Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një Mësues i Madh na e zbulon më qartë Krijuesin

Një Mësues i Madh na e zbulon më qartë Krijuesin

Kapitulli Nëntë

Një Mësues i Madh na e zbulon më qartë Krijuesin

NJERËZIT e Palestinës në shekullin e parë «ishin në pritje». Të çfarë gjëje? Të «Krishtit» apo «Mesisë», të parathënë nga profetët e Perëndisë shekuj më parë. Njerëzit ishin të sigurt se Bibla ishte shkruar nën drejtimin e Perëndisë dhe se përmbante shenja paraprake për të ardhmen. Një nga këto profeci, në librin e Danielit, tregonte të dhëna mbi ardhjen e Mesisë në fillim të shekullit të tyre.​—Luka 3:15; Danieli 9:24-26.

Megjithatë, ata duhej të ishin të kujdesshëm, sepse do të dilnin mesi të vetëshpallur. (Mateu 24:5) Historiani hebre Jozefi përmend disa prej tyre: Teuda, i cili i çoi ithtarët e tij në lumin Jordan dhe deklaroi se ujërat e tij do të ndaheshin; një burrë nga Egjipti, i cili i çoi njerëzit në malin e Ullinjve, duke pohuar se muri i Jeruzalemit do të binte me urdhër të tij dhe një mashtrues në kohën e guvernatorit Fest, i cili premtoi liri nga trazirat.​—Krahaso Veprat 5:36; 21:38.

Në kontrast me këta ithtarë të zhgënjyer, një grup që u quajt «të krishterët» e kuptoi se Jezui i Nazaretit ishte një mësues i madh dhe Mesia i vërtetë. (Veprat 11:26; Marku 10:47) Jezui nuk ishte një mesi mashtrues, ai kishte kredenciale të forta, siç vërtetohet gjerësisht në katër librat historikë të quajtur Ungjijtë. * Për shembull, hebrenjtë e dinin se Mesia do të lindte në Bethlehem, do të ishte nga linja familjare e Davidit dhe do të kryente vepra të mrekullueshme. Jezui i përmbushi të gjitha këto, siç verifikohet madje edhe nga dëshmia e kundërshtarëve. Po, Jezui plotësoi kualifikimet e Mesisë së Biblës.​—Mateu 2:3-6; 22:41-45; Gjoni 7:31, 42.

Turma njerëzish që takuan Jezuin, pasi vërejtën veprat e tij të jashtëzakonshme, dëgjuan fjalët e tij unike të mençura dhe njohën fuqinë e tij për të parashikuar, u bindën se ai ishte Mesia. Në rrjedhën e shërbimit të tij (29-33 të e.s.), dëshmitë që mbështetnin faktin se ai ishte Mesia, u shtuan. Në fakt, ai provoi se ishte më shumë se vetëm Mesia. Një dishepull i njohur me faktet nxori përfundimin se «Jezui është Krishti, Biri i Perëndisë». *​—Gjoni 20:31.

Duke qenë se Jezui pati një marrëdhënie të tillë të afërt me Perëndinë, ai mundi të shpjegonte dhe të zbulonte se si është Krijuesi ynë. (Luka 10:22; Gjoni 1:18) Jezui dëshmoi se afërsia e tij me të Atin filloi në qiell, ku ai punoi me Perëndinë për të sjellë në ekzistencë të gjitha gjërat e tjera, me jetë e pa jetë.​—Gjoni 3:13; 6:38; 8:23, 42; 13:3; Kolosianëve 1:15, 16.

Bibla raporton se Biri u transferua nga mbretëria frymore dhe «u bë në ngjashmëri të njeriut». (Filipianëve 2:5-8) Një ngjarje e tillë nuk është normale, por a është e mundur? Shkencëtarët vërtetojnë se një element natyror, si uraniumi, mund të transformohet në një element tjetër; ata llogaritin madje rezultatet që dalin kur masa transformohet në energji (E=mc2). Prandaj, pse duhet të dyshojmë kur Bibla thotë se një krijesë frymore u transformua që të mund të jetonte si njeri?

Për ta ilustruar në një mënyrë tjetër, mendoni për atë që kanë arritur të kryejnë disa mjekë me fekondimin in vitro. Një jetë që fillon në një «epruvetë» transferohet në mitrën e një gruaje dhe më vonë lind si një foshnjë. Në rastin e Jezuit, Bibla na siguron se me anë të «fuqisë së Më të Lartit», jeta e tij u transferua në mitrën e një virgjëreshe të quajtur Maria. Ajo ishte nga linja familjare e Davidit, prandaj Jezui mund të ishte trashëgimtari i qëndrueshëm i Mbretërisë Mesianike që iu premtua Davidit.​—Luka 1:26-38; 3:23-38; Mateu 1:23.

Në bazë të marrëdhënies së tij intime dhe të ngjashmërisë së tij me Krijuesin, Jezui tha: «Kush më ka parë mua, ka parë Atin.» (Gjoni 14:9) Ai tha, gjithashtu: «Askush nuk e di kush është Ati, përveç Birit dhe atij, kujt Biri do t’ia zbulojë.» (Luka 10:22, DSF) Në këtë mënyrë, ndërsa marrim njohuri mbi atë që mësoi dhe bëri Jezui mbi tokë, mund të shohim më qartë personalitetin e Krijuesit. Le ta shqyrtojmë këtë, duke përdorur përvojat e disa burrave dhe grave që kanë takuar Jezuin.

Një grua samaritane

«Vallë mos është ky Krishti?»—pyeti një grua samaritane pasi bisedoi me Jezuin për pak kohë. (Gjoni 4:29) Ajo i nxiti madje të tjerët nga qyteti Sihar aty afër që të takonin Jezuin. Çfarë e shtyu atë që ta pranonte Jezuin si Mesia?

