Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Krijuesi zbulon vetveten: Për dobinë tonë!

Krijuesi zbulon vetveten: Për dobinë tonë!

Kapitulli Tetë

Krijuesi zbulon vetveten: Për dobinë tonë!

MES vetëtimave dhe bubullimave, afro tre milionë njerëz qëndronin para një mali shumë të lartë, në gadishullin e Sinait. Retë kishin mbuluar malin Sinai dhe toka dridhej. Në rrethana të tilla madhështore, Moisiu e udhëhoqi Izraelin e lashtë në një marrëdhënie zyrtare me Krijuesin e qiellit dhe të tokës.​—Eksodi, kapitulli 19; Isaia 45:18.

Por, përse Krijuesi i universit do t’ia zbulonte vetveten në një mënyrë të veçantë një kombi të vetëm, veçanërisht një kombi krahasimisht të vogël? Moisiu siguroi këtë kuptueshmëri: «Sepse Zoti ju do dhe ka dashuri të mbajë betimin që u ka bërë etërve tuaj.»​Ligji i përtërirë 7:6-8.

Një pohim i tillë zbulon se Bibla përmban shumë më tepër informacione për ne sesa fakte mbi origjinën e universit dhe të jetës mbi tokë. Ajo ka shumë për të thënë rreth marrëdhënieve të Krijuesit me njerëzit: në të kaluarën, në të tashmen dhe në të ardhmen. Bibla është libri më i studiuar në botë dhe më i qarkulluari, prandaj kushdo që e vlerëson arsimimin duhet të njihet me përmbajtjen e këtij libri. Le të bëjmë një përmbledhje të asaj që mund të gjejmë në Bibël, duke u përqendruar së pari në pjesën që shpesh quhet Dhjata e Vjetër. Duke bërë këtë, do të fitojmë, gjithashtu, mendjehollësi të vlefshme mbi personalitetin e Krijuesit të universit dhe Autorit të Biblës.

Në kapitullin 6, «Një dokumentacion i lashtë krijimi: A mund t’i besoni?», pamë se dokumentacioni i krijimit që gjendet në Bibël përmban fakte unike mbi të parët tanë më të hershëm, nga e kemi origjinën tonë. Ky libër i parë i Biblës përmban shumë më tepër. Çfarë, për shembull? Mitologjia greke dhe të tjera si ajo përshkruajnë një kohë kur perënditë dhe gjysmëperënditë kishin marrëdhënie me njerëzit. Gjithashtu, antropologët raportojnë se përreth globit ka legjenda mbi një përmbytje të lashtë që ka zhdukur pjesën më të madhe të njerëzimit. Me të drejtë ju mund t’i hidhni poshtë mite të tilla. Megjithatë, a e dinit se vetëm libri i Zanafillës na zbulon faktet historike që përfshihen në këtë ngjarje, të cilat më vonë u pasqyruan në disa forma mitesh dhe legjendash?​—Zanafilla, kapitujt 6, 7. *

Në librin e Zanafillës do të lexoni edhe për burra e gra, njerëz realë, ndjenjat dhe mendimet e të cilëve ne mund t’i kuptojmë, të cilët e dinin se Krijuesi ekzistonte dhe që e morën parasysh vullnetin e tij në jetën e tyre. Është në të mirën tonë të dimë mbi burra të tillë, si: Abrahami, Isaku dhe Jakobi, të cilët ishin mes «etërve» që përmendi Moisiu. Krijuesi e njohu Abrahamin dhe e quajti atë ‘miku im’. (Isaia 41:8; Zanafilla 18:18, 19) Pse? Jehovai kishte vëzhguar dhe kishte zhvilluar siguri në Abrahamin, si një njeri me besim. (Hebrenjve 11:8-10, 17-19; Jakobit 2:23) Përvoja e Abrahamit tregon se Perëndia është një person të cilit mund t’i afrohemi. Fuqia dhe aftësitë e tij janë mahnitëse, e megjithatë ai nuk është thjesht një forcë abstrakte ose një shkak. Ai është një person real, me të cilin njerëzit si ne mund të kultivojnë një marrëdhënie të respektueshme, për dobinë tonë të qëndrueshme.

Jehovai i premtoi Abrahamit: «Tërë kombet e tokës do të bekohen te pasardhësit e tu.» (Zanafilla 22:18) Ai premtim zgjeron ose ndërton mbi premtimin e bërë në kohën e Adamit mbi një «farë» që do të vinte. (Zanafilla 3:15) Po, ajo që Jehovai i tha Abrahamit vërtetoi shpresën se dikush, Fara, do të shfaqej me kalimin e kohës dhe do të vinte në dispozicion të të gjithë popujve një bekim. Ju do të shihni se kjo është një temë qendrore që shfaqet në të gjithë Biblën, duke nënvizuar se ky libër nuk është një koleksion me shkrime të ndryshme njerëzore. Dhe vetë fakti që e dini temën e Biblës do t’ju ndihmojë të kuptoni se Perëndia përdori një komb të lashtë me synimin e bekimit të të gjitha kombeve.​—Psalmet 147:19, 20.

Fakti që Jehovai kishte këtë objektiv në zhvillimin e marrëdhënies me Izraelin lë të kuptohet se ai «nuk tregohet i anshëm». (Veprat 10:34; Galatasve 3:14) Për më tepër, edhe kur Perëndia po trajtonte me përparësi pasardhësit e Abrahamit, njerëzit e kombeve të tjera ishin të mirëpritur të vinin e t’i shërbenin edhe ata Jehovait. (1. Mbretërve 8:41-43) Dhe, siç do ta shohim më vonë, paanshmëria e Perëndisë është e tillë që sot të gjithë ne, pavarësisht nga prejardhja jonë kombëtare apo etnike, jemi në gjendje ta njohim dhe t’i pëlqejmë atij.

Ne mund të mësojmë shumë nga historia e kombit me të cilin Krijuesi pati të bëjë për shekuj me radhë. Le ta ndajmë historinë e tij në tri pjesë. Duke shqyrtuar këto pjesë, vëreni se si Jehovai veproi në përputhje me emrin e tij, «Ai shkakton të bëhet» dhe si u shfaq personaliteti i tij me anë të marrëdhënieve me njerëzit realë.

