Numrat 19:1-22
-
Lopa e kuqe dhe uji që pastron (1-22)
19 Jehovai i tha përsëri Moisiut dhe Aronit:
2 «Këtë ligj ka urdhëruar Jehovai: ‘Thuajuni izraelitëve t’ju sjellin një lopë të kuqe të shëndetshme, që nuk ka asnjë të metë+ dhe që nuk është vënë asnjëherë në zgjedhë.
3 Jepjani priftit Eleazar dhe ai do ta çojë jashtë kampit; lopa duhet therur atje në prani të tij.
4 Më pas, prifti Eleazar do të marrë me gisht ca nga gjaku i saj dhe do të spërkatë shtatë herë tokën përpara tendës së takimit.+
5 Pastaj lopa duhet djegur para syve të tij; do të digjen lëkura, mishi, gjaku dhe bajgat e saj.+
6 Prifti do të marrë dru cedri, bimë hisopi+ dhe një copë në ngjyrë të kuqe të ndezur, e do t’i hedhë në zjarrin ku po digjet lopa.
7 Pastaj prifti do të lajë rrobat dhe trupin* me ujë, e më pas mund të hyjë në kamp. Megjithatë do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
8 Ai që djeg lopën, do të lajë rrobat dhe trupin* me ujë, e do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
9 Një njeri i pastër duhet të mbledhë hirin e lopës+ dhe ta çojë jashtë kampit në një vend të pastër, dhe asambleja e izraelitëve do ta ruajë hirin që të përgatitë me të ujin e pastrimit.+ Është një blatim për mëkatin.
10 Ai që mbledh hirin e lopës, do të lajë rrobat, dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
Ky do të shërbejë si ligj i pandryshueshëm për izraelitët dhe për të ardhurin që banon mes tyre.+
11 Kushdo që prek ndonjë të vdekur,* do të jetë i papastër për shtatë ditë.+
12 Ky njeri duhet të pastrohet me atë ujë ditën e tretë, dhe ditën e shtatë do të jetë i pastër. Por nëse nuk pastrohet ditën e tretë, ditën e shtatë nuk do të jetë i pastër.
13 Kushdo që prek kufomën e një të vdekuri* e nuk pastrohet, ka ndotur tabernakullin e Jehovait+ dhe duhet shfarosur* nga gjiri i Izraelit.+ Meqë nuk është spërkatur me ujin e pastrimit,+ është akoma i papastër dhe ai mban ende mbi vete papastërtinë e vet.
14 Ky është ligji në rast se një njeri vdes brenda një tende: kushdo që hyn në tendë dhe kushdo që ndodhet tashmë aty do të jetë i papastër për shtatë ditë.
15 Të gjitha enët e hapura që nuk janë mbuluar e nuk u është lidhur gryka mirë, janë të papastra.+
16 Kushdo që prek jashtë një tende një njeri të vrarë me shpatë, një kufomë, një kockë njeriu ose një varr, do të jetë i papastër për shtatë ditë.+
17 Për të papastrin duhet marrë ca hi nga blatimi për mëkatin që është djegur, i cili duhet vendosur në një enë dhe mbi të duhet hedhur ujë burimi.
18 Pas kësaj, një njeri i pastër+ do të marrë bimë hisopi,+ do ta zhytë në ujë, do të spërkatë me të tendën, të gjitha enët, njerëzit që ishin atje, si edhe atë që preku kockën, të vrarin, kufomën ose varrin.
19 Ai që është i pastër, do ta spërkatë të papastrin me të ditën e tretë dhe ditën e shtatë; nga mëkati do ta pastrojë ditën e shtatë.+ Pastaj ky duhet të lajë rrobat e të lahet me ujë, dhe në mbrëmje do të jetë i pastër.
20 Kurse ai që është i papastër dhe që nuk pastrohet, duhet shfarosur nga gjiri i kongregacionit,+ sepse ka ndotur shenjtëroren e Jehovait; ai nuk është spërkatur me ujin e pastrimit, prandaj është i papastër.
21 Ky do të shërbejë si ligj i pandryshueshëm për ta: ai që spërkat me ujin e pastrimit,+ duhet të lajë rrobat, dhe ai që e prek ujin e pastrimit do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
22 Çdo gjë që prek i papastri, do të jetë e papastër, dhe ai njeri që prek atë gjë që prek i papastri, do të jetë i papastër deri në mbrëmje.’»+
Shënimet
^ Fjalë për fjalë «mishin e vet».
^ Fjalë për fjalë «mishin e vet».
^ Ose «kufomën e ndonjë shpirti». Shih Fjalorthin.
^ Ose «ai shpirt duhet ekzekutuar».
^ Ose «një kufomë, ndonjë shpirt të vdekur». Shih Fjalorthin.