Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një dokumentacion i lashtë krijimi: A mund t’i besoni?

Një dokumentacion i lashtë krijimi: A mund t’i besoni?

Kapitulli Gjashtë

Një dokumentacion i lashtë krijimi: A mund t’i besoni?

«KUSH mund ta thotë nga erdhi gjithçka dhe si ndodhi krijimi?» Këtë pyetje e gjeni në poemën «Kënga e Krijimit». E thurur në sanskritishte mbi 3.000 vjet më parë, ajo është pjesë e librit Rig-Veda, një libër i shenjtë hinduist. Poeti kishte dyshim nëse edhe perënditë e shumta hinduiste mund ta dinin «si ndodhi krijimi», pasi «vetë perënditë erdhën më vonë sesa krijimi».​—Kursivi është yni.

Shkrime nga Babilonia dhe Egjipti ofrojnë mite të ngjashme rreth lindjes së perëndive të tyre në një univers që tashmë ekzistonte. Megjithatë, një pikë kyçe është që ato mite nuk mund të thonë se nga erdhi universi fillestar. Por ju do të shihni se një dokumentacion mbi krijimin është i ndryshëm nga të tjerët. Ky dokumentacion i veçantë, Bibla, fillon me fjalët: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.»​—Zanafilla 1:1.

Moisiu e shkroi këtë pohim të thjeshtë e të gjallë gati 3.500 vjet më parë. Ai përqendrohet në një Krijues, Perëndinë, i cili tejkalon universin material, sepse ai e bëri atë dhe për këtë arsye ka ekzistuar para universit. I njëjti libër mëson se «Perëndia është Frymë», gjë që do të thotë se ai ekziston në një formë që sytë tanë nuk mund ta shohin. (Gjoni 4:24) Një ekzistencë e tillë ndoshta konceptohet më shumë sot, meqenëse shkencëtarët kanë arritur të përshkruajnë yje të fuqishme neutronike dhe vrimat e zeza në hapësirë, objekte të padukshme që diktohen nga efektet që ato prodhojnë.

Në mënyrë domethënëse, Bibla raporton: «Dhe ka trupa qiellorë dhe trupa tokësorë, por tjetër është lavdia e trupave qiellorë e tjetër e atyre të tokës.» (1. Korintasve 15:40, 44) Trupat qiellorë këtu nuk i referohen materies së padukshme kozmike që studiojnë astronomët. «Trupat qiellorë» të përmendur janë trupa frymorë inteligjentë. ‘Kush, përveç Krijuesit,—mund të pyesni ju,—ka një trup frymor?’

Krijesa qiellore të padukshme

Sipas dokumentacionit biblik sfera e dukshme e gjërave nuk ishte gjëja e parë që u krijua. Ky dokumentacion i lashtë i krijimit raporton se hapi i parë i krijimit ishte sjellja në ekzistencë e një personi tjetër frymor, Biri i parëlindur. Ai ishte «i parëlinduri i çdo krijese» ose «fillimi i krijesës së Perëndisë». (Kolosianëve 1:15; Zbulesa 3:14) Ky individ i parë që u krijua, ishte unik.

Ai ishte krijimi i vetëm që Perëndia e bëri drejtpërdrejt dhe u pajis me mençuri të madhe. Në fakt, një shkrimtar i mëvonshëm, një mbret i famshëm për mençurinë e vet, e përshkroi këtë Bir si «një kryemjeshtër», i cili u përdor në të gjitha veprat e mëpasshme të krijimit. (Fjalët e urta 8:22, 30, BR; shiko, gjithashtu, Hebrenjve 1:1, 2.) Shkrimtari i shekullit të parë, i quajtur Pavël, shkroi për të: «Në të u krijuan të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato mbi dhe, gjërat që duken dhe ato që nuk duken.»​—Kolosianëve 1:16; krahaso Gjonin 1:1-3.

Çfarë janë gjërat e padukshme në qiej që Krijuesi i solli në ekzistencë me anë të këtij Biri? Ndërsa astronomët raportojnë për miliarda yje dhe vrima të zeza të padukshme, këtu Bibla i referohet qindra miliona krijesave frymore, me trupa frymorë. ‘Pse,—mund të pyesin disa,—u krijuan këto qenie inteligjente, të padukshme?’