Pjesa e parë: Një komb i sunduar nga Krijuesi

Pasardhësit e Abrahamit u bënë skllevër në Egjipt. Më në fund, Perëndia ngriti Moisiun, i cili i drejtoi ata në liri, në vitin 1513 p.e.s. Kur Izraeli u bë një komb, Perëndia ishte sundimtari i tij. Por në vitin 1117 p.e.s. populli kërkoi një mbret njerëzor.

Cilat zhvillime çuan në ndodhjen e Izraelit bashkë me Moisiun në malin Sinai? Libri biblik i Zanafillës siguron sfondin. Më parë, kur Jakobi (i quajtur edhe Izrael) jetonte në verilindje të Egjiptit, një zi buke pllakosi në mbarë botën që njihej në atë kohë. Shqetësimi për familjen e tij e bëri Jakobin që të kërkonte ushqim nga Egjipti, ku kishte një sasi të madhe gruri në depo. Ai zbuloi se administruesi i ushqimit ishte faktikisht biri i tij, Jozefi, të cilin Jakobi e dinte të vdekur shumë vite më parë. Jakobi dhe familja e tij u transferuan në Egjipt dhe u ftuan që të qëndronin atje. (Zanafilla 45:25–46:5; 47:5-12) Megjithatë, pas vdekjes së Jakobit, një faraon i ri i shtrëngoi pasardhësit e Jakobit në punë të detyruar dhe «ua nxiu jetën me një skllavëri të vrazhdë, duke i futur në punimin e argjilës dhe të tullave». (Eksodi 1:8-14) Ju mund ta lexoni këtë tregim drithërues dhe shumë më tepër, në librin e dytë të Biblës, Eksodin.

Izraelitët vuajtën keqtrajtim për dekada dhe «britma e tyre për shkak të skllavërisë u ngjit deri te Perëndia». Drejtimi i tyre nga Jehovai për ndihmë ishte një rrugë e mençur. Ai ishte i interesuar për pasardhësit e Abrahamit dhe ishte i vendosur për të përmbushur qëllimin e Tij, që të siguronte një bekim të ardhshëm për të gjithë popujt. Jehovai «dëgjoi rënkimin e tyre [dhe ia vuri veshin, BR]», gjë që na tregon se Krijuesi është i ndjeshëm ndaj njerëzve që janë të shtypur e të vuajtur. (Eksodi 2:23-25) Ai zgjodhi Moisiun për t’i çliruar izraelitët nga skllavëria. Por, kur Moisiu dhe vëllai i tij, Aaroni, erdhën për t’i kërkuar faraonit të Egjiptit që ta lejonte këtë popull të skllavëruar të ikte, ai u përgjigj me fodullëk: «Kush është Jehovai, që unë duhet t’i bindem zërit të tij për ta larguar Izraelin?»​—Eksodi 5:2, BR.

A mund ta imagjinoni Krijuesin e universit duke u prapsur nga një sfidë e tillë, edhe pse erdhi nga sundimtari i fuqisë ushtarake më të madhe që ekzistonte? Perëndia e goditi faraonin dhe egjiptianët me një seri plagësh. Më në fund, pas plagës së dhjetë, faraoni pranoi t’i lironte izraelitët. (Eksodi 12:29-32) Kështu, pasardhësit e Abrahamit arritën ta njihnin Jehovain si një person real, një person që siguron lirinë në kohën e tij të duhur. Po, siç përfshihet dhe në emrin e tij, Jehovai u bë një përmbushës i premtimeve të tij në një mënyrë madhështore. (Eksodi 6:3) Por, si faraoni, ashtu dhe izraelitët duhej të mësonin akoma më shumë në lidhje me atë emër.

Kjo ndodhi sepse, shpejt faraoni e ndryshoi mendjen. Ai e drejtoi ushtrinë e tij në një ndjekje intensive të skllevërve që kishin ikur, duke i arritur ata afër Detit të Kuq. Izraelitët ishin të zënë në kurth mes detit dhe ushtrisë egjiptiane. Atëherë Jehovai ndërhyri duke hapur rrugën përmes Detit të Kuq. Faraoni duhej ta kuptonte se kjo ishte një shfaqje e fuqisë së pathyeshme të Perëndisë. Në vend të kësaj, ai pa vonesë i drejtoi forcat e tij pas izraelitëve, vetëm për t’u mbytur bashkë me ushtrinë e tij kur Perëndia lejoi që deti të kthehej në pozicionin e tij normal. Tregimi në librin e Eksodit nuk thotë saktësisht se si i kreu Perëndia këto vepra. Ne mund t’i quajmë me të drejtë mrekulli ato, sepse veprat dhe kohëzgjatja e tyre ishin përtej kontrollit njerëzor. Sigurisht, vepra të tilla nuk do të ishin përtej fuqive të Atij që krijoi universin dhe të gjitha ligjet e tij.​—Eksodi 14:1-31.

Kjo ngjarje tregoi për izraelitët, e duhet të theksojë edhe për ne, se Jehovai është një Shpëtimtar që vepron në përputhje me emrin e tij. Megjithatë, nga ky tregim ne duhet të shquajmë edhe më shumë mbi mënyrat e veprimit të Perëndisë. Për shembull, ai zbatoi drejtësinë kundër një kombi shtypës, ndërkohë që shfaqi dashamirësi të dashur për popullin e tij, përmes të cilit do të vinte Fara. Në lidhje me farën, ajo që lexojmë në librin e Eksodit është qartësisht shumë më tepër sesa një histori e lashtë, ajo lidhet me qëllimin e Perëndisë për ta vënë atë bekim në dispozicion të të gjithëve.

Në rrugë për në Tokën e Premtuar

Pasi lanë Egjiptin, Moisiu dhe populli i tij marshuan përmes shkretëtirës për në malin Sinai. Ajo që ndodhi atje përcaktoi marrëdhënien e Perëndisë me atë komb për shekujt që do të vinin. Ai u siguroi ligje. Sigurisht, kohë përpara kësaj, Krijuesi i kishte formuluar tashmë ligjet që udhëhiqnin materien në universin tonë, ligje që janë akoma në fuqi. Por në malin Sinai ai përdori Moisiun për të siguruar ligje kombëtare. Ne mund ta lexojmë atë që bëri Perëndia dhe kodin e Ligjit që ai siguroi, në librin e Eksodit dhe në tre librat që e pasojnë: Levitiku, Numrat dhe Ligji i përtërirë. Studiuesit besojnë se Moisiu shkroi edhe librin e Jobit. Në kapitullin 10 do të shqyrtojmë disa pjesë të rëndësishme nga përmbajtja e këtij libri.

