Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Cila është origjina e jetës?

Cila është origjina e jetës?

Kapitulli Tre

Cila është origjina e jetës?

TOKA jonë gëlon nga jeta. Që nga Arktiku plot me dëborë e deri në pyllin e shiut të Amazonave, që nga shkretëtira e Saharasë e deri në kënetën Everglades, që nga fundi i errët i oqeanit e deri në majat gjithë dritë të maleve, është plot me jetë. Dhe vetë jeta është e mbushur me potencial për të na magjepsur.

Jeta shfaqet në lloje, përmasa dhe sasi që të tronditin imagjinatën. Një milion lloje insektesh zukatin e lëvizin poshtë e lart në planetin tonë. Në ujërat përreth nesh notojnë mbi 20.000 lloje peshqish, disa me përmasat e një kokrre orizi, të tjerë aq të gjatë sa një vagon treni. Të paktën 350.000 lloje bimësh, disa të çuditshme, por shumica të mrekullueshme, zbukurojnë tokën. Dhe mbi 9.000 lloje zogjsh fluturojnë mbi kokën tonë. Këto krijesa, duke përfshirë njeriun, formojnë panoramën dhe simfoninë, së cilës ne i referohemi si jeta.

Por akoma më magjepsës se shumëllojshmëria e këndshme përreth nesh është uniteti i thellë që i lidh ato. Biokimistët, të cilët shqyrtojnë nga afër krijesat e tokës, shpjegojnë se të gjitha gjërat e gjalla, qofshin ato ameba ose qenie njerëzore, varen nga një bashkëveprim marramendës: bashkëpunimi në skuadër mes acideve nukleike (ADN dhe ARN) dhe molekulave proteinike. Proceset e ndërlikuara që përfshijnë këto përbërës ndodhin gati-gati në të gjitha qelizat e trupit tonë, ashtu siç ndodhin në qelizat e kolibrave, të luanëve dhe të balenave. Ky bashkëveprim uniform prodhon një mozaik të bukur jete. Si erdhi ky organizim i harmonishëm i jetës? Në fakt, cila është origjina e jetës?

Ka të ngjarë që ju ta pranoni se një kohë toka nuk kishte jetë në të. Opinioni shkencor e pranon këtë e po kështu shumë libra fetarë. Megjithatë, ju mund të vini re se këto dy burime, shkenca dhe feja, ndryshojnë në shpjegimin se si filloi jeta mbi tokë.

Miliona njerëz të të gjitha niveleve arsimore besojnë se një Krijues inteligjent, Projektuesi origjinal, e prodhoi jetën mbi tokë. Në kontrast me këtë, shumë shkencëtarë thonë se jeta lindi nga materia inorganike, duke ndodhur gradualisht një hap kimik pas tjetrit, e gjithë kjo thjesht nga rastësia. Cili nga këto dy pohime është i drejtë?

Ne nuk duhet të mendojmë se kjo çështje nuk na përket e nuk na ndihmon të gjejmë një jetë më domethënëse. Siç është vërejtur tashmë, një nga vetë pyetjet themelore, së cilës njerëzit kanë kërkuar t’i përgjigjen është: Nga kemi ardhur ne si njerëz të gjallë?

Shumica e fushave të shkencës përqendrohen mbi përshtatjen dhe mbijetesën e formave të jetës në vend se mbi pyetjen më kryesore të vetë origjinës së jetës. Ju mund të keni vërejtur se përpjekjet për të shpjeguar nga erdhi jeta, zakonisht paraqiten në përgjithësime të tilla, si: ‘Gjatë miliona viteve, molekulat duke u përplasur me njëra-tjetrën në njëfarë mënyre prodhuan jetën.’ Megjithatë, a është i kënaqshëm ky shpjegim? Ai do të nënkuptonte se në prani të energjisë nga dielli, të shkarkimeve elektrike ose të vullkaneve, një materie inorganike lëvizi, u bë e organizuar dhe me kalimin e kohës filloi të jetonte, e gjithë kjo pa një mbështetje të drejtuar. Çfarë hapi gjigand do të kishte qenë! Nga një materie inorganike në materien organike! A mund të ketë ndodhur në këtë mënyrë?

