Si u zhvillua doktrina e Trinitetit?
Si u zhvillua doktrina e Trinitetit?
NË KËTË pikë mund të pyesni: «Nëse Triniteti nuk është një mësim biblik, si ndodhi atëherë që u bë një doktrinë e të ashtuquajturit krishterim?» Shumë mendojnë se u formulua në Këshillin e Nicesë, në vitin 325 të e.s.
Megjithatë, kjo nuk është plotësisht e saktë. Këshilli i Nicesë pohoi se Krishti ishte nga e njëjta substancë si Perëndia, gjë që vendosi bazën e doktrinës së mëvonshme teologjike të Trinitetit. Por ky nuk e përcaktoi Trinitetin, sepse në këtë këshill nuk u fol për frymën e shenjtë si për personin e tretë të një Hyjnie treshe.
Roli i Kostantinit në Nice
PËR shumë vite, ka pasur mjaft kundërshtime në fushën biblike në lidhje me përhapjen e idesë se Jezui ishte Perëndia. Në përpjekje për të zgjidhur konfliktin, perandori romak Kostantini, mblodhi në Nice të gjithë peshkopët. Por vetëm disa prej tyre, rreth 300 veta, morën pjesë.
Kostantini nuk ishte i krishterë. Mendohet se ai është kthyer vonë gjatë jetës së tij, por nuk u pagëzua derisa vdiq. Në lidhje me të, Henri Çaduik në një libër të tij tha: «Kostantini, ashtu si i ati, adhuronte Diellin e pamposhtur; . . . kthimi i tij nuk duhet interpretuar si një përvojë e brendshme hiri . . . Ajo ishte një çështje me karakter ushtarak. Kuptimi i tij mbi doktrinën e krishterë nuk ishte kurrë shumë i qartë, por ai ishte i sigurt se fitoret në luftë ishin dhuratë e Perëndisë së të krishterëve.»—The Early Church.
Çfarë roli luajti në Këshillin e Nicesë ky perandor i papagëzuar? Një enciklopedi tregon: «Vetë Kostantini rrinte në krye duke drejtuar me zjarr diskutimet dhe propozoi personalisht . . . formulën vendimtare që shprehte lidhjen e Krishtit me Perëndinë në kredon e nxjerrë nga Këshilli, se ai ‘është prej një substance me të Atin’ . . . Për shkak të nënshtrimit dhe frikës ndaj perandorit, peshkopët, me përjashtim vetëm të dyve, e firmosën kredon, megjithëse shumica e bënë këtë krejt kundër vullnetit të tyre.»
Pra, roli i Kostantinit qe vendimtar. Pas dy muaj debatesh të ashpra fetare, ky politikan pagan ndërhyri dhe vendosi në favor të atyre që besonin se Jezui ishte Perëndi. Po përse? Sigurisht, jo për shkak të ndonjë bindjeje biblike. «Kostantini nuk kishte as idenë më të vogël për çështjet që ngriheshin në teologjinë greke»,—thotë një libër i historisë së krishtere. (A Short History of Christian Doctrine) Ajo që kishte kuptuar ishte se ndarjet fetare përbënin një kërcënim për perandorinë e tij dhe ai donte ta forconte atë.
Megjithatë, asnjëri nga peshkopët në Nice nuk u bë nismëtar i ndonjë Triniteti. Ata vendosën vetëm natyrën e Jezuit, por jo rolin e frymës së shenjtë. Nëse Triniteti do të kishte qenë një mësim i qartë biblik, a nuk do të ishte kjo koha për ta propozuar atë?
Zhvillimet e mëtejshme
PAS Niceas, debatet mbi këtë çështje vazhduan për dekada. Madje edhe ata që nuk besonin në pohimin se Jezui ishte i barabartë me Perëndinë, për një farë kohe e favorizuan atë. Por më vonë, perandori Teodos vendosi kundër tyre. Ai e shpalli kredon e Këshillit Nicejan si standart për mbretërinë e tij dhe në vitin 381 të e.s., mblodhi Këshillin e Kostantinopojës për të sqaruar formulën.
