Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë mund të mësoni rreth Krijuesit nga një libër?

Çfarë mund të mësoni rreth Krijuesit nga një libër?

Kapitulli Shtatë

Çfarë mund të mësoni rreth Krijuesit nga një libër?

KA TË ngjarë që ju të jeni dakord se një libër informativ dhe interesant ka vlerë të vërtetë. Bibla është një libër i tillë. Në të ju gjeni histori tërheqëse jete që nxjerrin në pah vlera të larta morale. Gjeni edhe ilustrime të gjalla të vërtetash të rëndësishme. Një nga shkrimtarët e saj që ishte i njohur për mençurinë, tha se ai «është përpjekur të gjejë fjalë të këndshme dhe gjërat e shkruara janë të drejta dhe të vërteta».​—Predikuesi 12:10.

Libri, të cilit i referohemi si «Bibla» është faktikisht një koleksion prej 66 librash të vegjël, të shkruar në një hark kohor prej më shumë se 1.500 vjetësh. Për shembull, mes viteve 1513 dhe 1473 p.e.s., Moisiu shkroi pesë librat e parë, duke filluar me Zanafillën. Gjoni, një nga apostujt e Jezuit, ishte i fundit nga shkrimtarët e Biblës. Ai shkroi një histori për jetën e Jezuit (ungjillin e Gjonit), si edhe letra më të shkurtra dhe librin e Zbulesës, i cili shfaqet si libri i fundit në shumicën e versioneve të Biblës.

Gjatë 1.500 vjetëve që nga Moisiu deri te Gjoni, 40 individë morën pjesë në shkrimin e Biblës. Ata ishin burra të sinqertë dhe të devotshëm që donin të ndihmonin të tjerët për të mësuar rreth Krijuesit tonë. Nga shkrimet e tyre ne mund të fitojmë mendjehollësi mbi personalitetin e Perëndisë dhe të mësojmë se si mund t’i pëlqejmë atij. Bibla, gjithashtu, na aftëson për të kuptuar përse ligësia është me bollëk dhe si do të eliminohet ajo. Shkrimtarët e Biblës treguan për një kohë kur njerëzimi do të jetojë në mënyrë më të drejtpërdrejtë nën sundimin e Perëndisë dhe ata përshkruan disa nga kushtet rrëqethëse që do të mund të gëzojmë atëherë.​—Psalmet 37:10, 11; Isaia 2:2-4; 65:17-25; Zbulesa 21:3-5.

Ka të ngjarë që ju të jeni në dijeni se shumë veta as që merren me Biblën, duke e konsideruar si një libër të lashtë të një mençurie njerëzore. Megjithatë, miliona njerëz janë të bindur se Perëndia është Autori i saj i vërtetë, se ai i drejtoi mendimet e shkrimtarëve të saj. (2. Pjetrit 1:20, 21) Si mund ta përcaktoni ju nëse ajo që kanë shkruar shkrimtarët e Biblës është vërtet nga Perëndia?

Mirë, pra, ka një numër linjash me dëshmi që përputhen, të cilat ju mund t’i konsideroni. Shumë individë kanë bërë kështu para se të nxirrnin përfundimin që Bibla është më shumë sesa një libër thjesht njerëzor e para se të përfundonin se ajo vjen nga një burim mbinjerëzor. Le ta ilustrojmë këtë vetëm me një nga format e dëshmive. Duke bërë kështu, mund të mësojmë më shumë mbi Krijuesin e universit tonë, Burimin e jetës njerëzore.

Parashikime që dolën të vërteta

Shumë shkrimtarë të Biblës dokumentuan profeci. Në vend që të pohonin se ata personalisht mund të parathoshin të ardhmen, këta shkrimtarë ia atribuan këtë Krijuesit. Për shembull, Isaia e identifikoi Perëndinë si «Ai që shpall fundin që në fillim». (Isaia 1:1; 42:8, 9; 46:8-11) Aftësia për të parathënë ngjarje që do të ndodhnin dekada ose edhe shekuj në të ardhmen e bën Perëndinë e Isaisë unik; ai nuk është thjesht një idhull, si ata që kanë adhuruar njerëzit në të kaluarën dhe në të tashmen. Profecitë na japin dëshmi bindëse që Bibla nuk ka autorësi njerëzore. Shqyrtoni se si e vërteton këtë fakt libri i Isaisë.