Ashtu si një studim i universit mund t’u përgjigjet disa pyetjeve rreth Shkakut të tij, një studim i Biblës mund të na sigurojë informacionin e rëndësishëm rreth Autorit të saj. Për shembull, Bibla na thotë se ai është «Perëndia i lumtur», qëllimet dhe veprimet e të cilit pasqyrojnë dashurinë. (1. Timoteut 1:11, BR; 1. Gjonit 4:8) Pra, në mënyrë logjike ne mund të nxjerrim përfundimin se Perëndia zgjodhi të kishte shoqërinë e personave të tjerë frymorë inteligjentë që, gjithashtu, mund ta gëzonin jetën. Secili prej tyre do të kishte një punë të kënaqshme që ishte reciprokisht e dobishme dhe i kontribuonte qëllimit të Krijuesit.

Asgjë nuk na sugjeron se këto krijesa frymore duhet të ishin si robotë në bindjen ndaj Perëndisë. Përkundrazi, ai i pajisi ata me inteligjencë dhe me vullnet të lirë. Tregimet biblike e shprehin qartë se Perëndia inkurajon lirinë e mendimit dhe lirinë e veprimit, i sigurt se këto nuk përbëjnë asnjë kërcënim të qëndrueshëm për paqen dhe për harmoninë në univers. Pavli, duke përdorur emrin personal të Krijuesit, siç gjendet në Biblën hebraike, shkroi: «Tani, Jehovai është Fryma dhe atje ku është fryma e Jehovait, ka liri.»​—2. Korintasve 3:17, BR.

Gjërat e dukshme në qiejt

Çfarë janë gjërat e dukshme që krijoi Perëndia nëpërmjet Birit të tij të parëlindur? Ato përfshijnë diellin tonë dhe miliardat e tjerë të yjeve dhe të materialeve që përbëjnë universin. A na jep ndonjë ide Bibla se si i prodhoi Perëndia të gjitha këto nga asgjë? Le ta shqyrtojmë, duke e parë Biblën nën dritën e shkencës moderne.

Në shekullin e 18-të, shkencëtari Antuan Loran Lavuazie studioi peshën e materies. Ai vërejti se pas një reaksioni kimik, pesha e produktit ishte e barabartë me peshën e përbërësve fillestarë të marrë së bashku. Për shembull, nëse një letër digjej në prani të oksigjenit, hiri dhe gazet që përftoheshin peshonin njësoj sa letra dhe oksigjeni fillestar. Lavuaziei propozoi një ligj, ‘ruajtjen e masës ose të materies’. Në vitin 1910, një enciklopedi (The Encyclopædia Britannica) shpjegoi: «Materia as mund të krijohet, as mund të shkatërrohet.» Ky pohim u duk i arsyeshëm, të paktën në atë kohë.

Megjithatë, shpërthimi i një bombe atomike mbi qytetin japonez të Hiroshimës më 1945, ekspozoi publikisht një të çarë në ligjin e Lavuazieit. Gjatë një shpërthimi të tillë të një mase superkritike uraniumi, formohen lloje të ndryshme të materies, por masa e tyre e kombinuar është më e vogël sesa ajo e uraniumit fillestar. Pse kjo humbje? Ndodh, sepse një pjesë e masës së uraniumit shndërrohet në një shpërthim intensiv mahnitës energjie.

Një problem tjetër në ligjin e Lavuazieit mbi ruajtjen e materies u ngrit në vitin 1952, me hedhjen në erë të një mjeti termobërthamor (bomba me hidrogjen). Në atë shpërthim, atomet e hidrogjenit u kombinuan për të formuar heliumin. Megjithatë, masa e heliumit që u përftua ishte më e vogël sesa ajo e hidrogjenit fillestar. Një pjesë e masës së hidrogjenit ishte shndërruar në energji shpërthimi, një shpërthim shumë më shkretues sesa bomba e hedhur mbi Hiroshimë.

Siç provuan këto shpërthime, një sasi e vogël materieje është ekuivalenti i një sasie kolosale energjie. Kjo marrëdhënie mes materies dhe energjisë shpjegon fuqinë e diellit, i cili na mban gjallë dhe të shëndetshëm. Çfarë është kjo marrëdhënie? Mirë, pra, më 1905, afro 40 vjet para shpërthimit të bombës, Ajnshtajni kishte parathënë një marrëdhënie mes materies dhe energjisë. Shumë janë në dijeni të ekuacionit të tij E=mc2. * Pasi Ajnshtajni formuloi atë marrëdhënie, shkencëtarët e tjerë mundën të shpjegonin se si kishte vazhduar të ndriçonte dielli për miliarda vite. Brenda diellit, ndodhin reaksione të vazhdueshme termobërthamore. Në këtë mënyrë, çdo sekondë, dielli shndërron rreth 564 milionë tonë hidrogjen në 560 milionë tonë helium. Kjo do të thotë se afro 4 milionë tonë materie transformohen në energji diellore, një fraksion i së cilës arrin tokën dhe mbështet jetën.