Kjo grua e takoi Jezuin, ndërsa ai po pushonte nga udhëtimi që kishte bërë gjithë mëngjesin nëpër rrugët me pluhur në kodrat e Samarisë. Megjithëse ishte i lodhur, Jezui foli me të. Duke vënë re interesin e saj të zjarrtë frymor, Jezui i dha të vërteta të thella që përqendroheshin mbi nevojën që «ta adhurojmë Atin në frymë dhe në të vërtetën». Në kohën e duhur ai zbuloi se ishte vërtet Krishti, një fakt që akoma nuk e kishte thënë në publik.​—Gjoni 4:3-26.

Takimi me Jezuin doli shumë domethënës për këtë grua samaritane. Aktivitetet e saj të mëparshme fetare përqendroheshin në adhurimin mbi malin Gerizim dhe bazoheshin vetëm në pesë librat e parë të Biblës. Judenjtë i shmangnin samaritanët, shumë prej të cilëve e kishin prejardhjen nga një përzierje mes dhjetë fiseve të Izraelit dhe popujve të tjerë. Sa ndryshe veproi Jezui! Me gatishmëri, ai e mësoi këtë samaritane, edhe pse vetë ishte ngarkuar për të shkuar «te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit». (Mateu 15:24) Këtu Jezui pasqyroi gatishmërinë e Jehovait për të pranuar njerëzit e sinqertë të të gjitha kombeve. (1. Mbretërve 8:41-43) Po, si Jezui, ashtu edhe Jehovai qëndrojnë më lart se fanatizmi mendjengushtë fetar që përshkon botën e sotme. Njohja e kësaj gjëje duhet të na afrojë ndaj Krijuesit dhe Birit të tij.

Nga gatishmëria e Jezuit për ta mësuar këtë grua ne mund të nxjerrim një mësim tjetër. Në atë kohë, ajo jetonte me dikë që nuk ishte burri i saj. (Gjoni 4:16-19) Megjithatë, Jezui nuk la që kjo gjë ta pengonte për të mos folur me të. Ju mund ta kuptoni se ajo duhet ta ketë çmuar faktin që po trajtohej me dinjitet. Dhe përvoja e saj nuk ishte unike. Kur disa udhëheqës judenj (farisenjtë) e kritikuan Jezuin, sepse hante bashkë me mëkatarët e papenduar, ai tha: «Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët. Tani shkoni dhe mësoni ç’do të thotë: ‘Unë dua mëshirë dhe jo flijime.’ Sepse unë nuk erdha për të thirrur në pendim të drejtët, por mëkatarët.» (Mateu 9:10-13) Jezui u ofroi mbështetje njerëzve që vuanin për shkak të barrës së mëkateve të tyre që vinte nga fakti se kishin dhunuar ligjet ose standardet e Perëndisë. Sa ta ngroh zemrën dijenia se Perëndia dhe Biri i tij do të ndihmojnë ata që kanë probleme, të cilat janë rezultati i sjelljes së tyre në të kaluarën!​—Mateu 11:28-30. *

Le të mos e kalojmë pa vënë re faktin se në këtë rast në Samari, Jezui i foli me dashamirësi dhe në mënyrë dobiprurëse një gruaje. Përse është domethënëse kjo? Në atë kohë burrave hebrenj u mësohej se në rrugë ata nuk duhet t’u flitnin grave, madje edhe grave të tyre. Rabinët judenj nuk i konsideronin gratë të afta për të marrë arsimim të thellë frymor, por i konsideronin si «mendjelehta». Disa thoshin: «Do të ishte më mirë që fjalët e ligjit të digjeshin, sesa t’u thuheshin grave.» Dishepujt e Jezuit ishin rritur në një ambient të tillë, prandaj kur u kthyen, ata «u mrekulluan që ai po fliste me një grua». (Gjoni 4:27) Ky tregim, një prej shumë të tillëve, ilustron se Jezui ishte në shëmbëllim të Atit të tij, i cili krijoi dhe u dha nderim si mashkullit, ashtu edhe femrës.​—Zanafilla 2:18.

Pas kësaj ngjarjeje, gruaja samaritane bindi bashkëqytetarët e saj që të dëgjonin Jezuin. Shumë prej tyre shqyrtuan faktet dhe u bënë besimtarë, duke thënë: «Ne e dimë se ai është me të vërtetë Krishti, Shpëtimtari i botës.» (Gjoni 4:39-42) Meqenëse edhe ne jemi pjesë e «botës» së njerëzimit, Jezui është jetësor edhe për të ardhmen tonë.

Pikëpamja e një peshkatari

Tani, le ta vështrojmë nga afër Jezuin, përmes syve të dy shokëve të tij të ngushtë, Pjetrit dhe më pas Gjonit. Këta peshkatarë të zakonshëm ishin mes ithtarëve të tij të parë. (Mateu 4:13-22; Gjoni 1:35-42) Farisenjtë i konsideronin ata si «njerëz analfabetë dhe të zakonshëm», pjesë e njerëzve të dheut (ʽam-ha·ʼaʹrets), të cilët përçmoheshin sepse nuk ishin të shkolluar si rabinët. (Veprat 4:13; Gjoni 7:49) Shumë nga këta njerëz, që ishin «të munduar dhe të rënduar» nën zgjedhën e tradicionalistëve fetarë, e dëshironin me zjarr ndriçimin frymor. Profesori Sharl Genjëber i Sorbonës komentoi se «zemrat e këtyre njerëzve i përkitnin plotësisht Jahves [Jehovait]». Jezui nuk u ktheu kurrizin këtyre njerëzve të përulur, duke favorizuar të pasurit ose ata me influencë. Përkundrazi, ai ua zbuloi atyre Atin me anë të mësimeve dhe të mënyrës së tij të trajtimit.​—Mateu 11:25-28.

