Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shtojini domethënie jetës suaj përgjithmonë

Shtojini domethënie jetës suaj përgjithmonë

Kapitulli Njëmbëdhjetë

Shtojini domethënie jetës suaj përgjithmonë

KUDO që të jetojmë ne dëgjojmë për zbulime shkencore. Biologët, oqeanografët e të tjerë vazhdojnë të shtojnë njohurinë e njeriut mbi globin tonë dhe jetën në të. Duke kërkuar në një sferë tjetër, astronomët dhe fizikanët po mësojnë gjithnjë e më shumë mbi sistemin tonë diellor, yjet e madje mbi galaktikat e largëta. Me çfarë synimi bëhet e gjithë kjo?

Shumë mendimtarë të mprehtë bien dakord me mbretin e lashtë David: «Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij.» (Psalmet 19:1) Kuptohet, disa mund të mos jenë dakord ose thonë se nuk mund të jenë të sigurt për këtë. Por, pasi keni shqyrtuar dëshmitë e paraqitura në këtë libër, a mund të mos shihni arsye të mjaftueshme për të besuar se ekziston një Krijues dhe se ai qëndron pas universit dhe jetës sonë?

Apostulli Pavël vërejti: «Njerëzit nuk mund të thonë se nuk dinë rreth Perëndisë. Që nga fillimi i botës njerëzit mund të shohin se si është Perëndia përmes gjërave që Ai ka bërë. Kjo tregon fuqinë e Tij që zgjat përgjithnjë. Ajo tregon se Ai është Perëndi.» (Romakëve 1:20, Holy Bible​—New Life Version) Materiali që trajtuam në kapitujt e mëparshëm rreth krijimit e bëri më të lehtë «të shohim se si është Perëndia», të çmojmë «cilësitë e tij të padukshme». (New World Translation) Megjithatë, në vetvete qëllimi ynë nuk duhet të jetë vetëm të shohim se krijimi fizik pasqyron Krijuesin. Pse jo?

Shumë shkencëtarë i janë kushtuar studimit të universit, por ata ndihen akoma bosh, duke mos gjetur ndonjë domethënie të qëndrueshme. Për shembull, fizikani Stiven Uinberg shkroi: «Sa më shumë të duket se e kuptojmë universin, aq më shumë na duket e pakuptueshme pse ai ekziston.» Për sa i përket pikëpamjes së astronomit Alan Dresler, revista Science tha: «Kur kërkuesit thonë se kozmologjia zbulon ‘mendjen’ ose ‘dorëshkrimin’ e Perëndisë, ata i atribuojnë hyjnorit atë që përfundimisht mund të jetë aspekti më i parëndësishëm i universit: strukturën e tij fizike.» Dresler tregoi se ajo që ka më shumë rëndësi është domethënia e ekzistencës njerëzore. Ai vërejti: «Njerëzit e kanë hedhur poshtë besimin e lashtë se njerëzimi është në qendrën fizike të universit [fizik], por duhet t’i rikthehen besimit se ne jemi në qendër të domethënies së jetës.»

Qartë, secili prej nesh duhet të interesohet intensivisht se çfarë domethënie ka ekzistenca jonë. Thjesht pranimi se Krijuesi apo Kryeprojektuesi ekziston e se ne varemi prej tij mund të mos i japë një domethënie jetës sonë. Ndodh kështu veçanërisht sepse jeta duket e shkurtër. Shumë persona kanë arritur të ndihen si mbreti Makbeth në një nga tragjeditë e Uiliam Shekspirit:

«Kjo jetë s’është veçse hije ecëse, aktor i humbur,

që bërtet e shkundet pas rolit të tij mbi skenën për pak kohë

Dhe s’ndihet më; nuk është veçse një përrallë

«Kjo jetë s’është veçse hije ecëse, aktor i humbur,

Prej budallai, plot buj’ e plot tërbim,

Që s’ka asnjë kuptim.»​—Makbethi, shqipëruar nga Fan Noli, Akti V, Skena V.

Njerëz përreth globit mund të jenë dakord me këto fjalë, por kur personalisht përballojnë një krizë të rëndë, ata mund t’i thërrasin akoma Perëndisë për ndihmë. Eliu, një burrë i mençur që jetoi shumë kohë më parë, vërejti: «Ngrihet zëri për numrin e madh të shtypjeve, ngrihet zëri për të kërkuar ndihmë, . . . por asnjeri nuk thotë: ‘Ku është Perëndia, krijuesi im? . . . që na mëson më tepër gjëra sesa kafshëve të fushave dhe na bën më të urtë se zogjtë e qiellit?’.»​—Jobi 35:9-11.

Fjalët e Eliut theksojnë se ne njerëzit nuk jemi qendra e vërtetë e domethënies. Ajo qendër është Krijuesi ynë i Madh dhe çdo domethënie reale për ekzistencën tonë logjikisht përfshin atë dhe varet nga ai. Për të gjetur këtë domethënie dhe kënaqësinë e thellë që sjell ajo, ne duhet ta njohim Krijuesin dhe ta vëmë jetën tonë në harmoni me vullnetin e tij.

