Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Adhuro Perëndinë ashtu si dëshiron Ai

Adhuro Perëndinë ashtu si dëshiron Ai

Adhuro Perëndinë ashtu si dëshiron Ai

NË LUTJEN drejtuar Perëndisë Jezui tha: «Kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar.» (Gjoni 17:3) Ç’lloj njohurie? «Vullneti i të cilit [Perëndisë] është që të gjithë njerëzit të shpëtohen dhe të arrijnë njohurinë e saktë të së vërtetës.» (1. Timoteut 2:4, BR) Një Bibël tjetër frazën e fundit e përkthen në këtë mënyrë: «Të njohin përpikmërisht dhe saktësisht të Vërtetën [hyjnore].»​—The Amplified Bible.

Pra, Perëndia dëshiron që të njohim saktësisht atë dhe qëllimet e tij, në përputhje me të vërtetën hyjnore. Dhe burimi i kësaj të vërtete është Fjala e Perëndisë, Bibla e shenjtë. (Gjoni 17:17; 2. Timoteut 3:16, 17) Kur njerëzit mësojnë saktësisht atë që thotë Bibla mbi Perëndinë, nuk do të jenë ngjashëm atyre të përmendur në Romakëve 10:2, 3, të cilët kishin «zell për Perëndinë; por jo sipas njohurisë së saktë». (BR) Ose si samaritanasit, të cilëve Jezui u tha: «Ju adhuroni atë që s’e njihni.»​—Gjoni 4:22.

Prandaj, nëse duam aprovimin e Perëndisë duhet të pyesim veten: Çfarë thotë Perëndia për vetveten? Në ç’mënyrë dëshiron ai të adhurohet? Cilat janë qëllimet e tij dhe si duhet të përshtatemi me to? Një njohje e saktë e së vërtetës na jep përgjigjet e drejta të këtyre pyetjeve. Atëherë mund ta adhurojmë Perëndinë ashtu si dëshiron Ai.

E çnderojnë Perëndinë

«UNË nderoj ata që më nderojnë»,​—thotë Perëndia. (1. Samuelit 2:30) A e nderon Perëndinë duke bërë dikë tjetër të barabartë me të? A e nderon atë, duke e quajtur Marinë «nënën e Perëndisë» dhe «Ndërmjetësen . . . midis Krijuesit dhe krijesave të tij», siç bën Enciklopedia e re katolike? Jo, këto koncepte e fyejnë Perëndinë. Asnjë nuk është i barabartë me të; ai nuk ka pasur ndonjë nënë me trup mishor, pasi Jezui nuk ishte Perëndi. Dhe nuk ka asnjë «Ndërmjetëse», sepse Perëndia ka caktuar vetëm ‘një ndërmjetës midis Perëndisë dhe njerëzve’, Jezuin.​—1. Timoteut 2:5; 1. Gjonit 2:1, 2.

Pa asnjë dyshim, doktrina e Trinitetit e ka ngatërruar dhe dobësuar kuptueshmërinë e njerëzve mbi pozitën e vërtetë të Perëndisë. Ajo i pengon ata që ta njohin saktësisht Sovranin Universal, Perëndinë Jehova dhe ta adhurojnë atë ashtu si dëshiron ai. Sikurse tha teologu Hans Kung: «Përse duhet që dikush t’i shtojë diçka nocionit të njëjtësisë dhe unitetit të Perëndisë, gjë që vetëm mund ta dobësojë dhe shfuqizojë këtë njëjtësi dhe unitet?» Në fakt, besimi në Trinitetin ka bërë pikërisht këtë gjë.

Ata që besojnë në Trinitetin nuk «i përmbahen Perëndisë sipas njohurisë së saktë». (Romakëve 1:28, BR) Ky varg gjithashtu thotë: «Perëndia i dorëzoi në një mendje të çoroditur, për të bërë gjëra të pahijshme.» Vargjet nga 29 deri në 31 radhisin disa nga këto ‘gjëra të pahijshme’ si: ‘vrasje, grindje, mashtrim, pa dashuri të natyrshme, të pamëshirshëm’. Po, këto gjëra janë praktikuar nga fetë që e pranojnë Trinitetin.

Për shembull, trinitarët shpesh i kanë persekutuar dhe madje i kanë vrarë ata që e mohonin doktrinën e Trinitetit. Madje kanë shkuar edhe me tej. Në kohë lufte, kanë vrarë edhe bashkëbesimtarët e tyre të trinitetit. Çfarë mund të jetë më e ‘pahijshme’ se fakti që katolikët vrasin katolikët, ortodoksët vrasin ortodoksët, protestantët vrasin protestantët, të gjithë në emër të të njëjtit Perëndi trinitar?