Pjetri e përjetoi qëndrimin empatik të Jezuit në mënyrë të drejtpërdrejtë. Pak kohë pasi ai ishte bashkuar me Jezuin në shërbim, vjehrra e tij u sëmur me ethe. Jezui erdhi në shtëpinë e Pjetrit, e kapi për dore atë dhe ethet e lanë! Ne mund të mos e njohim procesin e saktë të këtij shërimi, pikërisht ashtu si sot mjekët nuk mund ta shpjegojnë plotësisht se si ndodhin disa shërime, por ethet e lanë këtë grua. Akoma më e rëndësishme sesa njohja e metodës së shërimit është të kuptojmë se, duke shëruar të sëmurët dhe të munduarit, Jezui bëri të dukshme mëshirën e tij për ta. Ai donte t’i ndihmonte me të vërtetë njerëzit e po kështu bën edhe Ati i tij. (Marku 1:29-31, 40-43; 6:34) Nga përvoja e tij me Jezuin, Pjetri mundi të kuptonte se Krijuesi e vlerëson çdo person si të denjë për të pasur kujdesin e tij.​—1. Pjetrit 5:7.

Në një kohë më të vonshme Jezui ishte në Oborrin e Grave në tempullin e Jeruzalemit. Ai vëzhgonte njerëzit që hidhnin kontributet e tyre në arkat e thesarit. Të pasurit hidhnin brenda shumë monedha. Duke kushtuar vëmendje të veçantë Jezui pa një të ve të varfër tek hidhte dy monedha me një vlerë shumë të vogël. Jezui i tha Pjetrit, Gjonit dhe të tjerëve: «Ju them në të vërtetë se kjo e ve e varfër ka hedhur në thesar më shumë se të gjithë të tjerët. Sepse të gjithë hodhën aty nga teprica e tyre, kurse ajo, me skamjen e vet, hodhi gjithë sa kishte për të jetuar.»​—Marku 12:41-44.

Ju mund ta kuptoni se Jezui kërkonte të gjente cilësitë e mira te njerëzit dhe se ai çmonte përpjekjet e secilit. Cili mendoni ju se ishte ndikimi mbi Pjetrin dhe mbi apostujt e tjerë? Duke perceptuar prej shembullit të Jezuit se si është Jehovai, Pjetri më vonë citoi një psalm: «Sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë në lutjen e tyre.» (1. Pjetrit 3:12; Psalmet 34:15, 16) A nuk jeni të tërhequr drejt një Krijuesi dhe Birit të tij, të cilët duan të gjejnë cilësitë e mira në ju dhe do të dëgjojnë lutjet tuaja?

Pas gati dy vjet shoqërimi me Jezuin, Pjetri ishte i sigurt se Jezui ishte Mesia. Në një rast, Jezui i pyeti dishepujt e tij: «Kush thonë njerëzit se jam unë?» Për këtë pyetje mori përgjigje të ndryshme. Pastaj ai i pyeti: «Po ju, kush thoni se jam?» Pjetri, i sigurt, iu përgjigj: «Ti je Krishti.» Ajo që bëri Jezui pas kësaj përgjigjeje mund t’ju duket enigmatike. Ai «i urdhëroi rreptësisht që të mos i tregojnë askujt» për këtë. (Marku 8:27-30; 9:30; Mateu 12:16) Pse do ta thoshte një gjë të tillë? Jezui ishte i pranishëm personalisht mes tyre, prandaj ai nuk dëshironte që njerëzit të arrinin përfundime, të bazuar thjesht në thashetheme. Kjo është logjike, apo jo? (Gjoni 10:24-26) Pika është se në mënyrë të ngjashme, edhe Krijuesi ynë dëshiron që ne të zbulojmë rreth tij nëpërmjet hetimit të dëshmive të forta. Ai pret nga ne që të kemi bindje të bazuara mbi fakte.​—Veprat 17:27.

Siç mund ta imagjinoni, disa nga bashkëkombësit e Jezuit nuk e pranuan atë, megjithë dëshmitë e mjaftueshme se ai kishte mbështetjen e Krijuesit. Shumë, duke qenë të shqetësuar kryesisht për pozitën e tyre ose me synimet politike, nuk e patën qejf këtë Mesi të sinqertë, por të përulur. Ndërsa shërbimi i tij po i afrohej fundit, Jezui tha: «Jeruzalem, Jeruzalem, që i vret profetët dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë kam dashur t’i mbledh bijtë e tu, . . . por ju nuk deshët! Ja, shtëpia juaj po ju lihet e shkretë.» (Mateu 23:37, 38) Kjo situatë e ndryshuar për atë komb shënoi një hap domethënës në realizimin e qëllimit të Perëndisë për bekimin e të gjitha kombeve.

Jo shumë kohë pas kësaj, Pjetri dhe tre apostuj të tjerë e dëgjuan Jezuin kur dha një profeci të hollësishme mbi «përfundimin e sistemit të gjërave». * Ajo që paratha Jezui pati një përmbushje fillestare gjatë sulmit romak mbi Jeruzalemin dhe me shkatërrimin e tij në vitet 66-70 të e.s. Historia mban dëshmi që tregojnë se ajo që parashikoi Jezui ndodhi në të vërtetë. Pjetri ishte dëshmitar i shumë prej gjërave që tha Jezui dhe kjo pasqyrohet në 1 dhe 2. Pjetrit, dy libra që shkroi Pjetri.​—1. Pjetrit 1:13; 4:7; 5:7, 8; 2. Pjetrit 3:1-3, 11, 12.