Në epokën e Mesjetës, pranimi i një koncepti të tillë mund të mos jetë dukur një problem, sepse abiogjeneza [lindja spontane], nocioni se jeta mund të lindte spontanisht nga materia inorganike, ishte një besim mbizotërues. Më në fund, në shekullin e 17-të, fizikani italian Françesko Redi provoi se larvat u shfaqën në mishin e kalbur vetëm pasi mizat i kishin vendosur vezët mbi të. Asnjë larvë nuk u zhvillua në mishin që mizat nuk mundën ta arrinin. Nëse insektet e mëdha sa mizat nuk u shfaqën thjesht vetiu, ç’të themi për mikrobet që vazhduan të shfaqeshin në ushqimin, pavarësisht nëse ishte i mbuluar apo jo? Edhe pse eksperimentet e mëvonshme treguan se mikrobet nuk lindin spontanisht, çështja mbeti akoma një debat. Në këtë kohë erdhi puna e Lui Pastërit.

Shumë njerëz e mbajnë mend Pastërin si ai që zgjidhi problemet lidhur me fermentimin dhe sëmundjet infektive. Ai kreu, gjithashtu, eksperimente për të përcaktuar nëse format mikroskopike të jetës mund të lindnin vetvetiu. Siç mund ta keni lexuar, Pastëri tregoi se edhe bakteret shumë të vogla nuk u formuan në ujin e sterilizuar, të mbrojtur nga ndotja. Në vitin 1864 ai njoftoi: «Doktrina e lindjes spontane nuk do të rimëkëmbet kurrë nga goditja vdekjeprurëse që i dha ky eksperiment i thjeshtë.» Ky pohim ka mbetur ende i vërtetë. Asnjë eksperiment nuk ka prodhuar kurrë jetën nga materia inorganike.

Si, atëherë, mundi të lindte jeta në tokë? Përpjekjet moderne për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje mund të datojnë në vitet 20 të shekullit të 20-të, në punën e biokimistit rus Aleksandër I. Oparin. Ai dhe shkencëtarë të tjerë që nga ajo kohë kanë ofruar diçka të ngjashme me skenarin e një drame me tri akte, e cila përshkruan atë që pohohet se ka ndodhur në skenën e planetit Tokë. Akti i parë portretizon elementet e tokës ose lëndën e parë, e cila transformohet në grupe molekulash. Në aktin e dytë shfaqet kërcimi në molekulat e mëdha. Dhe akti i fundit i kësaj drame paraqet hapin që çon në qelizën e parë të gjallë. Por a ndodhi ashtu në të vërtetë?

Thelbësore për atë dramë është shpjegimi se atmosfera e hershme e tokës ishte shumë më e ndryshme nga ajo që është sot. Një teori bën hipotezën se oksigjeni i lirë mungonte pothuaj plotësisht dhe se elementet azot, hidrogjen e karbon formuan amoniakun dhe metanin. Koncepti është që, kur shkarkimet elektrike dhe rrezatimi ultravjollcë u përplasën me një atmosferë të përbërë nga këto gaze dhe avuj uji, u zhvilluan sheqernat dhe aminoacidet. Mbani në mend, megjithatë, se kjo është një teori.

Sipas kësaj drame teorike, këto përbërje molekulare u derdhën në oqeane ose në dete dhe liqene. Me kalimin e kohës sheqernat, acidet dhe përbërjet e tjera u përqendruan në një përzierje «supe parabiologjike» ku aminoacidet, për shembull, u kombinuan për t’u bërë proteina. Duke zgjeruar këtë progresion teorik, përbërës të tjerë të quajtur nukleotide formuan zinxhira dhe u bënë një acid nukleik, siç është ADN-ja. E gjithë kjo, në mënyrë të supozuar, përgatiti rrugën për aktin përfundimtar të dramës molekulare.

Dikush mund ta përshkruajë këtë akt të fundit, i cili është i padokumentuar, si një histori dashurie. Molekulat proteinike dhe molekulat e ADN-së rastisi që u takuan, njohën njëra-tjetrën dhe u përqafuan. Pastaj, pikërisht para se të uleshin perdet, lindi qeliza e parë e gjallë. Po të ishit duke e parë këtë dramë, ju mund të pyesnit: ‘A është kjo nga jeta reale apo është trillim?’ A mund ta ketë pasur me të vërtetë jeta origjinën në tokë në këtë mënyrë?

