Rutha 1:1-22

  • Familja e Elimelekut transferohet në Moab (1, 2)

  • Naomi, Orpa dhe Rutha mbeten vejusha (3-6)

  • Rutha besnike ndaj Naomit dhe Perëndisë së saj (7-17)

  • Naomi kthehet në Betlehem me Ruthën (18-22)

1  Në ditët kur gjykatësit+ gjykonin,* në vend pllakosi zia e bukës, ndaj një burrë nga Betlehemi+ i Judës iku bashkë me gruan dhe dy djemtë për të banuar si i huaj në fushat* e Moabit.+  Ai quhej Elimelek,* e shoqja Naomi* dhe dy djemtë, Mahlon* e Kilion;* ata ishin efratitë nga Betlehemi i Judës. Kështu, kur arritën në fushat e Moabit, qëndruan atje.  Pas ca kohësh Elimeleku, burri i Naomit, vdiq, dhe ajo mbeti me dy djemtë e saj.  Më vonë, djemtë u martuan me gra moabite; njëra quhej Orpa, kurse tjetra Rutha.+ Ata qëndruan në Moab për rreth dhjetë vjet.  Me kalimin e kohës, vdiqën edhe Mahloni, edhe Kilioni, e kështu gruaja mbeti pa djemtë dhe pa burrin.  Prandaj, ajo bashkë me nuset u nis nga fushat e Moabit që të kthehej në vendin e vet, sepse kishte marrë vesh që Jehovait i kishte ardhur keq për popullin e tij dhe i kishte dhënë ushqim.*  Kështu Naomi u largua me të dyja nuset nga vendi ku kishte jetuar, e ndërsa shkonin rrugës për t’u kthyer në vendin e Judës,  u tha nuseve: «Shkoni, kthehuni secila në shtëpinë e nënës së vet. Jehovai ju tregoftë dashuri besnike,+ ashtu siç treguat ju për burrat që kanë vdekur dhe për mua!  Jehovai i dhëntë secilës prej jush siguri* në shtëpinë e burrit të vet!»+ Pastaj i puthi, dhe ato shpërthyen në lot 10  e i thoshin: «Jo, do të vijmë me ty, te populli yt.» 11  Por Naomi u tha: «Kthehuni bijat e mia! Pse të vini me mua? A mund të lind më djem që të bëhen burrat tuaj?!+ 12  Kthehuni bijat e mia! Shkoni, sepse jam tepër e plakur për t’u martuar. Edhe po të gjeja që sonte burrë dhe të lindja djem, 13  mos do t’i pritnit derisa të rriteshin?! Mos do të rrinit të pamartuara për hir të tyre?! Jo, bijat e mia, dora e Jehovait është kundër meje dhe më bëhet zemra vrer+ kur mendoj ç’ju ka ndodhur.» 14  Ato qanë përsëri me ngashërim, e pas kësaj, Orpa puthi të vjehrrën dhe iku, kurse Rutha nuk iu nda. 15  Atëherë Naomi i tha: «Ja, kunata jote e ve u kthye te populli dhe te perënditë e saj. Kthehu edhe ti me të!» 16  Por Rutha i tha: «Mos m’u lut që të të braktis, të kthehem pas dhe të mos vij me ty, sepse ku të shkosh ti, do të shkoj edhe unë e ku ta kalosh natën ti, do ta kaloj natën edhe unë. Populli yt do të jetë populli im dhe Perëndia yt, Perëndia im.+ 17  Ku të vdesësh ti, do të vdes edhe unë e atje do të varrosem. Jehovai më ndëshkoftë ashpër, nëse më ndan nga ti gjë tjetër veç vdekjes!» 18  Kur pa që Rutha këmbëngulte të shkonte me të, Naomi nuk u përpoq më t’ia mbushte mendjen. 19  Kështu, që të dyja vazhduan rrugën derisa arritën në Betlehem.+ Me të mbërritur atje, i gjithë qyteti nisi të ziente dhe gratë thoshin: «Naomi është kjo?!» 20  Por ajo u përgjigjej: «Mos më quani Naomi.* Më quani Mara,* sepse i Plotfuqishmi ma ka hidhëruar shumë jetën.+ 21  Kur ika, isha plot, por Jehovai më ktheu duarbosh. Pse të më quani Naomi kur Jehovai më është vënë kundër dhe i Plotfuqishmi më ka sjellë gjithë këto të zeza?»+ 22  Ja si u kthye Naomi nga fushat e Moabit,+ bashkë me Ruthën, nusen e saj moabite. Ato mbërritën në Betlehem në fillim të korrjes së elbit.+

Shënimet

Ose «kur gjykatësit siguroheshin për drejtësinë».
Ose «rajonin».
Do të thotë «Perëndia im është mbret».
Do të thotë «kënaqësia ime».
Mund të vijë nga një fjalë hebraike që ka kuptimin «ligështohem; sëmurem».
Do të thotë «një që dështon; një që merr fund».
Fjalë për fjalë «bukë».
Fjalë për fjalë «një vend prehjeje».
Do të thotë «kënaqësia ime».
Do të thotë «e hidhur».