Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është Perëndia gjithmonë më i lartë se Jezui?

A është Perëndia gjithmonë më i lartë se Jezui?

A është Perëndia gjithmonë më i lartë se Jezui?

JEZUI nuk pohoi kurrë se ishte Perëndia. Çdo gjë që tha rreth vetes së tij, tregon se në asnjë mënyrë nuk e konsideronte veten të barabartë me Perëndinë; si në fuqi, njohuri apo në moshë.

Në çdo periudhë të ekzistencës së tij, si në qiell ashtu edhe në tokë, e folura dhe sjellja e tij, tregojnë nënshtrimin ndaj Perëndisë. Perëndia është gjithmonë më i lartë dhe Jezui është një person më i ulët, i krijuar nga Perëndia.

Jezui dallohej nga Perëndia

HERË pas here, Jezui tregoi se ishte një krijesë e ndarë nga Perëndia dhe se ai, Jezui, kishte një Perëndi mbi vete, një Perëndi të cilin e adhuronte, një Perëndi të cilin e quante «Atë». Në lutjen drejtuar Perëndisë, pra, Atit të tij, Jezui tha: «Ty, të vetmin Perëndi të vërtetë.» (Gjoni 17:3) Në Gjonin 20:17 ai i tha Maria Magdalenës: «Unë po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, te Perëndia im dhe Perëndia juaj.» Në 2. Korintasve 1:3 apostulli Pavël e përforcon këtë marrëdhënie duke thënë: «Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht.» Pasi Jezui kishte një Perëndi, Atin e tij, nuk mund të ishte në të njëjtën kohë po ai vetë ky Perëndi.

Apostulli Pavël fliste pa ngurrim për Jezuin dhe për Perëndinë, si për dy qenie të ndara në mënyrë të qartë: «Për ne s’ka veçse një Perëndi, Ati, . . . dhe një Zot, Jezu Krishti.» (1. Korintasve 8:6) Apostulli tregon dallimin kur përmend: «Unë të vë në be përpara Perëndisë, dhe Zotit Jezu Krisht dhe engjëjve të zgjedhur.» (1. Timoteut 5:21) Ashtu si Pavli flet për Jezuin dhe engjëjt si qenie që dallohen nga njëra-tjetra, po ashtu janë edhe Jezui me Perëndinë.

Edhe fjalët e Jezuit në Gjonin 8:17, 18 janë domethënëse. Ai deklaron: «Edhe në ligjin tuaj është shkruar se ‘dëshmimi i dy njerëzve është i vërtetë’. Unë jam ai që dëshmoj për vetveten dhe Ati që më ka dërguar dëshmon për mua.» Këtu Jezui tregon se ai dhe Ati, pra Perëndia i Plotfuqishëm, duhet të jenë dy qenie të veçanta, sepse përndryshe si do të mund të ishin me të vërtetë dy dëshmitarë?

Për më tepër, Jezui tregoi se ishte një qenie e ndarë nga Perëndia kur tha: «Përse më quan i mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë.» (Marku 10:18) Pra, Jezui tha se askush nuk është aq i mirë sa Perëndia, as ai vetë. Mirësia e Perëndisë është e asaj shkalle, sa që e dallon atë edhe nga vetë Jezui.

Shërbëtor i nënshtruar ndaj Perëndisë

HERË pas here, Jezui bëri pohime të tilla si: «Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati.» (Gjoni 5:19) «Unë kam zbritur nga qielli jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar.» (Gjoni 6:38) «Mësimi im nuk është imi, por i Atij që më dërgoi.» (Gjoni 7:16, DSF) A nuk është ai që dërgon më i lartë se ai që dërgohet?

Kjo marrëdhënie është e qartë në ilustrimin që bëri Jezui me vreshtin. Ai e krahasoi Perëndinë, Atin e tij, me pronarin e një vreshti, që u nis për në një vend të largët dhe ua besoi vreshtin vreshtarëve, të cilët përfaqësonin klerin hebre. Kur pronari dërgoi më vonë një skllav për të marrë një pjesë të prodhimit të vreshtit, vreshtarët e rrahën dhe e përzunë duarbosh. Pas kësaj, pronari dërgoi një skllav të dytë dhe më vonë një të tretë, por që të dy u trajtuan po njësoj. Së fundi, pronari tha: «Do ta dërgoj birin tim të dashur [Jezuin]. Për atë, me siguri, do të kenë respekt.» Por vreshtarët e korruptuar thanë: «‘Ky është trashëgimtari! Ta vrasim dhe vreshti do të na kalojë neve.’ Prandaj e nxorrën jashtë vreshtit dhe e vranë.» (Luka 20:9-16, ECM) Në këtë mënyrë, Jezui ilustroi pozitën e tij si një qenie e dërguar nga Perëndia, për të bërë vullnetin e Perëndisë, ashtu si një baba mund të dërgojë një bir të nënshtruar.

