Zanafilla 17:1-27

  • Abrahami do të bëhet atë i shumë kombeve (1-8)

    • Nga Abram në Abraham (5)

  • Besëlidhja e rrethprerjes (9-14)

  • Nga Saraja në Sara (15-17)

  • Premtohet Isaku (18-27)

17  Kur Abrami ishte 99 vjeç, Jehovai iu shfaq dhe i tha: «Unë jam Perëndia i Plotfuqishëm. Ec në udhët e mia dhe ji i patëmetë.*  Unë do ta mbaj besëlidhjen që bëra mes meje e teje+ dhe do të të shumoj pa masë.»+  Me të dëgjuar këtë, Abrami u përkul me fytyrë përtokë dhe Perëndia vazhdoi t’i thoshte:  «Ja, unë bëra një besëlidhje me ty+ dhe ti ke për t’u bërë ati i shumë kombeve.+  Emri yt nuk do të jetë më Abram,* por Abraham,* sepse do të të bëj atin e shumë kombeve.  Do të të bëj shumë, shumë të frytshëm, dhe nga ti do të dalin kombe e mbretër.+  Do të respektoj besëlidhjen mes meje e teje+ dhe pasardhësit* tënd, brez pas brezi, si një besëlidhje të përhershme, që të jem Perëndi për ty dhe për pasardhësin tënd.  Ty dhe pasardhësit* tënd do t’ju jap vendin ku banove si i huaj,+ gjithë vendin e Kananit, si zotërim të përhershëm, dhe unë do të jem Perëndia i tij.»+  Perëndia i tha më tej Abrahamit: «Kurse ti duhet ta respektosh besëlidhjen time, ti dhe pasardhësit* e tu, brez pas brezi. 10  Kjo është besëlidhja mes meje e teje, që do të respektoni ti dhe pasardhësit* e tu: çdo mashkull mes jush duhet të rrethpritet.+ 11  Pra duhet të rrethpriteni,* dhe kjo do të jetë si shenjë e besëlidhjes mes meje dhe teje.+ 12  Brez pas brezi, çdo mashkull tetëditësh mes jush duhet të rrethpritet,+ si ai që ka lindur në shtëpinë tënde, edhe ai që nuk është një nga pasardhësit* e tu dhe që iu ble me pará një të huaji. 13  Çdo burrë i lindur në shtëpinë tënde dhe çdo burrë që ke blerë me pará duhet të rrethpritet.+ Kjo shenjë në mishin tuaj duhet të shërbejë si provë e besëlidhjes sime të pandryshueshme me ty. 14  Nëse ndonjë mashkull nuk pranon të rrethpritet, ai duhet shfarosur* nga gjiri i popullit. Ai ka shkelur besëlidhjen time.» 15  Pastaj Perëndia i tha Abrahamit: «Kurse Sarajën,*+ gruan tënde, mos e quaj më Sarajë, sepse emri i saj do të jetë Sara.* 16  Unë do ta bekoj, e nga ajo do të të jap një djalë.+ Unë do ta bekoj, e nga ajo do të vijnë kombe dhe mbretër.» 17  Me të dëgjuar këtë, Abrahami u përkul me fytyrë përtokë dhe nisi të qeshte e të thoshte me vete:+ «A do t’i lindë vallë një burri 100-vjeçar një djalë? Po Sara, një grua 90 vjeçe, a thua të lindë?»+ 18  Pas kësaj Abrahami i tha Perëndisë së vërtetë: «Të lutem, beko Ismaelin!»+ 19  Perëndia ia ktheu: «Sara, gruaja jote, do të të lindë pa dyshim një djalë dhe do t’ia vësh emrin Isak.*+ Me të dhe me pasardhësin* e tij do ta mbaj besëlidhjen time, besëlidhjen time të përhershme.+ 20  Sa për Ismaelin, të kam dëgjuar; do ta bekoj, do ta bëj të frytshëm dhe do ta shtoj pa masë. Prej tij do të dalin 12 prijës, dhe unë do ta bëj një komb të madh.+ 21  Megjithatë, besëlidhjen time do ta mbaj me Isakun,+ të cilin Sara do të ta lindë vitin tjetër tamam në këtë kohë.»+ 22  Kur mbaroi së foluri me të, Perëndia u largua nga Abrahami. 23  Atëherë Abrahami mori Ismaelin, të birin, gjithë burrat e lindur në shtëpinë e tij dhe gjithë ata që i kishte blerë me pará, pra çdo mashkull të shtëpisë së vet, dhe i rrethpreu po atë ditë, pikërisht siç i kishte thënë Perëndia.+ 24  Abrahami ishte 99 vjeç kur u rrethpre.+ 25  Ndërsa Ismaeli, i biri, ishte 13 vjeç kur u rrethpre.+ 26  Po atë ditë u rrethpre Abrahami dhe djali i vet, Ismaeli. 27  Gjithashtu, bashkë me të u rrethprenë gjithë burrat e shtëpisë së tij, ata që kishin lindur në shtëpinë e tij dhe ata që i kishte blerë me pará nga një i huaj.

Shënimet

Ose «i paqortueshëm».
Do të thotë «ati është i lartë (i lartësuar)».
Do të thotë «ati i një shumice (turme); ati i shumë vetave».
Fjalë për fjalë «farës». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «farës». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «fara».
Fjalë për fjalë «fara».
Fjalë për fjalë «të rrethpritni mishin e lafshës».
Fjalë për fjalë «fara».
Ose «ai shpirt duhet ekzekutuar».
Mund të ketë kuptimin «grindavece».
Do të thotë «princeshë».
Fjalë për fjalë «farën». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Do të thotë «qeshje».