Edhe në ditët e sotme miliona njerëz në mbarë botën i njohin dhe përpiqen t’i ndjekin Dhjetë Urdhërimet, drejtimin kryesor moral të këtij kodi të plotë ligjor. Ky kod, megjithatë, përmban shumë direktiva të tjera që admirohen për përsosurinë e tyre. Kuptohet se shumë rregulla u përqendruan mbi jetën e izraelitëve në atë kohë, siç janë rregullat mbi higjienën, kushtet sanitare dhe sëmundjet. Edhe pse fillimisht ishin projektuar për një popull të lashtë, këto ligje pasqyrojnë njohuri të fakteve shkencore që specialistët njerëzorë i kanë zbuluar vetëm në shekullin e fundit ose aty afër. (Levitiku 13:46, 52; 15:4-13; Numrat 19:11-20; Ligji i përtërirë 23:12, 13) Një person bën mirë të pyesë veten: ‘Si mund të ndodhte që ligjet për Izraelin e lashtë të pasqyronin njohuri dhe mençuri shumë më të lartë nga ajo që njihej prej kombeve bashkëkohëse?’ Dhe një përgjigje e arsyeshme për këtë pyetje është se ato ligje erdhën nga Krijuesi.

Ligjet ndihmuan, gjithashtu, për të ruajtur linjën e familjes dhe përcaktuan detyrat fetare që duhej të ndiqnin izraelitët derisa të shfaqej Fara. Duke rënë dakord për të bërë gjithçka që kishte kërkuar Perëndia, ata do të bëheshin përgjegjës për të jetuar sipas atij Ligji. (Ligji i përtërirë 27:26; 30:17-20) Kuptohet, ata nuk mund ta mbanin në mënyrë të përsosur Ligjin. Megjithatë, edhe ky fakt shërbente për një qëllim të dobishëm. Një ekspert ligjor më vonë shpjegoi se Ligji ‘i bëri të dukshme shkeljet, derisa të vinte fara, të cilit i ishte bërë premtimi’. (Galatasve 3:19, 24, BR) Kështu, kodi i Ligjit i bëri ata një popull të ndarë, u përkujtoi nevojën e tyre për Farën ose Mesinë dhe i përgatiti që ta mirëpritnin.

Izraelitët, të mbledhur në malin Sinai, pranuan të jetonin në përputhje me kodin e Ligjit të Perëndisë. Kështu, ata hynë nën atë që Bibla e quan një besëlidhje ose një marrëveshje. Besëlidhja u bë midis atij kombi dhe Perëndisë. Megjithëse hynë me gatishmëri në këtë besëlidhje, ata e treguan veten se ishin një popull me qafë të fortë. Për shembull, ata bënë një viç të artë si shëmbëlltyrë të Perëndisë. Bërja e kësaj gjëje nga ana e tyre ishte një mëkat, sepse adhurimi i idhujve dhunonte drejtpërdrejt Dhjetë Urdhërimet. (Eksodi 20:4-6) Për më tepër, ata u ankuan për ushqimin e siguruar, u rebeluan kundër udhëheqësit të caktuar nga Perëndia (Moisiut) dhe u dhanë pas marrëdhënieve imorale me gra të huaja që adhuronin idhuj. Por, përse duhet të na interesojë kjo gjë ne që jetojmë kaq larg ditëve të Moisiut?

Përsëri, kjo nuk është thjesht një histori e vjetër. Tregimet biblike mbi veprimet mosmirënjohëse të Izraelit dhe mbi reagimin e Perëndisë tregojnë se ai interesohet me të vërtetë. Bibla thotë se izraelitët e vunë Jehovain në provë «gjithnjë e përsëri», duke e bërë «të ndihej i lënduar» dhe «i shkaktuan dhimbje». (Psalmet 78:40, 41, BR) Në këtë mënyrë, mund të jemi të sigurt se Krijuesi ka ndjenja dhe se ai interesohet për atë që bëjnë njerëzit.

Nga këndvështrimi njerëzor, dikush mund të mendojë se keqbërja e Izraelit do të sillte si rezultat që Perëndia do ta përfundonte besëlidhjen e tij e ndoshta do të zgjidhte një komb tjetër për të përmbushur premtimin e tij. Megjithatë, ai nuk veproi kështu. Në vend të kësaj, ai ekzekutoi ndëshkimin mbi keqbërësit flagrantë, por i ofroi mëshirë kombit të tij rebel në tërësi. Po, Perëndia vazhdoi të mbetej besnik ndaj premtimit që i kishte bërë mikut të tij besimplotë, Abrahamit.

Jo shumë kohë pas kësaj, Izraeli iu afrua Kanaanit, vend të cilin Bibla e quan Toka e Premtuar. Ai ishte i populluar me popuj të fuqishëm, të zhytur në praktika degraduese nga ana morale. Krijuesi kishte lejuar të kalonin 400 vjet pa ndërhyrë tek ata, por tani me të drejtë ai zgjedh që t’ia japë tokën Izraelit të lashtë. (Zanafilla 15:16; shiko, gjithashtu, «Një Perëndi xheloz: Në çfarë kuptimi?», faqet 132-133.) Në përgatitje, Moisiu dërgoi 12 spiunë për të parë vendin. Dhjetë prej tyre treguan një mungesë besimi në fuqinë shpëtuese të Jehovait. Raporti i tyre e shtyu popullin të murmuriste kundër Perëndisë dhe të komplotonte për t’u kthyer në Egjipt. Si rezultat, Perëndia e dënoi popullin që të endej nëpër shkretëtirë për 40 vjet.​—Numrat 14:1-4, 26-34.