Një krahasim i përmbajtjes së librit të Isaisë me të dhënat historike tregon se libri u shkrua rreth vitit 732 p.e.s. Isaia paratha se katastrofa do të binte mbi banorët e Jeruzalemit dhe të Judës, sepse ata ishin fajtorë për gjakderdhje dhe për adhurim të idhujve. Isaia parashikoi se vendi do të shkretohej, Jeruzalemi dhe tempulli i tij do të shkatërroheshin dhe të mbijetuarit do të merreshin robër në Babiloni. Por Isaia profetizoi, gjithashtu, se Perëndia nuk do ta harronte kombin e robëruar. Libri paratha se një mbret i huaj, i quajtur Kir, do të pushtonte Babiloninë dhe do t’i lironte hebrenjtë që të ktheheshin në vendlindjen e tyre. Në fakt, Isaia përshkruan fjalët e Perëndisë: «Ai thotë për Kirin: ‘Ai është bariu im dhe të gjitha ato që më kënaqin, ai do t’i kryejë plotësisht’; madje edhe thënien time për Jeruzalemin: ‘Do të rindërtohet’ dhe për tempullin ‘Do të hidhen themelet e tua’. »​—Isaia 2:8; 24:1; 39:5-7; 43:14; 44:24-28, BR; 45:1.

Në ditët e Isaisë, në shekullin e 8-të p.e.s., parashikime të tilla mund të jenë dukur të pabesueshme. Në atë kohë Babilonia nuk ishte madje as një fuqi e rëndësishme ushtarake. Ajo ishte e nënshtruar ndaj fuqisë botërore të asaj kohe, Perandorisë Asiriane. Po aq e çuditshme do të kishte qenë ideja se një popull i pushtuar që ishte çuar në një tokë të largët si rob do të mund të lirohej dhe të rimerrte vendin e tij. Isaia shkroi: «Kush vallë ka dëgjuar një gjë të tillë?»​—Isaia 66:8.

Megjithatë, çfarë gjejmë po të shkojmë dy shekuj më vonë? Historia e mëpastajme e hebrenjve të lashtë vërtetoi se profecia e Isaisë ishte përmbushur deri në hollësi. Babilonia u bë e fuqishme dhe e shkatërroi Jeruzalemin. Emri i mbretit pers (Kiri), pushtimi i Babilonisë nga ana e tij dhe kthimi i hebrenjve, që të gjitha këto janë fakte të pranuara të historisë. Kaq me saktësi u përmbushën këto hollësi të profetizuara, saqë në shekullin e 19-të kritikët pohuan se libri i Isaisë ishte një mashtrim, ata në fakt thanë: ‘Isaia mund të ketë shkruar kapitujt e parë, por një shkrimtar i mëvonshëm, në kohën e mbretit Kir shpiku pjesën tjetër të librit që të dukej se ishte një profeci.’ Dikush mund të bëjë pohime të tilla që hedhin tej profecitë, por cilat janë faktet?

Parashikime të vërteta?

Parashikimet në librin e Isaisë nuk kufizohen në ngjarjet që përfshijnë Kirin dhe robërit hebrenj. Isaia paratha, gjithashtu, gjendjen përfundimtare të Babilonisë dhe libri i tij dha shumë hollësi mbi një Mesi ose Çlirues që do të vinte, i cili do të vuante dhe më pas do të lartësohej. A mund të përcaktojmë nëse këto parashikime ishin shkruar shumë kohë më përpara se të ndodhnin e në këtë mënyrë ishin profeci që do të përmbusheshin?

Shqyrtoni këtë pikë. Isaia shkroi mbi gjendjen përfundimtare të Babilonisë: «Kështu, Babilonia, shkëlqimi i mbretërive, lavdia e krenarisë së kaldeasve, do të jetë si Sodoma dhe Gomora kur Perëndia i përmbysi. Ajo nuk do të banohet më as nuk do të popullohet brez pas brezi.» (Isaia 13:19, 20; kapitulli 47) Si u zhvilluan faktikisht ngjarjet?

