Veprat e Apostujve 10:1-48
10 Në Cezare ishte një njeri me emrin Kornel, centurion* i kohortës* italike.
2 Ai ishte njeri i devotshëm, e nderonte thellësisht Perëndinë* bashkë me të gjithë ata të shtëpisë së tij, jepte shumë dhurata për të varfrit* dhe i përgjërohej vazhdimisht Perëndisë.
3 Rreth orës së nëntë,*+ ai pa qartë në vegim* një engjëll të Perëndisë që erdhi e i tha: «Kornel!»
4 Ai ia nguli sytë i frikësuar dhe ia ktheu: «Ç’është, Zotëri?» Engjëlli iu përgjigj: «Perëndia u kushton vëmendje e nuk i harron lutjet e tua dhe dhuratat e tua për të varfrit.*+
5 Prandaj dërgo njerëz në Jopë dhe kërko dikë me emrin Simon, të cilin e quajnë edhe Pjetër.
6 Ai është mysafir te Simoni, një regjës lëkurësh që ka një shtëpi pranë detit.»
7 Sapo tha këto, engjëlli iku. Pastaj Korneli thirri dy nga shërbëtorët e tij dhe një ushtar të devotshëm mes atyre që kishte në shërbimin e vet.
8 U tregoi gjithçka dhe i nisi për në Jopë.
9 Të nesërmen, ndërsa ata po udhëtonin e po i afroheshin qytetit, Pjetri u ngjit në tarracë rreth orës së gjashtë* për t’u lutur,
10 por e mori shumë uria e donte të hante. Ndërsa po i përgatitnin për të ngrënë, ai u përhumb në një vegim+
11 dhe pa qiellin të hapur e diçka si një pëlhurë të madhe linoje* që zbriste në tokë, e mbajtur nga katër cepat.
12 Në të kishte lloj-lloj kafshësh katërkëmbëshe e krijesash zvarritëse të tokës, si edhe lloj-lloj zogjsh të qiellit.
13 Atëherë një zë i tha: «Ngrihu Pjetër, ther dhe ha!»
14 Por Pjetri u përgjigj: «Kurrsesi, Zotëri, se asnjëherë nuk kam ngrënë diçka të ndotur a të papastër.»+
15 Zëri i tha sërish herën e dytë: «Mos i quaj më të ndotura gjërat që Perëndia i ka pastruar.»
16 Zëri i foli edhe një herë të tretë, dhe ajo* u mor menjëherë në qiell.
17 Ndërsa Pjetri po vriste mendjen për domethënien e vegimit që pa, në atë moment burrat e dërguar nga Korneli pyetën për shtëpinë e Simonit dhe ishin te porta.+
18 Ata thirrën të zotin e shtëpisë dhe e pyetën nëse atje ishte mysafir Simoni, që quhej edhe Pjetër.
19 Ndërsa Pjetri po bluante në mendje vegimin, fryma+ i tha: «Po të kërkojnë tre burra.
20 Ngrihu, pra, zbrit poshtë e shko me ta, pa dyshuar aspak, se i kam dërguar unë.»
21 Pjetri zbriti poshtë tek ata dhe tha: «Unë jam ai që kërkoni. Pse keni ardhur?»
22 Ata iu përgjigjën: «Centurion Korneli,+ një njeri i drejtë që nderon thellësisht Perëndinë,* për të cilin flet mirë tërë kombi jude, mori udhëzimin hyjnor nga një engjëll i shenjtë që të të thërrasë të vish në shtëpinë e tij e të dëgjojë ato që ke për të thënë.»
23 Kështu, ai i ftoi brenda dhe i mbajti si mysafirë atë natë.
Të nesërmen u ngrit e shkoi me ta. Me të shkuan edhe disa vëllezër nga Jopa.
24 Ditën tjetër hyri në Cezare. Natyrisht, Korneli po i priste dhe kishte mbledhur farefisin e miqtë e ngushtë.
25 Sapo hyri Pjetri, Korneli i doli para, i ra ndër këmbë dhe i bëri nderime.*
26 Por Pjetri e ngriti dhe i tha: «Çohu, se edhe unë jam njeri si ti.»+
27 Ndërsa bisedonte me të, hyri brenda e gjeti të mbledhur shumë njerëz.
28 Ai u tha: «Ju e dini mirë se për një jude është e paligjshme të shoqërohet a t’i afrohet një jojudeu.+ E megjithatë, Perëndia më tregoi se nuk duhet të quaj asnjeri të ndotur ose të papastër.+
