Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sa unikë jeni!

Sa unikë jeni!

Kapitulli Katër

Sa unikë jeni!

PARA se të filloni aktivitetet tuaja çdo mëngjes, a shiheni në pasqyrë për të kontrolluar pamjen tuaj të jashtme? Në atë moment ju mund të mos keni kohë për të medituar mbi gjërat. Por merrni pak kohë tani për t’u mrekulluar mbi atë që përfshihet kur hidhni këtë shikim të thjeshtë.

Sytë tuaj ju bëjnë të mundur ta shihni veten me të gjitha ngjyrat, edhe pse shikimi me ngjyra nuk është i domosdoshëm për jetën. Pozicioni i veshëve tuaj ju jep një dëgjim stereofonik, e kështu ju mund të përcaktoni vendndodhjen e burimit të tingujve, si për shembull zërin e një personi të dashur. Ne mund ta nënvlerësojmë këtë fakt, megjithatë një libër për specialistët e akustikës komenton: «Sidoqoftë, kur marrim në shqyrtim sistemin e dëgjimit të njeriut në çdo hollësi, është e vështirë të shmangim përfundimin se funksionet dhe strukturat e tij të ndërlikuara tregojnë një dorë mirëbërëse në projektimin e tij.»

Edhe hunda juaj demonstron një projektim të mrekullueshëm. Me anë të saj ju mund të thithni ajrin, i cili ju mban gjallë. Gjithashtu, ajo ka miliona receptorë të shqisave, duke ju mundësuar të kuptoni gati 10.000 nuanca erërash. Ndërsa gëzoni një vakt, hyn në lojë një shqisë tjetër. Mijëra bulëza të shijes ju përcjellin shijet. Receptorë të tjerë që ndodhen në gjuhën tuaj ju ndihmojnë të ndieni nëse i keni dhëmbët të pastër.

Po, ju keni pesë shqisa: të parët, të dëgjuarit, të nuhaturit, të shijuarit dhe të prekurit. Kuptohet, disa kafshë kanë shikim më të mprehtë natën, nuhatje më të ndjeshme ose dëgjim më të shpejtë, por ekuilibri që ka njeriu me këto shqisa është i pashoq. Në këtë aspekt, ne jemi unikë.

Por, le të konsiderojmë përse mund të nxjerrim dobi nga këto aftësi dhe mundësi. Të gjitha ato varen nga një organ prej 1,4 kilogramësh që ndodhet brenda kokës sonë: truri ynë. Kafshët kanë tru funksionues. Megjithatë, truri njerëzor është një kategori e pashoqe, duke na bërë pa dyshim unikë. Si ndodh kjo? Dhe si lidhet të qenët unikë me interesin tonë për të pasur një jetë domethënëse e të gjatë?

Truri juaj mahnitës

Për vite me radhë truri i njeriut është krahasuar me një kompjuter, por zbulimet më të fundit tregojnë se ai krahasim ka shumë mangësi. «Si mund të fillojë një person të perceptojë funksionimin e një organi që ka afërsisht 50 miliardë neurone, të cilat kanë një milion miliardë sinapse (lidhje) e që ka një ritëm të përgjithshëm impulsesh ndoshta 10 milionë miliardë herë në sekondë?»—pyeti dr. Riçard M. Restak. Cila është përgjigjja e tij? «Madje edhe veprimtaria e kompjuterëve më të përparuar me rrjet ngjashëm sistemit nervor . . . ka rreth një të dhjetëmijtat e kapacitetit mendor të një mize shtëpie.» Shqyrtoni, pra, se sa shumë prapa është një kompjuter po të krahasohet me trurin njerëzor, i cili ka epërsi në një mënyrë kaq të dallueshme.

Cili kompjuter i bërë nga njeriu mund të riparojë vetveten, të rishkruajë programin e vet ose të përmirësohet përgjatë viteve? Kur një sistem kompjuterësh ka nevojë për rregullim, një programues duhet të shkruajë dhe të futë në të udhëzime të reja të koduara. Truri ynë e bën një punë të tillë automatikisht, si në vitet e hershme të jetës së tij, ashtu edhe në moshën e thyer. Ju nuk do ta tepronit po të thoshit se kompjuterët më të përparuar janë shumë primitivë, të krahasuar me trurin. Shkencëtarët e kanë quajtur atë «struktura më e ndërlikuar që njihet» dhe «objekti më kompleks i universit». Shqyrtoni disa zbulime që i kanë shtyrë shumë persona të nxjerrin përfundimin se truri njerëzor është prodhim i një Krijuesi të kujdesshëm.

Përdoreni ose do ta humbni

Shpikje të dobishme si makinat ose aeroplanët kufizohen kryesisht nga mekanizma dhe sisteme elektrike fikse që njeriu i projekton dhe i instalon. Në kontrast, truri ynë është së paku një sistem ose mekanizëm biologjik elastik. Ai mund të vazhdojë të ndryshojë në varësi të mënyrës në të cilën përdoret ose abuzohet me të. Dy faktorë kryesorë duket se janë përgjegjës për mënyrën në të cilën truri ynë zhvillohet përgjatë jetës sonë: ajo që lejojmë të futet në të përmes shqisave tona dhe ajo që zgjedhim për të menduar.

Megjithëse faktorët e trashëgimisë mund të luajnë një rol në veprimtarinë mendore, kërkimet moderne tregojnë se truri ynë nuk përcaktohet nga gjenet në momentin e ngjizjes. «Asnjë nuk kishte imagjinuar se truri është aq i ndryshueshëm sa e njeh shkenca tani»,—shkruan autori Ronald Kotulak, fitues i çmimit Pulitzer. Pasi intervistoi më shumë se 300 kërkues ai nxori përfundimin: «Truri nuk është një organ statik, ai është një masë vazhdimisht e ndryshueshme lidhjesh të qelizave që ndikohen thellësisht nga përvoja.»​—Inside the Brain.