Faktet janë se Babilonia prej shumë kohësh ishte varur në një sistem të ndërlikuar ujitjeje, i përbërë nga sfrate dhe kanale mes lumenjve Tigër dhe Eufrat. Duket se rreth vitit 140 p.e.s. ky sistem ujitjeje u dëmtua në pushtimin shkatërrues të partëve dhe praktikisht u shkatërrua si sistem. Me çfarë pasojash? Një enciklopedi (The Encyclopedia Americana) shpjegon: «Dheu u ngop me kripëra minerale dhe një kore alkalesh u formua mbi sipërfaqe, duke e bërë të pamundur përdorimin bujqësor të tokës.» Afro 200 vjet më vonë, Babilonia ishte akoma një qytet i populluar, por nuk mbeti i tillë për shumë kohë. (Krahaso 1. Pjetrit 5:13.) Në shekullin e 3-të të e.s., historiani Dio Kasius (rreth vitit 150-235 të e.s.) përshkroi se çfarë gjeti një vizitor në Babiloni, asgjë përveçse «pirgje dheu, gurë dhe gërmadha». (LXVIII, 30) Është me rëndësi të theksojmë se Isaia kishte vdekur shekuj përpara se ky vizitor të shihte gërmadhat e Babilonisë dhe libri i tij i mbaruar ishte në qarkullim nga disa shekuj. Dhe po ta vizitonit Babiloninë sot, do të shihnit vetëm gërmadhat e atij qyteti, i cili një herë e një kohë ishte i lavdishëm. Edhe pse qytete të lashta si Roma, Jeruzalemi dhe Athina kanë mbijetuar deri në ditët tona, Babilonia është e shkretuar, e pabanuar, një gërmadhë, ajo është pikërisht siç e paratha Isaia. Parashikimi doli i vërtetë.

Tani le të përqendrohemi në përshkrimin që i bëri Isaia Mesisë që do të vinte. Sipas Isaisë 52:13, ky shërbëtor i veçantë i Perëndisë përfundimisht ‘do të ngrihej shumë dhe do të lartësohej shumë’. Megjithatë, kapitulli vijues (Isaia 53) profetizoi se para lartësimit të tij, Mesia do të kalonte një përvojë çuditërisht të ndryshme. Ju mund të mbeteni të habitur nga hollësitë e dokumentuara në këtë kapitull, i cili njihet gjerësisht si një profeci mesianike.

Siç mund ta lexoni atje, Mesia do të përçmohej nga njerëzit e vendit të tij. I sigurt se kjo do të ndodhte, Isaia shkroi sikur kjo gjë të ishte bërë tashmë: «[Ishte] i përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit.» (Vargu 3) Ky keqtrajtim do të ishte plotësisht i pajustifikuar, sepse Mesia do t’u bënte mirë njerëzve. «Ai mbante sëmundjet tona»,—kështu i përshkroi Isaia veprat e shërimit të Mesisë. (Vargu 4) Pavarësisht nga kjo, Mesinë do ta hidhnin në gjyq dhe do ta dënonin padrejtësisht, ndërsa nuk e hapte gojën para akuzuesve të tij. (Vargjet 7, 8) Ai do të lejonte të dorëzohej për t’u vrarë përbri kriminelëve; gjatë ekzekutimit të tij trupi i tij do të tejshpohej. (Vargjet 5, 12) Edhe pse do të vdiste si një kriminel, ai do të varrosej si i pasur. (Vargu 9) Dhe, në mënyrë të përsëritur, Isaia pohoi se vdekja e padrejtë e Mesisë do të kishte fuqi shlyese, duke mbuluar mëkatet e njerëzve të tjerë.​—Vargjet 5, 8, 11, 12.

Të gjitha këto dolën të vërteta. Historitë e dokumentuara nga bashkëkohësit e Jezuit: Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni, vërtetojnë se ajo që kishte parathënë Isaia ndodhi faktikisht. Disa nga ngjarjet ndodhën pas vdekjes së Jezuit, kështu që këto situata nuk ishin të tilla që ai të mund t’i manipulonte. (Mateu 8:16, 17; 26:67; 27:14, 39-44, 57-60; Gjoni 19:1, 34) Përmbushja e plotë e profecive mesianike të Isaisë ka pasur një efekt të fuqishëm mbi lexuesit e sinqertë të Biblës përgjatë shekujve, duke përfshirë disa që më parë nuk e kishin pranuar Jezuin. Dijetari Uilliam Ërvik vëren: «Shumë hebrenj, duke hedhur me shkrim arsyen e kthimit të tyre në krishterim, pranuan se ishte leximi i vëmendshëm i këtij kapitulli [Isaia 53] që e kishte tronditur besimin e tyre në kredon dhe në rabinët e tyre të mëparshëm.»​—The Servant of Jehovah. *