29 Kështu, kur më thirrën, erdha pa kundërshtuar aspak. Ndaj pyes, pse më thirrët?»
30 Atëherë Korneli u përgjigj: «Katër ditë më parë, në të njëjtën orë si tani, pra në orën e nëntë,* po lutesha në shtëpinë time kur ja, një burrë me rroba të shndritshme qëndroi para meje
31 dhe më tha: ‘Kornel, Perëndia e ka dëgjuar lutjen tënde dhe nuk i ka harruar dhuratat e tua për të varfrit.*
32 Dërgo njerëz në Jopë dhe thërrit Simonin që quhet edhe Pjetër. Ai njeri është mysafir te Simoni, një regjës lëkurësh që e ka shtëpinë pranë detit.’+
33 Prandaj, menjëherë dërgova njerëz të të thërrasin dhe të jam mirënjohës që erdhe. E tani, të gjithë jemi këtu para Perëndisë për të dëgjuar gjithçka që Jehovai* të ka urdhëruar të thuash.»
34 Atëherë, Pjetri nisi të thoshte: «Tani e kuptoj fare qartë se Perëndia nuk është i anshëm,+
35 por pranon nga çdo komb këdo që e nderon thellësisht* dhe që bën atë që është e drejtë.+
36 Perëndia u dërgoi fjalën e tij bijve të Izraelit që t’u shpallte lajmin e mirë të paqes+ që bëhet e mundur falë Jezu Krishtit, pra, lajmin se ai është Zotëri i të gjithëve.+
37 Ju e dini se çfarë ka ndodhur në mbarë Judenë, duke filluar nga Galilea,+ pas pagëzimit që predikoi Gjoni,
38 domethënë se Jezuin nga Nazareti, Perëndia e mirosi* me frymë të shenjtë+ e i dha fuqi, dhe se ai përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që ishin nën pushtetin e Djallit,+ sepse Perëndia ishte me Jezuin.+
39 Ne jemi dëshmitarë të të gjitha veprave që bëri në vendin e judenjve dhe në Jerusalem. Megjithatë e vranë, duke e varur në një shtyllë.*
40 Perëndia e ngriti atë nga të vdekurit ditën e tretë+ dhe lejoi t’i shfaqej,
41 jo të gjithë popullit, por dëshmitarëve të zgjedhur që më parë nga Perëndia, neve, që hëngrëm e pimë me të, pasi u ngrit nga të vdekurit.+
42 Veç këtyre, na urdhëroi t’i predikojmë popullit dhe t’i japim dëshmi të plotë+ se Perëndia e dekretoi pikërisht atë si gjykatës të të gjallëve dhe të të vdekurve.+
43 Për të japin dëshmi të gjithë profetët,+ që kushdo që tregon besim tek ai të marrë faljen e mëkateve nëpërmjet emrit të tij.»+
44 Ndërsa Pjetri po fliste ende për këto gjëra, të gjithë ata që dëgjonin fjalën, morën frymën e shenjtë.+
45 Ata që kishin ardhur me Pjetrin, besimtarët e rrethprerë,* u mahnitën, pasi fryma e shenjtë, dhurata* e Perëndisë, po derdhej edhe mbi njerëzit e kombeve,*
46 sepse i dëgjonin të flitnin në gjuhë të huaja dhe të madhëronin Perëndinë.+ Atëherë, Pjetri tha:
47 «A mund t’i pengojë ndokush që të pagëzohen me ujë+ këta që morën frymën e shenjtë njësoj siç e morëm ne?»
48 Kështu i urdhëroi të pagëzoheshin në emër të Jezu Krishtit.+ Pastaj ata i kërkuan Pjetrit të qëndronte për disa ditë.
Shënimet
^ Komandant i 100 ushtarëve.
^ Ose «i njësisë», e përbërë nga 600 ushtarë romakë.
^ Fjalë për fjalë «i frikësohej Perëndisë». Shih Fjalorthin.
^ Ose «lëmosha». Shih Fjalorthin.
^ Domethënë, rreth orës 3 të pasdites.
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «lëmoshat». Shih Fjalorthin.
^ Domethënë, rreth orës 12 të mesditës.
^ Fjalë për fjalë «një mbajtëse si një pëlhurë e madhe linoje».
^ Fjalë për fjalë «mbajtësja».
^ Fjalë për fjalë «i frikësohet Perëndisë». Shih Fjalorthin.
^ Ose «u përkul».
^ Domethënë, rreth orës 3 të pasdites.
^ Ose «lëmoshat». Shih Fjalorthin.
^ Shih Shtojcën A5.
^ Fjalë për fjalë «i frikësohet». Shih Fjalorthin, «Frika nga Perëndia».
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «dru».
^ Ose «njerëz plot besim».
^ Ose «dhurata falas».
^ Shih Fjalorthin.