Megjithatë, përvojat tona nuk janë të vetmet mjete që përcaktojnë formimin e trurit tonë. Ai ndikohet, gjithashtu, nga mënyra jonë e të menduarit. Shkencëtarët shohin se truri i njerëzve që mbeten aktivë mendërisht ka deri në 40 për qind më shumë lidhje (sinapse) mes qelizave nervore (neuroneve) sesa truri i njerëzve dembelë mendërisht. Neuroshkencëtarët nxjerrin përfundimin: «Ju duhet ta përdorni ose do të humbni kapacitetin e tij. Por ç’të themi për të moshuarit? Duket se, ndërsa një person plaket, qelizat nervore mund të pësojnë disa humbje dhe mosha e thyer mund të sjellë humbjen e kujtesës. Megjithatë, humbja është shumë më e vogël sesa besohej më parë. Një raport i revistës National Geographic mbi trurin njerëzor tha: «Njerëzit e moshuar . . . ruajnë aftësinë për të prodhuar lidhje të reja dhe për t’i mbajtur në përdorim ato të vjetra përmes aktivitetit mendor.»

Zbulimet më të fundit mbi elasticitetin e trurit tonë përputhen me këshillën që gjendet në Bibël. Ai libër mençurie i nxit lexuesit që të ‘transformohen, duke e përtërirë mendjen e tyre’ ose të ‘rinovohen’ përmes «njohurisë së saktë» që çohet në mendje. (Romakëve 12:2, BR; Kolosianëve 3:10, BR) Dëshmitarët e Jehovait kanë parë se kjo gjë ka ndodhur kur njerëzit kanë studiuar Biblën dhe kanë zbatuar këshillat e saj. Me mijëra njerëz, nga i gjithë spektri i prejardhjeve shoqërore dhe arsimore, e kanë bërë këtë. Ata ruajnë identitetin e tyre personal, por janë bërë më të lumtur e më të ekuilibruar, duke shfaqur atë që një shkrimtar i shekullit të parë e quajti «mendje e shëndoshë». (Veprat 26:24, 25) Përmirësime si këto vijnë kryesisht nga përdorimi i mirë i një pjese të kores së trurit që është vendosur në pjesën ballore të kokës.

Lobi juaj ballor

Shumica e neuroneve në shtresën e jashtme të trurit, e quajtur korja trunore, nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me muskujt dhe organet shqisore. Për shembull, shqyrtoni miliardat e neuroneve që përbëjnë lobin ballor. (Shiko pikturën në faqen 56.) Skanet e trurit vërtetojnë se lobi ballor aktivizohet kur ju mendoni për një fjalë ose sillni përsëri nëpër mend kujtimet. Pjesa ballore e trurit luan një rol të veçantë në bërjen tuaj një person unik.

«Korja e përparme . . . merret më shumë me përpunimin e mendimeve, inteligjencën, motivimin dhe personalitetin. Ajo lidh përvojat e nevojshme për prodhimin e ideve abstrakte, gjykimit, qëndrueshmërisë, planifikimit, interesimit për të tjerët dhe ndërgjegjes. . . . Është përpunimi që bëhet në këtë zonë që i ndan qeniet njerëzore nga kafshët e tjera.» (Human Anatomy and Physiology, i Mariebit) Ne mund të shohim me siguri dëshmi të këtij dallimi në atë që kanë bërë njerëzit në fusha, si: matematika, filozofia dhe drejtësia, të cilat kryesisht përfshijnë koren e përparme.

Përse truri i njerëzve ka një kore të përparme të madhe dhe elastike, e cila i kontribuon funksioneve më të zhvilluara mendore, ndërsa te kafshët kjo zonë është një rudiment ose nuk ekziston fare? Kontrasti është kaq i madh saqë biologët, të cilët pohojnë se ne kemi evoluar, flasin për «shpërthimin e mistershëm në përmasat e trurit». Profesori i biologjisë Riçard F. Tomson, duke vënë re zgjerimin e jashtëzakonshëm të kores së trurit tonë, pranon: «Deri tani ne nuk kemi një kuptueshmëri shumë të qartë se përse ka ndodhur kjo.» A mund të jetë arsyeja se njeriu është krijuar me këtë kapacitet të pakrahasueshëm të trurit?

Aftësi të pashoqe komunikimi

Në faktin që jemi unikë kontribuojnë, gjithashtu, edhe pjesë të tjera të trurit. Pas kores së përparme ndodhet një brazdë që zgjatet përgjatë pjesës së sipërme të trurit, zona kortikale lëvizore. Ajo përmban miliarda neurone që lidhen me muskujt. Edhe ajo ka karakteristika që i kontribuojnë qenies sonë shumë të ndryshëm nga majmunët ose nga kafshët e tjera. Zona kortikale lëvizore kryesore na jep «(1) një aftësi të jashtëzakonshme për të përdorur duart, gishtat dhe gishtin e madh për të kryer me shkathtësi shumë punë manuale dhe (2) përdorimin e gojës, të buzëve, të gjuhës dhe të muskujve të fytyrës për të folur».—Textbook of Medical Physiology, i Gitanit.

