Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si e kanë shpjeguar Trinitetin?

Si e kanë shpjeguar Trinitetin?

Si e kanë shpjeguar Trinitetin?

KISHA Katolike e Romës pohon: «Triniteti është termi i përdorur për të përcaktuar doktrinën qendrore të fesë së krishterë . . . Pra, me fjalët e Kredos Atanasiane: ‘Ati është Perëndi, Biri është Perëndi dhe Fryma e Shenjtë është Perëndi e megjithatë nuk janë tri Perëndi, por një Perëndi.’ Në këtë Trinitet . . . Personat janë njësoj të përhershëm e të barabartë: në mënyrë të njëjtë të gjithë janë të pakrijuar e të plotfuqishëm.»​—The Catholic Encyclopedia.

Me këtë përcaktim janë dakort pothuajse të gjitha kishat e tjera të të ashtuquajturit krishterim. P.sh., Kisha Ortodokse Greke e quan Trinitetin «doktrinën themelore të krishterimit», madje thotë: «Të krishterë janë ata që e pranojnë Krishtin si Perëndi.» Në një libër mbi ortodoksinë, po kjo kishë deklaron: «Perëndia është trini . . . Ati është tërësisht Perëndi. Biri është tërësisht Perëndi. Fryma e Shenjtë është tërësisht Perëndi.»​—Our Orthodox Christian Faith.

Pra, doktrina e trinitetit mëson se ekziston «një Perëndi në tre Persona». Secili prej tyre thuhet se është pa fillim, se ka ekzistuar përgjithmonë, se është i plotfuqishëm, as më i madh e as më i vogël se të tjerët.

A është një arsyetim i tillë i vështirë për t’u pranuar? Shumë besimtarë të sinqertë thonë se u duket i ngatërruar, i kundërt me arsyetimin normal, i ndryshëm nga gjithçka që u ka mësuar përvoja. Ata pyesin: «Si është e mundur që Ati të jetë Perëndi, Jezui të jetë Perëndi dhe fryma e shenjtë të jetë Perëndi e ndërkaq të mos kemi tri Perëndi, po një Perëndi të vetëm?»

«Përtej mundësive të arsyes njerëzore»

KY KONFUZION është shumë i përhapur. Një enciklopedi vëren se doktrina e Trinitetit shkon «përtej mundësive të arsyes njerëzore».​The Encyclopedia Americana.

Shumë nga ata që e pranojnë Trinitetin, kanë po të njëjtën pikëpamje. Mons. Juxhin Klark thotë: «Perëndia është një dhe Perëndia është tre. Përderisa në krijim nuk ka asgjë të ngjashme, nuk mund ta kuptojmë atë, por vetëm ta pranojmë.» Kardinali Xhon O’Kanër deklaron: «E dimë se ky është një mister mjaft i thellë, të cilin as mund ta kuptojmë dot.» Ndërsa Papa Gjon Pali II flet për të si për një «mister të pazbërthyeshëm të Perëndisë Trinitet».

Ndërkaq, një fjalor teologjik thotë: «Se çfarë është pikërisht kjo doktrinë, ose më mirë, se si duhet shpjeguar ajo saktësisht, është diçka për të cilën trinitarët nuk merren dot vesh mes tyre.»​—A Dictionary of Religious Knowledge.

Atëherë mund ta kemi të qartë përse në një enciklopedi katolike thuhet: «Në seminaret katolike, janë të paktë mësuesit e teologjisë trinitare, që nuk janë ngacmuar në një rast apo tjetër nga pyetja: ‘Por, si duhet predikuar Triniteti?’ Dhe nëse pyetja shfaq shenja konfuzioni nga ana e studentëve, ndoshta jo më pak shenja të një konfuzioni të tillë shfaqen nga ana e profesorëve të tyre.»​—New Catholic Encyclopedia.

Saktësinë e këtij vëzhgimi mund ta vërtetojmë po të shkojmë në një bibliotekë e të shqyrtojmë librat që e përkrahin Trinitetin. Faqe të panumërta janë shkruar në përpjekje për ta shpjeguar atë. Megjithatë, pasi janë përpjekur në labirintet e termave e të shpjegimeve të ngatërruara teologjike, kërkuesit përsëri dalin jashtë të pakënaqur.