Çfarë efekti pati ai gjykim? Para vdekjes së tij, Moisiu i këshilloi bijtë e Izraelit që të kujtonin ato vite, gjatë së cilave Jehovai i kishte përulur ata. Moisiu u tha: «Prano, pra, në zemrën tënde se, ashtu si njeriu korrigjon birin e vet, ashtu Zoti, Perëndia yt, të korrigjon ty.» (Ligji i përtërirë 8:1-5) Megjithëse ata kishin vepruar në mënyrë fyese ndaj tij, Jehovai i kishte mbështetur, duke treguar në këtë mënyrë se ata vareshin nga ai. Për shembull, ata mbijetuan sepse ai i siguroi kombit manën, një substancë e ngrënshme që kishte shijen e një ëmbëlsire të bërë me mjaltë. Qartë, ata duhej të kishin mësuar shumë nga përvoja e tyre në shkretëtirë. Kjo duhet të ketë vërtetuar rëndësinë e bindjes ndaj Perëndisë së tyre të mëshirshëm dhe faktin që vareshin nga ai.​—Eksodi 16:13-16, 31; 34:6, 7.

Pas vdekjes së Moisiut, Perëndia ngarkoi Jozueun për të udhëhequr Izraelin. Ky burrë besnik dhe i guximshëm e çoi kombin në Kanaan dhe me kurajë i hyri punës për pushtimin e tokës. Brenda një periudhe të shkurtër, Jozueu mundi 31 mbretër dhe pushtoi pjesën më të madhe të Tokës së Premtuar. Ju mund ta gjeni këtë histori entuziazmuese në librin e Jozueut.

Sundimi pa një mbret njerëzor

Gjatë gjithë qëndrimit në shkretëtirë dhe gjatë viteve të para në Tokën e Premtuar, kombi kishte Moisiun dhe më pas Jozueun si udhëheqës. Izraelitët nuk kishin nevojë për një mbret, sepse Jehovai ishte Sovrani i tyre. Ai kishte siguruar pleq të emëruar që të dëgjonin çështjet ligjore në portat e qytetit. Ata mbanin rregullin dhe i ndihmonin njerëzit frymësisht. (Ligji i përtërirë 16:18; 21:18-20) Libri i Ruthit ofron një ilustrim interesant se si këta pleq trajtuan një çështje ligjore, të bazuar në ligjin që gjendej te Ligji i përtërirë 25:7-9.

Përgjatë viteve, kombi shkaktoi shpesh mospëlqimin e Perëndisë me mosbindje në mënyrë të përsëritur dhe duke iu kthyer perëndive të kananejve. Megjithatë, kur ata u gjendën të zënë ngushtë dhe i thirrën Jehovait për ndihmë, ai i mbajti mend ata. Ngriti gjyqtarë për të marrë drejtimin në çlirimin e Izraelit, duke i shpëtuar ata nga popujt fqinj shtypës. Libri i quajtur Gjyqtarët, paraqet në mënyrë të gjallë bëmat e 12 prej këtyre gjyqtarëve të guximshëm.​—Gjyqtarët 2:11-19; Nehemia 9:27.

Tregimi thotë: «Në atë kohë nuk kishte asnjë mbret në Izrael. Secili bënte atë që i dukej e drejtë në sytë e tij.» (Gjyqtarët 21:25) Kombi kishte standardet e paraqitura në Ligj, kështu që me ndihmën e pleqve dhe me arsimimin nga priftërinjtë, populli kishte një bazë, për të ‘bërë atë që ishte e drejtë në sytë e tij’ dhe për të qenë i sigurt në këtë. Përveç kësaj, kodi i Ligjit siguronte një tabernakull ose një tempull portativ ku ofroheshin flijimet. Adhurimi i vërtetë ishte i përqendruar atje dhe ndihmoi për ta bashkuar kombin gjatë asaj kohe.

Pjesa e dytë: Mirëqenie nën mbretërit

Në kohën kur Samueli ishte gjyqtar në Izrael, populli kërkoi një mbret njerëzor. Tre mbretërit e parë, Sauli, Davidi dhe Salomoni, mbretëruan nga 40 vjet secili, që nga viti 1117 e deri në vitin 997 p.e.s. Izraeli arriti kulmin e begatisë e të lavdisë së tij dhe Krijuesi ndërmori hapa të rëndësishëm në përgatitje të mbretërimit të Farës që do të vinte.

Si gjyqtar dhe profet, Samueli u kujdes shumë për mirëqenien frymore të Izraelit, por bijtë e tij ishin ndryshe nga ai. Më në fund populli i kërkoi Samuelit: «Cakto për ne një mbret që të na qeverisë ashtu siç ndodh në të gjitha kombet.» Jehovai i shpjegoi Samuelit domethënien e kërkesës së tyre. «Dëgjo zërin e popullit, . . . sepse ata nuk të kanë hedhur poshtë ty, por më kanë hedhur poshtë mua, me qëllim që unë të mos mbretëroj mbi ta.» Jehovai parashikoi pasojat e trishtueshme të këtij zhvillimi. (1. Samuelit 8:1-9) Megjithatë, në përputhje me kërkesën e tyre ai zgjodhi si mbret mbi Izraelin një burrë modest, të quajtur Saul. Megjithë fillimin e tij premtues, pasi u bë mbret Sauli shfaqi tendenca kokëfortësie dhe shkeli urdhërat e Perëndisë. Profeti i Perëndisë njoftoi se mbretëria do t’i jepej një burri të pëlqyeshëm para Jehovait. Kjo duhet të na zbulojë se sa shumë e vlerëson bindjen nga zemra Krijuesi.​1. Samuelit 15:22, 23.

Davidi, i cili duhej të ishte mbreti i mëpasshëm i Izraelit, ishte biri më i ri në një familje të fisit të Judës. Në lidhje me këtë zgjedhje të habitshme, Perëndia i tha Samuelit: «Njeriu sheh çka duket përjashta, kurse Zoti vëren zemrën.» (1. Samuelit 16:7, DSF) A nuk është inkurajues fakti që Krijuesi vëren atë që ne jemi brenda, jo pamjen e jashtme? Megjithatë, Sauli kishte mendimet e veta. Që nga koha kur Jehovai zgjodhi Davidin si mbret të ardhshëm, Saulit i ishte ngulitur në mendje dhe ishte i tërbuar nga ideja për ta eliminuar Davidin. Jehovai nuk la që kjo gjë të ndodhte dhe përfundimisht Sauli dhe bijtë e tij vdiqën në betejë kundër një populli luftëtar, që quheshin filistenj.