Gjatë shërbimit të tij, Jezui u kishte ofruar me durim dashamirësinë hebrenjve që ishin përreth tij. Por ai nuk u përmbajt nga dënimi i ligësisë. Kjo e ndihmoi Pjetrin dhe duhet të na ndihmojë edhe ne, të kuptojmë më plotësisht Krijuesin tonë. Ndërsa shihte aspekte të tjera të përmbushjes së profecisë së Jezuit, Pjetri shkroi se të krishterët duhet ta mbajnë «mirë në mendje praninë e ditës së Jehovait». Pjetri tha, gjithashtu: «Zoti nuk vonon plotësimin e premtimit të tij, siç disa besojnë që ai bën, por është i durueshëm ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim.» Pastaj, Pjetri tha fjalë inkurajimi mbi ‘qiej të rinj dhe një tokë të re, në të cilët do të banojë drejtësia’. (2. Pjetrit 3:13) A i çmojmë edhe ne, ashtu si Pjetri, cilësitë e Perëndisë të pasqyruara te Jezui dhe a shfaqim besim në premtimet e tij për të ardhmen?

Pse vdiq Jezui?

Natën e tij të fundit me apostujt, Jezui mbajti një darkë të veçantë me ta. Në një darkë të tillë, një mikpritës hebre do të tregonte mikpritjen e tij duke u larë këmbët miqve, të cilët mund të kishin ecur, të veshur me sandale, nëpër rrugë me pluhur. Megjithatë, asnjë nuk u ofrua për t’ia bërë këtë Jezuit. Kështu që ai u ngrit me përulësi, mori një peshqir e një legen dhe filloi t’u lante këmbët apostujve. Kur erdhi radha e Pjetrit, atij i erdhi turp të merrte një shërbim të tillë prej Jezuit. Pjetri i tha: «Ti kurrë nuk do të m’i lash këmbët.» «Po nuk t’i lava,—u përgjigj Jezui,—ti nuk do të kesh pjesë me mua.» Jezui e dinte se së shpejti do të vdiste, prandaj shtoi: «Në qoftë se unë, Zoti dhe Mësuesi juaj, ju kam larë këmbët, edhe ju duhet t’i lani këmbët njëri-tjetrit. Unë, në fakt, ju kam dhënë shembullin që ashtu siç kam bërë unë, bëni edhe ju.»​—Gjoni 13:5-17.

Dekada më vonë, Pjetri i nxiti të krishterët që të imitonin Jezuin, jo në një rit të larjes së këmbëve, por që t’i shërbenin me përulësi të tjerëve në vend se «të zotëronin» mbi ta. Pjetri kuptoi, gjithashtu, se shembulli i Jezuit provoi që «Perëndia i kundërshton krenarët, por u jep hir të përulurve». Sa mësim i dobishëm mbi Krijuesin! (1. Pjetrit 5:1-5; Psalmet 18:35) Megjithatë, Pjetri mësoi edhe më shumë.

Pas asaj darke të fundit, Juda Iskarioti që ishte apostull, por u bë vjedhës, udhëhoqi një bandë njerëzish të armatosur për të arrestuar Jezuin. Ndërsa po bënin kështu, Pjetri reagoi. Ai nxori shpatën dhe plagosi një burrë në turmë. Jezui e korrigjoi Pjetrin: «Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin.» Pastaj, ndërsa Pjetri ishte aty duke parë, Jezui e preku burrin duke e shëruar. (Mateu 26:47-52; Luka 22:49-51) Qartë, Jezui vepronte në përputhje me mësimin e tij «duani armiqtë tuaj», duke imituar Atin e tij, i cili «bën të lindë diellin e tij mbi të mirët dhe mbi të këqinjtë dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët».​—Mateu 5:44, 45.

Gjatë vazhdimit të asaj nate stresuese, për Jezuin u mbajt me nxitim një seancë nga gjyqi i lartë judaik. Ai u akuzua në mënyrë të rreme për blasfemi, u çua te guvernatori romak dhe pastaj padrejtësisht u dënua. Hebrenjtë dhe romakët e përqeshën. Mbi të u abuzua mizorisht dhe përfundimisht u gozhdua. Pjesa më e madhe e atij keqtrajtimi përmbushi profecitë e shkruara shekuj më përpara. Madje edhe ushtarët që ruanin Jezuin mbi shtyllën e mundimeve pranuan: «Me të vërtetë ky ishte Biri i Perëndisë!»​—Mateu 26:57–27:54; Gjoni 18:12–19:37.

Këto zhvillime duhet t’i kenë shtyrë Pjetrin dhe të tjerët që të pyetnin: ‘Pse duhej të vdiste Krishti?’ Vetëm më vonë ata e kuptuan arsyen. Në radhë të parë, ato ngjarje përmbushën profecinë e shkruar në Isainë, kapitulli 53, e cila tregonte që Krishti do ta vinte në dispozicion lirimin jo vetëm për hebrenjtë, por për të gjithë njerëzimin. Pjetri shkroi: «Ai vet mbarti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit (shtyllës, BR) që ne, të vdekur për mëkate, të rrojmë për drejtësi dhe me vurratat e tij ju u shëruat.» (1. Pjetrit 2:21-25) Pjetri e kuptoi domethënien e një të vërtete që kishte paraqitur Jezui: «Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve.» (Mateu 20:28) Po, Jezuit iu desh të hiqte dorë nga e drejta e tij për të jetuar si një njeri i përsosur që ta riblente njerëzimin nga gjendja mëkatare e trashëguar prej Adamit. Ky është një mësim themelor biblik: shpërblerja.

