Veprat e Apostujve 17:1-34

  • Pavli dhe Sila në Selanik (1-9)

  • Pavli dhe Sila në Bere (10-15)

  • Pavli në Athinë (16-22a)

  • Fjalimi i Pavlit në Areopag (22b-34)

17  Më pas, udhëtuan përmes Amfipolit e Apolonisë dhe mbërritën në Selanik,+ ku kishte një sinagogë judenjsh.  Siç e kishte zakon,+ Pavli hyri në sinagogë e për tri sabate rresht arsyetoi me ta nga Shkrimet,+  duke shpjeguar e duke provuar me pjesë nga shkrimet se Krishti duhej të vuante+ e të ngrihej nga të vdekurit.+ Ai u thoshte: «Ky është Krishti, Jezui që unë po ju shpall.»  Si rrjedhojë, disa prej tyre u bënë besimtarë dhe shoqëroheshin me Pavlin e me Silën.+ Kështu bënë edhe një numër i madh grekësh që adhuronin Perëndinë, si dhe mjaft gra të shquara.  Por judenjtë, nga zemërimi,*+ mblodhën disa burra të poshtër që bridhnin pazarit, formuan një turmë dhe nxitën një trazirë në qytet. Sulmuan shtëpinë e Jasonit dhe kërkuan që Pavlin e Silën t’i nxirrnin para turmës.  Meqë nuk i gjetën, Jasonin dhe disa vëllezër i çuan zvarrë te krerët e qytetit, duke thërritur: «Këta njerëz që e kanë kthyer përmbys* botën, kanë ardhur edhe këtu,+  e Jasoni i priti si mysafirë. Të gjithë këta veprojnë kundër dekreteve të Cezarit duke thënë se ka një mbret tjetër, Jezui.»+  Kur krerët e qytetit dhe turma dëgjuan këto fjalë, u alarmuan.  E pasi morën një garanci të mjaftueshme nga Jasoni dhe të tjerët, i lanë të iknin. 10  Me të rënë nata, vëllezërit i nisën Pavlin dhe Silën për në Bere. Sa mbërritën, këta shkuan në sinagogën e judenjve. 11  Judenjtë në Bere ishin më të gatshëm për të mësuar* se ata në Selanik, pasi e pranuan fjalën me etje të madhe, dhe çdo ditë i shqyrtonin me kujdes Shkrimet, për të parë nëse gjërat që dëgjonin, ishin të vërteta. 12  Kështu, shumë prej tyre u bënë besimtarë, dhe po ashtu edhe mjaft gra të nderuara e disa burra grekë. 13  Por, kur judenjtë e Selanikut morën vesh se Pavli po e shpallte fjalën e Perëndisë edhe në Bere, shkuan edhe atje që të nxitnin dhe të turbullonin turmat.+ 14  Atëherë, vëllezërit e nisën menjëherë Pavlin në drejtim të detit,+ ndërsa Sila dhe Timoteu qëndruan atje. 15  Megjithatë, ata që e përcollën Pavlin, e çuan deri në Athinë. Pastaj u kthyen me porosinë që Sila e Timoteu+ të shkonin sa më parë tek ai. 16  Ndërsa Pavli po i priste në Athinë, ziente përbrenda tek shihte se qyteti ishte plot me idhuj. 17  Prandaj nisi të arsyetonte në sinagogë me judenjtë e me njerëz të tjerë që adhuronin Perëndinë, si edhe çdo ditë me ata që ndodheshin në sheshin e pazarit. 18  Por disa nga filozofët epikurianë dhe stoikë nisën të haheshin me fjalë me të. Disa thoshin: «Ç’do të thotë ky llafazan?» Të tjerë: «Duket se është lajmëtar perëndish të huaja.» E kjo, ngaqë shpallte lajmin e mirë për Jezuin dhe ringjalljen.+ 19  Kështu e kapën dhe e çuan në Areopag, ku i thanë: «A mund ta marrim vesh ç’është ky mësim i ri për të cilin flet? 20  Se ti po na thua ca gjëra të çuditshme, ndaj duam të dimë ç’kuptim kanë.» 21  Në fakt, të gjithë athinasit dhe të huajt që banonin përkohësisht* atje, e kalonin kohën e lirë veç duke treguar a duke dëgjuar ndonjë gjë të re. 22  Atëherë, Pavli qëndroi në mes të Areopagut+ dhe tha: «Burra të Athinës, unë shoh se në gjithçka ju i nderoni thellësisht perënditë më shumë se të tjerët,*+ 23  sepse tek ecja e vështroja me vëmendje objektet tuaja të adhurimit, gjeta edhe një altar me mbishkrimin: ‘Një Perëndie të Panjohur’. Prandaj po ju shpall atë që ju e adhuroni pa e njohur. 24  Perëndia që bëri botën dhe gjithçka në të, duke qenë Zotëri i qiellit dhe i tokës,+ nuk banon në tempuj të bërë me duar,+ 25  as kërkon t’i shërbejnë duart e njeriut, sikur të ketë nevojë për ndonjë gjë,+ pasi ai vetë u jep të gjithëve jetë, frymë+ dhe gjithçka. 26  Nga një njeri i vetëm,+ ai bëri të gjitha kombet, që të banojnë mbi tërë faqen e dheut,+ dhe vendosi kohët e caktuara dhe caqet për banimin e njerëzve,+ 27  që të kërkojnë Perëndinë. Nëse ata e kërkojnë me ngulm,* mund ta gjejnë vërtet,+ edhe pse, në fakt, ai nuk është larg nga secili prej nesh, 28  sepse falë tij ne kemi jetë, lëvizim dhe ekzistojmë, siç kanë thënë edhe disa nga poetët tuaj: ‘Sepse edhe ne jemi fëmijë* të tij.’ 29  Prandaj, meqë jemi fëmijët* e Perëndisë,+ të mos mendojmë se Perëndia* i ngjan arit, argjendit a gurit, diçkaje të gdhendur sipas artit dhe sajesës së njerëzve.+ 30  Vërtet, Perëndia i mbylli sytë para kohëve të një padijeje të tillë,+ por tani po u bën thirrje të gjithë njerëzve kudo qofshin që të pendohen, 31  sepse ka caktuar një ditë, në të cilën do të gjykojë+ me drejtësi tokën e banuar nëpërmjet një njeriu që ka emëruar, dhe u ka dhënë garanci të gjithëve duke e ringjallur atë nga të vdekurit.»+ 32  Kur dëgjuan për ringjalljen e të vdekurve, disa filluan ta tallnin,+ ndërsa të tjerë i thanë: «Do të të dëgjojmë prapë për këtë.» 33  Kështu, Pavli u largua nga ata, 34  por disa burra u bashkuan me të e u bënë besimtarë. Ndër ta ishte edhe Dionisi, gjykatës i gjyqit të Areopagut, një grua që quhej Damaris, e bashkë me ta edhe disa të tjerë.

Shënimet

Ose «xhelozia».
Ose «kanë krijuar telashe në».
Ose «me mendje më fisnike».
Ose «ishin vizitorë».
Ose «më besimtarë se të tjerët».
Fjalë për fjalë «me të prekur».
Ose «pasardhës».
Ose «pasardhësit».
Ose «Hyjnori».