Zanafilla në laborator?

Në fillim të viteve 50 të shekullit të 20-të, shkencëtarët vendosën të provonin teorinë e Aleksandër Oparinit. Fakti se jeta vjen vetëm nga jeta ishte një gjë e vendosur, por akoma shkencëtarët teorizuan që, në qoftë se kushtet ishin ndryshe në të kaluarën, jeta mund të kishte ardhur dalëngadalë nga materia inorganike. A mund të provohej kjo? Shkencëtari Stanli L. Milër, duke punuar në laboratorin e Harold Ureit, mori hidrogjenin, amoniakun, metanin dhe avullin e ujit (duke supozuar se ky kombinim kishte përbërë atmosferën primitive), i mbylli në një epruvetë me ujë të valuar nën të (për të paraqitur oqeanin) dhe shkaktoi harqe elektrike (si shkarkime elektrike) që kalonin përmes avujve. Brenda një jave në epruvetë kishte gjurmë të një substance ngjitëse të kuqërremtë, të cilën Milëri e analizoi dhe zbuloi se ishte e pasur në aminoacide, njësia bazë e proteinave. Ju mund të keni dëgjuar fare mirë për këtë eksperiment, sepse për vite me radhë ai është cituar në tekstet e librave shkencorë dhe në lëndët shkollore si eksperimenti që shpjegon se si filloi jeta mbi tokë. Por a e shpjegon në të vërtetë ai?

Faktikisht, vlera e eksperimentit të Milërit vihet seriozisht në diskutim sot. (Shiko «Klasik, por i diskutueshëm», në faqet 36-37.) Pavarësisht nga kjo, suksesi i tij në dukje çoi në eksperimente të tjera që edhe ato prodhuan përbërës, të cilët gjenden në acidet nukleike (ADN ose ARN). Specialistët në këtë fushë (disa herë të quajtur shkencëtarët e origjinës së jetës) u ndien optimistë, pasi ata siç dukej kishin riprodhuar aktin e parë të dramës molekulare. Dhe u duk sikur këtë akt do ta ndiqnin versionet laboratorike të dy akteve që mbeteshin. Një profesor kimie pohoi: «Shpjegimi i origjinës së një sistemi organik primitiv me anë të mekanizmave evolucionarë shihet qartë në horizont.» Dhe një shkrimtar shkencor vuri re: «Specialistët përfunduan se shkencëtarët, si dr. Frankenshtajni i Meri Shellit, pas pak do të shpikin organizma të gjallë në laboratorët e tyre dhe pastaj të tregojnë me hollësi se si u zhvillua zanafilla.» Shumë veta menduan se misteri i origjinës spontane të jetës u zgjidh.​—Shiko «Dora e djathtë, dora e majtë», në faqen 38.

Opinionet ndryshojnë, enigmat mbeten

Në vitet që pasuan, megjithatë, ai optimizëm u zhduk. Kanë kaluar dekada dhe sekretet e origjinës së jetës mbeten të pazbuluara. Gati 40 vjet pas eksperimentit të tij, profesori Milër tha për revistën Scientific American: «Problemi i origjinës së jetës ka dalë shumë më tepër i vështirë sesa unë, ashtu si shumica e njerëzve, e kishim parafytyruar.» Shkencëtarë të tjerë janë dakord me këtë ndryshim opinioni. Për shembull, në vitin 1969, profesori i biologjisë Din H. Kenion ishte bashkautor në një libër biokimie (Biochemical Predestination). Por në kohët më të fundit ai nxori përfundimin se është «thelbësisht e papranueshme që materia dhe energjia pa asnjë ndihmë u organizuan vetë në sisteme të gjalla».

Në të vërtetë, puna laboratorike vërteton pohimin e Kenionit se ekziston «një e çarë thelbësore në të gjitha teoritë e tanishme të origjinave kimike të jetës». Pasi Milëri dhe të tjerët kishin sintetizuar aminoacidet, shkencëtarët vendosën të bënin proteinat dhe ADN-në, të cilat janë të dyja të domosdoshme për jetën. Pas mijëra eksperimentesh me të ashtuquajturat kushte parabiologjike, cili ishte rezultati? Një libër biokimie (The Mystery of Life’s Origin: Reassessing Current Theories) vëren: «Ka një kontrast që të bën përshtypje mes suksesit të konsiderueshëm në sintetizimin e aminoacideve dhe në dështimin e vazhdueshëm për të sintetizuar proteinat dhe ADN-në.» Përpjekjet më të fundit karakterizohen nga «dështimi i njësojtë».