Davidi sundoi si mbret nga qyteti i Hebronit. Pastaj ai pushtoi Jeruzalemin dhe e transferoi kryeqytetin e tij atje. Ai, gjithashtu, i zgjeroi kufijtë e Izraelit deri në skajet e tokës që Perëndia kishte premtuar t’ua jepte pasardhësve të Abrahamit. Ju mund të lexoni për këtë periudhë (dhe për historinë e mbretërve të mëvonshëm) në gjashtë librat historikë të Biblës *. Ata zbulojnë se jeta e Davidit nuk ishte pa probleme. Për shembull, duke i lëshuar pe dëshirave njerëzore, ai kreu tradhti bashkëshortore me Bath-Shebën e bukur dhe më vonë kreu vepra të tjera të gabuara me qëllim që të mbulonte mëkatin e tij. Si Perëndi i drejtësisë, Jehovai nuk mundte thjesht ta shpërfillte mëkatin e Davidit. Por, për shkak të pendimit me gjithë zemër të Davidit, Perëndia nuk kërkoi që të zbatohej në mënyrë të rreptë ndëshkimi i Ligjit; megjithatë, Davidi do të kishte shumë probleme familjare si rezultat i mëkateve të tij.

Përmes gjithë këtyre krizave, Davidi arriti ta njihte Perëndinë si një person që kishte ndjenja. Ai shkroi: «Zoti është afër të gjithë atyre që e thërrasin . . . ua dëgjon britmën.» (Psalmet 145:18-20) Sinqeriteti dhe devocioni i Davidit shprehen qartë në këngët e bukura që ai kompozoi, të cilat përbëjnë rreth gjysmën e librit të Psalmeve. Miliona njerëz kanë nxjerrë ngushëllim dhe inkurajim prej këtyre poezive. Shqyrtoni se sa afër ishte Davidi me Perëndinë, siç pasqyrohet në Psalmet 139:1-4: «Ti më ke hetuar, o Zot dhe më njeh. Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim. . . . Sepse, edhe para se të jetë fjala mbi gojën time ti, o Zot, e di atë plotësisht.»

Davidi ishte veçanërisht i vetëdijshëm për fuqinë shpëtuese të Perëndisë. (Psalmet 20:6; 28:9; 34:7, 9; 37:39) Çdo herë që përjetonte atë fuqi, besimi i tij në Jehovain rritej. Ju mund të shihni dëshmi të kësaj në Psalmet 30:5; 62:8 dhe 103:9. Ose lexoni Psalmin 51, të cilin Davidi e kompozoi pasi u qortua për mëkatin që kishte bërë me Bath-Shebën. Sa freskuese është të dimë se mund t’i shprehemi pa ngurrim Krijuesit, të sigurt se ai nuk është arrogant, por është përulësisht i gatshëm për të dëgjuar! (Psalmet 18:35; 69:33; 86:1-8) Davidi nuk e arriti një çmueshmëri të tillë për Jehovain vetëm nga ajo që përjetoi. «Bie në mendime të thella mbi tërë veprat e tua,—shkroi ai,—reflektoj mbi gjëra që kanë bërë duart e tua.»​—Psalmet 63:6; 143:5.

Jehovai lidhi një besëlidhje të veçantë me Davidin për një mbretëri të përhershme. Ka mundësi që Davidi të mos e kuptonte domethënien e plotë të asaj besëlidhjeje, por nga hollësitë e regjistruara në Bibël më vonë, ne mund të kuptojmë se Perëndia po tregonte që Fara e premtuar do të vinte nga linja e Davidit.​—2. Samuelit 7:16.

Mbreti i mençur Salomon dhe domethënia e jetës

Biri i Davidit, Salomoni, ishte i njohur për mençurinë e tij dhe ne mund të nxjerrim dobi prej kësaj mençurie, duke lexuar librat shumë praktikë, Fjalët e urta dhe Predikuesi. * (1. Mbretërve 10:23-25) Libri i Predikuesit është veçanërisht i dobishëm për njerëzit që janë duke kërkuar për domethënien e jetës së tyre, pikërisht siç bëri mbreti i mençur Salomon. Si mbreti i parë izraelit i lindur në një familje mbretërore, Salomoni kishte shumë mundësi para tij. Ai ndërmori, gjithashtu, projekte madhështore ndërtimi, pati në tavolinën e tij ushqime të një shumëllojshmërie mahnitëse dhe gëzoi muzikën e shoqërinë e miqve të jashtëzakonshëm. Megjithatë, ai shkroi: «Pastaj, u ktheva të shikoj tërë veprat që kishin bërë duart e mia dhe mundin tim për t’i kryer; dhe ja, të gjitha ishin kotësi.» (Predikuesi 2:3-9, 11) Çfarë përfundimi arriti Salomoni?

Salomoni shkroi: «Të dëgjojmë, pra, përfundimin e gjithë ligjëratës: ‘Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e tij, sepse kjo është tërësia e njeriut.’ Sepse Perëndia do të vërë të gjykohet çdo vepër, edhe çdo gjë që është e fshehur, qoftë e mirë apo e keqe.» (Predikuesi 12:13, 14) Në harmoni me këtë, Salomoni u angazhua në një projekt 7-vjeçar për ndërtimin e një tempulli të lavdishëm, ku populli të mund të adhuronte Perëndinë.​—1. Mbretërve, kapitulli 6.

Për shumë vite mbretërimi i Salomonit u dallua nga paqja dhe bollëku. (1. Mbretërve 4:20-25) Megjithatë, zemra e tij nuk provoi se ishte po aq e plotë ndaj Jehovait sa kishte qenë zemra e Davidit. Salomoni mori shumë gra të huaja dhe i lejoi ato që ta anonin zemrën e tij ndaj perëndive të tyre. Përfundimisht Jehovai tha: «Unë do të ta heq mbretërinë nga dora . . . Do t’i lë birit tënd një fis, për dashurinë që ndiej për Davidin, shërbëtorin tim dhe për hir të Jeruzalemit që kam zgjedhur.»​—1. Mbretërve 11:4, 11-13.

