Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ç’gjë mund t’i shtojë domethënie jetës suaj?

Ç’gjë mund t’i shtojë domethënie jetës suaj?

Kapitulli Një

Ç’gjë mund t’i shtojë domethënie jetës suaj?

A KENI ëndërruar të gëzoni një jetë më të mirë, qoftë në zonën përreth shtëpisë suaj ose në një parajsë tropikale? Herët a vonë shumica prej nesh ka ëndërruar.

Në vitin 1891, artisti francez Pol Gogen shkoi për të gjetur një jetë të tillë në Polinezinë franceze. Por shpejt ai u ndesh përballë me realitetin. E kaluara e tij e shthurur i solli sëmundje e vuajtje atij vetë dhe të tjerëve. Kur ndjeu se po i afrohej vdekja, ai pikturoi atë që është përshkruar si «një shprehje përfundimtare e forcës artistike». Një libër mbi jetën e Pol Gogenit (Paul Gauguin 1848-1903—The Primitive Sophisticate) thotë: «Spektri i aktivitetit njerëzor i ravijëzuar nga piktura përfshin të gjithë ciklin e jetës nga lindja deri në vdekje . . . Ai po e interpretonte jetën si një mister të madh.»

Gogen e titulloi pikturën «Nga vijmë? Çfarë jemi? Ku po shkojmë?» *

Këto pyetje mund të duken të njohura. Shumë njerëz që meditojnë i bëjnë ato. Pasi vuri re përparimet shkencore dhe teknike të njeriut, një redaktor i gazetës The Wall Street Journal shkroi: «Kur soditim vetë njeriun, dilemat e tij, vendin e tij në këtë univers, kemi bërë fare pak përparim që nga fillimi i jetës. Kemi mbetur ende me pyetjet si: kush jemi ne, përse ekzistojmë dhe ku po shkojmë.»

Vërtet, disa njerëz janë zhytur në kujdesin për familjen e tyre, duke siguruar jetesën, duke udhëtuar ose duke u kujdesur për interesa të tjera personale, sepse nuk njohin asnjë domethënie tjetër të jetës. Albert Ajnshtajn tha një herë: «Njeriu që e sheh jetën e tij si pa domethënie nuk është thjesht i palumtur, por e ka të vështirë të jetë i aftë për të jetuar.» Në harmoni me një mendim të tillë, disa kërkojnë t’i japin një domethënie jetës së tyre duke ndjekur artet e bukura, kërkimet shkencore ose përpjekjet humanitare për të frenuar vuajtjet. A njihni disa persona të tillë?

Është e kuptueshme që ngrihen pyetje themelore mbi domethënien e jetës. Sa prindër, pasi shohin t’u vdesë një fëmijë nga malarja ose nga ndonjë sëmundje tjetër pyesin, përse një vuajtje e tillë? A ka ndonjë domethënie për këtë? Pyetje të ngjashme i çoroditin shumë të rinj e të reja, të cilët vërejnë varfërinë, sëmundjet dhe padrejtësinë. Luftërat mizore shpesh i nxitin njerëzit të pyesin veten nëse jeta mund të ketë ndonjë domethënie.

Edhe nëse nuk keni përjetuar mjerime të tilla, ju mund të jeni dakord me fizikanin Friman Dajson, i cili tha: «Kam të njëjtat mendime si të shumë personave të respektuar kur bëj përsëri pyetjet që bëri [personazhi biblik] Jobi. Përse vuajmë? Pse kjo botë është kaq e padrejtë? Cili është qëllimi i dhimbjes dhe i tragjedisë?» Edhe ju mund t’i dëshironi përgjigjet.

Gjetja e përgjigjeve të kënaqshme do t’i ndryshonte me siguri gjërat. Një profesor, i cili duroi tmerret e kampit të përqendrimit në Aushvic vërejti: «Nuk ka asgjë në botë . . . që do ta ndihmonte dikë për të mbijetuar edhe në kushtet më të këqija, sesa dijenia që në jetën e tij ka një domethënie.» Ai mendonte se edhe shëndeti mendor i një personi lidhet me kërkimin e tij për një domethënie.

Përgjatë shekujve, shumë kanë kërkuar përgjigje përmes fesë. Pasi Gautama (Buda) pa për herën e parë në jetën e tij një njeri të sëmurë, një njeri të moshuar dhe një njeri të vdekur, ai kërkoi ndriçim ose domethënie te feja, por pa besuar në një Perëndi personal. Të tjerë u janë kthyer kishave të tyre.

Por ç’të themi për njerëzit sot? Shumë përqendrohen mbi shkencën, duke e hedhur poshtë fenë dhe «Perëndinë» si të pavlefshëm. «Sa më shumë përparon shkenca,—komenton një vepër (Religion and Atheism),—aq më pak vend duket se mbetet për Perëndinë. Perëndia është bërë një Person i Shpërngulur.»

Hedhin poshtë konceptin e një Krijuesi: Përse?