Në mënyrë realiste, misteri përfshin më shumë se faktin si erdhën në ekzistencë proteina e parë dhe molekulat e acidit nukleik (ADN ose ARN). Ai përfshin edhe se si punojnë ato së bashku. «Është vetëm partneriteti i dy molekulave që e bën jetën e përkohshme të mundur mbi Tokë»,—thotë një enciklopedi (The New Encyclopædia Britannica). Megjithatë, enciklopedia vëren se fakti si ka mundur të ndodhë ky partneritet mbetet «një problem kritik e i pazgjidhur në origjinën e jetës». Po, në të vërtetë.

Shtesa A, «Bashkëpunim i një skuadre për jetën» (faqet 45-47) rishikon disa hollësi bazë të bashkëpunimit magjepsës mes proteinës dhe acideve nukleike në qelizat tona. Edhe një shikim i tillë i shpejtë në sferën e qelizave të trupit tonë ngjall admirim për punën e shkencëtarëve në këtë fushë. Ata kanë hedhur dritë mbi proceset e ndërvarura në mënyrë të jashtëzakonshme, për të cilat pak prej nesh mendojnë, por të cilat veprojnë në çdo moment të jetës sonë. Nga një këndvështrim tjetër, megjithatë, ndërvarësia dhe saktësia marramendëse që kërkohen na kthejnë përsëri te pyetja: Si ndodhi e gjithë kjo?

Ju mund ta dini se shkencëtarët e origjinës së jetës nuk kanë pushuar së provuari për të formuluar një skenar të pranueshëm për dramën mbi shfaqjen e parë të jetës. Pavarësisht nga këto, skenarët e tyre të rinj nuk po provojnë se janë bindës. (Shiko shtesën B «Nga ‘bota ARN’ apo nga një botë tjetër?», në faqen 48.) Për shembull, Klaus Dose i Institutit të Biokimisë në Majn, Gjermani, vërejti: «Tani për tani të gjitha diskutimet mbi teoritë kryesore dhe eksperimentet në këtë fushë ose mbeten pezull, ose mbarojnë në një rrëfim të padijes.»

Madje edhe në Konferencën Ndërkombëtare të vitit 1996 mbi Origjinën e Jetës, nuk u duk se u gjet ndonjë zgjidhje. Përkundrazi, gazeta Science raportoi se afërsisht 300 shkencëtarë që u mblodhën kishin «luftuar për të zgjidhur enigmën se si molekulat [e ADN-së dhe të ARN-së] u shfaqën fillimisht dhe si evoluan deri në qeliza vetëriprodhuese (replikuese)».

Që të studiohej e madje të fillohej të shpjegohej se çfarë ndodh në nivel molekular në qelizat tona, kërkohej inteligjencë dhe arsimim i përparuar. A është e arsyeshme të besojmë se hapat e ndërlikuar ndodhën fillimisht në një «supë parabiologjike», të padrejtuar, spontanisht dhe rastësisht? Apo përfshihej diçka më shumë?

Përse këto enigma?

Sot një person mund të shohë prapa mbi gati një gjysmë shekulli hipotezash dhe mijëra përpjekjesh për të provuar se jeta filloi vetvetiu. Nëse dikush do ta bëjë këtë, do të jetë e vështirë që ai të mos jetë dakord me fituesin e çmimit Nobel, Fransis Krik. Duke folur për teoritë mbi origjinën e jetës, Krik vërejti se ekzistojnë «shumë tepër hipoteza që ndiqen nga tepër pak fakte». Prandaj është e kuptueshme që disa shkencëtarë, të cilët shqyrtojnë faktet, nxjerrin si përfundim se jeta është tepër e ndërlikuar për t’u shfaqur befas madje edhe në një laborator të organizuar, për të mos përmendur pastaj në një ambient të pakontrolluar.