Çfarë përfshin shpërblerja? Ju mund të mendoni për të në këtë mënyrë: supozoni se keni një kompjuter, por një prej ‘dokumenteve’ të saj elektronike është prishur nga një gabim (ose virus) që dikush e ka futur në një program, i cili përndryshe do të ishte i përsosur. Kjo ilustron efektin e asaj që bëri Adami, kur me qëllim nuk iu bind Perëndisë ose ndryshe, mëkatoi. Le ta vazhdojmë ilustrimin: çfarëdo kopje që ju mund t’i bëni ‘dokumentit’ elektronik të prishur, do të jetë e prekur nga virusi. Megjithatë, situata nuk është domosdoshmërisht e pashpresë. Me një program të veçantë, ju mund të diktoni dhe ta pastroni gabimin nga ‘dokumentet’ tuaja dhe nga kompjuteri. Në krahasim me këtë ilustrim, njerëzimi ka marrë një «virus», mëkatin nga Adami dhe Eva e, për këtë arsye, nevojitet ndihmë jashtë sferës njerëzore për ta eliminuar atë. (Romakëve 5:12) Sipas Biblës, Perëndia mori masa për këtë pastrim me anë të vdekjes së Jezuit. Kjo është një masë e dashur, nga e cila ne mund të nxjerrim dobi.​—1. Korintasve 15:22.

Çmueshmëria për atë që bëri Jezui e shtyu Pjetrin «për të jetuar kohën që mbetet në mish jo më në pasionet e njerëzve, por sipas vullnetit të Perëndisë». Për Pjetrin, si edhe për ne, kjo do të thoshte të shmangte zakonet korruptuese dhe stilin imoral të jetesës. Të tjerët mund të përpiqen t’i shkaktojnë probleme personit që synon të jetojë «sipas vullnetit të Perëndisë». Megjithatë ai person do ta shohë se jeta e tij do të bëhet më e pasur, më domethënëse. (1. Pjetrit 4:1-3, 7-10, 15, 16) Kështu ndodhi me Pjetrin dhe mund të jetë kështu edhe për ne, ndërsa ‘ia besojmë shpirtrat tanë atij, si te Krijuesi besnik, duke bërë të mirën’.​—1. Pjetrit 4:19.

Një dishepull që kuptoi dashurinë

Apostulli Gjon ishte një dishepull tjetër që u shoqërua nga afër me Jezuin e që, për këtë arsye, mund të na ndihmojë ta kuptojmë më plotësisht Krijuesin. Gjoni shkroi një nga ungjijtë dhe tri letra (1, 2, dhe 3. Gjonit). Në një nga letrat ai na ofron këtë kuptueshmëri: «Ne e dimë se Biri i Perëndisë erdhi dhe na dha kapacitetin intelektual, që ne të fitojmë njohuri për të vërtetin [Krijuesin]. Me anë të Birit të tij, Jezu Krishtit, ne jemi në unitet me të vërtetin. Ky është Perëndia i vërtetë dhe jeta e përhershme.»​—1. Gjonit 5:20, BR.

Marrja e njohurisë nga ana e Gjonit mbi «të vërtetin» përfshinte futjen në punë të ‘kapacitetit intelektual’. Çfarë shquajti Gjoni mbi cilësitë e Krijuesit? «Perëndia është dashuri,—shkroi Gjoni,—dhe ai që qëndron në dashuri qëndron në Perëndinë.» Pse mund të ishte i sigurt Gjoni për këtë? «Në këtë është dashuria: jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por që ai na ka dashur ne dhe dërgoi Birin e tij për shlyerjen e mëkateve tona.» (1. Gjonit 4:10, 16) Siç ndodhi me Pjetrin, edhe Gjoni u prek nga dashuria e Perëndisë që u tregua me dërgimin e Birit të tij, i cili vdiq në dobinë tonë.

Gjoni, duke qenë shumë afër me Jezuin, mund t’i kuptonte ndjenjat e tij. Një rast në Betani, afër Jeruzalemit, i la mbresa të thella Gjonit. Pasi kishte marrë një raport se miku i tij, Llazari, ishte shumë sëmurë, Jezui udhëtoi për në Betani. Kur ai dhe apostujt e tij mbërritën atje, Llazari kishte të paktën katër ditë që kishte vdekur. Gjoni e dinte se Krijuesi, Burimi i jetës njerëzore, e fuqizonte Jezuin. Prandaj, a mund ta ringjallte Jezui Llazarin? (Luka 7:11-17; 8:41, 42, 49-56) Jezui i tha motrës së Llazarit, Martës: «Yt vëlla do të ringjallet.»​—Gjoni 11:1-23.

Pastaj Gjoni pa motrën tjetër të Llazarit, Marinë, që po vinte të takonte Jezuin. Si reagoi Jezui? Ai «rënkoi në frymë dhe u turbullua». Për të përshkruar reagimin e Jezuit, Gjoni përdori një fjalë greke (e përkthyer «rënkoj» në shqip) që kishte kuptimin e ndjenjave të thella, të shprehura vetvetiu nga zemra. Gjoni mundi të kuptonte se Jezui ishte ‘i turbulluar’, kishte një trazirë të brendshme, një trishtim të madh. Jezui nuk ishte indiferent apo i ftohtë. Ai «shpërtheu në lot». (Gjoni 11:30-37, BR) Qartë, Jezui kishte ndjenja të thella e të buta, të cilat e ndihmuan Gjonin për të kuptuar ndjenjat e Krijuesit dhe duhet të na ndihmojnë në mënyrë të ngjashme edhe ne.

Gjoni e dinte se ndjenjat e Jezuit ishin të lidhura me veprime pozitive, sepse ai dëgjoi Jezuin të thërriste: «Llazar, eja jashtë!» Dhe kështu ndodhi. Llazari u rikthye në jetë dhe doli nga varri. Çfarë gëzimi duhet t’i ketë sjellë kjo gjë motrave të tij dhe të pranishmëve të tjerë që po shihnin! Pas kësaj shumë persona vunë besim në Jezuin. Armiqtë e tij nuk mund ta mohonin se ai kishte kryer këtë ringjallje, por kur lajmi për këtë ngjarje u përhap, ata «vendosën ta vrasin edhe Llazarin», si edhe Jezuin.​—Gjoni 11:43; 12:9-11.