Pjesa e tretë: Mbretëria e ndarë

Pas vdekjes së Salomonit, më 997 p.e.s., dhjetë fiset veriore u shkëputën veç. Këto formuan mbretërinë e Izraelit, të cilin asirianët e pushtuan në vitin 740 p.e.s. Mbretërit në Jeruzalem sunduan mbi dy fise. Kjo mbretëri, Juda, qëndroi derisa babilonasit pushtuan Jeruzalemin në vitin 607 p.e.s. dhe i morën robër banorët e tij. Juda mbeti e shkretë për 70 vjet.

Kur vdiq Salomoni, në pushtet erdhi biri i tij Roboami dhe e bëri jetën të rëndë për popullin. Kjo çoi në një kryengritje dhe dhjetë fise u shkëputën veç për t’u bërë mbretëria e Izraelit. (1. Mbretërve 12:1-4, 16-20) Përgjatë viteve, kjo mbretëri veriore nuk u mbajt fort pas Perëndisë së vërtetë. Shpesh populli u përkul para idhujve në formën e një viçi të artë ose u devijua në forma të tjera të adhurimit të rremë. Disa nga mbretërit u vranë dhe dinastitë e tyre u rrëzuan nga uzurpuesit. Jehovai tregoi një durim të madh, duke dërguar në mënyrë të përsëritur profetë, për të paralajmëruar kombin se tragjedia i printe përpara, nëse ata do të vazhdonin apostazinë e tyre. Librat Osea dhe Amosi u shkruan nga profetë, mesazhet e të cilëve u përqendruan mbi këtë mbretëri veriore. Përfundimisht, në vitin 740 p.e.s., asirianët sollën tragjedinë që kishin parathënë profetët e Perëndisë.

Në jug, 19 mbretërit e njëpasnjëshëm të shtëpisë së Davidit sunduan mbi Judën deri në vitin 607 p.e.s. Mbretërit Asa, Jozafati, Ezekia dhe Josia sunduan ashtu siç kishte bërë stërgjyshi i tyre, Davidi dhe fituan favorin e Jehovait. (1. Mbretërve 15:9-11; 2. Mbretërve 18:1-7; 22:1, 2; 2. Kronikave 17:1-6) Kur mbretëruan këta mbretër, Jehovai e bekoi kombin. Një enciklopedi (The Englishman’s Critical and Expository Bible Cyclopædia) vëren: «Elementi ruajtës sublim i J[udës] ishte tempulli i saj i caktuar në mënyrë hyjnore, priftëria, ligji i shkruar dhe njohja e Perëndisë së vetëm e të vërtetë Jehova si mbreti i saj i vërtetë teokratik. . . . Kjo besnikëri ndaj ligjit . . . prodhoi një trashëgimi mbretërish që përmbante shumë monarkë të mençur e të mirë . . . Kështu, J[uda] jetoi më gjatë se motra e saj veriore më e populluar.» Këta mbretër besnikë ishin shumë më të paktë sesa ata që nuk ecën në rrugën e Davidit. Megjithatë, Jehovai i drejtoi gjërat në mënyrë që ‘Davidi, shërbëtori i tij të kishte gjithmonë një llambë para tij në Jeruzalem, qytet që ai [Perëndia] e kishte zgjedhur për t’i vënë emrin e tij’.​—1. Mbretërve 11:36.

Drejtohet për nga shkatërrimi

Manasi ishte një prej mbretërve të Judës që u largua nga adhurimi i vërtetë. «Kaloi edhe nëpër zjarr të birin, u mor me magji dhe shortari dhe u këshillua me mediume e magjistarë. Bëri atë që është plotësisht e keqe në sytë e Zotit, duke shkaktuar zemërimin e tij.» (2. Mbretërve 21:6, 16) Mbreti Manas e shtyu popullin e tij ‘të vepronte më keq se kombet që Zoti kishte shkatërruar’. Pasi e kishte paralajmëruar në mënyrë të përsëritur Manasin dhe popullin e tij, Krijuesi deklaroi: «Do ta pastroj Jeruzalemin si pastrohet një pjatë e cila, pasi të jetë pastruar, kthehet përmbys.»​—2. Kronikave 33:9, 10; 2. Mbretërve 21:10-13.

Si prelud, Jehovai la që asirianët ta kapnin Manasin dhe ta merrnin rob me zinxhira prej bronxi. (2. Kronikave 33:11) Në mërgim, Manasi erdhi në vete dhe «u përul thellë përpara Perëndisë së etërve të tij». Si reagoi Jehovai? «Perëndia e dëgjoi lutjen e tij dhe e çoi përsëri në Jeruzalem, në mbretërinë e tij. Atëherë Manasi njohu që Zoti [Jehovai, BR] është Perëndia.» Mbreti Manas dhe nipi i tij, mbreti Josia, që të dy bënë reformat e duhura. Megjithatë, kombi nuk u largua në mënyrë të qëndrueshme nga degradimi moral dhe fetar në masë të madhe.​—2. Kronikave 33:1-20; 34:1–35:25; 2. Mbretërve, kapitulli 22.

Në mënyrë domethënëse, Jehovai dërgoi profetë të zellshëm për të shpallur pikëpamjen e tij mbi atë që po zhvillohej. * Jeremia tha fjalët e Jehovait: «Nga dita në të cilën etërit tuaj dolën nga vendi i Egjiptit e deri më sot, ju kam dërguar tërë shërbëtorët e mi, profetët çdo ditë me urgjencë dhe insistim.» Por, populli nuk e dëgjoi Perëndinë. Ata vepruan më keq se etërit e tyre! (Jeremia 7:25, 26) Ai i paralajmëroi ata në mënyrë të përsëritur, «sepse ndjeu dhembshuri për popullin e tij». Por ata akoma refuzuan të reagonin. Kështu që ai i lejoi babilonasit ta shkatërronin Jeruzalemin dhe ta shkretonin vendin në vitin 607 p.e.s. Për 70 vjet ajo mbeti e braktisur.​—2. Kronikave 36:15, 16, BR; Jeremia 25:4-11.