Ërviku e bëri atë koment në fund të viteve 1800, kur disa mund të kishin akoma dyshime nëse kapitulli 53 i Isaisë ishte shkruar shekuj përpara lindjes së Jezuit. Megjithatë, zbulime të bëra që atëherë kanë fshirë në thelb çdo bazë për dyshim. Më 1947, një bari beduin zbuloi afër Detit të Vdekur një rrotull të lashtë të të gjithë librit të Isaisë. Specialistët për shkrimet e lashta e datuan rrotullën nga viti 125 deri në vitin 100 p.e.s. Pastaj, në vitin 1990, një analizë e përmbajtjes së karbonit 14 në rrotull përcaktoi një datë mes viteve 202 dhe 107 p.e.s. Po, kjo rrotull e famshme e Isaisë ishte tashmë e vjetër kur lindi Jezui. Çfarë zbulon krahasimi i saj me Biblat moderne?

Po të vizitoni Jeruzalemin, ju mund të shihni fragmente të Rrotullave të Detit të Vdekur. Një dokument nga një arkeolog, profesori Jigael Jadin, shpjegon: «Mes kohës kur u thanë vetë fjalët e Isaisë dhe kohës kur u kopjua kjo rrotull në shekullin e 2-të p.e.s., nuk kanë kaluar më shumë se rreth pesëqind ose gjashtëqind vjet. Një gjë e mahnitshme është se, megjithëse rrotulla origjinale në muze është më shumë se 2.000 vjet e vjetër, ajo është aq afër me Biblën që ne lexojmë sot, si në hebraisht, ashtu edhe në përkthimet që u bënë nga origjinali.»

Qartë, kjo duhet të ndikojë në pikëpamjen tonë. Për çfarë? Mirë, pra, ajo duhet të heqë të gjitha dyshimet kritike se gjoja libri i Isaisë nuk është gjë tjetër veçse fakte të ndodhura të paraqitura si profeci. Tani ekzistojnë prova shkencore se një kopje e shkrimeve të Isaisë u bë mbi njëqind vjet përpara se të lindte Jezui dhe shumë kohë përpara shkretimit të Babilonisë. Për pasojë, si mund të ketë ndonjë dyshim se shkrimet e Isaisë parashikuan jo vetëm rezultatin përfundimtar për Babiloninë, por edhe vuajtjet e padrejta, llojin e vdekjes dhe trajtimin e Mesisë? Dhe faktet historike eliminojnë çdo bazë për të diskutuar nëse Isaia e parashikoi me saktësi apo jo robërimin e hebrenjve dhe lirimin e tyre nga Babilonia. Parashikime të tilla të përmbushura përbëjnë thjesht një nga shumë linjat e dëshmive se Autori i vërtetë i Biblës është Krijuesi dhe se Bibla është «e frymëzuar nga Perëndia».​—2. Timoteut 3:16.

Ekzistojnë shumë tregues të tjerë të autorësisë hyjnore të Biblës. Këto përfshijnë saktësinë e Biblës në fushat e astronomisë, gjeologjisë dhe mjekësisë; harmoninë e brendshme të librave të saj, të shkruar nga shumë burra përgjatë shumë qindravjeçarëve; përputhjen e saj me shumë fakte të historisë botërore dhe të arkeologjisë dhe kodin e saj moral që i tejkaloi kodet e popujve që ishin përreth tyre në atë kohë e që akoma njihet se nuk ka asnjë paralel. Këto dhe linja të tjera dëshmish kanë bindur njerëz të panumërt, të zellshëm e të ndershëm se Bibla është në mënyrë autentike një libër nga Krijuesi ynë. *

Kjo gjë mund të na ndihmojë edhe që të nxjerrim disa përfundime të vlefshme rreth Krijuesit, duke na ndihmuar të shohim cilësitë e tij. A nuk dëshmon aftësia e tij për të parë përpara në kohë se ai ka aftësi perceptuese përtej atyre që ne njerëzit kemi? Njerëzit nuk e dinë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen e largët, e as mund ta kontrollojnë atë. Krijuesi mund ta bëjë këtë. Ai mund edhe të parashikojë të ardhmen, edhe të rregullojë ngjarjet në mënyrë që të kryhet vullneti i tij. Në mënyrë të përshtatshme, Isaia e përshkruan Krijuesin si «Ai që shpall fundin që në fillim dhe shumë kohë më parë gjërat që ende nuk janë bërë, duke thënë: ‘Plani im do të realizohet dhe do të bëj gjithçka më pëlqen.’»​—Isaia 46:10; 55:11.