Ky këshill pranoi ta vërë frymën e shenjtë në të njëjtin nivel me Perëndinë dhe Krishtin. Për herë të parë, Triniteti i të ashtuquajturit krishterim filloi të vijë në qendër të vëmendjes.
Megjithatë, edhe pas Këshillit të Kostantinopojës, Triniteti nuk u bë një doktrinë e pranuar gjerësisht. Shumë veta e kundërshtuan atë dhe kështu pësuan persekutime të rënda. Vetëm në shekujt e mëvonshëm, Triniteti u formulua në kredo të vendosur. Një enciklopedi pohon: «Zhvillimi i plotë i trinitarizmit ndodhi në Perëndim,
në Skolastikën e mesjetës, ku u ndërmorr një shpjegim mbi bazën e termave filozofikë dhe psikologjikë.»—The Encyclopedia Americana.Kredoja Atanasiane
TRINITETI u përcaktua më plotësisht në Kredon Atanasiane. Atanasi ishte një klerik që mbështeti Kostantinin në Nice. Kredoja që mban emrin e tij deklaron: «Ne adhurojmë një Perëndi të vetëm në Trinitet . . . Ati është Perëndi, Biri është Perëndi dhe Fryma e Shenjtë është Perëndi; e megjithatë nuk janë tre, por një Perëndi i vetëm.»
Megjithatë, studiuesit e mirinformuar pranojnë se nuk e formoi Atanasi këtë kredo. Një enciklopedi komenton: «Kredoja ishte e panjohur në Kishën e Lindjes deri në shekullin XII. Që prej shekullit XVII, studiuesit në përgjithësi janë të një mendjeje se Kredoja Atanasiane nuk u shkrua nga Atanasi (që vdiq më 373-shin), por ka mundësi të jetë hartuar në Francën jugore gjatë shekullit V. . . . Ndikimi i kredos duket së është ndjerë së pari në Francën jugore dhe në Spanjë në shekujt VI dhe VII. Ajo u përdor në liturgjinë e kishës në Gjermani, në shekullin IX dhe pak kohë më vonë në Romë.»—The New Encyclopædia Britannica.
Kështu, nga koha e Krishtit u deshën shekuj që Triniteti të pranohej në një masë të gjerë nga i ashtuquajturi krishterim. Në të gjithë këtë, çfarë i udhëhoqi vendimet? A ishte fjala e Perëndisë apo konsideratat me natyrë klerikale dhe politike? E. W. Hopkins përgjigjet: «Përcaktimi përfundimtar ortodoks i trinitetit u bë në një masë të madhe çështje e politikës së kishës.»—Origin and Evolution of Religion.
Apostazia e parathënë
KJO histori famëkeqe e Trinitetit përkon me ngjarjet që paratha Jezui dhe apostujt e tij, të cilat do të ndodhnin në kohën pas vdekjes së tyre. Ata thanë se do të kishte një apostazi, një devijim, një braktisje të adhurimit të vërtetë deri kur do të kthehej Krishti dhe do të rivendosej adhurimi i vërtetë, para ditës së shkatërrimit të këtij sistemi gjërash nga ana e Perëndisë.
Në lidhje me atë «ditë» apostulli Pavël tha: «Ajo ditë nuk do të vijë pa ardhur më parë apostazia dhe pa u zbuluar njeriu i paligjshmërisë». (2. Selanikasve 2:3, 7, BR) Më vonë ai paratha: «Në fakt, unë e di se pas largimit tim, do të hyjnë midis jush ujqër grabitqarë, që nuk do ta kursejnë tufën, edhe vetë midis jush do të dalin njerëz që do të flasin gjëra të çoroditura që të tërheqin pas vetes dishepujt.» (Veprat 20:29, 30) Edhe dishepujt e tjerë të Jezuit shkruan për këtë apostazi dhe për klasën e saj «të paligjshme» të klerikëve.—Shiko p.sh., 2. Pjetrit 2:1; 1.Gjonit 4:1-3; Judës 3, 4.
