Numrat 22:1-41

  • Balaku i ofron shpërblim Balamit (1-21)

  • Gomarica e Balamit flet (22-41)

22  Pastaj izraelitët u larguan dhe e ngritën kampin në rrafshinat e shkreta të Moabit, përballë Jerikosë, matanë Jordanit.+  Tani, Balaku,+ biri i Ziporit, i pa të gjitha ato që u kishte bërë Izraeli amoritëve,  dhe Moabi u tremb shumë nga ky popull se ishte shumë i madh, po, Moabit i hyri frika në palcë nga izraelitët.+  Kështu Moabi u tha pleqve të Midianit:+ «Ky kongregacion do ta përpijë mbarë vendin përreth nesh, si e përpin demi barin e fushës.» Në atë kohë Balaku, biri i Ziporit, ishte mbret i Moabit.  Ai i dërgoi lajmëtarë Balamit, birit të Beorit në Pethor,+ që gjendet pranë Lumit,* në vendlindjen e tij, që ta thërrisnin me këto fjalë: «Nga Egjipti ka dalë një popull. Ai e ka mbuluar faqen* e dheut+ dhe banon pikërisht përpara meje.  Prandaj, të lutem, hajde dhe mallkoje këtë popull për mua+ se është më i fuqishëm se unë. Mbase arrij t’i mposht e t’i dëboj nga vendi, sepse e di mirë se ai që ti bekon, është i bekuar, dhe ai që ti mallkon, është i mallkuar.»  Atëherë pleqtë e Moabit dhe pleqtë e Midianit, me pagesën për mallkimin* në dorë, shkuan te Balami+ dhe i thanë mesazhin e Balakut.  Por ai u përgjigj: «Rrini këtu sonte dhe do t’ju tregoj ç’do të më thotë Jehovai.» Kështu princat e Moabit qëndruan me Balamin.  Atëherë Perëndia vajti* te Balami dhe i tha:+ «Cilët janë këta burra që janë me ty?» 10  Balami i tha Perëndisë së vërtetë: «I ka dërguar Balaku, biri i Ziporit, mbret i Moabit, me këtë mesazh: 11  ‘Ja, populli që ka dalë nga Egjipti po e mbulon faqen e dheut. Prandaj eja e mallkoje për mua+ se mbase ia dal të luftoj kundër tij dhe ta dëboj.’» 12  Por Perëndia i tha Balamit: «Mos shko me ta. Mos e mallko popullin se ai është i bekuar.»+ 13  Kështu, Balami u ngrit në mëngjes dhe u tha princave të Balakut: «Kthehuni në vendin tuaj, se Jehovai nuk më la të vij me ju.» 14  Atëherë princat e Moabit u larguan dhe u kthyen te Balaku me këto fjalë: «Balami nuk pranoi të vinte me ne.» 15  Megjithatë, Balaku dërgoi përsëri princa të tjerë, më të shumtë në numër dhe më të shquar se të mëparshmit. 16  Edhe ata vajtën te Balami dhe i thanë: «Kështu thotë Balaku, biri i Ziporit: ‘Të lutem, mos lejo asgjë të të pengojë që të vish tek unë, 17  sepse do të të shpërblej mirë dhe do të bëj çdo gjë që do të më thuash. Prandaj, të lutem, hajde dhe mallkoje këtë popull për mua.’» 18  Por Balami iu përgjigj shërbëtorëve të Balakut: «Edhe sikur Balaku të më japë shtëpinë e vet plot argjend dhe ar, unë s’mund të bëj asgjë po s’më urdhëroi Jehovai, Perëndia im, e vogël a e madhe qoftë.+ 19  Gjithsesi, ju lutem, qëndroni sonte këtu, që të marr vesh ç’do të më thotë tjetër Jehovai.»+ 20  Atëherë Perëndia vajti te Balami natën dhe i tha: «Nëse këta burra kanë ardhur të të thërrasin, shko me ta, por do t’u thuash vetëm fjalët që do të të them.»+ 21  Kështu Balami u ngrit në mëngjes, i vuri samarin gomaricës dhe shkoi me princat e Moabit.