Veprat e Apostujve 1:1-26
1 Në tregimin e parë, o Teofil, kam treguar të gjitha gjërat që Jezui bëri e mësoi+
2 deri ditën që u mor lart në qiell,+ pasi u dha udhëzime nëpërmjet frymës së shenjtë apostujve që kishte zgjedhur.+
3 Pasi vuajti, iu shfaq i gjallë atyre me shumë prova bindëse.+ Ata e panë për 40 ditë, dhe ai u foli rreth Mbretërisë së Perëndisë.+
4 Ndërsa ishte bashkë me ta, i urdhëroi: «Mos u largoni nga Jerusalemi,+ por rrini në pritje të asaj që premtoi Ati,+ të cilën e dëgjuat nga unë,
5 sepse vërtet Gjoni pagëzoi* me ujë, por, pas pak ditësh, ju do të pagëzoheni me frymë të shenjtë.»+
6 Kur u mblodhën sërish, ata e pyetën: «Zotëri, në këtë kohë do ta rivendosësh mbretërinë e Izraelit?»+
7 Ai iu përgjigj: «Nuk ju takon juve të njihni kohët ose stinët që ka vendosur Ati me autoritetin e vet.+
8 Por, kur fryma e shenjtë të vijë mbi ju, do të merrni fuqi+ e do të jeni dëshmitarët e mi+ në Jerusalem,+ në mbarë Judenë, në Samari+ e deri në skajin më të largët* të tokës.»+
9 Pasi tha këto, ndërsa ata po e shikonin, ai u ngrit lart dhe një re ua fshehu nga sytë.+
10 Ndërkohë që ia kishin ngulur sytë qiellit dhe ai po ngjitej, dy burra me rroba të bardha+ u shfaqën papritur pranë tyre
11 dhe u thanë: «Burra të Galilesë, pse rrini e vështroni qiellin? Ky Jezu që u mor nga mesi juaj dhe u ngjit në qiell, do të vijë në të njëjtën mënyrë që e keni parë të shkonte në qiell.»
12 Atëherë ata u kthyen në Jerusalem+ nga një mal që quhet Mali i Ullinjve, i cili është afër Jerusalemit, veç një udhë sabati larg.
13 Kur arritën në qytet, u ngjitën në dhomën e sipërme ku po strehoheshin. Atje ndodheshin Pjetri, Gjoni, Jakovi, Andrea, Filipi, Thomai, Bartolomeu, Mateu, Jakovi, biri i Alfeut, Simoni, i zellshmi, dhe Juda, biri i Jakovit.+
14 Të gjithë, në një mendje, po ngulmonin në lutje, bashkë me disa gra,+ me Marinë, nënën e Jezuit, dhe me vëllezërit e tij.+
15 Në një nga ato ditë, Pjetri u ngrit mes vëllezërve (numri* i të pranishmëve ishte 120 veta) dhe tha:
16 «Burra, vëllezër, duhej të përmbushej shkrimi që fryma e shenjtë tha në mënyrë profetike me anë të Davidit për Judën,+ i cili u bë udhërrëfyesi i atyre që arrestuan Jezuin,+
17 sepse ai u numërua mes nesh+ e mori pjesë në këtë shërbim.
18 (Pikërisht ky njeri bleu një arë me pagën e padrejtësisë+ dhe, si ra kokëposhtë, iu ça trupi* e të përbrendshmet i dolën jashtë.+
19 Këtë e morën vesh të gjithë banorët e Jerusalemit, prandaj ara u quajt në gjuhën e tyre Akéldama, që do të thotë «Ara e Gjakut».)
20 Në fakt, në librin e Psalmeve shkruhet: ‘Banesa e tij u shkretoftë, e mos banoftë kush në të!’+ dhe: ‘Tjetërkush ia marrtë detyrën e mbikëqyrjes!’+
21 Prandaj, është e nevojshme të zgjedhim një nga burrat që na shoqëronin gjatë kohës që Zotëria Jezu kryente shërbimin e tij* mes nesh
22 —që nga koha kur e pagëzoi Gjoni+ e deri ditën kur u mor nga mesi ynë dhe u ngjit lart+—që të jetë bashkë me ne dëshmitar i ringjalljes së tij.»+
23 Kështu propozuan dy veta: Jozefin që quhej Barsaba, që njihej edhe me emrin Just, si dhe Matian.
24 Pastaj u lutën: «Ti, o Jehova,* që njeh zemrat e të gjithëve,+ na trego cilin prej këtyre dy burrave ke zgjedhur
25 që të nisë këtë shërbim dhe caktimin si apostull, të cilin Juda e braktisi për të shkuar në drejtimin e vet.»+
26 Atëherë hodhën short,+ dhe shorti i ra Matias, dhe ai u llogarit* me 11 apostujt.
Shënimet
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «deri në kufijtë».
^ Ose «turma».
^ Ose «iu ça barku».
^ Fjalë për fjalë «hynte dhe dilte».
^ Shih Shtojcën A5.
^ Ose «u numërua», pra, u konsiderua njësoj si 11 të tjerët.