Në mënyrë domethënëse, është e mundur të bëhet edhe procesi i prapësueshëm. «Energjia shndërrohet në materie kur grimcat elementare përplasen me shpejtësi të madhe dhe krijojnë grimca të reja, më të rënda»,—shpjegon një enciklopedi (The World Book Encyclopedia). Shkencëtarët e kryejnë këtë në një shkallë të kufizuar, duke përdorur makina gjigande, të quajtura përshpejtues grimcash, në të cilat grimcat elementare të atomeve përplasen me shpejtësi fantastike, duke krijuar materien. «Ne po përsëritim një nga mrekullitë e universit, transformimin e energjisë në materie»,—shpjegon fituesi i çmimit Nobel, fizikani dr. Karlo Rubia.

‘Vërtet,—mund të thotë ndonjë,—por ç’lidhje ka kjo me dokumentacionin e krijimit që mund të lexoj në Bibël?’ Mirë, Bibla nuk është një libër shkencor në vetvete, e megjithatë ajo ka provuar se është e përditësuar dhe në harmoni me faktet shkencore. Që nga fillimi e deri në fund, Bibla vë theksin mbi Atë që krijoi të gjithë materien në univers, Shkencëtarin më të shquar. (Nehemia 9:6; Veprat 4:24; Zbulesa 4:11) Dhe ajo tregon qartësisht marrëdhënien mes energjisë dhe materies.

Për shembull, Bibla i fton lexuesit që të bëjnë këtë gjë: «Ngriji sytë lart dhe shiko: Kush i ka krijuar këto gjëra? Është ai që e nxjerr ushtrinë e tyre madje sipas numrit, të cilat ai i thërret të gjitha në emër. Për shkak të bollëkut të energjisë së tij dinamike, duke qenë se ai është edhe energjik në fuqi, asnjë nga ato nuk mungon.» (Isaia 40:26, BR) Po, Bibla po thotë se një burim energjie marramendëse dinamike, Krijuesi, shkaktoi që universi material të vinte në ekzistencë. Kjo është plotësisht në harmoni me teknologjinë moderne. Mjafton kjo arsye që dokumentacioni biblik i krijimit të meritojë respektin tonë më të thellë.

Pasi krijoi në qiej gjëra të padukshme dhe të dukshme, Krijuesi dhe Biri i tij i parëlindur u përqendruan mbi tokën. Nga erdhi ajo? Shumëllojshmëria e elementeve kimike që përbëjnë planetin tonë mund të jetë prodhuar drejtpërdrejt nga transformimi i energjisë së pakufishme dinamike të Perëndisë në materie, për të cilin shkencëtarët e sotëm thonë se është e mundur të bëhet. Ose, siç besojnë shumë shkencëtarë, toka mund të ketë qenë formuar nga materia e hedhur gjatë shpërthimit të një supernove. Por përsëri, kush mund të thotë nëse mund të ketë pasur një kombinim metodash, ato të sapopërmendura dhe të tjera që shkencëtarët nuk i kanë zbuluar akoma? Cilido të ketë qenë mekanizmi, Krijuesi është Burimi dinamik i elementeve që përbëjnë tokën tonë, duke përfshirë të gjitha mineralet që janë thelbësorë për mbajtjen tonë në jetë.

Ju mund ta kuptoni se themelimi i tokës do të ketë përfshirë shumë më tepër sesa furnizimin e të gjitha materialeve në përpjestimet e drejta. Përmasat e tokës, rrotullimi dhe largësia e saj nga dielli, si edhe prirja e boshtit dhe forma pothuaj rrethore e orbitës së saj përreth diellit, duhej të ishin, gjithashtu, saktësisht të drejta, pikërisht siç janë. Është e qartë se Krijuesi i vuri në veprim ciklet natyrore që e bëjnë planetin tonë të përshtatshëm për të mbështetur një bollëk jete. Ne kemi çdo arsye për t’u mrekulluar nga e gjithë kjo. Por imagjinoni reagimin e bijve frymorë qiellorë kur shihnin prodhimin e tokës dhe të jetës mbi të! Një libër biblik thotë se ata «këndonin të gjithë së bashku» dhe «lëshonin britma gëzimi».​—Jobi 38:4, 7.

