Kalo te përmbajtja

A do të mbijetojë kjo botë?

A do të mbijetojë kjo botë?

A do të mbijetojë kjo botë?

Asnjë brez nuk ka dëgjuar të flitet kaq shumë për fundin e botës. Shumica ka frikë se botës do t’i vijë fundi me shfarosjen bërthamore. Të tjerët mendojnë se ndotja mund ta shkatërrojë botën. Ndërsa, disa të tjerë ende shqetësohen se kaosi ekonomik do t’i nxitë masat e njerëzimit kundër njëra-tjetrës.

Me të vërtetë, a ka mundësi të marrë fund kjo botë? Nëse po, ç’do të thotë kjo? A ka marrë fund bota ndonjëherë më parë?

Një botë merr fund​—Një tjetër e zëvendëson atë

Po, një botë ka marrë fund. Le të shqyrtojmë botën që u bë mjaft e ligë në ditët e Noesë. Bibla shpjegon: «Bota e asaj kohe pësoi shkatërrimin, kur u përmbyt nga uji.» Bibla gjithashtu thotë: «[Perëndia] nuk ia kurseu ndëshkimin një bote të lashtë, por Noenë, një predikues të drejtësisë, e ruajti bashkë me shtatë të tjerë, kur solli një përmbytje mbi një botë me njerëz të paperëndishëm.»​—2 Pjetrit 2:5; 3:6.

Vër re se çfarë kuptimi kishte fundi i kësaj bote. Me këtë nuk kuptohet fundi i njerëzimit. Noeja dhe familja e tij e mbijetuan Përmbytjen e përbotshme, ashtu siç mbijetoi edhe Toka dhe qiejt e mrekullueshëm plot yje. U shkatërrua ‘bota e të paperëndishmëve’, sistemi i lig.

Më në fund, kur pasardhësit e Noesë u shumuan, u zhvillua një botë tjetër. Kjo botë e dytë, ose ky sistem, vazhdon të ekzistojë deri në ditët tona. Historia e saj është e mbushur me luftëra, krime dhe dhunë. Ç’do të ndodhë me këtë botë? A do të mbijetojë ajo?

E ardhmja e kësaj bote

Pasi flet për botën që pësoi shkatërrimin në ditët e Noesë, raporti biblik vazhdon: «Me anë të së njëjtës fjalë, qiejt dhe toka që janë tani, janë ruajtur për zjarrin.» (2 Pjetrit 3:7) Në të vërtetë, siç vëren një shkrimtar tjetër i Biblës: «Bota [që ekziston sot] po kalon.»​—1 Gjonit 2:17.

Bibla nuk thotë se toka e vërtetë apo qiejt me yje do të kalojnë, ashtu si nuk kaluan edhe në ditët e Noesë. (Psalmi 104:5) Përkundrazi, kjo botë me «qiejt» e vet, apo qeveritarët nën ndikimin e Satanait dhe «tokën» e vet, apo me shoqërinë njerëzore, do të shkatërrohet si me zjarr. (Gjoni 14:30; 2 Korintasve 4:4) Kjo botë, apo ky sistem, me siguri do të shkatërrohet ashtu si edhe bota para Përmbytjes. Madje, edhe Jezu Krishti tregoi mbi gjendjen e ‘ditëve të Noesë’ si shembull i asaj që do të ndodhë pak para fundit të kësaj bote.​—Mateu 24:37-39.

Është me rëndësi, se kur Jezui foli për ditët e Noesë, iu përgjigj pyetjes së apostujve të vet: «Cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e fundit të botës?» (Mateu 24:3, King James Version) Ithtarët e Jezuit e dinin se kjo botë do të marrë fund. A i ka frikësuar kjo e ardhme?

Përkundrazi, kur Jezui u përshkroi ngjarjet që do të ndodhnin para fundit të botës, i inkurajoi ata që të gëzoheshin ‘sepse çlirimi i tyre po afrohej’. (Luka 21:28) Po, çlirim nga Satanai dhe sistemi i tij i lig për në botën e re paqedashëse!​—2 Pjetrit 3:13.

Por kur do të marrë fund kjo botë? Çfarë ‘shenje’ dha Jezui për ‘praninë e tij dhe përfundimin e sistemit’?

