Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shërbëtorët e Perëndisë duhet të jenë të pastër

Shërbëtorët e Perëndisë duhet të jenë të pastër

Mësimi 9

Shërbëtorët e Perëndisë duhet të jenë të pastër

Përse duhet të jemi të pastër në çdo gjë? (1)

Ç’do të thotë të jesh frymësisht i pastër? (2) Moralisht i pastër? (3) Mendërisht i pastër? (4) Fizikisht i pastër? (5)

Cilin të folur të papastër duhet të shmangim? (6)

1. Perëndia Jehova është i pastër dhe i shenjtë. Ai pret që adhuruesit e tij të mbeten të pastër: frymësisht, moralisht, mendërisht dhe fizikisht. (1. Pjetrit 1:16) Duhen përpjekje të vërteta për të qëndruar i pastër në sy të Perëndisë. Ne jetojmë në një botë të papastër. Gjithashtu, duhet të luftojmë kundër vetë prirjes sonë për të bërë gjëra të gabuara. Por s’duhet të dorëzohemi.

2. Pastërti frymore: Nëse duam t’i shërbejmë Jehovait, s’mund të ndjekim asnjë mësim apo zakon të fesë së rreme. Duhet të dalim nga feja e rreme e të mos e mbështetim atë në asnjë mënyrë. (2. Korintasve 6:14-18; Zbulesa 18:4) Pasi të kemi mësuar të vërtetën mbi Perëndinë, duhet të jemi të kujdesshëm që të mos mashtrohemi nga njerëz që mësojnë gënjeshtra​.—2. Gjonit 10, 11.

3. Pastërti morale: Jehovai dëshiron që adhuruesit e tij të sillen në çdo kohë si të krishterë të vërtetë. (1. Pjetrit 2:12) Ai shikon çdo gjë që bëjmë ne, madje edhe në fshehtësi. (Hebrenjve 4:13) Duhet të shmangim imoralitetin seksual dhe praktika të tjera të papastra të kësaj bote.​—1. Korintasve 6:9-11.

4. Pastërti mendore: Nëse e mbushim mendjen me mendime të pastra e të kulluara, edhe sjellja jonë do të jetë e pastër. (Filipianëve 4:8) Por, nëse çojmë nëpër mend gjëra të papastra, si rezultat do të vijnë edhe veprime të liga. (Mateu 15:18-20) Duhet të shmangim ato forma zbavitjeje, të cilat mund të ndotin mendjet tona. Mund të mbushim mendjet me mendime të pastra, duke studiuar Fjalën e Perëndisë.

5. Pastërti fizike: Pasi janë përfaqësues të Perëndisë, të krishterët duhet t’i mbajnë trupat dhe veshjet e tyre të pastra. Duhet të lajmë duart pasi të kemi qenë në banjo, si edhe përpara se të hamë bukë apo të prekim ushqimet. Nëse nuk keni një sistem të përshtatshëm për eliminimin e jashtëqitjeve, ndyrësitë e banjos duhen groposur. (Ligji i përtërirë 23:12, 13) Pastërtia fizike kontribuon për një shëndet të mirë. Shtëpia e një të krishteri duhet të jetë e rregullt dhe e pastër brenda dhe jashtë. Ai duhet të jetë një shembull i mirë për vendin ku jeton.

6. Të folur i pastër: Shërbëtorët e Perëndisë duhet të thonë gjithmonë të vërtetën. Gënjeshtarët nuk do të hyjnë në Mbretërinë e Perëndisë. (Efesianëve 4:25; Zbulesa 21:8) Të krishterët nuk përdorin një gjuhë të keqe. Ata nuk dëgjojnë e as tregojnë shaka të pista apo tregime të papastra. Për shkak të të folurit të tyre të pastër, ata dallohen si të ndryshëm në punë, në shkollë dhe në lagje.​—Efesianëve 4:29, 31; 5:3.

[Figurat në faqet 18, 19]

Shërbëtorët e Perëndisë duhet të jenë të pastër në të gjitha aspektet