Ky rishikim i shkurtër i veprimeve të Perëndisë duhet të na ndihmojë për të kuptuar interesimin e Jehovait dhe marrëdhëniet e tij të drejta me kombin e tij. Ai nuk u tërhoq dhe nuk ndenji thjesht të shihte se çfarë do të bënte populli, sikur të ishte indiferent. Përkundrazi, u përpoq në mënyrë aktive për t’i ndihmuar. Ju mund ta kuptoni pse Isaia tha: «O Zot, ti je ati ynë. . . . Ne të gjithë jemi vepra e duarve të tua.» (Isaia 64:8) Duke vepruar në përputhje me këtë, shumë veta sot i referohen Krijuesit si «Atë», sepse ai reagon ashtu siç do të kishte reaguar një atë njerëzor i dashur dhe që interesohet. Megjithatë, ai e di, gjithashtu, se ne duhet të jemi përgjegjës për drejtimin tonë dhe rezultatin që sjell ky drejtim.

Pasi kombi përjetoi një periudhë 70-vjeçare robërie në Babiloni, Perëndia Jehova e përmbushi profecinë e tij për ta rivendosur Jeruzalemin. Populli u lirua dhe u lejua të kthehej në vendlindjen e tij për të ‘rindërtuar shtëpinë e Zotit, Perëndisë së Izraelit, e cila ishte në Jeruzalem’. (Esdra 1:1-4; Isaia 44:24–45:7) Një numër librash biblikë * trajtojnë këtë rivendosje: rindërtimin e tempullit ose ngjarjet që e pasuan atë. Një prej këtyre librave, Danieli, është veçanërisht interesant sepse ai profetizoi saktësisht se kur do të shfaqej Fara ose Mesia dhe paratha zhvillimet botërore të periudhës sonë.

Më në fund tempulli u rindërtua, por Jeruzalemi ishte në një gjendje të mjerueshme. Muret dhe portat e tij ishin gërmadha. Prandaj, Perëndia ngriti burra si Nehemia për të inkurajuar dhe për të organizuar hebrenjtë. Një lutje që mund ta lexojmë në Neheminë kapitulli 9, përmbledh mirë marrëdhënien e Jehovait me izraelitët. Ai tregon se Jehovai është «një Perëndi i gatshëm që të falë, shpirtmadh, plot mëshirë, i ngadalshëm në zemërim dhe plot mirësi». Lutja tregon, gjithashtu, se Jehovai vepron në harmoni me standardin e tij të përsosur të drejtësisë. Edhe kur ka arsye të vlefshme për ta ushtruar fuqinë e tij që të ekzekutojë një gjykim, ai është gati për ta zbutur drejtësinë e tij me dashurinë. Bërja e kësaj gjëje nga ana e tij, në një mënyrë të drejtpeshuar dhe të admirueshme, kërkon mençuri. Qartë, marrëdhëniet e Krijuesit me kombin e Izraelit duhet të na afrojnë me të dhe të na motivojnë që të jemi të interesuar në bërjen e vullnetit të tij.

Në përfundim të kësaj pjese të Biblës (Besëlidhja e Vjetër) mbretëria e Judës me tempullin e saj në Jeruzalem ishte rivendosur, por ishte nën sundimin pagan. Prandaj, si do të përmbushej besëlidhja e Perëndisë me Davidin për një «farë» që do të sundonte «përgjithmonë»? (Psalmet 89:3, 4; 132:11, 12) Hebrenjtë ishin akoma duke pritur me padurim shfaqjen e një «Mesie Udhëheqës», i cili do ta lironte popullin e Perëndisë dhe do të vendoste një mbretëri teokratike (të sunduar nga Perëndia) mbi tokë. (Danieli 9:24, 25) Pra, a ishte ky qëllimi i Jehovait? Po qe se jo, si do ta sillte çlirimin Mesia i premtuar? Dhe si ndikon kjo gjë mbi ne sot? Kapitulli tjetër do t’i shqyrtojë këto çështje jetësore.

[Shënimet]

^ par. 6 Emrat e librave të Biblës janë shkruar me gërma më të zeza për të ndihmuar në identifikimin e përmbajtjes së tyre.

^ par. 36 Këta libra janë: 1. Samuelit, 2. Samuelit, 1. Mbretërve, 2. Mbretërve, 1. Kronikave dhe 2. Kronikave.

^ par. 41 Ai shkroi, gjithashtu, librin Kantiku i Kantikëve, një poemë dashurie që nxjerr në pah besnikërinë e një vajze ndaj një bariu të thjeshtë.

^ par. 51 Një numër librash biblikë përmbajnë mesazhe të tilla profetike. Këto përfshijnë librat: Isaia, Jeremia, Vajtimet, Ezekieli, Joeli, Mikea, Habakuku, Sofonia. Librat Abdia, Jona dhe Nahumi u përqendruan mbi kombet përreth, marrëdhëniet e të cilëve ndikuan mbi popullin e Perëndisë.

^ par. 53 Këta libra historie dhe profecie janë: Esdra, Nehemia, Ester, Hagai, Zakaria dhe Malakia.

[Kutia në faqen 126, 127]

Mrekullitë: A mund t’i besoni ato?

«Është e pamundur të përdorim dritën elektrike, radion, të vëmë në dispozicionin tonë zbulimet moderne mjekësore dhe kirurgjike e në të njëjtën kohë të besojmë në botën e Dhjatës së Re, të përbërë nga frymërat dhe mrekullitë.» Këto fjalë të teologut gjerman Rudolf Bultman pasqyrojnë atë që mendojnë shumë njerëz sot mbi mrekullitë. A ndiheni edhe ju kështu mbi mrekullitë e regjistruara në Bibël, siç është ndarja e Detit të Kuq prej Perëndisë?

Një fjalor (The Concise Oxford Dictionary) e përcakton fjalën «mrekulli» si «një ngjarje e jashtëzakonshme që i atribuohet një qenieje të mbinatyrshme». Një ngjarje e tillë e jashtëzakonshme përfshin një ndërprerje në rregullin e natyrës, gjë që përbën faktin pse shumë njerëz nuk janë të prirur për të besuar në mrekullitë. Megjithatë, ajo që duket sikur është një dhunim i një ligji të natyrës mund të shpjegohet me lehtësi nën dritën e ligjeve të tjera të natyrës që janë të përfshira.