«Shenja»

Fjala greke e përkthyer këtu me «ardhje» është parousia dhe do të thotë «prani», d.m.th. të qenët afër. Kështu, kur «shenja» të bëhet e dukshme, kjo nuk do të thotë se Krishti do të vijë së shpejti, por se ai është kthyer dhe është i pranishëm. Kjo do të thotë se ai ka filluar të mbretërojë në mënyrë të padukshme si mbret qiellor dhe do t’i japë fund armiqve të vet.​—Zbulesa 12:7-12; Psalmi 110:1, 2.

Jezui nuk dha si ‘shenjë’ vetëm një ngjarje. Ai ka përshkruar shumë ngjarje dhe situata botërore. Të gjitha këto do të ndodhin gjatë kohës që shkrimtarët e Biblës e quajtën «ditët e fundit». (2 Timoteut 3:1-5; 2 Pjetrit 3:3, 4) Shqyrto disa nga gjërat për të cilat Jezui ka parathënë se do të shënojnë «ditët e fundit».

«Do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie.» (Mateu 24:7) Lufta në kohët tona ka marrë përmasa më të mëdha se kurrë më parë. Një historian ka vërejtur: «Lufta e Parë Botërore [që filloi më 1914] ishte lufta e parë ‘e përgjithshme’.» Por, Lufta e Dytë Botërore ishte shumë më shkatërruese. Luftërat vazhdojnë ta shkretojnë tokën. Po, fjalët e Jezuit janë plotësuar në mënyrë dramatike.

«Do të ketë mungesë ushqimi.» (Mateu 24:7) Pas Luftës së Parë Botërore, pllakosi ndoshta zia më e madhe e bukës gjatë gjithë historisë. Një zi e tmerrshme buke pasoi edhe Luftën e Dytë Botërore. Epidemitë nga të ushqyerit e keq kanë prekur një të pestën e popullsisë së tokës, duke shkaktuar vdekjen e 14 milionë fëmijëve çdo vit. Me të vërtetë, «mungesa ushqimi» ka pasur!

«Do të ketë tërmete të mëdha.» (Luka 21:11) Mesatarisht, nga viti 1914 kanë vdekur çdo vit rreth dhjetë herë më tepër njerëz nga tërmetet sesa në shekujt e kaluar. Shqyrto vetëm disa nga më të mëdhatë: 1920, Kinë, 200.000 të vrarë; 1923, Japoni, rreth 140.000 të vdekur ose të zhdukur; 1939, Turqi, 32.700 të vdekur; 1970, Peru, 66.800 të vrarë dhe 1976, Kinë rreth 240.000 (apo sipas disa burimeve 800.000) viktima. Pra, «tërmete të mëdha».

«Murtaja nga njëri vend në tjetrin.» (Luka 21:11) Menjëherë pas Luftës së Parë Botërore, rreth 21 milionë njerëz kanë vdekur prej gripit spanjoll. Science Digest (Përmbledhje shkencore) raporton: «Gjatë gjithë historisë nuk ka pasur vizita më të rrepta e më të shpeshta të vdekjes.» Që nga ajo kohë, sëmundjet e zemrës, kanceri, SIDA dhe shumë epidemi të tjera kanë vrarë me qindra milionë njerëz.

‘Rritje të paligjshmërisë.’ (Mateu 24:12) Bota jonë që nga viti 1914 është e njohur si botë e krimeve dhe e dhunës. Në shumë vende askush nuk ndihet i sigurt në rrugë, madje edhe gjatë ditës. Natën njerëzit qëndrojnë në shtëpi brenda dyerve të kyçura dhe të fortësuara, me frikë për të dalë jashtë.

Edhe shumë gjëra të tjera janë parathënë se do të ndodhin gjatë ditëve të fundit, dhe këto po ashtu janë duke u plotësuar. Kjo do të thotë se fundi i botës është afër. Por, lumturisht, disa njerëz do të mbijetojnë. Pasi thotë se «bota po kalon», Bibla premton: «Ai që bën vullnetin e Perëndisë, mbetet përgjithmonë.»​—1 Gjonit 2:17.

Prandaj, ne duhet ta mësojmë vullnetin e Perëndisë dhe ta bëjmë atë. Atëherë mund ta mbijetojmë këtë fund të botës dhe përgjithmonë të gëzojmë bekimet e botës së re të Perëndisë. Bibla premton: «Perëndia . . . do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre [e njerëzve]. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më.»​—Zbulesa 21:3, 4.

[Burimi i figurës ne faqen 6]

Huazimi i fotografive: Aeroplani: foto. e USAF-së. Fëmija: foto. e OBSH-së nga W. Cutting. Tërmeti: Y. Ishiyama, Universiteti i Hokaidos, Japoni.