+ 22  Por Perëndisë iu ndez zemërimi ngaqë ai ishte nisur për të shkuar atje, dhe engjëlli i Jehovait zuri vend në rrugë që t’i kundërvihej. Tani, Balami i kishte hipur gomaricës së vet dhe kishte me vete dy shërbëtorë. 23  Kur pa engjëllin e Jehovait që kishte zënë vend në rrugë me shpatë në dorë, gomarica u mundua të largohej nga rruga që të hynte në arë, por Balami filloi ta godiste gomaricën që ta kthente në rrugë. 24  Atëherë engjëlli i Jehovait zuri vend në një rrugicë midis dy vreshtave me mure guri në të dyja anët. 25  Sapo pa engjëllin e Jehovait, gomarica u ngjesh pas murit dhe ia ngjeshi edhe Balamit këmbën pas murit, prandaj ai filloi ta godiste përsëri. 26  Tani, engjëlli i Jehovait shkoi më tutje dhe u ndal në një vend të ngushtë, ku ishte e pamundur të ktheheshe djathtas a majtas. 27  Kur pa engjëllin e Jehovait, gomarica u shtri përtokë, kështu Balamit iu ndez zemërimi dhe vazhdoi ta godiste gomaricën me shkop. 28  Në fund Jehovai e bëri gomaricën të fliste,*+ dhe ajo i tha Balamit: «Ç’të kam bërë që më godite plot tri herë?»+ 29  Balami iu përgjigj gomaricës: «Më bëre të dukem si budalla. Po të kisha një shpatë, do të të vrisja!» 30  Atëherë gomarica i tha Balamit: «A nuk jam unë gomarica jote, me të cilën ke udhëtuar tërë jetën deri më sot? Ta kam bërë ndonjëherë një gjë të tillë?» Ai ia ktheu: «Jo!» 31  Atëherë Jehovai ia hapi sytë Balamit,+ dhe ai pa engjëllin e Jehovait që kishte zënë vend në rrugë me shpatë në dorë. Menjëherë Balami u përkul thellë me fytyrë përtokë. 32  Pastaj engjëlli i Jehovait i tha: «Pse e godite gomaricën plot tri herë? Ja, unë kam dalë që të të kundërvihem, sepse udha që po ndjek ti, sfidon vullnetin tim.+ 33  Gomarica më pa dhe u mundua të më largohej plot tri herë.+ Mendo sikur të mos ishte larguar! Ty do të të kisha vrarë tashmë, kurse atë do ta kisha lënë gjallë.» 34  Balami i tha engjëllit të Jehovait: «Kam mëkatuar, se nuk e dija që ma kishe prerë ti rrugën. Prandaj, nëse ky udhëtim nuk të pëlqen, do të kthehem prapa.» 35  Por engjëlli i Jehovait i tha Balamit: «Shko me ata burra, por do t’u thuash vetëm fjalët që do të të them.» Kështu Balami vazhdoi rrugën me princat e Balakut. 36  Kur mori vesh se Balami kishte ardhur, Balaku doli menjëherë për ta takuar në qytetin e Moabit, që ndodhet buzë Arnonit, në kufi të territorit. 37  Balaku i tha Balamit: «A nuk dërgova njerëz të të thërritnin? Pse nuk erdhe? Mendon se nuk jam i zoti të të shpërblej mirë?»+ 38  Balami ia ktheu: «Ja, erdha tani, ama nuk e di nëse do të më lejohet të them ndonjë gjë. Mund të them vetëm fjalët që do të më vërë në gojë Perëndia.»+ 39  Kështu Balami shkoi bashkë me Balakun dhe mbërritën në Kiriat-Huzot. 40  Balaku flijoi gjedhë e dhen dhe disa prej tyre ia dërgoi Balamit e princave që ishin me të. 41  Në mëngjes Balaku e mori Balamin dhe e çoi në Bamot-Baal; prej andej mund të shihte tërë popullin.+

Shënimet

Ka të ngjarë, Eufratit.
Fjalë për fjalë «syrin».
Ose «me fallin».
Ka mundësi me anë të një engjëlli që përfaqësonte Perëndinë ose me anë të një vegimi.
Fjalë për fjalë «ia çeli gojën gomaricës».