Të kuptojmë kapitullin 1 të Zanafillës

Kapitulli i parë i Biblës jep hollësi të pjesshme të disa hapave jetësorë që ndërmori Perëndia për ta përgatitur tokën për gëzimin njerëzor. Kapitulli nuk jep çdo hollësi; kur lexojmë atë, ne nuk duhet të shqetësohemi nëse ai heq hollësi që sidoqoftë lexuesit e lashtë nuk do t’i kishin kuptuar. Për shembull, duke shkruar atë kapitull, Moisiu nuk raportoi funksionin e algave apo baktereve mikroskopike. Këto forma jete u panë për herë të parë nga njerëzit pas shpikjes së mikroskopit, në shekullin e 16-të. Moisiu nuk raportoi në mënyrë specifike as mbi dinozaurët, ekzistenca e të cilëve u deduktua nga fosilet në shekullin e 19-të. Në vend të kësaj, Moisiu u frymëzua të përdorte fjalë që mund të kuptoheshin nga njerëzit e ditëve të tij, por fjalë që ishin të sakta në të gjithë atë që shprehnin mbi krijimin e tokës.

Ndërsa lexoni kapitullin 1 të Zanafillës, nga vargu 3 e më tej, do të shihni se ai është ndarë në gjashtë «ditë» krijimi. Disa pohojnë se këto ishin ditë të vërteta 24 orëshe, që do të thotë se i gjithë universi dhe jeta mbi tokë u krijuan në më pak se një javë! Megjithatë, ju mund të zbuloni me lehtësi se Bibla nuk e mëson këtë. Libri i Zanafillës u shkrua në gjuhën hebraike. Në atë gjuhë, «dita» i referohet një periudhe kohore. Ajo mund të jetë një kohë e gjatë ose një ditë e vërtetë 24 orëshe. Edhe në librin e Zanafillës për të gjashta «ditët» flitet kolektivisht si për një periudhë të gjatë, ‘ditën kur Zoti Perëndi krijoi qiellin dhe tokën’. (Zanafilla 2:4; krahaso 2. Pjetrit 3:8.) Fakti është se Bibla zbulon që «ditët» ose epokat e krijimit, përfshijnë mijëra vite.

Një person mund ta shohë këtë nga ajo që thotë Bibla mbi «ditën» e shtatë. Dokumentimi i secilës prej gjashtë «ditëve» të para mbaron duke thënë ‘erdhi mbrëmja e pastaj erdhi mëngjesi: dita e parë’, e kështu me radhë. Megjithatë, ju nuk do ta gjeni atë koment në fund të dokumentacionit mbi «ditën» e shtatë. Dhe në shekullin e parë të e.s., afro 4.000 vjet më vonë në histori, Bibla iu referua «ditës» së shtatë të pushimit, duke thënë se ajo vazhdonte akoma. (Hebrenjve 4:4-6) Kështu, «dita» e shtatë ishte një periudhë që zinte mijëra vite dhe logjikisht ne mund të nxjerrim të njëjtin përfundim rreth gjashtë «ditëve» të para.

«Dita» e parë dhe e katërt

Duket se toka ishte vendosur në orbitë përreth diellit dhe ishte një glob i mbuluar me ujë para se të fillonin gjashtë «ditët» ose periudhat e veprave të veçanta të krijimit. «Errësira mbulonte sipërfaqen e humnerës [së ujit, BR].» (Zanafilla 1:2) Në atë pikë të hershme, diçka, ndoshta një përzierje avujsh uji, gazesh dhe pluhuri vullkanik, duhet të ketë parandaluar dritën e diellit që të mbërrinte mbi sipërfaqen e tokës. Bibla e përshkruan periudhën e parë të krijimit duke thënë se «Perëndia vazhdoi të thoshte: ‘Le të ketë dritë’; dhe gradualisht drita erdhi në ekzistencë» ose arriti në sipërfaqen e tokës.​—Zanafilla 1:3; përkthim nga J. W. Uats.

