Zanafilla 30:1-43

  • Belhaja lind Danin dhe Neftalin (1-8)

  • Zilpa lind Gadin dhe Asherin (9-13)

  • Lea lind Isaharin dhe Zabulonin (14-21)

  • Rakela lind Jozefin (22-24)

  • Kopeja e Jakobit shtohet (25-43)

30  Kur pa se nuk po bënte dot fëmijë, Rakela u bë xheloze për të motrën dhe nisi t’i thoshte Jakobit: «Më bëj me fëmijë, përndryshe do të vdes.»  Mirëpo Jakobi u zemërua me Rakelën dhe ia ktheu: «Mos jam unë Perëndia, që nuk të ka lejuar të kesh fëmijë?!»*  Prandaj ajo i tha: «Ja ku e ke skllaven time, Belhanë.+ Ki marrëdhënie me të që ajo të lindë fëmijë për mua* dhe të kem edhe unë fëmijë nëpërmjet saj.»  Kështu i dha për grua Belhanë, shërbyesen e saj, dhe Jakobi pati marrëdhënie me të.+  Belhaja mbeti shtatzënë dhe pas ca kohësh i lindi Jakobit një djalë.  Atëherë Rakela tha: «Perëndia veproi si gjykatësi im dhe ma dëgjoi zërin, prandaj më dha një djalë.» Ja pse e quajti Dan.*+  Belhaja, shërbyesja e Rakelës, mbeti sërish shtatzënë dhe i lindi Jakobit djalin e dytë.  Atëherë Rakela tha: «Jam përleshur ashpër me motrën time dhe kam dalë fitimtare!» Prandaj e quajti Neftal.*+  Kur Lea kuptoi që nuk po lindte më, mori shërbyesen e saj, Zilpën, dhe ia dha për grua Jakobit.+ 10  Zilpa, shërbyesja e Leas, i lindi Jakobit një djalë. 11  Atëherë Lea tha: «Ç’mbarësi!» Prandaj e quajti Gad.*+ 12  Pastaj Zilpa, shërbyesja e Leas, i lindi Jakobit djalin e dytë. 13  Atëherë Lea tha: «Ç’lumturi! Me siguri gratë do të më quajnë të lumtur.»+ Prandaj e quajti Asher.*+ 14  Në kohën e korrjes së grurit, teksa po ecte në fushë, Rubeni+ gjeti ca madërgona dhe ia çoi Leas, nënës së vet. Atëherë Rakela i tha Leas: «Të lutem, më jep ca nga madërgonat e djalit tënd.» 15  Por ajo ia ktheu: «Të duket gjë e vogël që më more burrin?!+ Tani dashke të më marrësh edhe madërgonat e djalit?!» Atëherë Rakela i tha: «Mirë pra, ai do të flejë me ty sonte në këmbim të madërgonave të djalit tënd.» 16  Në mbrëmje, kur Jakobi po kthehej nga fusha, Lea i doli përpara për ta takuar dhe i tha: «Sonte do të flesh me mua, sepse të kam paguar me madërgonat e tim biri.» Prandaj ai fjeti me të atë natë. 17  Perëndia e dëgjoi dhe iu përgjigj Leas, që mbeti shtatzënë dhe i lindi Jakobit djalin e pestë. 18  Atëherë Lea tha: «Perëndia ma dha shpërblimin tim,* ngaqë i dhashë tim shoqi shërbyesen.» Prandaj e quajti Isahar.*+ 19  Lea mbeti përsëri shtatzënë dhe i lindi Jakobit djalin e gjashtë.+ 20  Atëherë ajo tha: «Perëndia më dha mua, po mua, një dhuratë të mirë. Më në fund, im shoq do të më pranojë,+ sepse i kam lindur gjashtë djem.»+ Kështu e quajti Zabulon.*+ 21  Pastaj lindi një vajzë dhe e quajti Dina.+ 22  Në fund, Perëndia u kujtua për Rakelën, dhe Perëndia e dëgjoi e iu përgjigj duke i dhënë mundësi të mbetej shtatzënë.*+ 23  Ajo mbeti shtatzënë, lindi një djalë dhe tha: «Perëndia ma hoqi poshtërimin!»+ 24  Prandaj e quajti Jozef*+ dhe tha: «Jehovai po më shton edhe një djalë.» 25  Pasi Rakela lindi Jozefin, Jakobi i tha menjëherë Labanit: «Të lutem, më lër të shkoj në tokën time dhe në vendin tim.