A duhet ta besosh?
A duhet ta besosh?
A BESON në Trinitet? Shumica e atyre që bëjnë pjesë në fetë e të ashtuquajturit krishterim besojnë. Në fund të fundit, ai përbën prej shekujsh doktrinën qendrore të kishave.
Duke pasur parasysh këtë, mund të mendosh se rreth kësaj doktrine nuk mund të ketë dyshime. Por ekzistojnë debate dhe madje kohët e fundit, disa nga përkrahësit e saj e kanë ndezur më shumë këtë çështje.
Por përse duhet t’i kushtojmë interes të veçantë një argumenti të tillë? Sepse vetë Jezui tha: «E kjo është jeta e pasosur: që të njohin ty, Një të vetmin Hyjin e vërtetë, dhe atë që dërgove, Jezu Krishtin.» Pra, e ardhmja jonë e përjetshme varet nga njohja e natyrës së vërtetë të Perëndisë. Kjo do të thotë se duhet të gjejmë rrënjët e doktrinës së Trinitetit. Atëherë, pse të mos e shqyrtosh këtë çështje vetë personalisht?—Gjoni 17:3, DSF.
Ekzistojnë koncepte të ndryshme të Trinitetit. Por, në përgjithësi, teoria e Trinitetit mëson se në Hyjninë janë tre persona: Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë; megjithatë, ata së bashku nuk janë veçse një Perëndi. Doktrina thotë se të tre janë të njëjtë, të plotfuqishëm dhe nuk janë krijuar nga askush, duke ekzistuar gjithmonë me natyrë hyjnore.
Ndërkaq, të tjerë pohojnë se doktrina e Trinitetit është e rreme, se Perëndia i Plotfuqishëm është një qenie e ndarë më vete, e përjetshme dhe e plotfuqishme. Ata pohojnë se Jezui në ekzistencën e tij paranjerëzore ishte ashtu si dhe engjëjt, një person i veçantë frymor, i krijuar nga Perëndia, e për këtë arsye duhet të ketë pasur një fillim. Ata gjithashtu, besojnë se Jezui nuk ka qenë kurrë në asnjë lloj kuptimi i ngjashëm me Perëndinë e Plotfuqishëm, por ka qenë përherë i nënshtruar ndaj Perëndisë dhe është akoma. Ata besojnë gjithashtu se shpirti i shenjtë nuk është një person, por fryma e Perëndisë, forca e tij vepruese.
Mbrojtësit e Trinitetit thonë se ai bazohet jo vetëm në traditën fetare, por edhe në Bibël. Kritikuesit e Trinitetit thonë se ai nuk është një mësim i Biblës. Madje, një burim historik deklaron: «Origjina [e Trinitetit] është krejtësisht pagane.»—The Paganism in Our Christianity.
Nëse Triniteti është i vërtetë, do të jetë poshtëruese për Jezuin të thuhet se ai nuk ka qenë kurrë i barabartë me Perëndinë si pjesë e një Hyjnie. Por, nëse Triniteti është i rremë, do të jetë poshtëruese për Perëndinë e Plotfuqishëm të quhet dikush i njëjtë me të, madje do të jetë edhe më keq sikur Maria të quhet «Nënë e Perëndisë». Nëse Triniteti është i rremë, do të jetë çnderuese për Perëndinë të pohonte, siç bën një libër se «nëse [njerëzit] nuk e ruajnë këtë Besim të plotë e të panjollosur, [ata] patjetër do të zhduken përjetësisht. Dhe besimi katolik është ky: ne adhurojmë një Perëndi në Trinitet».—Catholicism.
Pra, ka arsye më se të mjaftueshme që t’i futesh studimit për të njohur të vërtetën mbi Trinitetin. Por, para se të shqyrtojmë origjinën dhe vërtetësinë për të cilën pretendohet, do të ishte e dobishme ta njihnim më mirë këtë doktrinë. Çfarë është në të vërtetë Triniteti? Si e shpjegojnë atë përkrahësit e tij?
[Figurat në faqen 2]
Në të majtë: Skulpturë egjiptiane, mijëvjeçari II p.e.s., ku duket triada e Amon-Ra, Ramses II dhe Mut. Në të djathtë: Skulptura trinitare e Jezu Krishtit, Atit dhe frymës së shenjtë (shek. XlV e.s.). Vëre, tre persona, por vetëm katër këmbë.