Shqyrtoni shkurtimisht se si ndikon zona kortikale lëvizore në aftësinë tuaj për të folur. Më shumë se gjysma e kësaj koreje i është kushtuar organeve të komunikimit. Kjo ndihmon për të shpjeguar aftësitë e pakrahasueshme të komunikimit që kanë njerëzit. Megjithëse duart tona luajnë një rol në komunikim (me anë të shkrimit, të gjesteve normale ose të gjuhës së shenjave), goja zakonisht luan rolin kryesor. Të folurit e njeriut, që nga fjalët e para të foshnjave e deri në zërin e një personi të plakur, është pa diskutim një mrekulli. Afërsisht 100 muskuj që gjenden në gjuhë, buzë, nofulla, fyt dhe kraharor bashkëpunojnë për të prodhuar tinguj të panumërt. Vëreni këtë kontrast: një qelizë e trurit mund të drejtojë 2.000 fije të muskulit të pulpës së një atleti, por qelizat trunore për laringun mund të përqendrohen vetëm në 2 ose 3 fije muskulore. A nuk sugjeron kjo gjë se truri ynë është pajisur në mënyrë të veçantë për komunikimin?

Çdo frazë e shkurtër që ju shprehni kërkon një model specifik lëvizjesh të muskujve. Domethënia e një shprehjeje të vetme mund të ndryshojë në varësi të shkallës së lëvizjes dhe të sinkronizimit të shpejtë të shumë muskujve të ndryshëm. «Kur flasim në një shpejtësi normale,—shpjegon specialisti i të folurit, dr. Uilliam H. Perkins,—ne shprehim 14 tinguj në sekondë. Kjo është dy herë sa shpejtësia me të cilën ne mund të kontrollojmë gjuhën, buzët, nofullat ose çdo pjesë tjetër të mekanizmit tonë të të folurit, kur i lëvizim ato veç e veç. Por vërini të punojnë së bashku për të folur dhe ato punojnë siç bëjnë gishtat e daktilografëve ekspertë dhe të pianistëve të shquar. Lëvizjet e tyre bashkohen në një simfoni sinkronizimi të shkëlqyer.»

Vetë informacioni që duhet për të bërë pyetjen e thjeshtë: «Si jeni sot?», është i depozituar në një pjesë të lobit ballor të trurit tuaj, të quajtur fusha e Brocas, të cilën disa e konsiderojnë si qendrën e të folurit. Fituesi i çmimit Nobel, profesori i neuroshkencës, sër Xhon Ekëlz shkroi: «Asnjë fushë që i korrespondon . . . fushës së Brocas në lidhje me të folurit nuk është gjetur te majmunët.» Edhe sikur disa fusha të ngjashme të gjenden te kafshët, fakti është se shkencëtarët nuk mund t’i mësojnë majmunët që të prodhojnë më shumë sesa disa tinguj të thjeshtë të foluri. Ju, megjithatë, mund të prodhoni një gjuhë të ndërlikuar. Për të bërë kështu, ju i vendosni fjalët bashkë sipas gramatikës së gjuhës suaj. Fusha e Brocas ju ndihmon për ta bërë këtë, si në të folur, ashtu edhe në të shkruar.

Sigurisht, ju nuk mund të ushtroni mrekullinë e të folurit në qoftë se nuk dini të paktën një gjuhë dhe të kuptoni se ç’domethënie kanë fjalët e saj. Kjo përfshin një pjesë tjetër të veçantë të trurit tuaj, të njohur si fusha e Wernickes. Këtu, miliarda neurone kapin kuptimin e fjalëve të shkruara ose të folura. Fusha e Wernickes ju ndihmon t’u jepni një kuptim thënieve që dëgjoni dhe të kuptoni atë që lexoni ose dëgjoni, kështu ju mund të mësoni informacione dhe mund të jepni përgjigje me kuptim.

Por ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë në të folurin tuaj të rrjedhshëm. Për ta ilustruar: një përshëndetje formale «mirëdita» mund të transmetojë një mori domethëniesh. Toni i zërit tuaj pasqyron nëse jeni të lumtur, të entuziazmuar, të mërzitur, me nxitim, të bezdisur, të trishtuar ose të frikësuar dhe mund të zbulojë madje shkallë të këtyre gjendjeve emocionale. Një fushë tjetër e trurit tuaj përcjell informacionin për pjesën emocionale të të folurit. Kështu, kur ju komunikoni, në lojë hyjnë pjesë të ndryshme të trurit tuaj.

Shimpazeve u janë mësuar disa gjeste të gjuhës së shenjave, por përdorimi nga ana e tyre kufizohet kryesisht në kërkesa të thjeshta për ushqim ose nevoja të tjera. Pasi kishte punuar për t’u mësuar shimpazeve komunikimin e thjeshtë me shenja, dr. Dejvid Premak nxori përfundimin: «Gjuha e njerëzve e vë në pozitë të vështirë teorinë evolucioniste, sepse ajo është shumë më tepër e fuqishme se sa mund ta shpjegojë ndonjë.»

Ne mund të pyesim: ‘Përse njerëzit e kanë këtë aftësi të mrekullueshme për të komunikuar mendimet dhe ndjenjat, për të pyetur dhe për t’u përgjigjur?’ Një enciklopedi (The Encyclopedia of Language and Linguistics) pohon se «i foluri [njerëzor] është i veçantë» dhe pranon se «kërkimi për të gjetur pararendës te komunikimi i kafshëve nuk ndihmon shumë në bërjen e një ure për hendekun kolosal që i ndan gjuhët dhe të folurin nga mënyrat e sjelljes së kafshëve». Profesori Ludvik Koeler e përmblodhi kështu këtë dallim: «Të folurit e njeriut është një sekret, ai është një dhuratë hyjnore, një mrekulli.»

