Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Praktika që Perëndia i urren

Praktika që Perëndia i urren

Mësimi 10

Praktika që Perëndia i urren

Si duhet të ndihesh për gjërat, që Perëndia thotë se janë të këqija? (1)

Cilat sjellje seksuale janë të gabuara? (2)

Si duhet ta konsiderojë një i krishterë gënjeshtrën? (3) Bixhozin? (3) Vjedhjen? (3) Dhunën? (4) Spiritizmin? (5) Dehjen? (6)

Si mund të çlirohet dikush nga praktikat e këqija? (7)

1. Shërbëtorët e Perëndisë e duan të mirën. Por ata duhet të mësojnë edhe të urrejnë atë që është e keqe. (Psalmi 97:10) Kjo do të thotë të shmangin disa praktika që Perëndia i urren. Cilat janë disa prej këtyre praktikave?

2. Kurvëria: Marrëdhëniet seksuale para martesës, tradhtia bashkëshortore, seksi me kafshët, incesti dhe homoseksualiteti, janë të gjitha mëkate serioze kundër Perëndisë. (Levitiku 18:6; Romakëve 1:26, 27; 1. Korintasve 6:9, 10) Nëse një çift nuk është i martuar, por jetojnë bashkë, ata duhet të ndahen ose të martohen ligjërisht.​—Hebrenjve 13:4.

3. Gënjeshtra, bixhozi, vjedhja: Perëndia Jehova nuk mund të gënjejë. (Titit 1:2) Njerëzit që duan miratimin e tij duhet të shmangin gënjeshtrën. (Proverbat 6:16-19; Kolosianëve 3:9, 10) Çdo formë bixhozi ka njollën e lakmisë. Prandaj, të krishterët nuk marrin pjesë në asnjë lloj bixhozi, si llotaritë, garat me kuaj dhe bingot. (Efesianëve 5:3-5) Të krishterët as nuk vjedhin. Ata nuk blejnë me vetëdije prona të vjedhura dhe nuk marrin asgjë pa leje.​—Dalja 20:15; Efesianëve 4:28.

4. Shpërthime zemërimi, dhunë: Zemërimi i pakontrolluar çon në vepra dhune. (Zanafilla 4:5-8) Një person i dhunshëm nuk mund të jetë mik i Perëndisë. (Psalmi 11:5; Proverbat 22:24, 25) Hakmarrja është e gabuar e po kështu edhe përgjigjja me ligësi ndaj gjërave të këqija që të tjerët mund të na bëjnë.​—Proverbat 24:29; Romakëve 12:17-21.

5. Formulat magjike dhe spiritizmi: Disa njerëz thërrasin fuqinë e frymërave, në përpjekje për të shëruar sëmundjet. Të tjerët u bëjnë magji armiqve të tyre, që t’i sëmurin apo edhe që t’i vrasin. Fuqia që fshihet prapa gjithë këtyre praktikave është Satanai. Prandaj, të krishterët nuk duhet të marrin pjesë në asnjë prej tyre. (Ligji i përtërirë 18:9-13) Qëndrimi sa më afër me Jehovain është mbrojtja më e mirë nga magjitë, që të tjerët mund të na bëjnë.​—Proverbat 18:10.

6. Dehja: S’është e gabuar nëse pijmë pak verë, birrë apo ndonjë pije tjetër alkoolike. (Psalmi 104:15; 1. Timoteut 5:23) Por pirja jashtë mase dhe dehja janë të gabuara në sytë e Perëndisë. (1. Korintasve 5:11-13; 1. Timoteut 3:8) Duke kaluar masën në të pirë, mund të shkatërrosh shëndetin tënd e të prishësh familjen. Gjithashtu, pirja mund të bëjë që të dorëzohesh kollaj përpara tundimeve të tjera.​—Proverbat 23:20, 21, 29-35.

7. Njerëzit që praktikojnë ato gjëra, për të cilat Perëndia thotë se janë të këqija, nuk «do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë». (Galatasve 5:19-21) Nëse me të vërtetë e do Perëndinë dhe dëshiron t’i pëlqesh atij, mund të çlirohesh prej këtyre praktikave. (1. Gjonit 5:3) Mëso të urresh atë që Perëndia thotë se është e keqe. (Romakëve 12:9) Shoqërohu me njerëz që kanë zakone hyjnore. (Proverbat 13:20) Shokët e pjekur të krishterë mund të jenë një burim ndihme. (Jakovit 5:14) Mbi të gjitha, beso në ndihmën e Perëndisë nëpërmjet lutjes.​—Filipianëve 4:6, 7, 13.

[Figurat në faqet 20, 21]

Perëndia urren dehjen, vjedhjen, bixhozin dhe veprat e dhunës