Faktikisht, prirja për të hedhur poshtë konceptin e fesë ose të Perëndisë i ka rrënjët në filozofitë e njerëzve, të cilët theksuan arsyen e pastër. Çarls Darvini mendoi se «përzgjedhja natyrore» e shpjegon botën e gjallë më mirë sesa ekzistenca e një Krijuesi. Sigmund Frojd mësoi se Perëndia ishte një iluzion. Dhe pikëpamja se ‘Perëndia ka vdekur’ shtrihet që nga koha e Fredrik Nietzke e deri në ditët tona. Filozofitë orientale janë të ngjashme. Mësuesit e budizmit janë të mendimit se nuk ka nevojë të dimë rreth Perëndisë. Për sa i përket shintoizmit, profesori Tetsuo Jamaori pohoi se «perënditë nuk janë gjë tjetër veçse njerëz».

Edhe pse skepticizmi mbi ekzistencën e një Krijuesi është me bollëk, a është i justifikuar ai? Ka të ngjarë që ju të njihni shembuj ‘faktesh shkencore’ që kanë mbizotëruar në të kaluarën, por që me kohë kanë dalë krejtësisht të gabuara. Pikëpamje të tilla si ‘Toka është e sheshtë’ dhe ‘I gjithë universi rrotullohet rreth globit tonë’ mbizotëruan për shekuj me radhë, por tani ne e dimë se janë të gabuara.

Ç’të themi për idetë më të vonshme shkencore? Për shembull, filozofi i shekullit të 18-të David Hume, duke mos pranuar ekzistencën e një Krijuesi, nuk mund të ofronte asnjë shpjegim për projektin kompleks biologjik mbi tokë. Teoria e Darvinit propozoi një mendim se si u zhvilluan format e jetës, por nuk shpjegoi se si filloi jeta ose çfarë domethënie ka për ne.

Për pasojë, shumë shkencëtarë, si edhe shumë laikë e ndiejnë se diçka mungon. Teoritë shkencore mund të përpiqen të shpjegojnë si?-në, por pyetjet kyçe përqendrohen në pse?-në. Edhe njerëzit që janë rritur me besimin në një Krijues ndikohen nga kjo. Një studente e re evropiane e historisë tha: «Për mua, Perëndia ka vdekur. Nëse ai ekziston në të vërtetë, nuk do të kishte një rrëmujë të tillë në botë: Njerëz të pafajshëm po vdesin nga uria, llojet e kafshëve po zhduken . . . Ideja e një Krijuesi është e pakuptimtë.» Duke parë kushtet mbi tokë, shumë njerëz nuk mund ta kuptojnë pse një Krijues, duke menduar se ekziston një i tillë, nuk i ndryshon gjërat për më mirë.

Megjithatë, ne duhet ta pranojmë se arsyeja përse shumë e hedhin poshtë ekzistencën e një Krijuesi është se ata nuk dëshirojnë të besojnë. «Edhe sikur Perëndia të më thoshte personalisht se duhej të ndryshoja jetën time,—i tha një industrialist evropian një punonjësit të tij,—unë përsëri nuk do ta bëja. Dua ta jetoj jetën time si më pëlqen mua.» Qartësisht, disa mendojnë se pranimi i autoritetit të një Krijuesi do të binte në kundërshtim me lirinë e tyre ose me stilin e të jetuarit që ata parapëlqejnë. Ata mund të shpallin, ‘Unë besoj vetëm atë që shoh dhe nuk mund të shoh ndonjë Krijues të padukshëm’.

Pavarësisht nga fakti përse individët kanë ‘hedhur poshtë Krijuesin’, pyetjet mbi jetën dhe domethënien e saj mbeten akoma. Ditën pasi njeriu u ul mbi hënë, teologu Karl Barth u pyet mbi këtë triumf teknologjik. Ai tha: «Kjo gjë nuk zgjidh asnjë nga problemet që më mbajnë zgjuar natën.» Sot njeriu po fluturon në hapësirë dhe po bën një përparim të shpejtë në kibernetikë. Pavarësisht nga këto, njerëzit që meditojnë shohin nevojën për të pasur një qëllim, diçka që i jep domethënie jetës së tyre.

Ne i ftojmë të gjithë ata që kanë një mendje të hapur ta shqyrtojnë këtë subjekt. Një libër (Belief in God and Intellectual Honesty) vëren se një person që zotëron «ndershmëri intelektuale», karakterizohet nga një «gatishmëri për të hetuar atë që ai vetë beson se është e vërtetë» dhe «për t’i kushtuar vëmendje të mjaftueshme dëshmive të tjera që janë në dispozicion».

Në subjektin që do të trajtojmë, këto «dëshmi në dispozicion» mund të na ndihmojnë të kuptojmë nëse ekziston një Krijues nga i cili ka origjinën jeta dhe universi. Dhe nëse ekziston një Krijues, si mund të jetë Ai? A do të kishte Krijuesi një personalitet i cili lidhet me jetën tonë? Shqyrtimi i kësaj mund të hedhë dritë mbi faktin se si jeta jonë mund të bëhet më domethënëse dhe më shpërblyese.

[Shënimi]

^ par. 5 D’où venons-nous? Que sommes-nous? Où allons-nous?

[Figura që zë gjithë faqen 4]

[Figura në faqen 6]

Piktura e Gogenit ngriti pyetje rreth domethënies së jetës