Bibla e përshkruan Jezuin si ‘paraqitjen e saktë të vetë qenies së Krijuesit’. (Hebrenjve 1:3, BR) Prandaj, shërbimi i Jezuit siguron prova të mjaftueshme të dëshirës intensive që ka ai dhe Ati i tij për të zhbërë pasojat shkatërruese të sëmundjeve dhe të vdekjes. Dhe kjo gjë përfshin shumë më tepër se ringjalljet e dokumentuara në Bibël. Në fakt, Gjoni ishte i pranishëm dhe e dëgjoi Jezuin kur tha: «Po vjen ora kur të gjithë ata që janë nëpër varre [përkujtimore, BR] do ta dëgjojnë zërin e tij [të Birit] dhe do të dalin.» (Gjoni 5:28, 29) Vini re se në vend të fjalës së zakonshme varr, Gjoni këtu përdori një fjalë që përkthehet «varret përkujtimore». Pse?

Këtu përfshihet kujtesa e Perëndisë. Sigurisht që Krijuesi i universit kolosal mund të kujtojë çdo hollësi të secilit prej të dashurve tanë të vdekur, duke përfshirë karakteristikat, si ato të trashëguara, ashtu edhe ato të fituara. (Krahaso Isainë 40:26.) Dhe fakti nuk është thjesht se ai mund të kujtojë. Qoftë ai, qoftë Biri i tij dëshirojnë të kujtojnë. Për sa i përket perspektivës së mrekullueshme të ringjalljes, Jobi besimplotë tha për Perëndinë: «Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë? . . . [Ti Jehova] do të më thërrisje dhe unë do të të përgjigjesha. Ti do të kishe një dëshirë të madhe për veprën e duarve të tua.» (Jobi 14:14, 15; Marku 1:40-42) Sa Krijues të mrekullueshëm kemi, të denjë për adhurimin tonë!

Jezui i ringjallur: Çelësi për një jetë domethënëse

Dishepulli i dashur Gjon e ndoqi nga afër Jezuin deri në vdekjen e Tij. Më tepër se kaq, Gjoni dokumentoi ringjalljen më të madhe që ka ndodhur ndonjëherë, një ngjarje që vendos themel të qëndrueshëm për pasjen e një jete të përhershme e domethënëse.

Armiqtë e Jezuit e ekzekutuan atë, duke e gozhduar në një shtyllë si një kriminel të rëndomtë. Të pranishmit që vëzhgonin, duke përfshirë edhe udhëheqësit fetarë, e përqeshnin, ndërsa vuante me orë të tëra. Megjithëse ishte në agoni në shtyllë, Jezui pa nënën e vet dhe i tha asaj në lidhje me Gjonin: «O grua, ja biri yt!» Në atë kohë Maria duhet të ketë qenë e ve dhe fëmijët e tjerë të saj nuk ishin ende dishepuj. * Kështu, Jezui ia besoi kujdesjen për nënën e tij të moshuar dishepullit të tij, Gjonit. Kjo, edhe një herë, pasqyroi mënyrën e të menduarit të Krijuesit, i cili inkurajon kujdesjen për të vejat dhe jetimët.​—Gjoni 7:5; 19:12-30; Marku 15:16-39; Jakobit 1:27.

Por, pasi kishte vdekur, si mund ta kryente Jezui rolin e tij si «fara», nëpërmjet së cilës «tërë kombet e tokës do të bekohen»? (Zanafilla 22:18) Me vdekjen e tij, atë pasdite prilli të vitit 33 të e.s., Jezui e dha jetën si bazë për shpërblerjen. Ati i tij i ndjeshëm duhet të jetë lënduar nga agonia që përjetoi Biri i tij i pafajshëm. Por në këtë mënyrë, u mor masa për çmimin e shpërblerjes që duhej paguar për ta liruar njerëzimin nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes. (Gjoni 3:16; 1. Gjonit 1:7) Ishte hedhur themeli për një finale madhështore.

Për shkak se Jezu Krishti luan një rol qendror në kryerjen e qëllimeve të Perëndisë, ai duhej të rikthehej në jetë. Kjo ndodhi dhe Gjoni ishte dëshmitar në atë ngjarje. Në fillim të ditës së tretë pas vdekjes dhe varrimit të Jezuit, disa dishepuj, gra, shkuan te varri. Ai ishte bosh. Kjo gjë i ngatërroi ato, derisa Jezui iu shfaq disave prej tyre. Maria Magdalena raportoi se e kishte parë Zotërinë, por dishepujt nuk e pranuan dëshminë e saj. Më vonë dishepujt u mblodhën në një dhomë të kyçur dhe Jezui u shfaq përsëri, madje bisedoi me ta. Brenda disa ditëve, mbi 500 burra e gra u bënë dëshmitarë okularë se Jezui ishte vërtet i gjallë. Njerëzit e asaj kohe që mund të ishin skeptikë, kishin mundësi të intervistonin këta dëshmitarë të besueshëm dhe të verifikonin dëshminë e tyre. Të krishterët mund të ishin të sigurt se Jezui kishte qenë ringjallur dhe ishte i gjallë si një krijesë frymore ngjashëm Krijuesit. Dëshmitë për këtë ishin kaq të bollshme dhe të besueshme, saqë shumë veta përballuan vdekjen në vend se të mohonin që Jezui kishte qenë ringjallur.​—Gjoni 20:1-29; Luka 24:46-48; 1. Korintasve 15:3-8. *

Edhe apostulli Gjon vuajti persekutime sepse dha dëshmi rreth ringjalljes së Jezuit. (Zbulesa 1:9) Por kur ishte i syrgjynosur, ai mori një shpërblim të pazakontë. Jezui i dha atij një seri vizionesh që na e zbulojnë më qartë Krijuesin dhe zbulojnë se çfarë do të sjellë e ardhmja. Këtë do ta gjeni në librin e Zbulesës, i cili përdor shumë simbolizma. Jezu Krishti përshkruhet këtu si një Mbret fitimtar, i cili së shpejti do të përfundojë fitoren mbi armiqtë e tij. Këta armiq përfshijnë vdekjen (një armik i të gjithëve ne) dhe krijesën e korruptuar frymore të quajtur Satana.​—Zbulesa 6:1, 2; 12:7-9; 19:19–20:3, 13, 14.