Nëse shkenca e përparuar nuk mund të provojë se jeta mund të lindë vetvetiu, përse disa shkencëtarë vazhdojnë t’i përmbahen këtyre teorive? Disa dekada më parë, profesori i kristalografisë J. D. Bernal ofroi njëfarë shpjegimi në librin e tij mbi këtë fushë (The Origin of Life): «Duke ia aplikuar kanunet e rrepta të metodës shkencore këtij subjekti [lindjes spontane të jetës], është e mundur të tregohet me efektshmëri në disa pika të kësaj historie si nuk mund të ketë lindur jeta spontanisht; pamundësitë janë tepër të mëdha, probabilitetet e shfaqjes së jetës tepër të vogla.» Ai shtoi: «Këto fakte janë shqetësuese për ata që besojnë në një lindje spontane, sepse është e qartë se jeta gjendet këtu në Tokë me të gjithë shumëllojshmërinë e saj të formave e të aktiviteteve dhe për të shpjeguar ekzistencën e saj ata duhet të shtrembërojnë argumentet e tyre.» Dhe situata nuk është përmirësuar.

Shqyrtoni nënkuptimin e rëndësishëm që përfshihet në këtë arsyetim. Është njësoj si të themi: ‘Shkencërisht është korrekte të pohojmë se jeta nuk mund të ketë filluar vetvetiu. Por jeta e lindur spontanisht është e vetmja mundësi që do të marrim në konsideratë. Prandaj është e nevojshme të shtrembërojmë argumentet për të mbështetur hipotezën se jeta lindi spontanisht.’ A ndiheni rehat me një logjikë të tillë? A nuk kërkon një arsyetim i tillë tepër ‘shtrembërime’ të fakteve?

Megjithatë, ka shkencëtarë të respektuar e të ditur, të cilët nuk shohin ndonjë nevojë për të shtrembëruar faktet që t’ia përshtatin një filozofie mbizotëruese mbi origjinën e jetës. Përkundrazi, ata i lejojnë faktet të shkojnë drejt një përfundimi të arsyeshëm. Cilat janë këto fakte dhe cili është përfundimi?

Informacioni dhe inteligjenca

Profesori Macej Gërtik, një gjenetist nga Instituti i Dendrologjisë i Akademisë Polake të Shkencave, i cili u intervistua në një film dokumentar, u përgjigj:

«Ne jemi bërë të vetëdijshëm për informacionin masiv që përmbahet në gjenet. Shkenca nuk mund të shpjegojë se si mund të lindë spontanisht ai informacion. Ai kërkon një inteligjencë, nuk mund të lindë nga ngjarjet e rastësishme. Në qoftë se thjesht përziejmë disa shkronja nuk do të formohen fjalë.» Ai shtoi: «Për shembull, sistemi replikues shumë i ndërlikuar i ADN-së, ARN-së dhe i proteinave në qelizë duhet të ketë qenë i përsosur që nga fillimi. Po të mos ishte kështu, sistemet e jetës nuk do të mund të ekzistonin. Shpjegimi i vetëm logjik është se kjo sasi mjaft e madhe informacioni ka ardhur nga një inteligjencë.»

Sa më shumë të mësoni rreth mrekullive të jetës, aq më logjike do të jetë që të jeni dakord me këtë përfundim: Origjina e jetës kërkon një burim inteligjent. Cilin burim?

Siç është vërejtur më parë, miliona individë të arsimuar arrijnë në përfundimin se jeta mbi tokë duhet të jetë prodhuar nga një inteligjencë më e madhe, një projektues. Po, pasi kanë shqyrtuar çështjen me ndershmëri, ata kanë pranuar se edhe në epokën tonë shkencore është e arsyeshme të biem dakord me poetin biblik, i cili shumë kohë më parë tha rreth Perëndisë: «Sepse te ti është burimi i jetës.»​—Psalmet 36:9, DSF.

Keni arritur apo jo në një përfundim të prerë në lidhje me këtë çështje, le ta drejtojmë vëmendjen nga disa mrekulli që ju përfshijnë personalisht. Bërja e kësaj është shumë e kënaqshme dhe mund të hedhë një dritë të konsiderueshme mbi këtë çështje që ndikon mbi jetën tonë.

[Kutia në faqen 30]

Sa mundësi kishte për rastësinë?