Pavli gjithashtu shkroi: «Sepse do të vijë koha, kur njerëzit nuk do ta durojnë mësimin e shëndoshë, por, simbas ëndjeve të veta, do të bashkojnë rreth vetes mësues për të kënaqur veshin; do t’i largojnë veshët prej së vërtetës dhe do t’i sjellin drejt përrallave.»—2. Timoteut 4:3, 4, DSF.
Jezui vetë shpjegoi se çfarë do të vinte pas largimit nga adhurimi i vërtetë. Ai tha se kishte mbjellë farë të mirë, por armiku, Satanai, do ta mbillte përsëri fushën me egjër. Kështu, bashkë me kallinjtë e parë të grurit, do të shfaqej edhe egjra. Pra, duhej pritur një devijim nga krishterimi i pastër deri në korrje, kur Krishti do t’i vinte gjërat në vend. (Mateu 13:24-43) Një enciklopedi komenton: «Trinitarizmi i shekullit IV nuk pasqyroi saktësisht mësimin e të krishterëve të shekullit të parë në lidhje me natyrën e Perëndisë, përkundrazi, ai ishte një devijim nga ky mësim.» (The Encyclopedia Americana) Ku e pati, pra, origjinën ky devijim?—1. Timoteut 1:6.
Çfarë ndikoi në të?
NË TË gjithë botën e lashtë, që nga koha e Babilonisë, ishte i zakonshëm adhurimi i perëndive pagane të përbëra nga grupe prej tre hyjnish apo triadat. Ky ndikim ishte gjithashtu
mbizotërues në Egjipt, Greqi dhe Romë, në shekujt para, gjatë dhe pas Krishtit. Pas vdekjes së apostujve besime të tilla pagane filluan të pushtojnë krishterimin.Historiani Will Durant vëren: «Krishterimi nuk e shkatërroi paganizmin; e adoptoi atë . . . Ideja e një Triniteti hyjnor erdhi nga Egjipti.» Ndërsa Sigfrid Morenz vëren: «Triniteti ishte preokupimi kryesor i teologëve egjiptianë . . . Tre perëndi janë kombinuar dhe trajtuar si një qenie e vetme, e konsideruar në njëjës. Në këtë mënyrë, fuqia frymore e fesë egjiptiane tregon një lidhje të drejtpërdrejtë me teologjinë e krishtere.» —Egyptian Religion.
Kështu, në Aleksandri të Egjiptit, nga fundi i shekullit III dhe fillimi i shekullit IV, kishtarët si Atanasi, e pasqyruan këtë ndikim ndërsa formuluan idetë që çonin drejt Trinitetit. Vetë ndikimi i tyre u përhap aq shumë, saqë Morenzi e quan «teologjinë Aleksandriane si ndërmjetësen midis trashëgimisë fetare egjiptiane dhe krishterimit».
Në parathënien e Eduard Gibonit lexojmë: «Nëse paganizmi u pushtua nga krishterimi, është po kaq e vërtetë që krishterimi u korruptua nga paganizmi. Deizmi i pastër i të krishterëve të parë . . . u ndërrua nga Kisha e Romës me dogmën e pakuptueshme të trinitetit. Shumë dogma pagane të trilluara nga egjiptianët e të idealizuara nga Platoni, u mbajtën si të denja për t’u besuar.»—History of Christianity.
Siç vëren një libër, shumë të tjerë thonë se Triniteti «është një doktrinë e korruptuar, e huazuar nga besimet pagane dhe e shartuar në besimin e krishterë». (A Dictionary of Religious Knowledge) Ndërsa një tjetër deklaron se «origjina [e Trinitetit] është tërësisht pagane».—The Paganism in Our Christianity.