Afër fundit të mesazhit të tij apokaliptik, Gjoni pati një vizion të kohës kur toka do të bëhet një parajsë. Një zë përshkroi kushtet që do të mbizotërojnë atëherë: «Vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta [njerëzimin]. Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan.» (Zbulesa 21:3, 4) Në kryerjen e qëllimit të Perëndisë, premtimi që Perëndia i bëri Abrahamit do të përmbushet.​—Zanafilla 12:3; 18:18.

Jeta atëherë do të jetë një ‘jetë e vërtetë’, e cila mund të krahasohet me atë që shtrihej përpara Adamit kur u krijua. (1. Timoteut 6:19, DSF) Njerëzimi nuk do të kërkojë më verbërisht për të gjetur Krijuesin e tij dhe për të kuptuar marrëdhënien e tij me të. Megjithatë, fare mirë ju mund të pyetni: ‘Kur do të ndodhë kjo gjë? Dhe përse Krijuesi ynë që interesohet për ne lejon të ligën dhe vuajtjet të ekzistojnë deri në këtë kohë?’ Le t’i shqyrtojmë në vazhdim këto pyetje.

[Shënimet]

^ par. 5 Mateu, Marku dhe Gjoni ishin dëshmitarë okularë. Luka u bëri një studim akademik dokumenteve dhe dëshmive të dorës së parë. Ungjijtë mbartin vulën e dokumentimeve të ndershme, të sakta dhe të besueshme.​—Shiko Një libër për të gjithë njerëzit, faqet 16-17, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

^ par. 6 Kurani thotë: «Emri i të cilit është Mesih, Isa (Jezu), bir i Merjemes (Marisë), i famshëm në dynja e ahiret.» (Sura 3:45) Si njeri, Jezui ishte biri i Marisë. Por cili baba ishte përgjegjës? Kurani vëren: «Çështja e Isait(Jezuit) tek Allahu (Perëndia) është sikurse çështja e Ademit (Adamit).» (Sura 3:59) Shkrimet e Shenjta flasin për Adamin si një «bir i Perëndisë». (Luka 3:23, 38) As Adami, as Jezui nuk kanë pasur një baba njerëzor, asnjëri nuk erdhi si rezultat i marrëdhënieve seksuale me një grua. Në përputhje me këtë, ashtu si Adami ishte një bir i Perëndisë, ashtu ishte dhe Jezui.

^ par. 15 Qëndrimi i Jezuit përputhet me atë të Jehovait, siç përshkruhet në Psalmet 103 dhe në Isainë 1:18-20.

^ par. 45 Të paktën dy prej tyre më vonë u bënë dishepuj dhe shkruan letra inkurajimi që gjenden në Bibël, Jakobi dhe Juda.

^ par. 47 Një oficer i lartë romak dëgjoi dëshminë okulare të Pjetrit: «Ju e dini se ç’ka ndodhur në mbarë Judenë . . . Perëndia e ringjalli të tretën ditë dhe e bëri që ai të dëftohet . . . Ai na urdhëroi t’i predikojmë popullit dhe të dëshmojmë se ai është ai që Perëndia e ka caktuar si gjykatës të të gjallëve dhe të të vdekurve.»​—Veprat 2:32; 3:15; 10:34-42.

[Kutia në faqen 150]

Ju mund të keni dëshirë të krahasoni tregimet paralele të shërimit që i bëri Jezui vjehrrës së Pjetrit. (Mateu 8:14-17; Marku 1:29-31; Luka 4:38, 39) Mjeku Luka përfshiu hollësinë mjekësore se atë e kishin zënë «ethet e forta». Çfarë e fuqizoi Jezuin për të shëruar atë grua dhe njerëz të tjerë? Luka pranoi se «fuqia e Zotit [Jehovait, BR] ishte me të [Jezuin], që të kryente shërime».​—Luka 5:17; 6:19; 9:43.

[Kutia në faqen 152]

Predikimi më i madh që është bërë ndonjëherë

Udhëheqësi hinduist Mohandas Gandi citohet se ka thënë që, duke ndjekur mësimet e këtij predikimi, «ne do të kemi zgjidhur problemet . . . e botës mbarë». Antropologu i shquar Ashli Montagu shkroi se zbulimet moderne rreth rëndësisë psikologjike të dashurisë janë vetëm «një vërtetim» i këtij predikimi.

Këta burra po i referoheshin Predikimit në Mal të Jezuit. Gandi tha, gjithashtu, se «mësimi i Predikimit u dha për secilin prej nesh». Profesori Hans Diter Bets kohët e fundit vërejti: «Ndikimet e ushtruara nga Predikimi në Mal zakonisht i tejkalojnë shumë kufijtë e judaizmit dhe të krishterimit ose madje edhe të kulturës perëndimore.» Ai shtoi se ky predikim ka «një tërheqje universale në mënyrë unike».

Pse të mos e lexoni këtë fjalim të shkurtër, por magjepsës? Do ta gjeni në librin e Mateut, kapitujt nga 5 deri në 7 dhe në librin e Lukës 6:20-49. Ja disa pika kryesore që mund të nxjerrim nga predikimi më i madh:

Si të jemi të lumtu​r—Mateu 5:3-12; Luka 6:20-23.