Shprehja «gradualisht . . . erdhi» pasqyron me saktësi një formë të foljes hebraike që përfshihet në këtë rast, duke treguar një veprim progresiv që do kohë për t’u përfunduar. Kushdo që lexon gjuhën hebraike mund ta gjejë këtë formë afro 40 herë në kapitullin 1 të Zanafillës dhe ajo është një faktor kyç për të kuptuar kapitullin. Ajo që Perëndia filloi në mbrëmjen figurative të një periudhe apo epoke krijimi, u bë progresivisht e qartë ose e dukshme, pas mëngjesit figurativ të asaj «dite». * Gjithashtu, ajo që u nis në një periudhë nuk duhej të kompletohej medoemos plotësisht kur të fillonte periudha tjetër. Për ta ilustruar, drita gradualisht filloi të shfaqej «ditën» e parë, megjithatë vetëm në periudhën e katërt të krijimit mund të dalloheshin dielli, hëna dhe yjet.​—Zanafilla 1:14-19.

«Dita» e dytë dhe e tretë

Para se të bënte që të shfaqej toka e thatë në «ditën» e tretë të krijimit, Krijuesi ngjiti lart një masë ujërash. Si rezultat, toka u rrethua nga një shtresë avujsh uji. * Dokumentacioni i lashtë nuk i përshkruan, e nuk ka nevojë t’i përshkruajë, mekanizmat që janë përdorur. Në vend të kësaj, Bibla përqendrohet në hapësirën mes ujërave të sipërme dhe atyre në sipërfaqe. Ajo e quan këtë hapësirë qiej. Edhe sot njerëzit e përdorin këtë term për atmosferën ku fluturojnë zogjtë dhe aeroplanët. Me kalimin e kohës, Perëndia i mbushi këta qiej atmosferikë me një përzierje gazesh, të domosdoshme për jetën.

Megjithatë, gjatë «ditëve» të krijimit uji i sipërfaqes u tërhoq, e në këtë mënyrë u shfaq toka. Ndoshta duke përdorur forcat gjeologjike, të cilat i lëvizin akoma pllakat e tokës, duket se Perëndia i ka shtyrë kreshtat oqeanike për të formuar kontinentet. Kjo do të prodhonte tokë të thatë mbi sipërfaqen e ujërave dhe lugina të thella oqeanesh poshtë sipërfaqes, të cilat oqeanografët tani kanë mundur t’i hedhin në harta dhe po i studiojnë me zell. (Krahaso Psalmet 104:8, 9.) Pasi ishte formuar toka e thatë, ndodhi një zhvillim tjetër i mrekullueshëm. Lexojmë: «Pastaj Perëndia tha: ‘Të mbijë toka gjelbërimin, barërat të nxjerrin farë dhe drurët frutorë të japin në tokë një frut që të përmbajë farën e tij, secili sipas llojit të tij.’ Dhe kështu u bë.»​—Zanafilla 1:11.

Siç është diskutuar në kapitullin e mëparshëm («Mjeshtëria: Ç’ka pas kësaj vepre?»), fotosinteza është thelbësore për bimët. Qeliza e një bime të gjelbër ka një numër pjesëzash të vogla, të quajtura kloroplaste, të cilat e marrin energjinë nga drita e diellit. «Këto fabrika mikroskopike,—shpjegon një libër (Planet Earth),—prodhojnë sheqerna dhe niseshte . . . Asnjë njeri nuk ka projektuar ndonjëherë një fabrikë më të efektshme se ajo ose produktet e së cilës të jenë më shumë të kërkuara, sesa ato që bëhen në një kloroplast.»

Vërtet, jeta e ardhshme shtazore do të varej nga kloroplastet për mbijetesën e tyre. Gjithashtu, pa bimësi të gjelbër, atmosfera e tokës do të ishte tepër e pasur me dyoksid karboni dhe ne do të vdisnim nga nxehtësia dhe nga mungesa e oksigjenit. Disa specialistë japin shpjegime të habitshme për zhvillimin e jetës së varur nga fotosinteza. Për shembull, ata thonë se kur organizmat njëqelizorë që ishin në ujë filluan të mbaronin ushqimin, «disa qeliza pioniere më në fund shpikën një zgjidhje. Ato shpikën fotosintezën». Por a mund të ishte me të vërtetë ashtu? Fotosinteza është kaq e ndërlikuar saqë shkencëtarët janë akoma duke u përpjekur të zbulojnë sekretet e saj. A mendoni se jeta fotosintetike vetëriprodhuese lindi në mënyrë të pashpjegueshme dhe spontanisht? Apo ju duket më e arsyeshme të besoni se ajo ekziston si rezultat i një krijimi inteligjent e të qëllimshëm, siç raporton Zanafilla?

