Numrat 36:1-13
-
Ligji për martesën e trashëgimtareve të tokës (1-13)
36 Krerët e shtëpive atërore të pasardhësve të Galadit, birit të Makirit,+ birit të Manaseut, nga familjet e bijve të Jozefit, u paraqitën para Moisiut dhe prijësve, krerëve të shtëpive atërore të izraelitëve,
2 dhe thanë: «Jehovai e urdhëroi zotërinë tonë t’ua ndante vendin me short+ izraelitëve si trashëgimi. Gjithashtu, Jehovai i dha urdhër zotërisë tonë që trashëgiminë e vëllait tonë Zelofehad t’ua jepte të bijave.+
3 Por nëse ato martohen me dikë nga fiset e tjera të Izraelit, trashëgimia e grave do të merret nga trashëgimia e etërve tanë e do t’i shtohet trashëgimisë së fisit ku do të martohen, e kështu do të hiqet nga trashëgimia që na u caktua neve me short.
4 Tani, kur të vijë Jubileu+ për popullin e Izraelit, trashëgimia e grave do t’i shtohet përfundimisht trashëgimisë së fisit ku u martuan, e kështu trashëgimia e tyre do të hiqet nga trashëgimia e fisit të etërve tanë.»
5 Atëherë, me urdhër të Jehovait, Moisiu i urdhëroi izraelitët: «Fisi i bijve të Jozefit ka të drejtë.
6 Ja çfarë urdhëron Jehovai për bijat e Zelofehadit: ‘Ato mund të martohen me kë të duan, mjafton që të jetë nga familjet e fisit të babait të tyre.
7 Trashëgimia e izraelitëve nuk duhet të kalojë nga fisi në fis, sepse izraelitët duhet ta mbajnë gjithnjë trashëgiminë e fisit të paraardhësve të tyre.
8 Çdo vajzë që zotëron një trashëgimi mes fiseve të Izraelit, duhet të martohet me një pasardhës të fisit të babait të vet,+ me qëllim që izraelitët të ruajnë trashëgiminë e paraardhësve të tyre.
9 Trashëgimia nuk duhet të kalojë nga fisi në fis, sepse fiset e Izraelit duhet ta mbajnë gjithnjë trashëgiminë e tyre.’»
10 Bijat e Zelofehadit bënë siç e kishte urdhëruar Jehovai Moisiun.+
11 Kështu Mahla, Tirza, Hogla, Milka dhe Noa, bijat e Zelofehadit,+ u martuan me djemtë e xhaxhallarëve.
12 Ato u martuan me burra nga bijtë e Manaseut, birit të Jozefit, që trashëgimia e tyre të mbetej brenda familjes dhe fisit të babait të tyre.
13 Këto janë urdhërimet dhe vendimet gjyqësore që u dha Jehovai izraelitëve me anë të Moisiut në rrafshinat e shkreta të Moabit, afër Jordanit, pranë Jerikosë.+