Por, Jezui në mënyrë të qartë tha: «Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Fjala e Perëndisë zgjerohet mbi këtë pikë duke thënë: «Prej kësaj njihen bijtë e Perëndisë dhe bijtë e djallit; kushdo që nuk praktikon drejtësinë nuk është nga Perëndia, dhe i tillë nuk është as ai që nuk do vëllanë e vet.» Ajo i krahason ata që vrasin vëllezërit e tyre frymorë me «Kainin, i cili ishte nga i ligu [Satanai] dhe vrau vëllanë e vet».​—1. Gjonit 3:10-12.

Kështu, mësimi i doktrinave të ngatërruara mbi Perëndinë, ka çuar në vepra që shkelin ligjet e tij. Në të vërtetë, atë që i ka ndodhur në çdo vend të ashtuquajturit krishterim, teologu danez Saren Kierkegard e përshkruan në këtë mënyrë: «I ashtuquajturi krishterim ka eliminuar krishterimin, duke qenë krejt i pavetëdijshëm për këtë.»

Gjendja frymore e të ashtuquajturit krishterim përputhet me atë që shkroi apostulli Pavël: «Ata pohojnë se njohin Perëndinë, po me vepra e mohojnë, sepse janë të neveritshëm, të pabindur dhe të pazotë për çfarëdo vepre të mirë.»​—Titit 1:16.

Së shpejti, kur Perëndia t’i japë fund sistemit të lig të tanishëm të gjërave, i ashtuquajturi krishterim trinitar do të thirret për të dhënë llogari. Dhe do të gjykohet në mënyrë të pafavorshme për veprat dhe doktrinat e tij që çnderojnë Perëndinë.​—Mateu 24:14, 34; 25:31-34, 41, 46; Zbulesa 17:1-6, 16; 18:1-8, 20, 24; 19:17-21.

Flakeni tej Trinitetin!

ME TË vërtetat e Perëndisë, nuk mund të bëhet asnjë kompromis. Kështu, që të adhurosh Perëndinë siç dëshiron ai do të thotë të flakësh tej doktrinën e Trinitetit. Ajo bie në kundërshtim me atë që besonin dhe mësonin profetët, Jezui, apostujt dhe të krishterët e shekullit të parë. Ajo bie në kundërshtim me atë që thotë Perëndia për vetveten në Fjalën e tij të frymëzuar. Prandaj, ai këshillon: «Kujtoni . . . sepse unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër; jam Perëndia dhe askush nuk më ngjet mua.»​—Isaia 46:9.

Nuk u shërbehet interesave të Perëndisë, duke e paraqitur atë si të pakuptueshëm e misterioz. Nga ana tjetër, sa më të paqartë të jenë njerëzit rreth Perëndisë dhe qëllimeve të tij, aq më i kënaqur është Kundërshtari i Perëndisë, Satana Djalli, ‘perëndia i kësaj bote’. Është ai frymëzuesi i doktrinave të tilla të rreme, ‘për të verbuar mendjet e atyre që nuk besojnë’. (2. Korintasve 4:4, BR) Gjithashtu, doktrina e Trinitetit i shërben edhe interesave të klerikëve, të cilët duke dashur të ruajnë pushtetin e tyre mbi popullin, duan ta bëjnë të besojë se atë mund ta kuptojnë vetëm teologët.​—Shiko Gjonin 8:44.

Njohuria e saktë mbi Perëndinë sjell lehtësim të madh. Ajo na liron nga mësimet që janë në kundërshtim me Fjalën e Perëndisë dhe nga organizatat apostate. Sikurse tha Jezui: «Do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë.»​—Gjoni 8:32.

Duke e nderuar Perëndinë si Suprem dhe duke e adhuruar ashtu si dëshiron ai, mund t’i shpëtojmë gjykimit që ai do të sjellë së shpejti mbi të ashtuquajturin krishterim apostat. Ne, nga ana tjetër mund të presim favorin e Perëndisë, kur ky sistem të marrë fund: «Bota kalon me lakminë e saj; por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përjetë.»​—1. Gjonit 2:17.

[Figura në faqen 31]

Kjo skulpturë e vjetër prej shekujsh në Francë, paraqet kurorëzimin e «virgjëreshës» Mari nga Triniteti. Besimi në Trinitetin çoi në nderimin e Marisë si «Nënë e Perëndisë»