Zakaria 3:1-10

  • Vegimi 4: Kryepriftit i ndryshojnë rrobat (1-10)

    • Satanai i kundërvihet kryepriftit Josi (1)

    • ‘Unë do të sjell shërbëtorin tim, Filizin!’ (8)

3  Pastaj Perëndia më tregoi kryepriftin Josi+ që qëndronte përpara engjëllit të Jehovait dhe Satanain+ që qëndronte në të djathtë të tij që t’i kundërvihej.  Atëherë engjëlli i Jehovait i tha Satanait: «Të qortoftë Jehovai, o Satana!+ Po, të qortoftë Jehovai, ai që e ka zgjedhur Jerusalemin!+ A nuk është ky burrë një kërcu i shkëputur nga zjarri?»  Josiu kishte veshur rroba të ndotura dhe qëndronte përpara engjëllit.  Engjëlli u tha atyre që qëndronin para tij: «Hiqjani rrobat e ndotura.» Pastaj i tha Josiut: «Shih, unë e kam hequr prej teje fajin dhe do të të veshin me rroba të shkëlqyera.»*+  Atëherë thashë: «Le t’i vihet në kokë një çallmë e pastër.»+ Kështu i vunë në kokë çallmën e pastër dhe i veshën rrobat. Ndërkohë engjëlli i Jehovait qëndronte aty pranë.  Engjëlli i Jehovait i tha Josiut:  «Kështu thotë Jehovai i ushtrive: ‘Nëse do të ecësh në udhët e mia dhe nëse do t’i përmbushësh përgjegjësitë që ke ndaj meje, atëherë do të shërbesh si gjykatës në shtëpinë time+ e do të kujdesesh për* oborret e mia. Unë do të të lejoj të hysh lirshëm, ashtu si ata që qëndrojnë këtu.’  ‘Dëgjo, të lutem, o kryeprifti Josi, ti dhe shokët e tu që janë ulur para teje, sepse prania e këtyre burrave shërben si një shenjë. Ja, unë po sjell shërbëtorin tim,+ Filizin!+  Shihni gurin që kam vënë përpara Josiut. Mbi këtë gur ka shtatë sy;* unë po skalit një mbishkrim në të,​—thotë Jehovai i ushtrive,—​dhe do ta heq fajin e këtij vendi brenda një dite.’+ 10  ‘Atë ditë,​—thotë Jehovai i ushtrive,—​ju do të ftoni fqinjët* të rrinë poshtë hardhisë e poshtë fikut.’»+

Shënimet

Ose «me petka të gjata ceremonie».
Ose «do të mbash përgjegjësi për; do t’i ruash».
Mund të ketë kuptimin që shtatë sy po e shohin këtë gur.
Ose «të afërmit». Shih Fjalorthin.