«Rastësia dhe vetëm rastësia e bëri të gjithë, që nga supa primitive e deri te njeriu»,tha fituesi i çmimit Nobel Kristian de Duve, duke folur për origjinën e jetës. Megjithatë, a është rastësia një shpjegim racional i shkakut të jetës?

Çfarë është rastësia? Disa mendojnë me termat e një probabiliteti matematik, si për shembull kur hedh një monedhë në ajër dhe rastësia që të mund të dalë njëra nga faqet e monedhës është 50 %. Megjithatë, ky nuk është kuptimi që përdorin shumë shkencëtarë për «rastësinë» në lidhje me origjinën e jetës. Fjala e paqartë «rastësi» është përdorur si një zëvendësues për një fjalë më të saktë «shkak», veçanërisht kur shkaku nuk dihet.

«Ta personifikojmë ‘rastësinë’ sikur të ishim duke folur për një agjent shkaktar natyror,—vëren biofizikani Donald M. Mekei,—do të thotë të bëjmë një kthesë të paligjshme nga një koncept shkencor në një koncept mitologjik pothuaj fetar.» Në mënyrë të ngjashme, Robert C. Spraul thekson: «Duke e quajtur shkakun e panjohur ‘rastësi’ për një kohë kaq të gjatë, njerëzit fillojnë të harrojnë se ishte bërë një zëvendësim. . . . Pohimi se ‘rastësia barazohet me një shkak të panjohur’ ka arritur të nënkuptojë për shumë njerëz që ‘rastësia barazohet me shkakun.’ »

Fituesi i çmimit Nobel, Zhak L. Monod, për shembull, e përdori këtë linjë arsyetimi rastësi-baraz-shkak. Ai shkroi: «Në vetë themelin e ndërtesës së mrekullueshme të evolucionit [është] rastësia e kulluar, absolutisht e lirë, por e verbër.» «Njeriu e di më në fund se ai është i vetëm në pafundësinë pa ndjenja të universit, nga i cili ai ka lindur vetëm prej rastësisë.» Vini re se ai thotë: ‘PREJ rastësisë.’ Monodi bën atë që kanë bërë edhe shumë të tjerë: ai e ngre rastësinë në një parim krijues. Rastësisë i referohet si mjeti me anë të të cilit jeta erdhi mbi tokë.

Në fakt, fjalorët tregojnë se «rastësia» është «përcaktuesi i marrë përsipër, i paqëllimshëm, abstrakt i ngjarjeve të pashpjeguara». Kështu, nëse një person thotë se jeta erdhi nga rastësia, ai po thotë se ajo erdhi nga një agjent shkaktar që nuk njihet. A mund të jetë që disa janë faktikisht duke e germëzuar «Rastësinë» me shkronjë të madhe si një emër personal, në fakt duke thënë Krijues?

[Kutia në faqen 35]

«[Bakteri më i vogël] u ngjan më shumë njerëzve sesa përzierjes me lëndë kimike të Stanli Milërit, sepse ai bakter i ka tashmë këto veti të sistemit biokimik. Prandaj, do të ishte më e lehtë që të kalohet nga një bakter te një njeri sesa nga një përzierje aminoacidesh te ky bakter.»​—Profesori i biologjisë Lin Margulis.

[Kutia dhe figura në faqet 36, 37]

Klasik, por i diskutueshëm

Eksperimenti i Stanli Milërit në vitin 1953 citohet shpesh si dëshmi se lindja spontane kishte mundësinë të ndodhte në të kaluarën. Vlefshmëria e shpjegimit të tij, megjithatë, bazohet në supozimin se atmosfera primitive e tokës ishte «reduktuese». Kjo do të thoshte se ajo përmbante vetëm sasinë më të vogël të oksigjenit të lirë (të pakombinuar kimikisht). Pse?

Një libër biokimie (The Mystery of Life’s Origin: Reassessing Current Theories), thekson se po të ishte e pranishme një sasi e shumtë oksigjeni të lirë ‘as nuk do të mund të formohej ndonjëherë ndonjë aminoacid dhe nëse, prej ndonjë rastësie, do të formoheshin disa, ato do të dekompozoheshin menjëherë’. * Sa i mbështetur ishte supozimi i Milërit rreth të ashtuquajturës atmosferë primitive?