Shfaqja e varieteteve të reja të jetës bimore mund të mos ketë mbaruar në «ditën» e tretë të krijimit. Ajo ka mundësi të ketë vazhduar madje deri në «ditën» e gjashtë, kur Krijuesi «mbolli një kopsht në Eden» dhe «bëri që të mbijnë nga toka lloj-lloj pemësh të këndshme nga pamja dhe që jepnin fruta të mira për t’u ngrënë». (Zanafilla 2:8, 9) Dhe, siç është përmendur, atmosfera e tokës duhet të jetë bërë e qartë në «ditën» e katërt, kështu që më shumë dritë nga dielli dhe nga trupat e tjerë qiellorë ka arritur mbi planetin Tokë.

«Dita» e pestë dhe e gjashtë

Gjatë «ditës» së pestë të krijimit, Krijuesi vazhdoi të mbushte oqeanet dhe qiejt atmosferikë me një formë të re jete, «shpirtra të gjallë», të dallueshëm nga bimësia. Në mënyrë interesante, biologët, mes gjërave të tjera, flasin për mbretërinë bimore e për mbretërinë shtazore dhe i ndajnë këto në nënklasifikime. Fjala hebraike e përkthyer «shpirt» do të thotë «një që merr frymë». Bibla thotë, gjithashtu, se «shpirtrat e gjallë» kanë gjak. Prandaj, ne mund të nxjerrim përfundimin se krijesat që kanë si një aparat frymëmarrës, ashtu edhe një aparat të qarkullimit të gjakut, pra, banorët frymëmarrës të deteve dhe të qiejve, filluan të shfaqen në periudhën e pestë të krijimit.​—Zanafilla 1:20, BR; 9:3, 4, BR.

Në «ditën» e gjashtë, Perëndia i kushtoi më shumë vëmendje tokës. Ai krijoi kafshë «shtëpie» dhe kafshë «të egra», e në kohën kur Moisiu shkroi tregimin këto ishin përcaktime domethënëse. (Zanafilla 1:24) Prandaj, në këtë periudhë të gjashtë të krijimit u formuan gjitarët e tokës. Por, ç’të themi për njerëzit?

Dokumentacioni i lashtë na thotë se përfundimisht Krijuesi zgjodhi të prodhonte një formë me të vërtetë unike të jetës mbi tokë. Ai i tha Birit të tij qiellor: «Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe.» (Zanafilla 1:26) Njeriu, pra, do të pasqyronte shëmbëllimin frymor të Bërësit të tij, duke shfaqur cilësitë e Tij. Dhe njeriu do të ishte i aftë për të fituar një sasi kolosale njohurie. Në këtë mënyrë, njerëzit do të mund të vepronin me një inteligjencë që e tejkalonte atë të çdo lloj kafshe. Gjithashtu, ndryshe nga kafshët, njeriu u krijua me një kapacitet për të vepruar sipas vullnetit të vet të lirë, duke mos u kontrolluar kryesisht nga instikti.

Në dekadën e fundit, shkencëtarët i kanë studiuar gjenet njerëzore në mënyrë të zgjeruar. Duke krahasuar modelet gjenetike njerëzore përreth globit, ata panë dëshmi të qarta se të gjithë njerëzit kanë një paraardhës të përbashkët, një burim të përbashkët të ADN-së të të gjithë njerëzve që kanë jetuar ndonjëherë, duke përfshirë secilin prej nesh. Në vitin 1988, revista Newsweek i paraqiti ato zbulime në një raport të titulluar «Kërkimi për Adamin dhe Evën». Ato studime ishin bazuar në një lloj ADN-je mitokondriale, një material gjenetik që trashëgohet vetëm nga femra. Raportet në vitin 1995 rreth kërkimeve mbi ADN-në mashkullore nxorën në pah të njëjtin përfundim, që «kishte një ‘Adam’ paraardhës, materiali gjenetik i të cilit, i përqendruar në kromozomin [Y] është i njëjtë në çdo burrë që ekziston sot mbi tokë»,—siç e shpjegoi revista Time. Qofshin të sakta në çdo hollësi këto burime ose jo, ato ilustrojnë se historia që gjejmë te Zanafilla është shumë e besueshme, e ka për autor Atë që ka qenë i pranishëm në atë skenë.

