Zanafilla 9:1-29

  • Udhëzime për gjithë njerëzimin (1-7)

    • Ligji për gjakun (4-6)

  • Besëlidhja e ylberit (8-17)

  • Profecitë për pasardhësit e Noesë (18-29)

9  Pastaj Perëndia e bekoi Noenë me djemtë e tij dhe u tha: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën.+  Çdo krijesë e gjallë në tokë, çdo krijesë fluturuese në qiej, çdo gjë që lëviz në tokë dhe të gjithë peshqit e detit do të vazhdojnë të kenë frikë e tmerr nga ju. Tani janë në duart tuaja.*+  Po ju jap si ushqim çdo kafshë që lëviz dhe ka jetë;+ ashtu si ju dhashë bimësinë e gjelbër, po ju jap edhe të gjitha këto.+  Vetëm mos e hani+ mishin me jetën* e tij, domethënë me gjakun e tij.+  Veç kësaj do të kërkoj llogari për jetën tuaj, për gjakun tuaj.* Do t’i kërkoj llogari çdo krijese të gjallë; do t’i kërkoj llogari çdo njeriu për jetën e vëllait të vet.+  Kujtdo që derdh gjak njeriu, do t’i derdhet gjaku nga dora e njeriut,+ sepse Perëndia e bëri njeriun sipas imazhit të vet.+  Pra jini të frytshëm, shumohuni dhe shtohuni sa më shumë e mbusheni tokën.»+  Më pas Perëndia i tha Noesë dhe djemve të tij:  «Po bëj një besëlidhje me ju,+ me pasardhësit tuaj 10  dhe me çdo krijesë* të gjallë që doli nga arka me ju: zogjtë, kafshët* dhe të gjitha krijesat e gjalla të tokës, po, me çdo krijesë të gjallë të tokës.+ 11  Ja besëlidhja që po bëj me ju: s’do të shfaroset më kurrë çdo qenie e gjallë* nga ujërat e një përmbytjeje, dhe nuk do të ketë më kurrë përmbytje që të shkatërrojë krejt tokën.»+ 12  Perëndia shtoi: «Kjo është shenja e besëlidhjes që po bëj mes meje e jush dhe çdo krijese* të gjallë që është me ju, brez pas brezi. 13  Po vë ylberin tim në re, që do të jetë shenjë e besëlidhjes mes meje dhe tokës. 14  Kur të sjell re mbi tokë, në to do të shfaqet ylberi, 15  dhe unë do ta kujtoj besëlidhjen që bëra mes meje e jush dhe çdo lloj krijese të gjallë.* Ujërat nuk do të shkaktojnë më kurrë një përmbytje që të shfarosë çdo qenie të gjallë.+ 16  Ylberi do të dalë në re, dhe unë do ta shoh e do të kujtoj besëlidhjen e përhershme mes meje e jush dhe çdo lloj krijese të gjallë në tokë.» 17  Perëndia i tha përsëri Noesë: «Kjo është shenja e besëlidhjes që po bëj mes meje dhe çdo qenieje të gjallë që është në tokë.»+ 18  Djemtë e Noesë që dolën nga arka ishin Semi, Kami dhe Jafeti.+ Më vonë Kamit i lindi Kanani.+ 19  Këta të tre ishin djemtë e Noesë dhe prej këtyre u popullua e gjithë toka.+ 20  Tani, Noeja filloi të punonte si bujk dhe mbolli një vresht. 21  Pasi piu verë, u deh dhe u zhvesh brenda tendës. 22  Kami, babai i Kananit, pa lakuriqësinë e të atit dhe ua tregoi dy vëllezërve të tij që ishin jashtë. 23  Atëherë Semi dhe Jafeti morën një mantel, e hodhën mbi supe dhe hynë në tendë duke ecur mbrapsht. Kështu e mbuluan të atin ndërkohë që fytyrat i kishin kthyer nga ana tjetër, ndaj nuk e panë lakuriqësinë e tij. 24  Pasi i doli vera, Noeja u zgjua, mori vesh ç’i kishte bërë djali më i vogël 25  dhe tha: «Mallkuar qoftë Kanani!+ Qoftë skllavi më i ulët i vëllezërve të tij!»+ 26  Pastaj shtoi: «Lëvduar qoftë Jehovai, Perëndia i Semit! Ndërsa Kanani u bëftë skllavi i tij!+ 27  Perëndia i dhëntë Jafetit një vend të gjerë! Banoftë Jafeti në tendat e Semit! Kurse Kanani u bëftë edhe skllav i tij!» 28  Noeja jetoi edhe 350 vjet pas Përmbytjes.+ 29  Kështu ai jetoi gjithsej 950 vjet dhe pastaj vdiq.

Shënimet

Ose «nën autoritetin tuaj».
Ose «me shpirtin».
Ose «për gjakun e shpirtit tuaj».
Ose «kafshët katërkëmbëshe».
Ose «shpirt».
Fjalë për fjalë «çdo mish».
Ose «çdo shpirti».
Ose «çdo shpirti të gjallë të çdo lloj mishi».