Si të ruajmë respektin për veten​—Mateu 5:14-16, 37; 6:2-4, 16-18; Luka 6:43-45.

Si të përmirësojmë marrëdhëniet me të tjerët​—Mateu 5:22-26, 38-48; 7:1-5, 12; Luka 6:27-38, 41, 42.

Si të pakësojmë problemet martesore​—Mateu 5:27-32.

Si ta përballojmë ankthin​—Mateu 6:25-34.

Si të njohim mashtrimin fetar​—Mateu 6:5-8, 16-18; 7:15-23.

Si të gjejmë domethënien e jetës​—Mateu 6:9-13, 19-24, 33; 7:7-11, 13, 14, 24-27; Luka 6:46-49.

[Kutia në faqen 159]

Njeri i veprimit

Jezu Krishti nuk ishte një eremit pasiv. Ai ishte një njeri i vendosur i veprimit. Ai udhëtoi «nëpër fshatra përreth e i mësonte», duke i ndihmuar njerëzit që ishin «të lodhur e të shpërndarë si delet pa bari». (Marku 6:6; Mateu 9:36; Luka 8:1) Ndryshe nga shumë udhëheqës fetarë sot, Jezui nuk grumbulloi pasuri, ai ‘nuk kishte as ku të mbështeste kokën’.​—Mateu 8:20.

Edhe pse Jezui i përqendroi përpjekjet e tij mbi shërimin dhe ushqimin frymor, ai nuk shpërfilli nevojat fizike të njerëzve. Ai shëroi të sëmurët, të gjymtët dhe të demonizuarit. (Marku 1:32-34) Në dy raste ai ushqeu mijëra dëgjues të tij të etshëm, sepse ndjeu mëshirë për ta. (Marku 6:35-44; 8:1-8) Motivi që e shtynte atë të kryente mrekulli ishte interesimi për njerëzit.​—Marku 1:40-42.

Jezui veproi në mënyrë të vendosur kur pastroi tempullin nga tregtarët lakmitarë. Ata që e vështronin kujtuan fjalët e psalmistit: «Zelli i shtëpisë sate më ka përpirë!» (Gjoni 2:14-17) Ai nuk i kurseu fjalët kur dënoi udhëheqësit hipokritë fetarë. (Mateu 23:1-39) As nuk iu nënshtrua presionit të njerëzve të rëndësishëm nga ana politike.​—Mateu 26:59-64; Gjoni 18:33-37.

Do të rrëqetheni kur të lexoni për shërbimin dinamik të Jezuit. Shumë veta që e lexojnë këtë pjesë për herë të parë, e nisin me tregimin e shkurtër, por të gjallë të Markut në lidhje me këtë njeri të veprimit.

[Kutia në faqen 164]

Jezui i nxiti të vepronin

Në librin e Veprave mund të gjejmë një dokumentim historik se si Pjetri, Gjoni dhe të tjerët dhanë dëshmi për ringjalljen e Jezuit. Një pjesë e madhe e librit tregon ngjarje që përfshijnë një studiues inteligjent të ligjit me emrin Saul apo Pavël, i cili e kishte kundërshtuar me dhunë krishterimin. Jezui i ringjallur iu shfaq atij. (Veprat 9:1-16) Duke pasur prova të padiskutueshme se Jezui ishte gjallë në qiell, pas kësaj ngjarjeje Pavli dëshmoi me zell për këtë fakt te hebrenjtë dhe johebrenjtë, duke përfshirë filozofët dhe sundimtarët. Leximi mbi atë që ai u tha këtyre burrave të arsimuar e me pushtet, të lë mbresa.​—Veprat 17:1-3, 16-34; 26:1-29.

Gjatë një periudhe prej disa dekadash, Pavli shkroi shumë libra të pjesës që quhet Besëlidhja e Re apo Shkrimet e Krishtere Greke. Shumica e versioneve të Biblës kanë një tabelë përmbajtjeje apo një listë të librave. Pavli shkroi 14 prej tyre, nga letra drejtuar Romakëve deri në letrën drejtuar Hebrenjve. Këto libra siguruan të vërteta të thella dhe udhëheqje të mençur për të krishterët e atëhershëm. Ato janë akoma më të vlefshme për ne që na mungon mundësia e drejtpërdrejtë për të takuar apostujt dhe dëshmitarët e tjerë okularë të mësimeve, veprave dhe ringjalljes së Jezuit. Do të shihni se shkrimet e Pavlit mund t’ju ndihmojnë në jetën familjare, në marrëdhëniet tuaja me kolegët e fqinjët dhe për t’i dhënë drejtim jetës suaj, në mënyrë që të ketë një domethënie të vërtetë dhe t’ju sjellë kënaqësi.

[Figura në faqen 146]

Shkencëtarët arrijnë të kryejnë fekondimin in vitro. Krijuesi e transferoi jetën e Birit të tij, me qëllim që të bëhej njeri

[Figura në faqen 148]

Shumë persona që dëgjuan Jezuin dhe panë se si i trajtoi ai njerëzit, arritën ta njohin më mirë Atin e tij

[Figura në faqen 154]

Jezui u lau këmbët apostujve, duke lënë një model përulësie që Krijuesi e çmon

[Figura në faqen 157]

Një gabim kompjuteri (ose një virus) mund të pastrohet nga sistemi; njerëzimi ka nevojë për shpërblerjen e Jezuit që të çlirohet nga papërsosmëria e trashëguar

[Figura në faqen 163]

Dëshmitarë okularë e panë Jezuin tek e vendosnin në një varr (si ky këtu). Ai u ngrit në jetë në ditën e tretë