Zanafilla 48:1-22
48 Pas këtyre gjërave i thanë Jozefit: «Babai yt po përkeqësohet.» Me të dëgjuar këtë, ai mori me vete dy djemtë e tij, Manaseun dhe Efraimin.+
2 Atëherë i thanë Jakobit: «Ka ardhur të të takojë yt bir, Jozefi.» Kështu Izraeli mblodhi forcat, u ngrit dhe ndenji ulur në shtrat.
3 Jakobi i tha Jozefit:
«Perëndia i Plotfuqishëm m’u shfaq në Luz, në vendin e Kananit, më bekoi+
4 e më tha: ‘Ja, unë do të të bëj të frytshëm, do të të shumoj, dhe nga ti do të vijnë shumë fise.+ Këtë vend do t’ia jap pasardhësit* tënd si zotërim të përhershëm.’+
5 Dy djemtë që të lindën në vendin e Egjiptit para se të vija te ti në Egjipt, tani janë të mitë;+ Efraimi dhe Manaseu do të jenë të mitë, ashtu si janë Rubeni dhe Simeoni.+
6 Por fëmijët e tjerë që do të të lindin pas tyre, do të jenë të tutë, e për sa i përket trashëgimisë, do të thirren në emër të dy vëllezërve.+
7 Më kujtohet se kur po vija nga Padani, Rakela vdiq+ në krahët e mi në vendin e Kananit kur kishim ende goxha rrugë për të vajtur në Efratah,+ prandaj e varrosa rrugës për në Efratah, domethënë në Betlehem.»+
8 Pastaj Izraeli vuri re djemtë e Jozefit dhe e pyeti: «Fëmijët e tu janë këta?»
9 Jozefi iu përgjigj: «Po, janë djemtë që më fali Perëndia në këtë vend.»+ Atëherë ai i tha: «Të lutem, m’i sill këtu që t’i bekoj.»+
10 Izraelin e kishin lënë sytë nga pleqëria dhe me zor shihte. Prandaj Jozefi i afroi, dhe Jakobi i puthi e i përqafoi.
11 Izraeli i tha Jozefit: «Nuk ma merrte mendja kurrë se do ta shihja përsëri fytyrën tënde,+ por Perëndia më la të shihja edhe pasardhësit* e tu.»
12 Kështu Jozefi i largoi fëmijët që ishin aty te gjunjët e Izraelit dhe u përkul me fytyrë përtokë.
13 Pastaj Jozefi i afroi përsëri pranë të atit; mori Efraimin+ me dorën e djathtë dhe e vuri në të majtë të Izraelit, kurse Manaseun+ e kapi me dorën e majtë dhe e vuri në të djathtë të Izraelit.
14 Megjithatë Izraeli zgjati të djathtën dhe e vuri mbi kokën e Efraimit, ndonëse ishte më i vogli, ndërsa të majtën e vuri mbi kokën e Manaseut. I vuri qëllimisht duart kështu, edhe pse i parëlinduri ishte Manaseu.+
15 Pastaj e bekoi Jozefin dhe i tha:+
«Perëndia i vërtetë, të cilit i shërbyen etërit e mi, Abrahami dhe Isaku,+Perëndia i vërtetë që është kujdesur për mua si një bari gjatë gjithë jetës sime e deri më sot,+
16 Ai që më ka shpëtuar* nga gjithë të këqijat nëpërmjet engjëllit të tij,+ i bekoftë djemtë!+
Mbajtshin emrin tim, si dhe emrin e etërve të mi, Abrahamit dhe Isakut,dhe u shtofshin shumë në tokë!»+
17 Jozefit nuk i pëlqeu që i ati e vuri dorën e djathtë mbi kokën e Efraimit, prandaj u përpoq t’ia hiqte nga koka e Efraimit dhe t’ia vinte mbi kokën e Manaseut
18 dhe i tha: «Jo kështu baba, sepse i parëlinduri është ky.+ Vëre dorën e djathtë mbi kokën e tij.»
19 Por i ati nuk pranoi dhe i tha: «E di, biri im, e di. Edhe ai do të bëhet një popull, edhe ai do të bëhet i madh. Mirëpo vëllai më i vogël do të bëhet më i madh se ai,+ dhe pasardhësit* e tij do të shtohen aq shumë, sa do të formojnë kombe të tëra.»+
20 Atë ditë i bekoi dhe u tha:+
«Populli i Izraelit bekoftë në emrin tuaj:‘Perëndia të bekoftë si Efraimi dhe Manaseu!’»
Kështu e vuri prapë Efraimin para Manaseut.
21 Pastaj Izraeli i tha Jozefit: «Unë jam në prag të vdekjes,+ por Perëndia me siguri do të vazhdojë të jetë me ju dhe do t’ju kthejë në vendin e paraardhësve tuaj.+
22 Kurse unë po të jap një copë tokë* më shumë se vëllezërve të tu, atë që u mora amoritëve me shpatën dhe me harkun tim.»
Shënimet
^ Fjalë për fjalë «farës». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «farën».
^ Ose «ka shpenguar».
^ Fjalë për fjalë «fara».
^ Ose «një shpat mali». Fjalë për fjalë «një shpatull».