I drejtohen Krijuesit

Moisiu iu drejtua Krijuesit. Në mënyrë realiste ai pranoi: «Jeta jonë zgjat shtatëdhjetë vjet, po qemë të shëndoshë edhe tetëdhjetë, por shumica me mundim e dhembje.» Kuptimi i kësaj nuk e bëri të trishtuar apo pesimist Moisiun, ajo e ndihmoi që të çmonte vlerën e drejtimit për nga Krijuesi ynë. Moisiu u lut: «Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë. Na ngop në mëngjes me mirësinë tënde dhe ne do të ngazëllojmë dhe do të kënaqemi në të gjitha ditët tona. Hiri [kënaqësia, BR] i Zotit Perëndisë tonë qoftë mbi ne.»​—Psalmet 90:10, BR, 12, 14, 17.

‘Të ngopur në mëngjes.’ ‘Të kënaqur në të gjitha ditët tona.’ ‘Kënaqësia e Perëndisë qoftë mbi ne.’ A nuk sugjerojnë këto fraza se një person ka gjetur një domethënie në jetë, domethënie që njerëzit në përgjithësi nuk e gjejnë dot?

Ne mund të bëjmë një hap edhe më të madh në këtë drejtim, duke perceptuar pozicionin tonë në lidhje me Krijuesin. Në një mënyrë, sasia në rritje e njohurisë rreth universit mund të na ndihmojë. Davidi pyeti: «Kur e sodis qiellin, veprën e gishtave të tu, hënën e yjet që ti vendose, çka është atëherë njeriu që ta kujtosh, biri i Adamit që të përkujdesesh për të?»​—Psalmet 8:4, 5, DSF.

E në fakt, ne duhet të bëjmë më shumë sesa thjesht të pranojmë që Jehovai krijoi diellin, hënën dhe yjet e pastaj shkaktoi bollëkun e jetës me të gjitha infrastrukturat e saj mbi tokë. (Nehemia 9:6; Psalmet 24:2; Isaia 40:26; Jeremia 10:10, 12) Siç e kemi mësuar më parë, emri unik i Jehovait tregon se ai është një Perëndi me qëllime dhe është i vetmi që ka mundësi të përmbushë vullnetin e tij plotësisht.

Isaia shkroi: «Ai, Perëndia që ka formuar tokën dhe e ka bërë, ai e ka vendosur, nuk e ka krijuar pa trajtë, por e ka formuar që të banohej.» Pastaj Isaia citoi fjalët e Jehovait: «Unë jam Zoti dhe nuk ka asnjë tjetër.» (Isaia 45:18) Edhe Pavli më vonë u tha bashkë të krishterëve: «Ne jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezu për veprat e mira.» Kryesore për ato «vepra të mira» është të bëhet e njohur «dituria e shumëllojshme e Perëndisë, sipas qëllimit [të tij] të përjetshëm». (Efesianëve 2:10; 3:8-11) Ne mundemi dhe logjikisht duhet të kemi një marrëdhënie me Krijuesin, të kërkojmë të mësojmë qëllimet e tij dhe të veprojmë në përputhje me këto qëllime.​—Psalmet 95:3-6.

Njohja se ka një Krijues, i cili na do dhe interesohet për ne, duhet të na shtyjë për të vepruar. Për shembull, vini re lidhjen mes kësaj njohjeje dhe mënyrës në të cilën duhet t’i trajtojmë të tjerët. «Kush shtyp të varfërin fyen rëndë Atë që e ka bërë, por ai që ka mëshirë për nevojtarin e nderon Atë.» «A nuk na ka krijuar i njëjti Perëndi? Pse, pra, veprojmë me pabesi me njëri-tjetrin?» (Fjalët e urta 14:31; Malakia 2:10) Kështu, pra, njohja se ekziston një Krijues që interesohet duhet të na shtyjë të tregojmë një interes më të madh për krijesat e tjera të tij.

Ne nuk jemi lënë për ta bërë këtë me forcat tona. Krijuesi mund të na ndihmojë. Edhe pse Jehovai nuk po prodhon tani krijime të reja tokësore, mund të thuhet se ai po krijon ende në një mënyrë tjetër. Në mënyrë aktive dhe produktive ai po ndihmon njerëzit që kërkojnë udhëheqjen e tij. Pasi kishte mëkatuar, Davidi kërkoi: «O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur.» (Psalmet 51:10; 124:8) Dhe Bibla i nxit të krishterët që të ‘zhveshin personalitetin e vjetër’ të modeluar nga bota përreth tyre dhe të ‘veshin personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë’. (Efesianëve 4:22-24, BR) Po, Jehovai mund të krijojë një zemër të re të figurshme te njerëzit, duke i ndihmuar ata që të zhvillojnë një personalitet, i cili reflekton se si është ai vetë.

Por këto janë vetëm hapa fillestarë. Ne duhet të shkojmë më thellë. Pavli u tha disa athinasve të arsimuar: ‘Perëndia që bëri botën dhe të gjitha gjërat që janë në të, caktoi kohërat me radhë, që [njerëzit] të kërkojnë Zotin, mbase mund ta gjejnë duke prekur, ndonëse ai nuk është larg nga secili prej nesh.’​—Veprat 17:24-27.