Të fillojmë ta njohim më mirë Krijuesin

Ne bëhemi të njohur me një person tjetër, duke biseduar me të dhe duke parë se si reagon ai në rrethana të ndryshme. Që të dyja këto janë të mundshme kur duam të njohim njerëz të tjerë, por ç’të themi kur duam të fillojmë të njohim Krijuesin? Ne nuk kemi mundësi të bëjmë drejtpërdrejt një bisedë me të. Por, siç e kemi përcaktuar tashmë, ai zbulon shumë gjëra rreth vetes së tij në Bibël, si nga ajo që ka thënë, ashtu edhe nga mënyra se si ka vepruar. Për më tepër, ky libër unik faktikisht na fton të kultivojmë një marrëdhënie me Krijuesin. Ai na nxit: «Afrohuni te Perëndia dhe ai do t’ju afrohet juve!»​—Jakobi 2:23; 4:8.

Shqyrtoni një hap të parë që mund të bëni: po të dëshironit të bëheshit miku i dikujt, sigurisht që do të mësonit emrin e tij. Pra, cili është emri i Krijuesit dhe çfarë zbulon emri i tij mbi atë vetë?

Pjesa hebraike e Biblës (shpesh e quajtur Dhjata e Vjetër) na tregon emrin unik të Krijuesit. Ai paraqitet në dorëshkrimet e lashta me katër bashkëtingëllore hebraike që mund të përkthehen YHWH ose JHVH. Emri i Krijuesit shfaqet rreth 7.000 herë, shumë më tepër sesa titujt si Perëndi ose Zot. Për shumë shekuj, ata që lexonin Biblën në hebraisht e përdorën atë emër personal. Por, me kalimin e kohës, shumë hebrenj zhvilluan një frikë besëtytnore mbi shqiptimin e emrit hyjnor, e në këtë mënyrë nuk e ruajtën shqiptimin e tij.

«Shqiptimi origjinal me kalimin e kohës humbi dhe përpjekjet moderne për ta rigjetur atë janë hipotetike»,—vëren një komentues hebre mbi librin e Eksodit. Duhet pranuar se nuk mund të jemi të sigurt si e ka shqiptuar Moisiu emrin hyjnor, të cilin e gjejmë në Eksodin 3:16 (DSF) dhe 6:3 (Përkthimi Manastiri, 1914). Megjithatë, për ta thënë hapur, kush do të ndihej i detyruar sot të shqiptonte emrin e Moisiut ose të Jezuit me shqiptimin dhe intonacionin e saktë me të cilin ishin përdorur ata emra, kur këta njerëz ishin mbi tokë? Megjithëkëtë, ne nuk e shmangim përdorimin e emrit të Moisiut dhe të Jezuit. Pika është se, në vend që të jemi tepër të shqetësuar mbi faktin se si e ka shqiptuar emrin e Perëndisë një popull i lashtë, që fliste një gjuhë ndryshe nga jona, përse të mos përdorim shqiptimin që është i zakonshëm në gjuhën tonë? Për shembull, «Jehova» është përdorur në shqip prej shumë vjetësh dhe në gjuhën shqipe pranohet gjerësisht si emri i Krijuesit.

Por ka diçka më domethënëse sesa hollësitë mbi shqiptimin e emrit. Kjo është kuptimi i tij. Emri në hebraisht është një formë shkakore e foljes ha·wahʹ, që do të thotë «të bëhesh» ose «të provosh të jesh». (Zanafilla 27:29; Predikuesi 11:3) Një libër (The Oxford Companion to the Bible) ofron këtë domethënie: « ‘Ai shkakton’ ose ‘do të shkaktojë të jetë’. » Prandaj, ne mund të themi se fjalë për fjalë emri personal i Krijuesit do të thotë «Ai shkakton të bëhet». Vëreni se emfaza nuk vihet mbi aktivitetin e Krijuesit në të kaluarën e largët, siç mund të kenë në mend disa kur përdorin termin «Shkaku i parë». Përse jo?

