Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bindje dhe zakone që nuk i pëlqejnë Perëndisë

Bindje dhe zakone që nuk i pëlqejnë Perëndisë

Mësimi 11

Bindje dhe zakone që nuk i pëlqejnë Perëndisë

Cilat lloj bindjesh dhe zakonesh janë të gabuara? (1)

A duhet të besojnë të krishterët se Perëndia është një Trinitet? (2)

Përse të krishterët e vërtetë nuk i kremtojnë Krishtlindjet, Pashkët ose ditëlindjet? (3, 4)

A mund të dëmtojnë të vdekurit të gjallët? (5)

A vdiq Jezui mbi një kryq? (6)

Sa e rëndësishme është t’i pëlqejmë Perëndisë? (7)

1. Jo të gjitha bindjet dhe zakonet janë të këqija. Por Perëndia nuk i miraton ato, nëse vijnë prej fesë së rreme apo janë kundër mësimeve të Biblës.​—Mateu 15:6.

2. Triniteti: A është Jehovai një Trinitet, tre persona në një Perëndi? Jo! Jehovai, Ati, është «i vetmi Perëndi i vërtetë». (Gjoni 17:3; Marku 12:29) Jezui është Biri i tij i parëlindur dhe është i nënshtruar ndaj Perëndisë. (1. Korintasve 11:3) Ati është më i madh se Biri. (Gjoni 14:28) Fryma e shenjtë nuk është një person; ajo është forca aktive e Perëndisë.​—Zanafilla 1:2; Veprat 2:18.

3. Krishtlindjet dhe Pashkët: Jezui nuk lindi më 25 dhjetor. Ai ka lindur diku aty rreth 1 tetorit, një periudhë vjetore gjatë së cilës barinjtë i mbanin kopetë e tyre jashtë gjatë natës. (Luka 2:8-12) Jezui nuk i urdhëroi kurrë të krishterët që të festonin lindjen e tij. Përkundrazi, ai u tha dishepujve të mbanin në mendje, apo të përkujtonin, vdekjen e tij. (Luka 22:19, 20) Krishtlindjet dhe zakonet e saj vijnë nga fetë e rreme të lashtësisë. E njëjta gjë është e vërtetë edhe për zakonet e Pashkëve, të tilla si përdorimi i vezëve dhe i lepujve. Të krishterët e hershëm nuk i kremtonin Krishtlindjet ose Pashkët, as të krishterët e vërtetë sot nuk i bëjnë.

4. Ditëlindjet: Të dy kremtimet e vetme të ditëlindjeve, për të cilat flet Bibla, u mbajtën nga njerëz që nuk adhuronin Jehovain. (Zanafilla 40:20-22; Marku 6:21, 22, 24-27) Të krishterët e hershëm nuk i festonin ditëlindjet. Zakoni i festimit të ditëlindjeve vjen nga fetë e rreme të lashtësisë. Të krishterët e vërtetë japin dhurata e festojnë së bashku në periudha të tjera gjatë vitit.

5. Frikë nga të vdekurit: Të vdekurit s’mund të bëjnë asgjë e s’mund të ndiejnë asgjë. Ne s’mund t’i ndihmojmë ata dhe ata s’mund të na dëmtojnë ne. (Psalmi 146:4; Eklisiastiu 9:5, 10) Shpirti vdes; ai nuk vazhdon të jetojë pas vdekjes. (Ezekieli 18:4) Por disa herë, engjëj të ligj, që quhen demonë, pretendojnë se janë frymërat e të vdekurve. Çdo zakon që ka të bëjë me frikën apo me adhurimin e të vdekurve është i gabuar.​—Isaia 8:19.

6. Kryqi: Jezui nuk vdiq mbi një kryq. Ai vdiq mbi një shtyllë apo dru. Fjala greke e përkthyer «kryq» në shumë Bibla, do të thotë thjesht një copë trungu. Simboli i kryqit vjen nga fe të rreme të lashtësisë. Kryqi nuk përdorej e as adhurohej nga të krishterët e hershëm. Prandaj, a mendon se do të ishte e drejtë të përdorje një kryq në adhurim?​—Ligji i përtërirë 7:26; 1. Korintasve 10:14.

7. Mund të jetë shumë e vështirë të braktisësh disa prej këtyre bindjeve dhe zakoneve. Të afërmit dhe miqtë mund të përpiqen të të bindin që të mos ndryshosh bindjet. Por t’i pëlqesh Perëndisë është më e rëndësishme se t’u pëlqesh njerëzve.​—Proverbat 29:25; Mateu 10:36, 37.

[Figura në faqen 22]

Perëndia s’është Trinitet

[Figura në faqen 23]

Krishtlindjet dhe Pashkët vijnë nga fe të rreme të lashtësisë

[Figura në faqen 23]

S’ka asnjë arsye të adhurojmë të vdekurit apo të kemi frikë prej tyre