Sa ndryshim i madh ekziston mes përdorimit të shenjave nga ana e majmunëve dhe aftësisë komplekse të gjuhës që kanë fëmijët! Sër Ekëls iu referua asaj që edhe shumica prej nesh e ka vërejtur, aftësisë për të bërë pyetje «të shfaqur edhe nga fëmijët 3-vjeçarë me rrëkenë e tyre të pyetjeve në dëshirën për të kuptuar botën e tyre». Ai shtoi: «Në kontrast, majmunët nuk bëjnë pyetje.» Po, vetëm njerëzit formulojnë pyetje, duke përfshirë dhe ato mbi domethënien e jetës.

Kujtesë dhe më tepër!

Kur shiheni në pasqyrë, ju mund të mendoni se si dukeshit kur ishit më të rinj, madje duke e krahasuar atë me pamjen tuaj të jashtme në vitet që do të pasojnë ose si do të dukeshit pasi të kishit bërë tualetin. Këto mendime mund të lindin gati pa vetëdije, megjithatë diçka shumë e veçantë është duke ndodhur, diçka që asnjë kafshë nuk mund ta përjetojë.

Ndryshe nga kafshët, që kryesisht jetojnë dhe veprojnë sipas nevojave aktuale, njerëzit mund të soditin të kaluarën dhe të bëjnë plane për të ardhmen. Një faktor kyç që ju mundëson bërjen e kësaj është kapaciteti pothuaj i pakufishëm i kujtesës së trurit tuaj. Vërtet, kafshët e kanë një shkallë kujtese dhe në këtë mënyrë mund të gjejnë rrugën për në shtëpinë e tyre ose të kujtojnë se ku mund të ndodhet ushqimi. Kujtesa njerëzore është shumë më e madhe. Një shkencëtar përllogariti se truri ynë mund të mbajë një informacion që «do të mbushte afërsisht njëzet milionë volume, aq libra sa gjenden në bibliotekat më të mëdha të botës». Disa profesorë të neuroshkencës përllogaritin se gjatë një kohëzgjatjeje mesatare të jetës, një person përdor vetëm 1/100 e 1 përqindshit (0,0001) të kapacitetit të trurit të tij të fuqishëm. Fare mirë ju mund të pyesni: ‘Përse kemi një tru me kaq shumë kapacitet, saqë mezi përdorim një fraksion të tij në një jetë normale?’

Truri ynë as nuk është thjesht një vend i madh për të depozituar informacionin, si një superkompjuter. Profesorët e biologjisë Robert Ornstin dhe Riçard F. Tomson shkruajnë: «Aftësia e trurit njerëzor për të mësuar, për të depozituar dhe për të rikujtuar informacionet, është fenomeni më i dallueshëm në universin biologjik. Çdo gjë që na bën njerëz, si: gjuha, mendimi, njohuria, kultura, është rezultat i kësaj aftësie të jashtëzakonshme.»

Për më tepër, ju keni një mendje të vetëdijshme. Ky pohim mund të duket i thjeshtë, por ai përbën diçka që pa diskutim ju bën unikë. Mendja është përshkruar si «qenësia e pakapshme ku qëndrojnë inteligjenca, marrja e vendimeve, perceptimi, vetëdija dhe kuptimi i vetes». Ashtu si rrëketë, përrenjtë dhe lumenjtë derdhen në det, po ashtu kujtimet, mendimet, përfytyrimet, tingujt dhe ndjenjat vërshojnë vazhdimisht për të hyrë apo për të dalë nga mendja jonë. Vetëdija, thuhet në një përcaktim, është «perceptimi i asaj që i kalon nëpër mendje një njeriu».

Kërkuesit modernë kanë bërë hapa të mëdhenj në kuptueshmërinë e përbërjes fizike të trurit dhe të disa prej proceseve elektrokimike që ndodhin në të. Ata mund të shpjegojnë, gjithashtu, ndërtimin e qarkut dhe funksionimin e një kompjuteri të përparuar. Megjithatë, ka një ndryshim gjigand mes trurit dhe kompjuterit. Me trurin tuaj ju jeni të vetëdijshëm për ekzistencën tuaj, por një kompjuter sigurisht që nuk mund ta bëjë këtë. Përse ky ndryshim?

Faktikisht, si edhe pse vetëdija jonë lind nga proceset fizike në trurin tonë, është një mister. «Nuk shoh se si mund ta shpjegojë ndonjë shkencë këtë»,—komentoi një neurobiolog. Gjithashtu, profesori Xhejms Trafil vërejti: «Se çfarë do të thotë saktësisht që një qenie njerëzore të jetë e vetëdijshme . . . është e vetmja pyetje kryesore në shkencat e ndryshme, të cilën ne nuk dimë as si ta formulojmë.» Një nga arsyet është se shkencëtarët po përdorin pikërisht trurin për t’u përpjekur të shpjegojnë trurin. Dhe thjesht studimi i fiziologjisë së trurit mund të mos jetë i mjaftueshëm. Vetëdija është «një nga misteret më të thella të ekzistencës,—vërejti dr. Dejvid Çamërs,—por njohuria vetëm mbi trurin mund të mos i ndihmojë shkencëtarët ta zbulojnë atë mister».

Pavarësisht nga këto, secili nga ne e provon vetëdijen. Për shembull, kujtimet tona të gjalla mbi ngjarjet e kaluara nuk janë thjesht fakte të depozituara, si bajtët e informacionit në kompjuterë. Ne mund të meditojmë mbi përvojat tona, të nxjerrim mësime prej tyre dhe t’i përdorim ato për të ndërtuar të ardhmen tonë. Kemi mundësi të konsiderojmë disa përfytyrime të së ardhmes dhe të vlerësojmë pasojat e mundshme të secilit prej tyre. Kemi aftësinë për të analizuar, krijuar, çmuar dhe dashuruar. Mund të gëzojmë biseda të këndshme mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Kemi vlera morale mbi sjelljen dhe mund t’i përdorim ato kur marrim vendime që mund të sjellin ose mund të mos sjellin dobi të menjëhershme. Jemi të tërhequr nga bukuria në art dhe në vlerat morale. Në mendjen tonë ne mund të formulojmë dhe të rafinojmë idetë tona dhe të mendojmë që më përpara se si do të reagojnë njerëzit e tjerë nëse ne i vëmë në jetë këto ide.