Në një dokument klasik, të botuar dy vjet pas eksperimentit të tij, Milër shkroi: «Këto mendime janë sigurisht një hipotezë, sepse ne nuk e dimë nëse Toka kishte një atmosferë reduktuese kur u formua. . . . Nuk është gjetur akoma asnjë dëshmi e drejtpërdrejtë.»​—Journal of the American Chemical Society, 12 maj 1955.

A u gjet ndonjëherë një dëshmi e tillë? Rreth 25 vjet më vonë, shkrimtari shkencor Robert C. Kouen raportoi: «Shkencëtarët po detyrohen t’i rimendojnë disa nga pohimet e tyre. . . . Janë shfaqur fare pak dëshmi për të mbështetur nocionin e një atmosfere shumë reduktuese, të pasur në hidrogjen, por ka disa dëshmi që flasin kundër këtij nocioni.»​—Technology Review, prill 1981.

Dhe çfarë është zbuluar që atëherë? Në vitin 1991 Xhon Horgan shkroi në revistën Scientific American: «Gjatë dekadës së kaluar janë ngritur dyshime mbi pohimin e Ureit dhe Milërit në lidhje me atmosferën. Eksperimentet laboratorike dhe rindërtimet e atmosferës me kompjuter . . . sugjerojnë se rrezatimi ultravjollcë i diellit, që tani është i bllokuar nga ozoni atmosferik, do t’i kishte shkatërruar molekulat me bazë hidrogjeni që ndodheshin në atmosferë. . . . Një atmosferë e tillë [dyoksid karboni dhe azot] nuk do të kishte qenë mikpritëse për sintezën e aminoacideve dhe të substancave pararendëse të jetës.»

Përse, atëherë, shumë persona besojnë akoma se atmosfera e hershme e tokës ishte reduktuese, domethënë se përmbante pak oksigjen? Në një libër (Molecular Evolution and the Origin of Life), Sidni W. Foks dhe Klaus Dose përgjigjen: Atmosferës duhet t’i ketë munguar oksigjeni sepse, në radhë të parë «eksperimentet laboratorike tregojnë se evolucioni kimik . . . do të pengohej jashtëzakonisht nga oksigjeni» dhe sepse përbërës si aminoacidet «nuk janë të qëndrueshëm nëpër kohërat gjeologjike në praninë e oksigjenit».

A nuk është ky një arsyetim që i bie përqark argumentit? Thuhet që atmosfera e hershme ishte reduktuese, sepse përndryshe lindja spontane nuk do të mund të kishte ndodhur. Por faktikisht nuk ka asnjë siguri se ajo ishte me të vërtetë reduktuese.

Ka edhe një hollësi tjetër kuptimplotë: nëse përzierja e gazeve në eksperimentin e Milërit paraqet atmosferën, harku elektrik paraqet shkarkimet elektrike në ajër dhe uji i valuar paraqet detin, çfarë ose kë paraqet shkencëtari që rregullon dhe kryen eksperimentin?

[Shënimi]

^ par. 50 Oksigjeni është shumë reaktiv. Për shembull, ai kombinohet me hekurin dhe formon ndryshkun ose me hidrogjenin dhe formon ujin. Po të kishte një sasi të madhe oksigjeni të lirë në atmosferë kur po mblidheshin aminoacidet, ai do të kombinohej menjëherë me to dhe do t’i shpërbënte molekulat organike ndërsa ishin duke u formuar.

[Kutia në faqen 38]

Dora e djathtë, dora e majtë

Ne e dimë se dorashkat janë një për dorën e majtë e një për të djathtën. Kjo është, gjithashtu, e vërtetë për molekulat e aminoacideve. Nga gati 100 aminoacidet e njohura, vetëm 20 janë përdorur në proteinat dhe të gjitha janë majtasrrotulluese. Kur shkencëtarët formojnë aminoacide në laboratore, duke imituar atë që ata mendojnë se ka mundësi të ketë ndodhur në një supë parabiologjike, shohin një numër të barabartë molekulash djathtasrrotulluese e majtasrrotulluese. «Kjo lloj shpërndarjeje 50 me 50,—raporton gazeta The New York Times,—nuk është karakteristike e jetës, e cila varet vetëm në aminoacidet majtasrrotulluese.» Shkaku përse organizmat e gjallë janë të përbërë vetëm nga aminoacidet majtasrrotulluese është «një mister i madh». Madje edhe aminoacidet e gjetura në meteoritet «shfaqën teprica në format majtasrrotulluese». Dr. Xhefri L. Bada, i cili studion problemet që përfshijnë origjinën e jetës, tha se «ndonjë ndikim jashtë tokës mund të ketë luajtur disi një rol në përcaktimin e prirjes (majtasrrotulluese) të aminoacideve biologjike».

