TË JETOJMË SI TË KRISHTERË
Përgatitu tani për një urgjencë mjekësore
Pse të përgatitesh? Urgjencat mjekësore dhe shtrimi në spital mund të ndodhin papritur e papandehur. Prandaj, para se të lindë ndonjë urgjencë, përfito plotësisht nga masat në dispozicion, që të marrësh kujdesin mjekësor më të mirë të mundshëm. Në këtë mënyrë do të tregosh respekt për jetën dhe për ligjin e Jehovait në lidhje me gjakun.—Ve 15:28, 29.
Si të përgatitesh?
-
Lutu dhe plotëso me kujdes kartën Udhëzime për trajtimin mjekësor (UTM). a Lajmëtarët e pagëzuar mund t’i kërkojnë vëllait që merret me literaturën një kartë të tillë për veten, si dhe një Kartë identiteti (ic) për fëmijët e tyre të mitur.
-
Nëse je shtatzënë, kërkoju pleqve një kopje të dokumentit Informacion për gratë shtatzëna (S-401). Ky dokument ndihmon të marrësh vendime të mençura për çështje mjekësore që mund të dalin gjatë shtatzënisë dhe lindjes së fëmijës
-
Nëse ke nevojë të shtrohesh në spital ose për ndonjë procedurë mjekësore që mund të përfshijë gjakun, vëri në dijeni pleqtë që më përpara dhe informo spitalin se do të dëshiroje një vizitë nga një pjesëtar i KLS-së
Si mund të të ndihmojnë pleqtë? Pleqtë mund të të ndihmojnë të plotësosh kartën UTM. Megjithatë nuk marrin vendime për shëndetin tënd e as nuk japin opinione për çështje që duhet të vendosësh vetë. (Ro 14:12; Ga 6:5) Kur i informon pleqtë se po has një problem shëndetësor që mund të përfshijë gjakun, ata kontaktojnë menjëherë për ty Komitetin e Lidhjes me Spitalet (KLS).
Si mund të të ndihmojë KLS-ja? Vëllezërit që shërbejnë në KLS janë stërvitur t’i ndihmojnë ata që janë pjesë e personelit mjekësor dhe ligjor, të kuptojnë qëndrimin tonë fetar në lidhje me gjakun. Këta vëllezër mund të diskutojnë me mjekun tënd për strategji mjekësore që shmangin përdorimin e transfuzioneve të gjakut. Nëse është e nevojshme, do të të ndihmojnë të gjesh një mjek që është i gatshëm të bashkëpunojë.
SHIHNI VIDEON SI TË MARRËSH VENDIME PËR TRAJTIMET MJEKËSORE QË PËRFSHIJNË GJAKUN, DHE PASTAJ PËRGJIGJJUNI PYETJES SË MËPOSHTME:
-
Si të ndihmon kjo video të jesh i përgatitur për një urgjencë mjekësore që përfshin gjakun?
a Mësimi 39 i librit Gëzoje jetën përgjithmonë mund të të ndihmojë në marrjen e vendimeve për trajtime mjekësore që përfshijnë gjakun.