Ja pse Xheims Hasting shkroi: «Në besimin indian p.sh., takojmë grupin trinitar të përbërë nga Brahma, Shiva e Vishna; në besimin egjiptian gjejmë grupin trinitar të formuar nga Osirida, Isida dhe Horusi . . . Nuk është se konceptin mbi Perëndinë si një Trinitet e gjejmë vetëm në besimet historike. Në mënyrë të veçantë, kjo të sjell ndërmend konceptin neoplatonik të Realitetit suprem apo të fundit», që «paraqitet si një triadë». (Encyclopædia of Religion and Ethics) Po ç’ka të bëjë me Trinitetin filozofi grek Platoni?
Platonizmi
MENDOHET se Platoni ka jetuar nga viti 428 deri në 347 para Krishtit. Megjithëse nuk e mësoi Trinitetin në formën e tij të sotme, filozofitë e tij i hapën rrugën kësaj doktrine. Më vonë, filluan lëvizjet filozofike që përfshinin koncepte triadash dhe që ishin të ndikuara nga idetë platonike mbi Perëndinë dhe natyrën.
Duke folur për ndikimin që ushtroi Platoni, një vepër franceze thotë: «Triniteti platonik, që në vetvete është thjesht një ristrukturim i triniteteve të vjetër që rrjedhin nga popuj më të lashtë, duket se është triniteti filozofik racional i atributeve, që u dha jetë tre hipostazave apo personave hyjnorë të mësuar nga kishat e krishtere. . . . Ky koncept i filozofit grek mbi trinitetin hyjnor . . . mund të gjendet në të gjitha besimet e lashta [pagane].»—Nouveau Dictionnaire Universel.
Në lidhje me ndikimin e këtij filozofi grek një enciklopedi thotë: «Doktrinat e Logosit e të Trinitetit e morën formën e tyre nga Etërit grekë, të cilët . . . u ndikuan mjaft, drejtpërdrejtë apo indirekt nga filozofia platonike . . . Që gabimet dhe korruptimet u futën në kishë prej këtij burimi, kjo nuk mund të mohohet.»—The New Schaff-Herzog Encyclopedia of Religious Knowledge.
Në një vepër lexojmë: «Doktrina e trinitetit u formua gradualisht dhe relativisht vonë; . . . ajo e pati origjinën e saj në një burim tërësisht të huaj nga ai i Shkrimeve Greke dhe Hebreje; . . . ajo u zhvillua dhe iu shartua krishterimit nga dora e Etërve platonistë.»—The Church of the First Three Centuries.
Nga fundi i shekullit të tretë të e.s., «krishterimi» dhe filozofitë neoplatonike u bashkuan në mënyrë të pandashme. Sikurse shpjegon Adolf Harnak, doktrina e kishës «zuri rrënjë thellë në helenizmin [mendimin pagan grek]. U bë kështu një mister për pjesën më të madhe të të krishterëve».—Outlines of the History of Dogma.
Kisha shpalli se doktrinat e saj të reja bazoheshin në Bibël. Por Harnak thotë: «Në të vërtetë, brenda saj ajo ligjëroi spekulimin helenist, pikëpamjet supersticioze dhe zakonet e adhurimit misterioz pagan.»
Në një libër të tij Endrius Norton thotë për Trinitetin: «Ne mund ta ndjekim historinë e kësaj doktrine dhe të mësojmë burimin e saj, jo në zbulimin e krishterë, por në filozofinë platonike . . . Triniteti nuk është një doktrinë e Krishtit dhe e Apostujve të tij, por një trillim i shkollës
së platonistëve të mëvonshëm.»—A Statement of Reasons.Kështu, në shekullin e katërt të e.s., apostazia e parathënë nga Krishti dhe apostujt arriti në lulëzim të plotë. Zhvillimi i Trinitetit ishte pikërisht një dëshmi e kësaj. Kishat apostate filluan gjithashtu të përqafonin ide të tjera pagane si ferri i zjarrtë, pavdekshmëria e shpirtit dhe idhujtaria. Shprehur në kuptim frymor, i ashtuquajturi krishterim hyri në periudhat e tij të errëta që ishin parathënë, i dominuar nga «njeriu i paligjshmërisë», një klasë klerike gjithnjë e në rritje.—2. Selanikasve 2:3, 7.