Domethënia bazohet në njohurinë

Nga ajo që kemi shqyrtuar, duhet të jetë e qartë se Krijuesi ka siguruar informacion të bollshëm përmes krijimit të tij fizik dhe përmes Fjalës së tij të frymëzuar, Biblës. Ai na inkurajon të rritemi në njohuri e në mendjehollësi, duke parathënë madje kohën kur «vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin».​—Isaia 11:9; 40:13, 14.

Nuk është vullneti i Krijuesit që aftësia jonë për të mësuar e për t’u përmirësuar të kufizohet në një hark kohor prej 70 ose 80 vjetësh. Ju mund ta kuptoni këtë nga një prej pohimeve më të famshme të Jezuit: «Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.»​—Gjoni 3:16.

«Jetë të përjetshme.» Kjo nuk është një fantazi. Përkundrazi, koncepti i vazhdimësisë pa fund është në përputhje me atë që Krijuesi ynë u ofroi prindërve tanë të parë, Adamit dhe Evës. Ai është në përputhje me faktet shkencore rreth përbërjes dhe kapacitetit të trurit tonë. Dhe së fundi, është në përputhje me atë që mësoi Jezu Krishti. Mundësia që njerëzimi të kishte jetën e përhershme ishte në thelb të mesazhit të Jezuit. Në mbrëmjen e tij të fundit mbi tokë me apostujt, ai tha: «Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar.»​—Gjoni 17:3.

Siç u trajtua në kapitullin e mëparshëm, premtimi i Jezuit për jetën e përjetshme do të bëhet realitet pikërisht këtu mbi tokë për miliona njerëz. Qartë, pasja e kësaj perspektive mund t’i shtojë në mënyrë të pamasë domethënie jetës së një personi. Ajo përfshin zhvillimin e një marrëdhënieje me Krijuesin. Një marrëdhënie e tillë e zhvilluar pikërisht tani, vendos bazën për fitimin e jetës përgjithmonë. Imagjinoni perspektivat që do t’ju hapë një jetë e tillë: të mësoni, të eksploroni dhe të përjetoni, të gjitha këto pa kufirin kohor që vihet tani nga sëmundjet dhe nga vdekja. (Krahaso Isainë 40:28.) Çfarë mund ose çfarë do të bënit me një jetë të tillë? Ju vetë i dini më mirë se çdokush tjetër interesat tuaja, talentet që nga shumë kohë dëshironi t’i zhvilloni dhe përgjigjet që do të kërkonit të gjenit. Fakti që do të jeni në gjendje t’i ndiqni ato do t’i japë një domethënie edhe më të madhe jetës suaj.

Pavli kishte arsye të vlefshme për t’i paraprirë kohës kur «vetë krijesa të çlirohet nga skllavëria e prishjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë». (Romakëve 8:21) Ata që e fitojnë këtë liri do të arrijnë të gëzojnë një domethënie të vërtetë tani në jetë dhe do të kenë domethënie në jetë përgjithmonë, për lavdinë e Perëndisë.​—Zbulesa 4:11.

Dëshmitarët e Jehovait përreth globit e kanë studiuar këtë temë. Ata janë të bindur se ekziston një Krijues dhe që ai interesohet për ta, si edhe për ju. Ata janë të lumtur t’i ndihmojnë të tjerët për të gjetur këtë domethënie në jetë me baza shumë të forta. Ju lutemi ndihuni të lirë të shqyrtoni këtë çështje me ta. Bërja e kësaj do t’i shtojë domethënie jetës suaj përgjithmonë!

[Kutia në faqen 185]

Perëndi në cilin kuptim?

«Shkencëtarët dhe të tjerët disa herë e përdorin fjalën ‘Perëndi’ për të nënkuptuar diçka kaq abstrakte dhe indiferente, saqë Ai me vështirësi dallohet nga ligjet e natyrës»,—komentoi Stiven Uinberg, fitues i çmimit Nobel për punën e tij mbi forcat themelore. Ai shtoi:

«Më duket se, në qoftë se fjala ‘Perëndi’ duhet të ketë ndonjë përdorim, ajo duhet kuptuar se paraqet një Perëndi të interesuar, një krijues e ligjdhënës që ka vendosur jo vetëm ligjet e natyrës e të universit, por edhe standardet e së mirës dhe të së keqes, një personalitet që është i interesuar për veprimet tona, me një fjalë diçka që është e përshtatshme për t’u adhuruar prej nesh. . . . Ky është Perëndia për të cilin janë interesuar burrat e gratë përgjatë historisë.»​—Dreams of a Final Theory.

[Figura në faqen 187]

Moisiu e kuptoi se sado gjatë që të jetojmë, domethënia e vërtetë në jetën tonë përfshin Krijuesin

[Figura në faqen 190]

Gjetja e një domethënieje të qëndrueshme në jetë hap përpara nesh mundësi me bollëk