+ 26  Më jep gratë dhe fëmijët e mi për të cilët të shërbeva dhe lërmë të iki, sepse ti e di mirë si të kam shërbyer.»+ 27  Atëherë Labani i tha: «Nëse kam miratimin tënd, të lutem, rri, sepse e kam kuptuar nga oguret* se Jehovai po më bekon falë teje.» 28  Dhe shtoi: «Caktoje pagën që do dhe do të ta jap.»+ 29  Prandaj Jakobi i tha: «Ti e di si të kam shërbyer dhe sa është bërë kopeja jote nën kujdesin tim.+ 30  Para se të vija unë, ishte e vogël, por tani është shtuar e është bërë e madhe, dhe Jehovai të ka bekuar që kur kam ardhur unë. Po për shtëpinë time, kur do të bëj diçka?»+ 31  Prandaj Labani e pyeti: «Ç’të të jap?» Jakobi iu përgjigj: «S’do të më japësh asgjë! Unë do të vazhdoj ta kullot dhe ta ruaj kopenë tënde+ nëse bën këtë që do të të them. 32  Unë do të kaloj sot mes tërë kopesë sate. Ti vër mënjanë çdo dele pikaloshe dhe lara-lara, çdo dash në kafe të errët dhe çdo dhi pikaloshe e lara-lara. Që sot e tutje, këto le të jenë paga ime.+ 33  Ndershmëria* ime do të flasë për mua kur të vish për të kontrolluar pagën time, e nëse gjen tek unë ndonjë dhi që nuk është pikaloshe ose lara-lara, ose ndonjë dash të ri që nuk është në kafe të errët, quaje të vjedhur.» 34  Atëherë Labani tha: «Dakord. U bëftë ashtu si the!»+ 35  Prandaj atë ditë, Labani i vuri mënjanë cjeptë vija-vija e lara-lara, tërë dhitë pikaloshe e lara-lara, çdo bagëti që kishte ndonjë njollë të bardhë e çdo dash të ri në kafe të errët dhe ua dha bijve të tij që të kujdeseshin. 36  Pastaj i çoi këto tufa tri ditë udhë larg nga Jakobi, kurse Jakobi vazhdoi ta kulloste pjesën që mbeti të kopesë së Labanit. 37  Atëherë Jakobi mori disa purteka të sapokëputura prej druri stiraksi, bajameje dhe rrapi. U zhvoshku lëvoren vende-vende derisa u zbuloi pjesët e bardha. 38  Pastaj purtekat e zhvoshkura i vuri përballë kopesë, në vijat e ujit, në lugjet ku kopetë vinin për të pirë, që të vinin në afsh përpara tyre. 39  Kështu kopetë vinin në afsh përpara purtekave dhe bënin të vegjël vija-vija, pikaloshë dhe lara-lara. 40  Pastaj Jakobi i vuri mënjanë këta desh të rinj dhe e ktheu pjesën tjetër të kopesë që të shikonte kopenë vija-vija e në kafe të errët që kishte lindur nga kopeja e Labanit. Më pas, kopetë e veta i vuri mënjanë dhe nuk i vuri bashkë me të Labanit. 41  Sa herë që bagëtitë e shëndetshme vinin në afsh, Jakobi ua vinte purtekat në vijat e ujit para syve, që ato të vinin në afsh pranë purtekave. 42  Por kur bagëtitë ishin të ligshta, ai nuk i vendoste purtekat atje. Kështu të ligshtat ishin gjithnjë të Labanit, kurse të shëndetshmet të Jakobit.+ 43  Ai njeri u bë shumë i pasur dhe pati kope të mëdha, shërbyese e shërbyes, deve e gomarë.+

Shënimet

Ose «ta ka mohuar frytin e barkut?!»
Fjalë për fjalë «të lindë në gjunjët e mi».
Do të thotë «gjykatës».
Do të thotë «përleshjet e mia».
Do të thotë «mbarësi».
Do të thotë «i lumtur; lumturi».
Ose «pagën time».
Do të thotë «ai është pagë».
Do të thotë «pranim».
Fjalë për fjalë «dhe Perëndia e dëgjoi dhe ia çeli barkun».
Formë e shkurtuar e emrit Josifiah që do të thotë «Jah le ta shtojë (le ta rritë)».
Ose «nga provat».
Ose «Drejtësia».