Çfarë kulmi i krijimit ishte kur Perëndia mblodhi disa nga elementet e tokës për të formuar birin e tij të parë njerëzor, të cilin ai e quajti Adam! (Luka 3:38) Tregimi historik na thotë se Krijuesi i globit dhe i jetës mbi të, e vuri njeriun që kishte krijuar në një zonë ngjashëm kopshtit «me qëllim që ta punonte dhe ta ruante». (Zanafilla 2:15) Në atë kohë Krijuesi mund të ishte duke krijuar akoma lloje të reja kafshësh. Bibla thotë: «Perëndia formoi nga dheu tërë kafshët e fushës dhe tërë zogjtë e qiellit dhe i çoi te njeriu për të parë si do t’i quante; dhe sido që njeriu t’i quante qeniet e gjalla, ai do të ishte emri i tyre.» (Zanafilla 2:19) Bibla nuk lë të kuptohet në asnjë mënyrë se njeriu i parë, Adami, ishte thjesht një figurë mitologjike. Përkundrazi, ai ishte një person real, një njeri që mund të mendonte e të ndiente, i cili mund të gjente gëzim duke punuar në atë shtëpi parajsore. Çdo ditë, ai mësonte më shumë rreth asaj që kishte bërë Krijuesi i tij dhe se si ishte Ai, cilësitë e tij, personalitetin e tij.

Pastaj, pas një periudhe të paspecifikuar, Perëndia krijoi gruan e parë, që të ishte bashkëshortja e Adamit. Më tej, Perëndia u shtoi një qëllim më të madh jetës së tyre me këtë caktim domethënës: «Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën dhe nënshtrojeni e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë.» (Zanafilla 1:27, 28) Asgjë nuk mund ta ndryshojë këtë qëllim të shpallur të Krijuesit, domethënë, që e gjithë toka duhet të kthehet në një parajsë të mbushur me njerëz të lumtur që jetojnë në paqe me njëri-tjetrin dhe me kafshët.

Universi material, duke përfshirë planetin tonë dhe jetën mbi të, dëshmon qartësisht për mençurinë e Perëndisë. Për shkak të mençurisë së tij, ai patjetër mund ta parashikonte mundësinë se, me kalimin e kohës, disa njerëz mund të zgjidhnin që të vepronin në mënyrë të pavarur ose në mënyrë rebele, pavarësisht nga fakti se ai ishte Krijuesi dhe Jetëdhënësi. Një rebelim i tillë mund të ndërpriste punën e madhe të bërjes së një parajse globale. Dokumentacioni thotë se Perëndia i vuri përpara Adamit dhe Evës një provë të thjeshtë që do t’u përkujtonte nevojën për të qenë të bindur. Mosbindja, tha Perëndia, do të rezultonte në humbjen nga ana e tyre të jetës që ai u kishte dhënë. Ishte tregues interesimi nga ana e Krijuesit të paralajmëronte paraardhësit tanë të parë mbi një rrugë të gabuar, e cila do të ndikonte mbi lumturinë e të gjithë racës njerëzore.​—Zanafilla 2:16, 17.

Afër përfundimit të «ditës» së gjashtë, Krijuesi kishte bërë çdo gjë që ishte e nevojshme për përmbushjen e qëllimit të tij. Me të drejtë ai mund të shpallte se çdo gjë e kishte bërë «shumë mirë». (Zanafilla 1:31) Në këtë pikë Bibla paraqet një periudhë tjetër të rëndësishme kohore, duke thënë se Perëndia «ditën e shtatë nisi të pushojë nga e gjithë vepra që kishte kryer». (Zanafilla 2:2, BR) Pasi Krijuesi «nuk mundohet dhe nuk lodhet», pse është përshkruar se pushoi? (Isaia 40:28) Kjo tregon se ai pushoi së kryeri vepra të krijimit fizik; për më tepër, ai pushon duke ditur se asgjë, as madje rebelimi në qiell ose mbi tokë, nuk mund ta pengojë përmbushjen e qëllimit të tij të madh. Duke qenë i sigurt, Perëndia shpalli një bekim mbi «ditën» e shtatë të krijimit. Kështu, krijesat inteligjente besnike të Perëndisë, njerëzit dhe krijesat e padukshme frymore, mund të jenë të sigurt se në fund të «ditës» së shtatë, paqja dhe lumturia do të mbretërojnë kudo në univers.

A mund t’i besoni dokumentacionit të Zanafillës?