Faktorë të tillë prodhojnë një vetëdije që i ndan njerëzit nga format e tjera të jetës në tokë. Një qen, një mace ose një zog shihet në pasqyrë dhe përgjigjet sikur të shohë dikë tjetër të llojit të vet. Por kur ju shiheni në një pasqyrë, jeni të vetëdijshëm për veten tuaj si një qenie me aftësitë e sapopërmendura. Ju mund të reflektoni mbi dilema si këto: ‘Pse disa breshka jetojnë 150 vjet dhe disa pemë jetojnë mbi 1000 vjet, por një njeri inteligjent përbën një sensacion nëse arrin deri në 100 vjeç? Dr. Riçard Restak pohon: «Truri njerëzor dhe vetëm truri njerëzor ka aftësinë për të reflektuar, për të vëzhguar objektivisht veprimtarinë e tij e për të fituar kështu njëfarë përfytyrimi. Vërtet, aftësia jonë për të shkruar përsëri skenarin personal dhe për të ripërcaktuar vendin që zëmë në shoqëri është ajo që na dallon nga të gjitha krijesat e tjera në botë.»

Vetëdija e njeriut i huton disa persona. Një libër (Life Ascending), edhe pse favorizon një shpjegim të thjeshtë biologjik, pranon: «Kur ne shqyrtojmë se si një proces [evolucioni] që i ngjan një loje rastësie, me ndëshkime të frikshme për të mundurit, mund të ketë lindur cilësi të tilla, si: dashurinë për të bukurën dhe për të vërtetën, dhembshurinë, lirinë dhe mbi të gjitha kapacitetin e zgjeruar të temperamentit njerëzor, të gjithë ne mbetemi të hutuar. Sa më shumë të meditojmë mbi burimet tona frymore, aq më shumë thellohet habia jonë.» Shumë e vërtetë. Kështu, ne mund ta plotësojmë pikëpamjen tonë mbi faktin që njeriu është unik nga disa dëshmi të vetëdijes sonë që ilustrojnë përse shumë veta janë të bindur se duhet të ekzistojë një Projektues inteligjent, një Krijues, që interesohet për ne.

Arti dhe e bukura

«Përse njerëzit i ndjekin artet me kaq pasion?»—pyeti profesori Majkëll Lajtën në një libër që shkroi (Symmetry, Causality, Mind). Siç e shpjegoi ai në librin e tij, disa mund të thonë që aktiviteti mendor, si në matematikë, u jep dobi të qarta njerëzve, por cilat janë dobitë e arteve? Lajtën e ilustroi mendimin e tij duke thënë se njerëzit udhëtojnë në distanca të gjata për të shkuar në koncerte dhe në shfaqje të artit. Çfarë shqise e brendshme është përfshirë? Në mënyrë të ngjashme, njerëzit përreth globit vendosin fotografi ose piktura tërheqëse në muret e shtëpive të tyre ose të zyrave. Ose konsideroni muzikën. Shumicës së njerëzve u pëlqen të dëgjojnë një lloj muzike në shtëpi ose në makinën e tyre. Përse? Sigurisht që arsyeja nuk është se muzika një herë e një kohë i kontribuoi mbijetesës së më të aftit. Lajtën thotë: «Arti është ndoshta fenomeni më i pashpjegueshëm i llojeve njerëzore.»

Megjithatë, ne të gjithë e dimë se gëzimi i artit dhe i së bukurës është pjesë e asaj që na bën të ndihemi «njerëz». Një kafshë mund të ulet mbi një kodër e të shohë një qiell plot ngjyra, por a është e tërhequr nga kjo bukuri? Ne shohim një përrua mali që vezullon nën dritën e diellit, vështrojmë me habi shumëllojshmërinë marramendëse në një pyll tropikal të shiut, fiksojmë shikimin në një breg deti të rrethuar me palma ose admirojmë yjet e shpërndara përgjatë qiellit të mëndafshtë të zi. Shpesh ne ndihemi të mahnitur, apo jo? Bukuria e atij lloji bën që zemrat tona të gufojnë dhe e ngre lart gjendjen tonë emocionale. Përse?

Përse kemi një dëshirë të lindur për gjëra estetike, të cilat në realitet, kontribuojnë shumë pak në mbijetesën tonë? Nga vijnë vlerat tona estetike? Po të mos marrim parasysh Bërësin, i cili i nguliti këto vlera në krijimin e njeriut, këto pyetje nuk gjejnë përgjigje të kënaqshme. Kjo është e vërtetë edhe për sa i përket së bukurës në vlerat morale.

Vlerat morale

Shumë veta njohin si formën më të lartë të së bukurës veprat e shkëlqyera. Për shembull, të qenët besnik ndaj parimeve përballë persekutimeve, veprimi pa egoizëm për të lehtësuar vuajtjet e të tjerëve dhe falja e dikujt që na dëmton, janë veprime të cilat i bëjnë thirrje ndjenjës morale të njerëzve që meditojnë kudo qofshin. Ky është lloji i së bukurës që përmendet në proverbin e lashtë biblik: «Mençuria e bën njeriun të mos rrëmbehet shpejt nga zemërimi dhe është në lavdinë e tij [e bukur nga ana e tij, BR] t’i kapërcejë fyerjet.» Ose siç vëren një proverb tjetër: «Ajo që dëshiron njeriu është mirësia.»​—Fjalët e urta 19:11, 22.