[Kutia në faqen 40]

«Këto eksperimente . . . mbështetin sintezën abiotike me diçka që, në fakt, është prodhuar dhe projektuar nga njeriu shumë inteligjent e tepër biotik, në një përpjekje për të vërtetuar idetë, të cilat ai vetë i kishte përkrahur gjerësisht.»—Origin and Development of Living Systems.

[Kutia dhe figura në faqen 41]

«Një akt i qëllimshëm intelektual»

Astronomi britanik, sër Fred Hoil ka kaluar dekada të tëra duke studiuar universin dhe jetën në të, madje duke përkrahur mendimin se jeta mbi tokë mbërriti nga hapësira jashtëtokësore. Duke dhënë leksione në Institutin e Teknologjisë në Kaliforni, ai diskutoi mbi vendosjen e aminoacideve në proteina.

«Problemi i madh në biologji,—tha Hoil,—nuk është aq shumë fakti i pazbukuruar se një proteinë përbëhet nga një varg aminoacidesh të lidhura së bashku në një mënyrë të caktuar, por që vendosja e prerë e aminoacideve e pajis vargun me veti të dallueshme . . . Po qe se aminoacidet do të ishin lidhur kuturu, do të kishte pasur një numër të madh vendosjesh që do të ishin të papërdorshme për t’i shërbyer qëllimeve të një qelize të gjallë. Kur shqyrtoni se një enzimë tipike ka një varg me ndoshta 200 lidhje aminoacidesh dhe se ekzistojnë 20 mundësi për çdo lidhje, është e lehtë të kuptojmë se numri i vendosjeve të mundshme të papërdorshme është kolosal, më i madh se numri i atomeve në të gjitha galaksitë e dukshme në teleskopët më të mëdhenj. E gjithë kjo vetëm për një enzimë dhe ka më shumë se 2.000 enzima që shërbejnë kryesisht për shumë qëllime të ndryshme. Prandaj, si ndodhi që gjendja arriti këtu ku e gjejmë ne?»

Hoil shtoi: «Në vend që të pranojmë probabilitetin e vogël të pabesueshëm se jeta ka lindur nëpërmjet forcave të verbra të natyrës, duket më e mirë të supozojmë se origjina e jetës ishte një akt i qëllimshëm intelektual.»

[Kutia në faqen 44]

Profesori Majkëll J. Bihi pohoi: «Për një person, i cili nuk ndihet i detyruar t’i kufizojë kërkimet e tij vetëm në shkaqet jo inteligjente, përfundimi i qartë është se shumë sisteme biokimike ishin të projektuara. Ato u projektuan, jo nga ligjet e natyrës, jo nga rastësia dhe nevoja; përkundrazi, ato u programuan. . . . Jeta mbi tokë në nivelin e saj më themelor, në përbërësit e saj më të domosdoshëm, është produkt i aktivitetit inteligjent.»

[Diagrami dhe figura në faqen 42]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Edhe një shikim i shpejtë në botën e ndërlikuar dhe në funksionet e ndërvarura në çdo qelizë të trupit të çon në pyetjen: ‘Si ndodhi e gjithë kjo?’

Membrana qelizore

Kontrollon atë që hyn e që del nga qeliza

Bërthama

Qendra e kontrollit e qelizës

Kromozomet

Pëmbajnë ADN-në, materialin kryesor gjenetik

Ribozomet

Vendi ku prodhohen proteinat

Bërthamëza

Vendi në të cilin sintetizohen ribozomet

Mitokondria

Qendra e prodhimit të molekulave që furnizojnë me energji qelizën

[Figura në faqen 33]

Shumë shkencëtarë tani e pranojnë se molekulat komplekse, të domosdoshme për jetën, nuk mund të kenë lindur spontanisht në ndonjë supë parabiologjike