Ithtarët e konsideruan gjithmonë Jezuin si një shërbëtor të nënshtruar të Perëndisë, jo si të barabartë me Perëndinë. Ata i luteshin Perëndisë me shprehje të tilla si: «Shërbëtorit tënd të shenjtë, të cilin ti e shugurove, . . . bëj shërime, shenja të bindshme e mrekulli me fuqinë e Emrit të Shërbëtorit tënd të shenjtë, Jezusit.»​—Veprat 4:23, 27, 30, DSF.

Perëndia në çdo rast është më i lartë

QË NË fillim të shërbimit të Jezuit, kur ai doli nga uji ku u pagëzua, nga qielli u dëgjua zëri i Perëndisë që tha: «Ky është Biri im i dashur, që unë e kam aprovuar.» (Mateu 3:16, 17, BR) A po thoshte Perëndia se ai ishte biri i vetvetes, se kishte aprovuar vetveten, se kish dërguar vetveten? Jo, Perëndia, Krijuesi, po thoshte se si më i lartë që ishte, po aprovonte një më të ulët, pra, Birin e tij, Jezuin, për punën që e priste përpara.

Jezui e tregoi superioritetin e Atit të tij kur tha: «Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillizuar të varfërit.» (Luka 4:18) Mirosja është dhënia e autoritetit apo besimi i një detyre nga një që është më i lartë, atij që më parë nuk kishte autoritet. Është e qartë se këtu superior është Perëndia, pasi ai e mirosi Jezuin, duke i dhënë atij autoritetin që nuk e kishte më parë.

Jezui e bëri të qartë superioritetin e Atit të tij, kur nëna e dy dishepujve i kërkoi që bijtë e saj të uleshin njëri në të djathtë e tjetri në të majtë të tij, kur ai të vinte në Mbretërinë e tij. Jezui u përgjigj duke thënë se «të më rrini njëri në të djathtë e tjetri në të majtë, nuk është në dorën time t’jua japë, por do t’u jepet atyre, për të cilët u bë gati prej Atit tim», pra Perëndisë. (Mateu 20:23, DSF) Nëse Jezui do të ishte Perëndia i Plotfuqishëm, do të ishte e drejta e tij t’i caktonte këto vende. Por, Jezui nuk mund t’i caktonte ato, sepse kjo i takonte Perëndisë dhe Jezui nuk ishte Perëndia.

Vetë lutjet e Jezuit janë një shembull i fuqishëm i pozitës së tij inferiore. Para se të vdiste, Jezui tregoi se kush ishte superior, duke u lutur: «O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti.» (Luka 22:42) Kujt po i lutej? Ndonjë pjese të vetes së tij? Jo, ai po i lutej dikujt që ishte krejtësisht i ndarë prej tij, Atit të vet, Perëndisë, vullneti i të cilit ishte superior e mund të ndryshonte nga i tiji, i Vetmi që mund «ta largonte këtë kupë».

Më tej, ndërsa ishte në prag të vdekjes Jezui thirri: «Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?» (Marku 15:34) Kujt po i thërriste Jezui? Vetes apo një pjese të vetes së tij? Sigurisht, ajo thirrje, «Perëndia im», nuk mund të bëhej nga dikush që e konsideronte veten se ishte Perëndia. E nëse Jezui ishte Perëndia, nga kush qe braktisur? Nga vetja? Kjo nuk do të kishte kuptim. Jezui gjithashtu tha: «O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën time.» (Luka 23:46) Nëse Jezui ishte Perëndia, për ç’arsye duhej t’ia besonte frymën e tij të Atit?

Pasi vdiq, Jezui qëndroi në varr për tre ditë rresht. Nëse ai ishte Perëndi, atëherë Habakuku 1:12 ka gabuar duke thënë: «Oh Perëndia im, i Shenjti im, ti nuk vdes.» Por Bibla thotë se Jezui vdiq dhe ishte i pavetëdijshëm në varr. Atëherë, kush e ringjalli Jezuin nga vdekja? Nëse ishte me të vërtetë i vdekur, ai nuk mund të ketë ringjallur vetveten. Nga ana tjetër, nëse nuk ka qenë me të vërtetë i vdekur, vdekja e tij e pretenduar, nuk do të ketë siguruar çmimin shpërblerës për mëkatin e Adamit. Por ai e pagoi plotësisht këtë çmim me vdekjen e tij të vërtetë. Pra, «Perëndia e ka ringjallur [Jezuin] pasi e zgjidhi nga ankthet e vdekjes». (Veprat 2:24) Më i larti, Perëndia i Plotfuqishëm, e ngriti nga vdekja atë që ishte më i ulët, shërbëtorin e tij, Jezuin.

