Kush është Perëndia?
Mësimi 2
Kush është Perëndia?
Kush është Perëndia i vërtetë dhe cili është emri i tij? (1, 2)
Çfarë lloj trupi ka ai? (3)
Cilat janë cilësitë e tij të shquara? (4)
A duhet të përdorim figura dhe simbole në adhurimin që i bëjmë atij? (5)
Cilat janë dy mënyra, në të cilat mund të mësojmë për Perëndinë? (6)
1. Njerëzit adhurojnë shumë gjëra. Por Bibla na thotë se ka vetëm një Perëndi TË VËRTETË. Ai krijoi gjithçka në qiell dhe në tokë. Duke qenë se ai na dha jetën, është i Vetmi, të cilin duhet të adhurojmë.—1. Korintasve 8:5, 6; Zbulesa 4:11.
2. Perëndia gëzon shumë tituj, por ka vetëm një emër dhe ky është JEHOVA. Në pjesën më të madhe të Biblës, emri i Perëndisë është hequr e është zëvendësuar me titujt ZOTËRI ose PERËNDI. Por në kohën kur u shkrua Bibla, emri Jehova shfaqej në të rreth 7.000 herë.—Dalja 3:15; Psalmi 83:18.
3. Jehovai ka një trup, por jo si ky i yni. «Perëndia është Frymë»,—thotë Bibla. (Gjoni 4:24) Fryma është një formë jete, shumë më e lartë sesa e jona. Asnjë njeri nuk e ka parë ndonjëherë Perëndinë. Megjithëse Jehovai jeton në qiell, ai mund t’i shohë të gjitha gjërat. (Psalmi 11:4, 5; Gjoni 1:18) Çfarë është, atëherë, fryma e shenjtë? Nuk është një person si Perëndia. Përkundrazi, është forca aktive e Perëndisë.—Psalmi 104:30.
4. Bibla na zbulon personalitetin e Jehovait. Ajo na tregon se cilësitë e tij të shquara janë dashuria, drejtësia, mençuria dhe fuqia. (Ligji i përtërirë 32:4; Jobi 12:13; Isaia 40:26; 1. Gjonit 4:8) Përveç kësaj, Bibla na thotë se ai është i mëshirshëm, dashamirës, falës, bujar dhe i durueshëm. Ne si fëmijë të bindur, duhet të përpiqemi ta imitojmë atë.—Efesianëve 5:1, 2.
5. A duhet t’u përkulemi apo t’u lutemi shëmbëlltyrave, figurave dhe simboleve në adhurimin që bëjmë? Jo! (Dalja 20:4, 5) Jehovai thotë se duhet të adhurojmë vetëm atë. Ai nuk do ta ndajë lavdinë e tij me askënd apo me asgjë tjetër. Shëmbëlltyrat nuk kanë fuqi për të na ndihmuar.—Psalmi 115:4-8; Isaia 42:8.
6. Si mund ta njohim më mirë Perëndinë? Një mënyrë është duke vërejtur gjërat që ai ka krijuar dhe duke menduar thellë se çfarë na tregojnë. Krijimi i Perëndisë na tregon se ai ka fuqi dhe mençuri të madhe. Në gjithçka që ka bërë, ne shohim dashurinë e tij. (Psalmi 19:1-6; Romakëve 1:20) Një mënyrë tjetër në të cilën mund të mësojmë mbi Perëndinë, është duke studiuar Biblën. Në të ai na tregon shumë më tepër se çfarë lloj Perëndie është. Na tregon, gjithashtu, qëllimin e tij dhe se çfarë dëshiron që të bëjmë ne nga ana jonë.—Amosi 3:7; 2. Timoteut 3:16, 17.
[Figurat në faqen 5]
Ne mësojmë për Perëndinë nga krijimi dhe nga Bibla