Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga «bota ARN» apo nga një botë tjetër?

Nga «bota ARN» apo nga një botë tjetër?

Shtesa B

Nga «bota ARN» apo nga një botë tjetër?

Meqenëse kanë dështuar të shpjegojnë bashkëpunimin e skuadrës ADN-ARN-proteinë, disa kërkues kanë ofruar teorinë e «botës ARN». Çfarë është kjo? Në vend se të pohojnë që ADN-ja, ARN-ja dhe proteinat lindën njëkohësisht për të prodhuar jetën, ata thonë se ARN-ja në vetvete ishte shkëndija e parë e jetës. A është e mbështetur kjo teori?

Në vitet 80 të shekullit të 20-të, kërkuesit zbuluan në laboratorin e tyre se molekulat e ARN-së mund të vepronin si enzima të vetvetes, duke u ndarë në dy pjesë identike dhe duke u bashkuar përsëri së bashku. Kështu u bë hipoteza se ARN-ja mund të ketë qenë molekula e parë vetëreplikuese. Teorizohet se me kalimin e kohës, këto molekula të ARN-së mësuan të formonin membrana qelizore dhe se përfundimisht organizmi i ARN-së formoi ADN-në. «Apostujt e botës ARN,—shkruan Fil Kohen në revistën New Scientist,—besojnë se teoria e tyre duhet marrë, në mos si ungjill, të paktën si gjëja që është më afër së vërtetës.»

Megjithatë, jo të gjithë shkencëtarët e pranojnë këtë skenar. Skeptikët, vëren Kohen, «argumentuan se ishte një hap tepër i madh kalimi nga tregimi se dy molekula ARN-je morën pjesë për një moment në gjymtimin e vetvetes në një epruvetë eksperimenti deri në pohimin se ARN-ja ishte e aftë për të formuar një qelizë të vetme dhe t’i jepte shkëndijën e parë shfaqjes së jetës në Tokë».

Por ekzistojnë edhe probleme të tjera. Biologu Karl Vos beson se «teoria e botës ARN . . . është plasaritur për vdekje, sepse ajo dështon të shpjegojë se nga erdhi energjia për të dhënë karburantin e duhur që të prodhoheshin molekulat e para të ARN-së». Dhe kërkuesit nuk kanë zbuluar asnjëherë një pjesë ARN-je që të mund të replikojë vetveten nga hiçi. Gjithashtu, ekziston në radhë të parë çështja se nga erdhi ARN-ja. Edhe pse teoria e «botës ARN» shfaqet në shumë tekste librash, pjesa më e madhe e asaj teorie, thotë kërkuesi Geri Olsen, «është optimizëm me hamendje».

Një teori tjetër që kanë nxjerrë disa shkencëtarë është se planeti ynë u mboll me jetë që erdhi nga hapësira jashtëtokësore. Por kjo teori nuk i përgjigjet në të vërtetë pyetjes se çfarë e lindi jetën. Duke thënë se jeta vjen nga hapësira jashtëtokësore, vëren shkrimtari shkencor Bois Rensberger, «thjesht ndryshon vendndodhjen e misterit». Ajo nuk shpjegon origjinën e jetës. Thjesht ajo mënjanon çështjen duke e rivendosur origjinën në një sistem diellor apo në një galaktikë tjetër. Çështja e vërtetë mbetet akoma.