Por a mund të vini me të vërtetë besimin tuaj në këtë dokumentacion të krijimit dhe në perspektivat që ofron ai? Siç e kemi vënë re, kërkimet e gjenetikës moderne janë duke shkuar drejt përfundimit që ishte pohuar në Bibël shumë kohë më parë. Gjithashtu, disa shkencëtarë kanë vërejtur radhitjen e ngjarjeve të paraqitura në Zanafillë. Për shembull, gjeologu i njohur Uallas Prat komentoi: «Nëse mua si gjeolog do të më kërkonin t’ia shpjegoja shkurtimisht idetë tona moderne mbi origjinën e tokës dhe zhvillimin e jetës mbi të, një njeriu të thjeshtë, një bariu, siç ishin fiset të cilave iu drejtua libri i Zanafillës, vështirë se do të bëja më mirë sesa të ndiqja nga afër mënyrën e të shprehurit të kapitullit të parë të Zanafillës.» Ai vërejti, gjithashtu, se radhitja e ngjarjeve siç përshkruhet në Zanafillë për origjinën e oqeaneve dhe lindjen e tokës, si edhe shfaqjen e jetës detare, të zogjve dhe të gjitarëve, është në thelb sekuenca e ndarjeve kryesore të kohës gjeologjike.

Mendo: Si ndodhi që Moisiu, mijëra vite më parë, të formulonte këtë radhitje në mënyrë korrekte, nëse burimi i tij i informacionit nuk do të ishte nga Krijuesi dhe vetë Projektuesi?

«Me anë të besimit,—pohon Bibla,—ne perceptojmë se universi u formua nga fjala e Perëndisë, kështu që e dukshmja erdhi nga e padukshmja.» (Hebrenjve 11:3, The New English Bible) Shumë nuk janë të gatshëm ta pranojnë këtë fakt, duke parapëlqyer të besojnë në rastësinë ose në ndonjë proces të verbër që supozohet se prodhoi universin tonë dhe jetën. * Por, siç e kemi parë, ekzistojnë shumë arsye të ndryshme për të besuar se universi dhe jeta tokësore, duke përfshirë jetën tonë, e ka origjinën nga një Shkak i parë inteligjent, një Krijues, Perëndia.

Bibla pranon në mënyrë të hapur se «jo të gjithë kanë besim». (2. Thesalonikasve 3:2) Megjithatë, besimi nuk është naivitet. Besimi është i bazuar në realitete. Në kapitullin tjetër do të shqyrtojmë arsye të mëtejshme të vlefshme e bindëse se përse është e mundur të vendosim besim në Bibël dhe në Krijuesin e Madh, që interesohet për ne personalisht.

[Shënimet]

^ par. 18 Energjia baraz me masën shumëzuar me shpejtësinë e dritës në katror.

^ par. 30 Hebrenjtë e numëronin një ditë në këtë mënyrë: ajo fillonte në mbrëmje dhe vazhdonte deri në perëndimin pasues të diellit.

^ par. 32 Krijuesi mund të ketë përdorur procese natyrore për t’i ngjitur këto ujëra dhe për t’i mbajtur ato pezull. Këto ujëra ranë në tokë në ditët e Noes. (Zanafilla 1:6-8; 2. Pjetrit 2:5; 3:5, 6) Kjo ngjarje historike la një gjurmë të pashlyeshme te të mbijetuarit njerëzorë dhe pasardhësit e tyre, siç e verifikojnë antropologët. Ne e gjejmë këtë ngjarje të paraqitur në tregimet mbi Përmbytjen, të ruajtura nga popujt në mbarë botën.

^ par. 49 Për një studim të mëtejshëm të historisë së formave të jetës mbi tokë, shikoni librin Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim?, të botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

[Figura në faqen 86]

Disqet pluhurore, si ky këtu në galaksinë NGC 4261, janë dëshmi e vrimave të zeza të fuqishme që nuk mund të shihen. Bibla raporton ekzistencën, në një sferë të ndryshme, e krijesave që janë të fuqishme, por që nuk mund të shihen

[Figura në faqen 89]

Eksperimentet mbështetën teorinë shkencore se masa mund të shndërrohet në energji dhe energjia në masë

[Figura në faqen 94]

Veprat e krijimit nga «dita» e parë deri në të tretën bënë të mundur një bimësi me një shumëllojshmëri mahnitëse

[Figurat në faqen 99]

Bibla përshkruan me saktësi në terma të thjeshtë shfaqjen me sekuenca të formave të jetës mbi tokë

[Figura në faqen 101]

«Si gjeolog . . . vështirë se do të bëja më mirë sesa të ndiqja nga afër mënyrën e të shprehurit të kapitullit të parë të Zanafillës.»​—Uallas Prat