Zanafilla 37:1-36

  • Ëndrrat e Jozefit (1-11)

  • Jozefi dhe vëllezërit e tij xhelozë (12-24)

  • Shitet Jozefi si skllav (25-36)

37  Jakobi vazhdoi të banonte në vendin e Kananit ku kishte jetuar si i huaj edhe i ati.+  Kjo është historia e Jakobit. Kur ishte një djalosh 17-vjeçar, i biri, Jozefi,+ po kulloste kopetë+ me djemtë e Belhasë+ dhe të Zilpës,+ gratë e të atit, dhe Jozefi i tregoi babait gjërat e këqija që bënin ata.  Tani, Izraeli e donte Jozefin më shumë se gjithë djemtë e tjerë,+ sepse ai ishte djali i pleqërisë, prandaj i kishte bërë një veshje të veçantë.*  Kur vunë re që babai e donte atë më shumë se gjithë të tjerët, vëllezërit filluan ta urrenin, aq sa s’mund t’i flitnin më njerëzisht.  Më vonë, Jozefi pa një ëndërr dhe ua tregoi vëllezërve+ dhe për këtë ata filluan ta urrenin edhe më tepër.  Ai u tha: «Dëgjoni, ju lutem, ç’ëndërr pashë.  Ne po lidhnim tufa kallinjsh në mes të arës kur ja, tufa e kallinjve të mi u ngrit dhe rrinte drejt, ndërsa tufat e kallinjve tuaj e rrethuan dhe u përkulën para tufës sime.»+  Vëllezërit ia kthyen: «Mos do të bëhesh mbreti ynë tani e do të na sundosh?!»+ Prandaj patën një arsye më tepër për ta urryer, për shkak të ëndrrave dhe të fjalëve që tha.  Pas kësaj ai pa edhe një ëndërr tjetër dhe ua tregoi vëllezërve: «Kam parë edhe një ëndërr tjetër. Kësaj here dielli, hëna dhe 11 yje po përkuleshin para meje.»+ 10  Pastaj, në prani të vëllezërve, ia tregoi edhe të atit, i cili e qortoi e i tha: «Ç’kuptim ka kjo ëndrra jote? Mos vallë unë, nëna jote dhe vëllezërit e tu do të vijmë e do të përkulemi përtokë para teje?!» 11  Vëllezërit e tij u mbushën gjithë xhelozi nga fjalët e tij,+ kurse i ati i nguliti në mendje. 12  Një ditë, vëllezërit e tij shkuan të kullotnin kopenë e të atit pranë Sikemit,+ 13  dhe Izraeli i tha Jozefit: «Vëllezërit e tu po kullotin kopetë pranë Sikemit. Çohu e shko tek ata.» Ai ia ktheu: «Po, baba.» 14  Atëherë i ati i tha: «Të lutem, shih nëse vëllezërit e tu janë mirë, shih edhe si është kopeja e më ço fjalë.» Kështu e nisi nga lugina* e Hebronit,+ dhe ai mori rrugën për në Sikem. 15  Më vonë, një burrë e pa tek ecte nëpër fushë dhe e pyeti: «Çfarë po kërkon?» 16  Ai i tha: «Po kërkoj vëllezërit. Të lutem, më thuaj ku po i kullotin kopetë?» 17  Burri vazhdoi: «Janë larguar që këtej, sepse i dëgjova të thoshin: ‘Të ikim në Dotan.’» Kështu Jozefi vajti në Dotan dhe atje gjeti vëllezërit. 18  Ata e vunë re nga larg dhe, para se t’u afrohej, filluan të komplotonin për ta vrarë. 19  Ata i thanë njëri-tjetrit: «Ja tek po vjen ëndërrimtari!+ 20  Hajde, ta vrasim, ta hedhim në një nga këto gropat e ujit dhe të themi se e gllabëroi një kafshë grabitqare. Pastaj të shohim ç’do të bëhet me ëndrrat e tij.» 21  Kur e dëgjoi këtë, Rubeni+ u përpoq ta shpëtonte nga duart e tyre, prandaj tha: «Të mos e vrasim!»+ 22  Pastaj shtoi: «Mos derdhni gjak!+ Hidheni më mirë në këtë gropë uji në shkretëtirë, por mos i bëni gjë.»*+ Faktikisht ai donte ta shpëtonte nga duart e tyre që ta kthente tek i ati. 23  Kështu, sapo Jozefi mbërriti te vëllezërit e vet, ata ia hoqën veshjen e veçantë që kishte veshur,+ 24  e morën dhe e hodhën në gropën e ujit. Në atë kohë, gropa ishte bosh, nuk kishte ujë. 25  Pastaj u ulën të hanin. Kur ngritën sytë, panë një karvan ismaelitësh+ me devetë e ngarkuara me labdan, balsam dhe lëvore rrëshinore,+ që po vinin nga Galadi e po shkonin për në Egjipt. 26  Atëherë Juda u tha vëllezërve: «S’na leverdis ta vrasim vëllanë tonë dhe të mbulojmë vdekjen* e tij.+ 27  T’ua shesim+ ismaelitëve dhe të mos ngremë dorë kundër tij se, në fund të fundit, është vëllai ynë, gjaku ynë.»* Kështu ata ia vunë veshin 28  dhe, kur tregtarët midianitë+ po kalonin aty pranë, e nxorën Jozefin nga gropa e ujit dhe ua shitën ismaelitëve për 20 monedha argjendi;+ këta e çuan Jozefin në Egjipt. 29  Më vonë, kur u kthye te gropa e ujit dhe pa që Jozefi nuk ishte aty, Rubeni shqeu rrobat, 30  pastaj shkoi te vëllezërit dhe bërtiti: «Fëmija është zhdukur! Po unë, çfarë të bëj unë tani?» 31  Kështu therën një cjap, morën veshjen e Jozefit dhe e ngjyen në gjak. 32  Pastaj ia dërguan babait të tyre bashkë me këto fjalë: «Ja çfarë gjetëm. Të lutemi, shihe me kujdes nëse është veshja e tët biri.»+ 33  Ai e pa me kujdes dhe ulëriti: «Është veshja e tim biri! Me siguri ndonjë kafshë grabitqare do ta ketë gllabëruar e do ta ketë shqyer Jozefin!» 34  Menjëherë Jakobi shqeu rrobat, ngjeshi një copë thesi* në mes dhe mbajti zi shumë ditë për të birin. 35  Gjithë bijtë e bijat e tij përpiqeshin ta ngushëllonin, por ai nuk pranonte të ngushëllohej e thoshte: «Do të zbres në Varr*+ i pikëlluar për tim bir!», dhe nuk ndalonte së qari për të birin. 36  Ndërkohë midianitët e shitën Jozefin në Egjipt te Potifari, një zyrtar i oborrit të faraonit,+ kreu i rojave.+

Shënimet

Ose «të gjatë e të bukur».
Ose «ultësira».
Ose «mos ngrini dorë kundër tij».
Fjalë për fjalë «gjakun».
Fjalë për fjalë «mishi ynë».
Ose «Sheol», pra, në varrin e përbashkët të njerëzimit. Shih Fjalorthin.