Sepse emri hyjnor është i lidhur ngushtë me atë që Krijuesi ka vënë si qëllim për të bërë. Kryesisht ekzistojnë vetëm dy kohë të foljeve hebraike dhe folja që përfshihet në emrin e Krijuesit «tregon veprime . . . si në një proces zhvillimi. Ajo nuk shpreh thjesht vazhdimin e një veprimi, . . . por zhvillimin e tij që nga fillimi e deri në plotësimin e tij». (A Short Account of the Hebrew Tenses) Po, me anë të emrit të tij Jehovai e zbulon veten se është aktiv në qëllimet e tij. Në këtë mënyrë ne mësojmë se me një veprim progresiv, ai bëhet Plotësuesi i qëllimeve. Shumë personave u duket e kënaqshme dhe siguruese të dinë se Krijuesi gjithnjë e çon qëllimin e tij drejt realizimit.

Qëllimi i tij: Qëllimi juaj

Ndërkohë që emri i Perëndisë pasqyron qëllim, shumë persona e kanë të vështirë të shohin një qëllim real në vetë ekzistencën e tyre. Ata vërejnë njerëzimin tek pështjellohet nga një krizë në tjetrën, luftëra, shkatërrime natyrore, epidemi sëmundjesh, varfëri dhe kriminalitet. Edhe ata pak të privilegjuar që në njëfarë mënyre u shpëtojnë këtyre efekteve dëmtuese, shpesh e pranojnë se kanë dyshime të vazhdueshme rreth të ardhmes dhe domethënies së jetës së tyre.

Bibla bën këtë koment: «Bota fizike u bë objekt zhgënjimi, jo nga dëshira e vet, por nga vullneti i Krijuesit, i cili duke e bërë të tillë, i dha asaj shpresë që një ditë të mund të çlirohej . . . dhe të bëhej pjesëmarrëse në lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë.» (Romakëve 8:20, 21 The New Testament Letters, nga J. W. C. Uand) Tregimi në librin e Zanafillës bën të qartë se kishte një kohë kur njerëzit ishin në paqe me Krijuesin e tyre. Në përgjigje të sjelljes së gabuar njerëzore, me të drejtë Perëndia ia nënshtroi njerëzimin një situate që, në njëfarë mënyre solli zhgënjim. Le të shohim se si u zhvilluan ngjarjet, çfarë tregon kjo gjë për Krijuesin dhe çfarë mund të kuptojmë që më përpara rreth së ardhmes.

Sipas asaj historie të shkruar, e cila në shumë mënyra ka provuar se është e verifikueshme, njerëzit e parë të krijuar u quajtën Adam dhe Eva. Dokumentacioni tregon se ata nuk u lanë që të kërkonin kuturu pa asnjë qëllim ose pa udhëzime në lidhje me vullnetin e Krijuesit. Ashtu si do të bënte madje edhe çdo baba i dashur e me konsideratë me pasardhësit e tij, Krijuesi i dha njerëzimit direktiva të dobishme. Ai u tha atyre: «Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë.»​—Zanafilla 1:28.

Kështu, njerëzit e parë kishin një qëllim domethënës në jetën e tyre. Ky qëllim përfshinte kujdesjen e tyre për ekologjinë e tokës dhe mbushjen e globit me një popullsi të përgjegjshme. (Krahaso Isainë 11:9.) Asnjë nuk mund ta fajësojë me të drejtë Krijuesin për gjendjen e tanishme të planetit tonë të ndotur, sikur ai t’u kishte dhënë njerëzve një justifikim për ta shfrytëzuar dhe për ta shkatërruar globin. Fjala «nënshtrojeni» nuk ishte një licensë për shfrytëzim. Ajo fjalë nënkuptonte kultivimin dhe kujdesjen për planetin, i cili iu besua njerëzve që ta administronin. (Zanafilla 2:15) Për më tepër, ata do të kishin një të ardhme të vazhdueshme në të cilën të realizonin këtë detyrë domethënëse. Perspektiva e tyre për të mos vdekur është në përputhje me faktin që njerëzit kanë një kapacitet truri që e tejkalon shumë atë që mund të përdoret plotësisht në një jetë prej 70, 80 ose madje 100 vjetësh. Truri ishte projektuar për t’u përdorur në kohë të pacaktuar.

