Zanafilla 25:1-34

  • Abrahami rimartohet (1-6)

  • Vdekja e Abrahamit (7-11)

  • Bijtë e Ismaelit (12-18)

  • Lindin Jakobi dhe Esau (19-26)

  • Esau shet të drejtën e të parëlindurit (27-34)

25  Tani, Abrahami mori një grua tjetër, që e kishte emrin Ketura.  Me kalimin e kohës, ajo i lindi Zimranin, Jokshanin, Medanin, Midianin,+ Ishbakun dhe Shuahun.+  Jokshanit i lindën Sheba dhe Dedani. Bijtë e Dedanit ishin: Ashurimi, Letushimi dhe Leumimi.  Bijtë e Midianit ishin: Efahu, Eferi, Hanoku, Abidai dhe Eldahu. Të gjithë këta ishin bijtë e Keturës.  Më vonë Abrahami i dha Isakut çdo gjë që kishte,+  kurse bijve që kishte me konkubinat, u dha dhurata. Pastaj, ndërsa ishte ende gjallë, i dërgoi ata për në vendin e Lindjes, larg të birit,+ Isakut.  Abrahami jetoi gjithsej 175 vjet.  Pastaj Abrahami dha frymë e vdiq në pleqëri të mbarë, i moshuar e i kënaqur, dhe u bashkua me popullin e tij.*  Bijtë e tij, Isaku dhe Ismaeli, e varrosën në shpellën e Makpelahut, në arën e Efronit, birit të Zoharit, hititit, që ndodhet përballë Mamresë,+ 10  në arën që Abrahami u kishte blerë bijve të Hethit. Abrahamin e varrosën atje bashkë me Sarën, gruan e tij.+ 11  Pas vdekjes së Abrahamit, Perëndia vazhdoi ta bekonte Isakun,+ birin e tij; Isaku banonte pranë Ber-Lahai-Roit.+ 12  Kjo është historia e Ismaelit,+ birit të Abrahamit, që Agara,+ egjiptiania, shërbyesja e Sarës, i lindi Abrahamit. 13  Këta janë emrat e bijve të Ismaelit sipas prejardhjes së tyre familjare: Nebajoti,+ i parëlinduri i Ismaelit, pastaj Kedari,+ Adbeli, Mibsami,+ 14  Mishmai, Dumahu, Masai, 15  Hadadi, Temai, Jeturi, Nafishi dhe Kedemahu. 16  Këta janë bijtë e Ismaelit, dhe këta janë emrat e tyre sipas vendbanimeve dhe sipas kampeve të tyre,* 12 prijës sipas fiseve të tyre.+ 17  Ismaeli jetoi 137 vjet. Pastaj ai dha frymë e vdiq, dhe u bashkua me popullin e tij.* 18  Ata* u vendosën me banim nga Havilahu+ pranë Surit,+ që ndodhet afër Egjiptit, deri në Asiri, dhe zunë vend përballë gjithë vëllezërve të tyre.*+ 19  Kurse kjo është historia e Isakut, birit të Abrahamit.+ Abrahamit i lindi Isaku. 20  Isaku ishte 40 vjeç kur u martua me Rebekën, bijën e Betuelit,+ aramaitit nga Padan-Arami, motrën e Labanit, aramaitit. 21  Isaku i përgjërohej pa pushim Jehovait për gruan e tij, sepse nuk lindte fëmijë. Prandaj Jehovai iu përgjigj përgjërimit të tij, dhe Rebeka, e shoqja, mbeti shtatzënë. 22  Fëmijët në bark të saj nisën të ziheshin me njëri-tjetrin,+ prandaj ajo tha: «Nëse më duhet të vuaj kështu, kot që rroj!» Kështu e pyeti Jehovain, 23  dhe Jehovai i tha: «Në bark ke dy kombe,+ dy popuj do të dalin prej teje.+ Njëri komb do të jetë më i fortë se tjetri,+ dhe më i madhi do t’i shërbejë më të voglit.»+ 24  Kur mbushi ditët e lindjes, ja, kishte binjakë. 25  I pari doli i tëri i kuq dhe dukej sikur kishte veshur një rrobë prej leshi,+ prandaj e quajtën Esau.*+ 26  Pastaj doli edhe i vëllai, i cili kishte kapur thembrën e Esaut me dorë,+ prandaj Isaku e quajti Jakob.*+ Ai ishte 60 vjeç kur Rebeka i lindi djemtë. 27  Ndërsa rriteshin, Esau u bë gjahtar i zoti,+ i dhënë pas gjahut, kurse Jakobi kalonte kohën më të madhe në tenda dhe ishte njeri i paqortueshëm.+ 28  Isaku donte Esaun, sepse i sillte për të ngrënë mish gjahu, ndërsa Rebeka donte Jakobin.+ 29  Një herë, Jakobi po ziente ca gjellë kur Esau u kthye i rraskapitur nga fusha. 30  Prandaj Esau i tha Jakobit: «Shpejt, të lutem, më jep një lugë nga gjella e kuqe* që ke aty, sepse po vdes urie!»* Ja pse u quajt Edom.*+ 31  Jakobi ia ktheu: «Më parë, më shit të drejtën tënde si i parëlindur.»+ 32  Esau vazhdoi: «Unë po vdes këtu! Ç’më duhet e drejta e të parëlindurit?!» 33  Jakobi shtoi: «Së pari m’u beto!» Prandaj iu betua dhe i shiti Jakobit të drejtën si i parëlindur.+ 34  Atëherë Jakobi i dha Esaut bukë dhe gjellë me thjerrëza, dhe ai hëngri e piu, u ngrit dhe iku. Kështu Esau e përbuzi të drejtën e të parëlindurit.

Shënimet

Kjo është një shprehje poetike për vdekjen.
Ose «kampeve të tyre të rrethuara me mure».
Kjo është një shprehje poetike për vdekjen.
Një mundësi tjetër «jetuan në armiqësi me gjithë vëllezërit e tyre».
Ose «Pasardhësit e Ismaelit».
Do të thotë «leshtor».
Do të thotë «një që kap thembrën; një që zë vendin».
Fjalë për fjalë «nga e kuqja, kjo e kuqja».
Ose «jam i rraskapitur!»
Do të thotë «i kuq; kuqalash».