Për të bërë një ilustrim, revista New Scientist raportoi se dy fizikanë në universitetin e Tokios krijuan një fushë magnetike jashtëzakonisht të fortë mbi një tub horizontal, pjesërisht të mbushur me ujë. Uji shkoi në skajet e cilindrit, duke lënë në mes të tij një pjesë të thatë. Fenomeni, i zbuluar më 1994, funksionon sepse uji është lehtësisht diamagnetik dhe shtyhet nën veprimin e një magneti. Ky fenomen i zbuluar i ujit që lëviz nga një vend ku fusha magnetike është shumë e lartë në një vend ku ajo është më e ulët, është quajtur Efekti Moisi. Revista New Scientist vërejti: «Lëvizja e ujit në çdo drejtim është e lehtë, mjafton të kesh një magnet mjaft të madh. Dhe po të arrish të bësh këtë, gati çdo gjë është e mundur.»

Patjetër që asnjë nuk mund ta thotë në mënyrë absolute se çfarë procesi përdori Perëndia kur ndau Detin e Kuq për izraelitët. Por, Krijuesi i njeh në hollësitë më të plota të gjitha ligjet e natyrës. Ai mund të kontrollojë me lehtësi disa aspekte të një ligji, duke vënë në veprim një ligj tjetër nga ato që i ka krijuar vetë. Njerëzve ky rezultat mund t’u duket një mrekulli, veçanërisht nëse nuk i kuptojnë plotësisht ligjet që janë të përfshira.

Për sa i përket mrekullive në Bibël, Akira Jamada, profesor i shquar i universitetit Kjoto në Japoni, thotë: «Edhe pse është korrekte të themi se [një mrekulli] nuk mund të kuptohet tani për tani nga këndvështrimi i shkencës në të cilën kjo gjë përfshihet (ose nga gjendja ekzistuese e shkencës), është e gabuar të nxjerrim përfundimin se ajo nuk ka ndodhur, thjesht duke u bazuar mbi autoritetin e fizikës së përparuar moderne ose të bibliografisë së përparuar moderne. Dhjetë vjet më vonë, shkenca moderne e ditëve tona do të jetë shkencë e së kaluarës. Sa më shpejt të përparojë shkenca, aq më e madhe është mundësia që shkencëtarët e sotëm të bëhen shënjestër barcaletash që fillojnë me fjalët: ‘Shkencëtarët e dhjetë vjetëve më parë besonin kështu e kështu.’»​—Gods in the Age of Science.

Si Krijues, duke qenë në gjendje të bashkërendojë të gjitha ligjet e natyrës, Jehovai mund ta përdorë fuqinë e tij për të kryer mrekulli.

[Kutia në faqet 132, 133]

Një Perëndi xheloz: Në çfarë kuptimi?

«Jehovai, emri i të cilit është Xheloz, është një Perëndi xheloz.» Këtë koment mund ta lexojmë në Eksodin 34:14, BR, por cila është domethënia e tij?

Fjala hebraike e përkthyer «xheloz» mund të ketë kuptimin «që kërkon devocion ekskluziv, duke mos toleruar asnjë rivalitet». Në një kuptim pozitiv që është në dobinë e krijesave të tij, Jehovai është xheloz për sa i përket emrit dhe adhurimit të tij. (Ezekieli 39:25) Zelli për të përmbushur atë që përfaqëson emri i tij do të thotë se ai do ta plotësojë qëllimin që ka për njerëzimin.

Shqyrtoni, për shembull, gjykimin që i bëri ai popullit që banonte në vendin e Kanaanit. Një studiues ofron këtë përshkrim tronditës: «Adhurimi i Baalit, Ashtorethit dhe i perëndive të tjera të kananejve konsistonte në orgjitë më ekstravagante, tempujt e tyre ishin qendra të ligësisë. . . . Kananejtë adhuronin me anë të shthurjeve imorale, . . . dhe më vonë duke vrarë fëmijët e tyre të parëlindur, si një flijim ndaj po këtyre perëndive.» Arkeologët kanë zbuluar qypa me mbetjet e fëmijëve të flijuar. Megjithëse Perëndia e vuri re mëkatin e kananejve në ditët e Abrahamit, ai tregoi durim ndaj tyre për 400 vjet, duke u lënë kohë të mjaftueshme për të ndryshuar.​—Zanafilla 15:16.

A ishin të vetëdijshëm kananejtë për seriozitetin e mëkatit të tyre? Ata e zotëronin aftësinë njerëzore të ndërgjegjes, të cilën juristët e njohin si një bazë universale për moralshmërinë dhe për drejtësinë. (Romakëve 2:12-15) Megjithatë, kananejtë ngulën këmbë në flijimet e tyre të neveritshme të fëmijëve dhe në praktikat e ulëta seksuale.

Jehovai në drejtësinë e tij të drejtpeshuar vendosi që vendi kishte nevojë për një pastrim. Ky nuk ishte një gjenocid. Kananejtë, si individë siç ishte Rahabi, ashtu edhe grupe të tëra siç ishin gabaonitët, të cilët vullnetarisht pranuan standardet e larta morale të Perëndisë, u kursyen. (Jozueu 6:25; 9:3-15) Rahabi u bë një hallkë në gjenealogjinë mbretërore që çoi deri te Mesia dhe pasardhësit e gabaonitëve u privilegjuan me shërbimin në tempullin e Jehovait.​—Jozueu 9:27; Esdra 8:20; Mateu 1:1, 5-16.

Për pasojë, kur një person shqyrton informacionin e plotë dhe të saktë, të bazuar në fakte, është më e lehtë ta shohë Jehovain si një Perëndi të drejtë e të admirueshëm, xheloz në një kuptim të mirë, e që është në dobi të krijesave të tij besimplote.

[Figura në faqen 123]

Krijuesi liroi një popull të skllavëruar dhe e përdori për të plotësuar qëllimin e tij

[Figura në faqen 129]

Në malin Sinai kombi i lashtë i Izraelit hyri në një marrëdhënie besëlidhjeje me Krijuesin

[Figura në faqen 130]

Mbajtja e ligjeve të pakrahasueshme të Krijuesit e ndihmoi popullin e tij që të gëzonte Tokën e Premtuar

[Figura në faqen 136]

Ju mund të vizitoni zonën në jug të murit të Jeruzalemit, ku mbreti David kishte kryeqytetin e tij