A tregon aftësia e Jezuit për të kryer mrekulli të tillë, si ringjallja e të vdekurve, se ai ishte Perëndia? Mirë, pra, apostujt dhe profetët Elija dhe Eliseu e patën atë fuqi, por kjo nuk i bëri ata më shumë se njerëz. Perëndia ua dha fuqinë për të kryer mrekullira profetëve, Jezuit dhe apostujve, për të treguar se ai i përkrahte ata. Por kjo nuk e bëri ndonjërin prej tyre pjesë të një Perëndie prej shumë personash.

Njohuria e Jezuit ishte e kufizuar

KUR Jezui dha profecinë e tij rreth fundit të këtij sistemi të gjërave, deklaroi: «Sa për atë ditë dhe atë orë, askush nuk e di, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati.» (Marku 13:32) Nëse Jezui, i Biri, do të ishte pjesë e barabartë e një Hyjnie, ai duhej ta ketë ditur atë që dinte i Ati. Por Jezui nuk e dinte, sepse ai nuk ishte i barabartë me Perëndinë.

Në mënyrë të ngjashme, në Hebrenjve 5:8 lexojmë se Jezui «mësoi të jetë i bindur nga ato që pësoi». A mund të mendojmë se Perëndisë i duhej të mësonte diçka? Jo, ndërsa Jezuit po, sepse ai nuk dinte gjithçka që dinte Perëndia. Atij iu desh të mësonte diçka që Perëndia nuk ka nevojë kurrë ta mësojë, bindjen. Perëndisë nuk i duhet kurrë që t’i bindet ndokujt.

Ndryshimi midis njohurisë së Perëndisë dhe njohurisë së Krishtit, mbeti edhe kur Jezui u ringjall për në qiell, që të ishte me Perëndinë. Vëre fjalën e parë të librit të fundit të Biblës: «Zbulesa e Jezu Krishtit, të cilën ia dha Hyji Atij.» (Zbulesa 1:1, DSF) Nëse vetë Jezui ishte pjesë e një Hyjnie, a do të ishte e nevojshme t’i jepej ky zbulim nga një pjesë tjetër e Hyjnisë, pra Perëndia? Sigurisht, ai duhej të dinte gjithçka rreth këtij zbulimi, sepse Perëndia e dinte. Por Jezui nuk i dinte të gjitha, sepse ai nuk ishte Perëndia.

Jezui vazhdon të jetë i nënshtruar

NË EKZISTENCËN e tij paranjerëzore, si dhe kur ishte në tokë, Jezui ishte i nënshtruar ndaj Perëndisë. Pas ringjalljes së tij, ai vazhdon të jetë i nënshtruar në një pozitë dytësore.

Duke folur për ringjalljen e Jezuit, Pjetri dhe ata që ishin me të, i thanë Sanhedrinit hebre: ‘Perëndia e lartësoi [Jezuin] në të djathtën e vet.’ (Veprat 5:31) Pavli tha: «Perëndia e lartësoi atë në një pozicion më të lartë.» (Filipianëve 2:9, BR) Nëse Jezui do të kishte qenë Perëndia, si do të ishte e mundur që të lartësohej, pra të ngrihej në një pozitë më të lartë nga ajo që gëzonte më parë? Ai tashmë duhej të kishte qenë një pjesë e lartësuar e Trinitetit. Nëse përpara lartësimit të tij, Jezui ka qenë i barabartë me Perëndinë, lartësimi i mëtejshëm i tij do ta ketë bërë më superior ndaj Perëndisë.

Gjithashtu, Pavli tha se Jezui hyri «në vetë qiellin për të dalë tani përpara Perëndisë për ne». (Hebrenjve 9:24) Nëse paraqitesh në praninë e një personi tjetër, si mund të jesh po ky person? Është e pamundur. Duhet të jesh i ndryshëm dhe i ndarë.

Ngjashëm, pak para se të qëllohej me gurë deri në vdekje, martiri Stefan «i nguli sytë nga qielli, pa lavdinë e Perëndisë dhe Jezuin që rrinte në këmbë në të djathtën e Perëndisë». (Veprat 7:55) Është e qartë se ai pa dy individë të ndarë, por jo frymën e shenjtë, pra, jo Trinitetin Hyjnor.