Ne të gjithë e dimë se disa njerëz, e madje grupe, shpërfillin ose marrin nëpër këmbë vlerat e larta morale, por shumica e njerëzve nuk veprojnë ashtu. Nga cili burim vijnë vlerat morale që gjenden praktikisht kudo e në çdo kohë? Në qoftë se nuk ekziston asnjë Burim i vlerave morale, një Krijues, a lindën thjesht bashkë me njerëzit vlerat morale, shoqëria njerëzore? Shqyrtoni një shembull: shumica e individëve dhe e grupeve e konsiderojnë të gabuar vrasjen. Por ndonjëri mund të pyesë: ‘E gabuar në krahasim me çfarë?’ Patjetër, ka një ndjenjë morali që shtrihet në shoqërinë njerëzore në përgjithësi e që është përfshirë në ligjet e shumë vendeve. Çfarë është burimi i këtij standardi të moralit? A nuk ka mundësi të ishte një Krijues inteligjent, i cili ka vlera morale e që vendosi aftësinë e ndërgjegjes ose të vetëdijes etike te njerëzit?​—Krahaso Romakëve 2:14, 15.

Ju mund të soditni të ardhmen dhe të bëni plane për të

Një aspekt tjetër i vetëdijes njerëzore është aftësia jonë për të shqyrtuar të ardhmen. Kur u pyet nëse njerëzit kanë tipare që i dallojnë nga kafshët, profesori Riçard Dokëns pranoi se njeriu në të vërtetë ka cilësi unike. Pasi përmendi «aftësinë për të planifikuar që më përpara, duke përdorur një largpamësi të vetëdijshme, të përfytyruar», Dokëns shtoi: «Dobia afat-shkurtër ka qenë gjithnjë gjëja e vetme që ka vlerë në evolucion, dobia afat-gjatë nuk është marrë asnjëherë në konsideratë. Nuk ka qenë kurrë e mundur që diçka të evoluojë, nëse nuk ka pasur vlerë për të mirën e menjëhershme afat-shkurtër të individit. Për herën e parë deri tani është e mundur që të paktën disa njerëz të thonë: ‘As mos e mendoni që të mund të nxirrni përfitim afat-shkurtër duke rrëzuar përtokë këtë pyll, po për dobinë afat-gjatë?’ Tani unë mendoj se kjo aftësi për të parashikuar është vërtet e re dhe unike.»

Kërkues të tjerë vërtetojnë se aftësia e njerëzve për planifikim të vetëdijshëm dhe afat-gjatë është pa asnjë paralele. Neurofiziologu Uilliam H. Kalvin vëren: «Përveç përgatitjeve, të nxitura nga hormonet, për dimërimin dhe çiftëzimin, kafshët shfaqin në mënyrë të habitshme pak dëshmi se planifikojnë më shumë se disa minuta më përpara.» Kafshët mund të depozitojnë ushqim para një stine të ftohtë, por ato nuk i analizojnë gjërat dhe t’i planifikojnë. Në kontrast, njerëzit e shqyrtojnë të ardhmen, madje edhe atë më të largët. Disa shkencëtarë shqyrtojnë se çfarë mund t’i ndodhë universit miliarda vite më vonë. A keni pyetur ndonjëherë se përse njeriu, kaq ndryshe nga kafshët, është në gjendje të mendojë rreth së ardhmes dhe të parashtrojë plane?

Bibla thotë për njerëzit: «[Krijuesi] ka vënë madje përjetësinë në zemrat e tyre.» Përkthimi Revised Standard Version lexon: «Ai ka vënë përjetësinë në mendjen e njeriut.» (Predikuesi 3:11) Ne e përdorim këtë aftësi të dallueshme përditë, edhe në një veprim kaq të zakonshëm sa shikimi në një pasqyrë dhe mendimi se si do të jetë pamja jonë e jashtme pas 10 ose 20 vjetësh. Dhe, madje kur mendojmë ndoshta mbi koncepte të tilla si pafundësia e kohës dhe e hapësirës, ne jemi duke vërtetuar atë që thotë Predikuesi 3:11. Fakti i thjeshtë se e kemi këtë aftësi është në harmoni me komentin që një Krijues ka vënë «përjetësinë në mendjen e njeriut».

Të tërhequr ndaj një Krijuesi

Megjithatë, shumë njerëz nuk janë plotësisht të kënaqur duke gëzuar të bukurën, duke u bërë mirë njerëzve të tjerë dhe duke menduar mbi të ardhmen. «Në mënyrë paradoksale,—vëren profesori C. Stiven Evans,—edhe në momentet tona më të lumtura e të këndshme kur provojmë dashurinë e të tjerëve, shpesh ne ndiejmë se diçka mungon. Kuptojmë se dëshirojmë diçka më shumë, por nuk dimë se çfarë është ajo ‘më shumë’ që dëshirojmë.» Vërtet, njerëzit e vetëdijshëm, ndryshe nga kafshët me të cilët banojmë në këtë planet, ndiejnë një nevojë tjetër.

«Feja është e rrënjosur thellë në natyrën e njeriut dhe përjetohet në çdo nivel të gjendjes ekonomike dhe prejardhjes arsimore.» Kjo ishte fraza përfundimtare e kërkimit që profesori Alistër Hardi paraqiti në një libër (The Spiritual Nature of Man). Ky libër vërteton atë që studime të tjera të shumta kanë përcaktuar: njeriu ka një vetëdije të lindur për ekzistencën e Perëndisë. Edhe pse mund të ketë individë ateistë, kjo nuk përfshin kombet në tërësi. Një libër (Is God the Only Reality?) vëren: «Kërkimi fetar për domethënie . . . është përvojë e zakonshme në çdo kulturë dhe në çdo epokë që nga lindja e njerëzimit.»