Perëndia Jehova, si prodhuesi dhe drejtuesi i krijimit të tij, u dha njerëzve dorë të lirë në lidhje me mënyrën se si ata do ta kryenin qëllimin e tij për tokën dhe për njerëzimin. Ai nuk ishte as tepër kërkues, as kufizues në mënyrë të papërshtatshme. Për shembull, ai i dha Adamit atë që do të ishte kënaqësia e një zoologu, caktimin për të studiuar dhe për të emërtuar kafshët. Pasi vërejti karakteristikat e tyre, Adami u dha emra, ku shumë prej tyre ishin përshkruese. (Zanafilla 2:19) Ky është vetëm një shembull i mënyrës se si njerëzit mund t’i përdornin talentet dhe aftësitë e tyre në harmoni me qëllimin e Perëndisë.

Ju mund të kuptoni se Krijuesi i mençur i të gjithë universit kishte mundësi që me lehtësi të mbante kontrollin e çdo situate në tokë, edhe sikur njerëzit të zgjidhnin një rrugë të pamend ose të dëmshme. Tregimi historik na informon se Perëndia i dha vetëm një urdhër kufizues Adamit: «Ha, gjithashtu, lirisht nga çdo pemë e kopshtit, por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri.»​—Zanafilla 2:16, 17.

Ai urdhër kërkonte që njerëzimi të pranonte të drejtën e Perëndisë për t’iu bindur. Njerëzve që nga koha e Adamit e deri në ditët tona iu është dashur të pranojnë ligjin e rëndesës dhe të jetojnë në harmoni me të, pasi të vepruarit ndryshe do të ishte i pamend dhe i dëmshëm. Prandaj, përse njerëzit duhet të refuzonin të jetonin në harmoni me një ligj ose urdhër tjetër, nga Krijuesi mirëbërës? Krijuesi i bëri të qarta pasojat e hedhjes poshtë të ligjit të tij, por i dha Adamit dhe Evës edhe mundësinë për t’iu bindur atij vullnetarisht. Nuk është e vështirë të shohim në tregimin e historisë së hershme të njeriut, se Krijuesi u lejon njerëzve liri zgjedhjeje. Megjithatë, ai dëshiron që krijesat e tij të jenë të lumtura në shkallën më të lartë, gjë që është rezultati natyror kur jetojmë në përputhje me ligjet e mira që ai vetë jep.

Në një kapitull të mëparshëm, ne vumë re se Krijuesi bëri krijesa inteligjente që nuk mund të shihen, krijesat frymore. Historia e fillimit të njeriut zbulon se njërës nga këto frymëra iu ngulit në mendje ideja e uzurpimit të pozicionit të Perëndisë. (Krahaso Ezekielin 28:13-15.) Ai abuzoi me lirinë e zgjedhjes që Perëndia jep dhe i shtyu njerëzit e parë në atë që ne duhet ta quajmë një rebelim të hapur. Me anë të një akti flagrant mosbindjeje të drejtpërdrejtë, ngrënies nga «pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes», çifti i parë deklaroi pavarësinë nga sundimi i Perëndisë. Por më shumë se kjo gjë, rruga e tyre zbuloi se ata anuan nga pohimi që Krijuesi po ia mbante të mirën njeriut. Ishte sikur Adami dhe Eva të ishin duke kërkuar me këmbëngulje të vendosnin për vete atë që është e mirë dhe e keqe, pavarësisht se cili ishte vlerësimi i Bërësit të tyre.

Sa e paarsyeshme do të ishte që burrat dhe gratë të vendosnin se nuk e pëlqenin ligjin e rëndesës dhe të vepronin në kundërshtim me të! Ishte po aq e paarsyeshme që Adami dhe Eva të hidhnin poshtë standardet morale të Krijuesit. Sigurisht, njerëzit duhet të presin pasoja të dëmshme nga thyerja e ligjit themelor të Perëndisë që kërkon bindje, ashtu siç do të ishin të dëmshme pasojat nëse dikush shpërfill ligjin e rëndesës.

Historia na thotë se pas kësaj ngjarjeje Jehovai ndërmori veprime. Në «ditën» që Adami dhe Eva hodhën poshtë vullnetin e Krijuesit, ata morën tatëpjetën fizikisht dhe mendërisht, duke u drejtuar për nga vdekja e tyre, pikërisht siç i kishte paralajmëruar Krijuesi. (Krahaso 2. Pjetrit 3:8.) Kjo zbulon një aspekt tjetër të personalitetit të Krijuesit. Ai është një Perëndi i drejtësisë, i cili nuk shpërfill me dobësi mosbindjen flagrante. Ai ka dhe mbështet standarde të mençura e të drejta.

