja. Kështu do të kishin baza për të më prishur emrin e mirë dhe për të më poshtëruar. 14  Ndaj u luta: «O Perëndia im, mos harro Tobinë+ e Sanballatin dhe gjithçka që kanë bërë, si edhe profeteshën Noadia e profetët e tjerë, që përpiqeshin vazhdimisht të më frikësonin.» 15  Kështu muri përfundoi ditën e 25-të të muajit elul,* për 52 ditë. 16  Kur të gjithë armiqtë tanë dëgjuan për të dhe tërë kombet përreth nesh e panë, u ndien shumë të poshtëruar+ dhe e kuptuan se kjo punë ishte bërë me ndihmën e Perëndisë tonë. 17  Në ato ditë, fisnikët+ e Judës i dërgonin shumë letra Tobisë, dhe ai u përgjigjej. 18  Shumë veta në Judë ishin betuar se do t’i qëndronin besnikë, pasi ai ishte dhëndër i Shekaniahut, birit të Arahut,+ dhe Jehohanani, i biri, ishte martuar me të bijën e Meshulamit,+ birit të Berekiahut. 19  Gjithashtu, ata më flitnin vazhdimisht mirë për të dhe fjalët e mia ia thoshin të gjitha atij. Dhe Tobia më dërgonte letra për të më frikësuar.+

Shënimet

Fjalë për fjalë «rrafshinë lugine».
Fjalë për fjalë «duart».
Fjalë për fjalë «më forco duart».