Nga vjen kjo vetëdije, në dukje e lindur, për Perëndinë? Po qe se njeriu do të ishte thjesht një grupim aksidental i acideve nukleike me molekulat proteinike, përse këto molekula do të zhvillonin një dashuri për artin dhe për të bukurën, do të bëheshin fetare e të meditonin mbi përjetësinë?

Sër Xhon C. Ekëls nxori përfundimin se shpjegimi evolucionist i ekzistencës së njeriut «dështon në aspektin më të rëndësishëm. Ai nuk mund të shpjegojë ekzistencën e secilit prej nesh si qenie unike, të vetëdijshme për veten». Sa më shumë që mësojmë mbi veprat e trurit dhe të mendjes sonë, aq më e lehtë është të kuptojmë përse miliona njerëz kanë nxjerrë përfundimin se ekzistenca e vetëdijshme e njeriut është dëshmi e një Krijuesi që interesohet për ne.

Në kapitullin tjetër do të shohim përse njerëzit e të gjitha shtresave të jetës kanë parë se ky përfundim i arsyeshëm vendos bazën për gjetjen e përgjigjeve të kënaqshme mbi pyetjet jetësore: ‘Përse jemi këtu dhe ku po shkojmë?’

[Kutia në faqen 51]

Kampioni i shahut kundër kompjuterit

Kur kompjuteri i përparuar Dip Blu mundi lojtarin kampion botëror të shahut, u ngrit pyetja: «A nuk jemi të detyruar të nxjerrim përfundimin se Dip Blu duhet të ketë një mendje?»

Profesori Dejvid Gelërntar i Universitetit Yale u përgjigj: «Jo. Dip Blu është vetëm një makinë. Ai mund të ketë një mendje po aq sa edhe një vazo lulesh ka një mendje. . . . Domethënia e tij parësore është kjo: qeniet njerëzore janë kampionë si ndërtues makinash.»

Profesori Gelërntar theksoi këtë dallim kryesor: «Truri është një makinë e aftë për të krijuar një ‘Unë’. Truri mund ta kthejë botën mendore në imazhe, por kompjuterët nuk munden.»

Ai përfundoi: «Hendeku mes njeriut dhe kompjuterit është i qëndrueshëm dhe nuk do të mbyllet kurrë. Makinat do të vazhdojnë ta bëjnë jetën më të lehtë, më interesante dhe më enigmatike. Dhe qeniet njerëzore në fund të fundit do të vazhdojnë të kujdesen për të njëjtat gjëra që kanë bërë gjithnjë: për veten e tyre, për dikë tjetër dhe shumë prej tyre për Perëndinë. Në këto terma, makinat nuk kanë bërë asnjëherë një përparim. Dhe nuk do ta bëjnë kurrë.»

[Kutia në faqen 53]

Superkompjuteri barazohet me kërmillin

«Kompjuterët e sotëm nuk i afrohen as një njeriu 4-vjeçar në aftësinë e tyre për të parë, për të folur, për të lëvizur ose për të përdorur gjykim. Një arsye, sigurisht është vetë fuqia e kompjuterit. Është përllogaritur se edhe kapaciteti i përpunimit të informacionit i superkompjuterit më të fuqishëm është i barabartë me sistemin nervor të një kërmilli, një fraksion shumë i vogël i fuqisë që është në dispozicion të superkompjuterit brenda kafkës [sonë].»​—Stiven Pinker, drejtor i Qendrës së Neuroshkencës njohëse në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets.

[Kutia në faqen 54]

«Truri njerëzor përbëhet pothuaj ekskluzivisht nga korja [trunore]. Edhe truri i një shimpazeje, për shembull, ka një kore, por në përpjestime shumë më të vogla. Korja e trurit na lejon të mendojmë, të kujtojmë, të imagjinojmë. Në mënyrë thelbësore ne jemi qenie njerëzore për shkak të kores së trurit tonë.»​—Eduardo Bonçineli, drejtor i kërkimeve në biologjinë molekulare, Milano, Itali.

[Kutia në faqen 55]

Nga fizika atomike në trurin tonë

Profesori Pol Dejvis shprehu opinionin e tij mbi aftësinë e trurit për t’i hyrë fushës abstrakte të matematikës. «Matematika nuk është diçka që ti e gjen prapa oborrit të shtëpisë tënde. Ajo prodhohet nga mendja njerëzore. Megjithatë, po të pyesim se ku aplikohet më me efektshmëri matematika, përgjigjja është në fusha si fizika atomike dhe astrofizika, fusha të shkencës së mirëfilltë që janë shumë, shumë larg nga jeta e përditshme.» Çfarë nënkupton ky fakt? «Ai më sugjeron që vetëdija dhe aftësia jonë për të përdorur matematikën nuk janë një rastësi e thjeshtë, jo hollësi të papërfillshme, jo nënprodukte të parëndësishme evolucioni.»​—Are We Alone?

[Kutia dhe figurat në faqet 56, 57]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Lobi ballor

Korja e përparme

Fusha e Brocas

Fusha e Wernickes

Zona kortikale lëvizore

Korja e trurit është zona sipërfaqësore e trurit që është lidhur më shumë me inteligjencën. Po të shtrihej, korja e trurit të një njeriu do të mbulonte katër fletë formati, korja e trurit të një shimpazeje do të mbulonte vetëm një fletë dhe ajo e një miu do të mbulonte një pullë poste.​—Scientific American.