Përse nuk e mësuan atë profetët e Perëndisë?
PËRSE gjatë mijëra vitesh asnjëri nga profetët e Perëndisë nuk ia mësoi Trinitetin popullit të tij? Në fund të fundit, a nuk do ta përdorte Jezui aftësinë e tij si Mësues i Madh, për t’ua bërë të qartë Trinitetin ithtarëve të tij? A do të frymëzonte Perëndia qindra faqe të Shkrimeve të Shenjta, e megjithatë të mos përdorte asnjë nga udhëzimet e tij për të mësuar Trinitetin, nëse ky do të ishte vërtet «doktrina qendrore» e besimit?
A duhet të besojnë të krishterët se disa shekuj pas Krishtit dhe pas frymëzimit të shkrimit të Biblës, Perëndia do të përkrahte formulimin e një doktrine, që për mijëra vjet qe e panjohur për shërbëtorët e tij, që është një «mister i pakuptueshëm» dhe shkon «përtej mundësive të arsyes njerëzore», që pranohet se ka origjinë pagane dhe që ishte «kryesisht një çështje e politikës së kishës»?
Dëshmia historike është e qartë: mësimi mbi Trinitetin është një devijim nga e vërteta; është një mësim apostat.
[Diçitura në faqen 8]
«Trinitarizmi i shekullit IV ishte një devijim nga mësimet fillestare të krishterimit.»—The Encyclopedia Americana
[Kutia në faqen 9]
«Triadat e Perëndive të mëdha»
Shumë shekuj para Krishtit, në Babiloninë e lashtë dhe në Asiri ekzistonin triada ose trinitete perëndish. Në lidhje me njërën nga këto Triada, në zonën e Mesopotamisë, një enciklopedi thotë: «Universi ishte ndarë në tre rajone, secili nën kontrollin e një perëndie. Anu zotëronte qiellin. Toka i qe dhënë Enlilit. Ea ishte sunduesi i ujërave. Së bashku ata përbënin triadën e Perëndive të mëdha.»—Larousse Encyclopedia of Mythology
[Kutia në faqen 12]
Triniteti hindu
Për Trinitetin hindu, që ekzistonte shekuj para Krishtit, një libër mbi hinduizmin thotë: «Shiva është një nga perënditë e Trinitetit. Është quajtur perëndia i shkatërrimit. Dy perënditë e tjerë janë Brahma, perëndia i krijimit dhe Vishna, perëndia i mirëmbajtjes. . . . Për të treguar se këto tre procese janë një dhe të barabarta, të tre perënditë janë bashkuar në një formë.»—The Symbolism of Hindu Gods and Rituals, botuar nga A. Parthasarathy, Bombay.
[Figura në faqen 8]
«Kostantini nuk kishte as idenë më të vogël për çështjet që ngriheshin në teologjinë greke.»—A Short History of Christian Doctrine
[Figurat në faqen 10]
1. Egjipt. Triada e Horusit, Osiridës dhe Isidës, mijëvjeçari II p.e.s.
2. Babiloni. Triada e Ishtarit, Sinit dhe Shamashit, mijëvjeçari II p.e.s.
3. Palmira. Triada e perëndisë–hënë, Zotit të qiejve dhe perëndisë–diell, rreth shek. I të e.s.
4. Indi. Perëndi treshe hinduse rreth shek. VII të e.s.
5. Kamboxhia. Hyjni treshe budiste rreth shek. XII të e.s.
6. Norvegji. Triniteti (Ati, Biri dhe fryma e shenjtë), rreth shek. XIII të e.s.
7. Francë. Triniteti, rreth shek. XIV të e.s.
8. Itali. Triniteti, rreth shek. XV të e.s.
9. Gjermani. Triniteti, rreth shek. XIX të e.s.
10. Gjermani. Triniteti, rreth shek. XX të e.s.