Në përputhje me cilësitë e tij të jashtëzakonshme, duke treguar mëshirë ai nuk i dha fund jetës njerëzore menjëherë. Përse? Ishte për shkak të interesimit për pasardhësit e Adamit dhe të Evës, të cilët nuk ishin ngjizur në atë kohë e që nuk ishin drejtpërdrejt përgjegjës për rrugën mëkatare të të parëve të tyre. Interesimi i Perëndisë për jetën që akoma duhej të ngjizej na flet për karakterin e Krijuesit tonë. Ai nuk është një gjykatës i pamëshirshëm, pa ndjenja. Përkundrazi, ai është i paanshëm, i gatshëm t’i japë kujtdo një mundësi dhe tregon respekt për shenjtërinë e jetës njerëzore.

Kjo nuk do të thotë se brezat njerëzorë që pasuan do të gëzonin të njëjtat rrethana të kënaqshme si ato të çiftit të parë. Për shkak se Krijuesi ka lejuar që pasardhja e Adamit të hynte në skenë, «bota fizike u bë objekt zhgënjimi». Megjithatë, ky nuk ishte krejtësisht një zhgënjim apo një situatë absolutisht e pashpresë. Kujtoni se Romakëve 8:20, 21 thoshte, gjithashtu, se Krijuesi «i dha asaj shpresë që një ditë të mund të çlirohej». Kjo është diçka, për të cilën ne duhet të dëshirojmë të dimë më shumë.

A mund ta gjeni Atë?

Armiku që e çoi çiftin e parë në rebelim, në Bibël përcaktohet si Satana Djalli, që do të thotë «Kundërshtar» dhe «Shpifës». Në dënimin që i dha atij nxitësi kryesor të rebelimit, Perëndia e damkosi atë si një armik, por hodhi bazat, me qëllim që njerëzit që do të vinin të kishin shpresë. Perëndia tha: «Unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj.» (Zanafilla 3:15) Qartë, kjo është një gjuhë figurative ose ilustruese. Çfarë nënkuptohet kur thuhet se do të vinte një «farë»?

Pjesë të tjera të Biblës hedhin dritë mbi këtë varg interesant. Ato tregojnë se ky varg lidhet ngushtë me faktin se Jehovai vepron në përputhje me emrin e tij dhe ‘bën’ atë që nevojitet për të përmbushur qëllimin e tij për njerëzit mbi tokë. Duke bërë kështu, ai përdori një komb të veçantë dhe historia e marrëdhënieve të tij me atë komb të lashtë përbën një pjesë të konsiderueshme të Biblës. Le të shqyrtojmë shkurtimisht atë histori të rëndësishme. Duke bërë këtë, mund të mësojmë më shumë rreth cilësive të Krijuesit tonë. Vërtet, ne mund të mësojmë shumë gjëra të paçmueshme rreth tij, duke bërë një shqyrtim të mëtejshëm të Biblës, librit që ai siguroi për njerëzimin.

[Shënimet]

^ par. 19 Krahaso Veprat 8:26-38, ku është cituar Isaia 53:7, 8.

^ par. 23 Për hollësi rreth origjinës së Biblës, shikoni broshurën Një libër për të gjithë njerëzit dhe librin Bibla: Fjalë e Perëndisë apo e njeriut? (angl.), të botuara nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

[Figura në faqen 107]

Shekuj pasi Bibla e kishte parathënë, Babilonia e fuqishme u bë një gërmadhë e shkretuar dhe mbetet e tillë edhe në ditët tona

[Figurat në faqen 110]

Kjo rrotull e Isaisë, e kopjuar në shekullin e 2-të p.e.s., u nxor nga një shpellë afër Detit të Vdekur. Aty ishin parathënë me hollësi ngjarje që ndodhën qindra vjet pasi ishte shkruar

[Figura në faqen 115]

Kjo letër, e shkruar në hebraishten e vjetër në një fragment argjile, u zbulua nga arkeologët në Lakish. Emri i Perëndisë (shiko shigjetat) gjendet i shkruar dy herë, duke treguar se emri i Krijuesit ishte i njohur dhe në përdorim të zakonshëm

[Figura në faqen 117]

Isak Njutoni formuloi ligjin e gravitetit. Ligjet e Krijuesit janë të arsyeshme dhe bashkëpunimi me to është për të mirën tonë