Veprat e Apostujve 11:1-30
11 Apostujt dhe vëllezërit që ishin në Jude, dëgjuan se edhe njerëzit e kombeve* e kishin pranuar fjalën e Perëndisë.
2 Kështu, kur Pjetri u ngjit në Jerusalem, përkrahësit e rrethprerjes+ nisën ta kritikonin:*
3 «Ti hyre në shtëpinë e të parrethprerëve e hëngre me ta.»
4 Atëherë, Pjetri filloi t’u shpjegonte fill e për pe:
5 «Isha në qytetin e Jopës dhe po lutesha. Pashë në vegim* diçka* si një pëlhurë të madhe linoje që zbriste nga qielli e mbajtur nga katër cepat, që erdhi deri tek unë.+
6 Ia ngula sytë e pashë se brenda kishte kafshë katërkëmbëshe të tokës, egërsira, krijesa zvarritëse dhe zogj të qiellit.
7 Dëgjova edhe një zë të më thoshte: ‘Ngrihu Pjetër, ther dhe ha!’
8 Por unë ia ktheva: ‘Kurrsesi, Zotëri, se nuk kam futur asnjëherë në gojë diçka të ndotur a të papastër.’
9 Herën e dytë zëri nga qielli më tha: ‘Mos i quaj më të ndotura gjërat që Perëndia i ka pastruar.’
10 Zëri foli edhe një herë të tretë, dhe gjithçka u tërhoq sërish në qiell.
11 Po atë çast, tre burra të dërguar nga Cezarea për tek unë, ishin para shtëpisë ku rrinim.+
12 Pastaj fryma më tha të shkoja me ta, pa dyshuar aspak. Me mua erdhën edhe këta gjashtë vëllezër, dhe hymë në shtëpinë e atij burri.
13 Ai na tregoi se kishte parë një engjëll të vinte në shtëpinë e tij e t’i thoshte: ‘Dërgo njerëz në Jopë dhe thirr Simonin që e quajnë edhe Pjetër.+
14 Ai do t’ju thotë në ç’mënyrë ti dhe gjithë ata të shtëpisë sate mund të shpëtoni.’
15 Kur fillova të flisja, ata morën frymën e shenjtë, ashtu siç e morëm edhe ne në fillim.+
16 Atëherë më erdhën ndër mend fjalët e Zotërisë: ‘Gjoni pagëzoi me ujë,+ por ju do të pagëzoheni me frymë të shenjtë.’+
17 Prandaj, nëse Perëndia u dha atyre të njëjtën dhuratë* që na dha edhe neve që besuam në Zotërinë Jezu Krisht, kush isha unë që të pengoja Perëndinë?»*+
18 Kur dëgjuan këto, ata nuk kundërshtuan më* dhe i dhanë lavdi Perëndisë me fjalët: «E pra, Perëndia u ka dhënë edhe njerëzve të kombeve mundësinë që të pendohen, e kështu të kenë jetë.»+
19 Tani, ata që ishin shpërndarë+ nga përndjekja* që nisi me Stefanin, shkuan deri në Feniki, Qipro dhe Antioki, por u predikuan vetëm judenjve.+
20 Megjithatë, midis tyre kishte disa njerëz nga Qiproja dhe Kirena që vajtën në Antioki dhe nisën t’u shpallnin lajmin e mirë për Zotërinë Jezu atyre që flitnin greqisht.
21 Dora e Jehovait* ishte me ta, e një numër i madh njerëzish besuan dhe u kthyen te Zotëria.+
22 Kongregacioni në Jerusalem mori vesh këtë lajm dhe dërguan Barnabën+ në Antioki.
23 Kur mbërriti dhe pa mirësinë e pamerituar të Perëndisë, Barnaba gëzoi e filloi t’i inkurajonte të gjithë që t’i qëndronin besnikë Zotërisë me gjithë zemër,+
24 pasi ishte njeri i mirë dhe plot frymë të shenjtë e besim. Kështu, një turmë mjaft e madhe besoi te Zotëria.+
25 Prandaj Barnaba u nis për në Tars, që të kërkonte Saulin derisa ta gjente.+
26 Pasi e gjeti, e çoi në Antioki. Kështu, për një vit të tërë, ata mblidheshin me kongregacionin dhe mësonin një turmë mjaft të madhe. Pikërisht në Antioki, me anë të drejtimit hyjnor, dishepujt u quajtën për herë të parë «të krishterë».+
27 Ato ditë, disa profetë+ zbritën nga Jerusalemi në Antioki.
28 Njëri prej tyre, që quhej Agab,+ u ngrit dhe nëpërmjet frymës paratha se në gjithë tokën e banuar do të vinte një zi buke e madhe,+ që erdhi vërtet në kohën e Klaudit.
29 Prandaj, dishepujt vendosën që gjithsecili, sipas mundësisë,+ të jepte ndihmë*+ për vëllezërit që jetonin në Jude.
30 Kështu bënë dhe ua dërguan ndihmat pleqve nëpërmjet Barnabës e Saulit.+
Shënimet
^ Shih Fjalorthin.
^ Ose «të haheshin me të».
^ Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «një lloj mbajtëseje».
^ Ose «dhuratën falas».
^ Ose «që t’i kundërvihesha Perëndisë?»
^ Fjalë për fjalë «heshtën».
^ Ose «shtrëngimi».
^ Shih Shtojcën A5.
^ Ose «të kryente shërbimin e ndihmës».