Në tregimin e Zbulesës 4:8 deri 5:7, Perëndia tregohet i ulur në fronin e tij qiellor, ndërsa Jezui, jo. Ai duhet t’i afrohet Perëndisë, për të marrë një rrotull nga dora e tij e djathtë. Kjo tregon se në qiell Jezui nuk është Perëndia, por është i ndarë prej tij.

Në përputhje me këto që thamë më lart, një buletin i Mançesterit në Angli (The Buletin of the John Rylands Library), thotë: «Në jetën e tij qiellore pas ringjalljes, Jezui portretizohet si një njeri që ruan individualitetin personal, krejt i ndryshëm dhe i ndarë nga personi i Perëndisë, ashtu siç ishte në jetën e tij mbi tokë, si Jezui tokësor. Në fakt, pranë Perëndisë dhe i krahasuar me Perëndinë, ai na paraqitet si një qenie tjetër qiellore në oborrin qiellor të Perëndisë, ashtu siç janë edhe engjëjt, por duke qenë Biri i Perëndisë, ai i takon një kategorie të ndryshme dhe një rangu mjaft të lartë sipër tyre.»​—Krahaso Filipianëve 2:11.

Buletini gjithashtu thotë: «Por ajo që është thënë për jetën dhe funksionet e tij si Krisht qiellor, as do të thotë dhe as nënkupton se në pozitën hyjnore ai është i barabartë me Perëndinë dhe është një Perëndi në kuptimin e plotë të fjalës. Përkundrazi, kuadri që na jep Besëlidhja e Re për personalitetin dhe për misionin e tij qiellor, e paraqet si një figurë të ndarë nga Perëndia dhe të nënshtruar ndaj tij.»

Në të ardhmen e përjetshme në qiell, Jezui do të vazhdojë të jetë shërbëtor i ndarë dhe i nënshtruar ndaj Perëndisë. Bibla e shpreh këtë me fjalët: «Pastaj do të vijë fundi, kur ai t’ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë Atë . . . atëherë Biri vetë do t’i nënshtrohet Atij që i nënshtroi të gjitha, që Perëndia të jetë gjithçka në të gjithë.»​—1. Korintasve 15:24, 28.

Jezui nuk pohoi kurrë se ishte Perëndia

POZICIONI i Biblës është i qartë. Jehovai, Perëndia i Plotfuqishëm, jo vetëm është një personalitet i ndarë nga Jezui, por në çdo rast është më i lartë se ai. Jezui gjithmonë paraqitet si shërbëtor i përulur i Perëndisë, i ndarë dhe më i ulët se ai. Ja përse Bibla thotë qartë se «kreu i Krishtit është Perëndia» ashtu sikurse «kreu i çdo njeriu është Krishti». (1. Korintasve 11:3) Pikërisht për këtë, vetë Jezui tha: «Ati është më i madh se unë.»​—Gjoni 14:28.

Fakti është se Jezui nuk është Perëndia dhe nuk pretendoi kurrë që të jetë. Kjo po pranohet nga një numër gjithnjë e në rritje studiuesish. Buletini i Rylandit deklaron: «Duhet pranuar fakti se kërkimet në Besëlidhjen e Re mbi këtë çështje, gjatë këtyre tridhjetë apo dyzet vjetëve të fundit, kanë çuar një numër gjithnjë e në rritje studiuesish të dëgjuar të kësaj Besëlidhjeje në përfundimin se Jezui . . . sigurisht, nuk besoi kurrë se ishte Perëndia.»

Gjithashtu, në lidhje me të krishterët e shekullit të parë Buletini thotë: «Prandaj, kur i jepnin [Jezuit] tituj nderi si Krishti, Bir i njeriut, Bir i Perëndisë dhe Zot, nuk ishin mënyra për të thënë se ai ishte Perëndia, por se ai kryente veprën e Perëndisë.»

Kështu, edhe disa studiues fetarë pranojnë se ideja që Jezui është Perëndia, kundërshton gjithë dëshminë e Biblës. Në të tregohet se Perëndia është gjithmonë superior dhe se Jezui është shërbëtori i tij i nënshtruar.

[Diçitura në faqen 19]

«Kërkimet në Besëlidhjen e Re kanë çuar një numër gjithnjë e në rritje studiuesish në përfundimin se Jezui, sigurisht, nuk besoi kurrë se ishte Perëndia.»​—Bulletin of the John Rylands Library

[Figura në faqen 17]

Jezui u tha hebrenjve: «Kam zbritur nga qielli jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar.»​—Gjoni 6:38.

[Figura në faqen 18]

Kur Jezui thirri «Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?», sigurisht, nuk besonte se ai vetë ishte Perëndia.