Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

T’i afrohemi Perëndisë në lutje

T’i afrohemi Perëndisë në lutje

Mësimi 7

T’i afrohemi Perëndisë në lutje

Përse është e rëndësishme të lutesh rregullisht? (1)

Kujt duhet t’i lutemi dhe si? (2, 3)

Cilat janë argumentet e përshtatshme për lutje? (4)

Kur duhet të lutesh? (5, 6)

A i dëgjon Perëndia të gjitha lutjet? (7)

1. Të lutesh do të thotë t’i flasësh përulësisht Perëndisë. Duhet t’i lutesh Perëndisë rregullisht. Në këtë mënyrë, mund të ndihesh pranë tij, sikur të jesh afër një miku të dashur. Edhe pse Jehovai është shumë i madh dhe i fuqishëm, ai i dëgjon lutjet tona. A i lutesh Perëndisë rregullisht?​—Psalmi 65:2; 1. Selanikasve 5:17.

2. Lutja është pjesë e adhurimit tonë. Prandaj, duhet t’i lutemi vetëm Perëndisë, Jehovait. Kur ishte në tokë, Jezui iu lut gjithmonë Atit të tij dhe askujt tjetër. Edhe ne duhet të bëjmë po kështu. (Mateu 4:10; 6:9) Megjithatë, të gjitha lutjet tona duhet të thuhen në emër të Jezuit. Një gjë e tillë tregon se e respektojmë pozitën e Jezuit dhe kemi besim në sakrificën e tij shpërblerëse.​—Gjoni 14:6; 1. Gjonit 2:1, 2.

3. Kur lutemi, duhet t’i flasim Perëndisë nga zemra. Nuk duhet t’i themi lutjet përmendësh apo t’i lexojmë nga ndonjë libër lutjesh. (Mateu 6:7, 8) Mund të lutemi në çfarëdolloj pozicioni të respektueshëm, në çdo kohë dhe në çdo vend. Perëndia mund të dëgjojë edhe lutjet e heshtura që bëjmë në zemrën tonë. (1. Samuelit 1:12, 13) Kur bëjmë lutjet tona personale, është mirë të gjejmë një vend të qetë larg nga të tjerët.—Marku 1:35.

4. Për çfarë gjërash mund të lutesh? Për gjithçka që mund të ndikojë në miqësinë tënde me të. (Filipianëve 4:6, 7) Lutja model tregon se duhet të lutemi për emrin dhe qëllimin e Jehovait. Mund të lutemi, gjithashtu, për sigurimin e nevojave materiale, për faljen e mëkateve dhe për ndihmë që t’i rezistojmë tundimit. (Mateu 6:9-13) Lutjet tona nuk duhet të jenë egoiste. Duhet të lutemi vetëm për gjëra që janë në harmoni me vullnetin e Perëndisë.​—1. Gjonit 5:14.

5. Mund të lutesh kurdoherë që zemra jote të nxit të falënderosh apo lavdërosh Perëndinë. (1. Kronikave 29:10-13) Duhet të lutesh kur ke probleme dhe kur vihet në sprovë besimi yt. (Psalmi 55:22; 120:1) Është e përshtatshme të lutesh para se të hash. (Mateu 14:19) Jehovai na fton të lutemi «në çdo kohë».​—Efesianëve 6:18.

6. Duhet të lutemi në mënyrë të veçantë, nëse kemi bërë ndonjë mëkat serioz. Në momente të tilla, duhet të lutemi për mëshirën dhe faljen e Jehovait. Nëse ia rrëfejmë atij mëkatet tona dhe bëjmë ç’është e mundur për të mos i përsëritur ato, Perëndia është ‘i gatshëm të falë’.​—Psalmi 86:5; Proverbat 28:13.

7. Jehovai dëgjon vetëm lutjet e të drejtëve. Që lutjet e tua të dëgjohen nga Perëndia, duhet të bësh sa të mundesh për të jetuar sipas ligjeve të tij. (Proverbat 15:29; 28:9) Kur lutesh, duhet të jesh i përulur. (Luka 18:9-14) Duhet të bësh një përpjekje në harmoni me atë që je lutur. Në këtë mënyrë, do të tregosh se ke besim dhe se me gjithë mend e ke të vërtetë atë që thua. Vetëm atëherë Jehovai do t’u përgjigjet lutjeve të tua.​—Hebrenjve 11:6.