[Kutia në faqen 58]

Çdo popull ka një gjuhë

Përgjatë historisë, kurdoherë që një popull ndeshej me një tjetër, shihte se tjetri fliste një gjuhë të ndryshme. Një botim në këtë fushë (The Language Instinct) komenton: «Nuk është zbuluar kurrë ndonjë fis memec dhe nuk ka asnjë dëshmi se një krahinë ka shërbyer si ‘vendlindja’ e gjuhës së folur, nga e cila të jetë shpërndarë gjuha në grupe që më parë nuk flitnin. . . . Universaliteti i gjuhës komplekse është një zbulim që i mbush gjuhëtarët me respekt dhe është arsyeja e parë për të dyshuar se gjuha e folur është . . . produkti i një instinkti të veçantë të njeriut.»

[Kutia në faqen 59]

Gjuha dhe inteligjenca

Pse inteligjenca njerëzore e kalon shumë atë të kafshëve, si majmunët? Një çelës është përdorimi ynë i sintaksës, vënia e tingujve së bashku për të bërë fjalë dhe përdorimi i fjalëve për të ndërtuar fjali. Neurofiziologu teoricien dr. Uilliam H. Kalvin shpjegon:

«Shimpazetë e egra përdorin rreth tri dyzina tinguj të ndryshëm për të tejçuar rreth tri dyzina domethënie të ndryshme. Ato mund ta përsëritin një tingull për të intensifikuar domethënien e tij, por nuk i bashkojnë tre tinguj për t’i shtuar një fjalë të re fjalorit të tyre.

Ne njerëzit përdorim rreth tri dyzina tinguj, të quajtura fonema. Megjithatë, vetëm kombinimi i tyre ka domethënie: ne bashkojmë tinguj të pakuptimtë për të formuar fjalë me kuptim.» Dr. Kalvin vërejti se «asnjëri nuk e ka shpjeguar akoma» kërcimin, nga kafshët «një tingull/​një domethënie» tek aftësia jonë unike njerëzore për të përdorur sintaksën.

[Kutia në faqen 60]

Ju mund të bëni më tepër se shkarravina

«A është vetëm njeriu, Homo sapiensi, i aftë për të komunikuar me anë të gjuhës? Qartë, përgjigjja duhet të varet nga ajo që kuptohet me fjalën ‘gjuhë’, sepse të gjitha kafshët më të zhvilluara sigurisht që komunikojnë me një shumëllojshmëri të madhe shenjash, siç janë gjestet, erërat e trupit, thirrjet, ulërimat dhe këngët e madje vallëzimet e bletëve. Megjithatë, kafshët përveç njeriut nuk duket se kanë gjuhë me strukturë gramatikore. Dhe kafshët nuk mund të bëjnë piktura artistike, gjë që mund të ishte shumë domethënëse. Më e shumta që mund të bëjnë ata janë shkarravinat.»​—Profesorët R. S. dhe D. H. Fauts.

[Kutia në faqen 61]

«Duke i kushtuar vëmendje mendjes njerëzore, ne gjejmë, gjithashtu, struktura me një ndërlikim marramendës,—vëren profesori A. Noem Komski.—Gjuha është një shembull i këtyre strukturave, por jo i vetmi shembull. Mendoni për aftësinë e përdorimit të koncepteve abstrakte të sistemit numerik, [e cila duket] unike për njerëzit.»

[Kutia në faqen 62]

«Të pajisur» për të pyetur

Në lidhje me të ardhmen e universit tonë, fizikani Laurenc Kraus shkroi: «Ne guxojmë të bëjmë pyetje mbi gjëra që mund të mos i shohim kurrë personalisht, sepse ne mundemi t’i bëjmë ato pyetje. Fëmijët tanë ose fëmijët e tyre do t’u përgjigjen një ditë. Ne jemi të pajisur me imagjinatën.»

[Kutia në faqen 69]

Nëse universi dhe fakti se ne jemi gjallë në të janë aksidentale, jeta jonë nuk mund të ketë domethënie të qëndrueshme. Por nëse jeta jonë në univers vjen nga projektimi, duhet të ketë një domethënie të kënaqshme për të.

[Kutia në faqen 72]

Nga shmangia e tigrave prehistorikë me dhëmbë si kordhë?

Xhon Polkinhorn i Universitetit të Kembrixhit, Angli, vërejti:

«Fizikani teoricien Pol Dirak zbuloi diçka të quajtur teoria e fushës kuantike, e cila është themelore për kuptueshmërinë tonë të botës fizike. Unë nuk mund të besoj se aftësia e Dirakut për të zbuluar atë teori ose aftësia e Ajnshtajnit për të zbuluar teorinë e përgjithshme të relativitetit është një lloj nënprodukti nga të parët tanë, të cilëve iu është dashur t’u shmangen tigrave prehistorikë me dhëmbë si kordhë. Diçka shumë më e thellë, shumë më misterioze po ndodh. . . .

Kur shohim organizimin racional dhe bukurinë e dukshme të botës fizike, që na është zbuluar nëpërmjet shkencave të natyrës, ne shohim një botë që përshkohet nga gjurmë të inteligjencës. Për një besimtar fetar, është inteligjenca e Krijuesit që perceptohet në atë mënyrë.»​—Commonweal.

[Figura në faqen 63]

Vetëm njerëzit formulojnë pyetje. Disa nga këto pyetje bëhen mbi domethënien e jetës

[Figura në faqen 64]

Ndryshe nga kafshët, njerëzit kanë një ndjenjë vetëdijeje për veten e tyre dhe për të ardhmen

[Figura në faqen 70]

Njerëzit në mënyrë unike çmojnë të bukurën, mendojnë për të ardhmen dhe janë të tërhequr ndaj një Krijuesi