Në lidhje me këtë, jezuiti Jozef Breken vëren: «Priftërinj që pas shumë përpjekjesh e kanë mësuar . . . Trinitetin gjatë viteve të seminarit, natyrisht ngurrojnë t’ua paraqesin atë besimtarëve të tyre nga katedra, madje edhe në të Dielën e Trinitetit. . . . Përse t’i mërzitin njerëzit me diçka që në fund të fundit nuk kanë për ta kuptuar siç duhet?» Ai gjithashtu thotë: «Triniteti është një çështje e besimit formal, por që ka pak ose aspak ndikim në jetën e përditshme e në adhurimin e të krishterëve.» E megjithatë, kjo është «doktrina qendrore» e kishave!​—What Are They Saying About the Trinity?

Teologu katolik Hans Kyng, në një libër të tij vëren se Triniteti është një prej arsyjeve që kishat nuk kanë mundur të arrijnë ndonjë sukses domethënës me popullsitë jo të krishtere. Ai deklaron: «Edhe myslimanët e mirinformuar, ashtu si dhe hebrenjtë, nuk kanë mundur deri tani ta kuptojnë idenë e Trinitetit . . . Dallimet e krijuara nga doktrina e Trinitetit midis një Perëndie dhe tri Perëndive, nuk i kënaqin myslimanët, të cilët janë më shumë të paqartë sesa të sqaruar nga termat teologjike që vijnë prej sirianëve, grekëve dhe latinëve. Myslimanëve e gjitha kjo u ngjan me një lojë fjalësh. . . . Përse duhet që dikush t’i shtojë diçka konceptit të identitetit dhe natyrës unike të Perëndisë, gjë e cila vetëm zvogëlon ose asgjëson këtë identitet dhe natyrë unike të tij?»​—Christianity and the World Religions.

«Perëndia nuk është një Perëndi i trazimit»

SI MUNDI të lindte një doktrinë kaq e ngatërruar? Një enciklopedi katolike thotë: «Një dogmë kaq misterioze nënkupton një zbulim hyjnor.» Në fjalorin e tyre teologjik Karl Rahner dhe Herbert Vorgrimler pohojnë: «Triniteti është një mister . . . në kuptimin e ngushtë të fjalës . . . , që nuk mund të njihet pa një zbulim, që edhe pas këtij zbulimi nuk mund të bëhet plotësisht i kuptueshëm.»​—Theological Dictionary.

Pasi thuhet se Triniteti është një mister kaq i ngatërruar dhe se duhet ta ketë origjinën nga një zbulim hyjnor, krijohet një tjetër problem i madh. Përse? Sepse vetë zbulimi hyjnor nuk e lejon një koncept të tillë për Perëndinë kur thotë: «Perëndia nuk është Perëndi trazimi.»​—1. Korintasve 14: 33.

Duke pasur parasysh këtë thënie, a do të ishte Perëndia përgjegjës për një doktrinë mbi veten, që shkakton një trazim të tillë, saqë as studiuesit e hebraishtes, greqishtes apo latinishtes të mos arrijnë ta shpjegojnë?

Për më tepër, a duhet që njerëzit të jenë teologë për të njohur ‘Një të vetmin Hyjin e vërtetë dhe atë që dërgoi, Jezu Krishtin’? (Gjoni 17:3, DSF) Nëse do të ishte kështu, përse qenë aq të paktë krerët e arsimuar fetarë hebrenj që e pranuan Jezuin si Mesinë? Përkundrazi, dishepujt e tij besnikë ishin fshatarë të thjeshtë, peshkatarë, mbledhës taksash, gra shtëpiake. Këta njerëz të zakonshëm ishin aq të sigurt në atë që Jezui u mësoi për Perëndinë, saqë ishin në gjendje t’ua mësonin edhe të tjerëve dhe ishin të gatshëm të jepnin edhe jetën për besimin e tyre.​—Mateu 15:1-9; 21:23-32, 43; 23:13-36; Gjoni 7:45-49; Veprat 4:13.

[Figura në faqen 4]

Dishepujt e Jezuit nuk qenë krerë fetarë, por njerëz të përulur dhe të thjeshtë