Një tokë e lirë nga vuajtjet
Pjesa 2
Një tokë e lirë nga vuajtjet
1, 2. Ç’pikëpamje të ndryshme kanë shumë persona?
MEGJITHATË, miliona njerëz në mbarë botën kanë një pikëpamje krejt të ndryshme. Ata parashikojnë një të ardhme të mrekullueshme për njerëzimin. Thonë që pikërisht këtu në tokë, së shpejti do të ekzistojë një botë krejtësisht e lirë nga ligësitë dhe vuajtjet. Janë të bindur se së shpejti do të eliminohet e liga dhe do të vendoset një botë krejtësisht e re. Madje thonë se që tani po vendoset themeli i kësaj bote të re!
2 Këta njerëz besojnë se në këtë botë të re nuk do të ketë luftëra, mizori, krime, padrejtësi dhe mjerim. Do të jetë një botë pa sëmundje, pa dhimbje, pa lotë dhe madje pa vdekje. Atëherë njerëzit do të arrijnë përsosmërinë dhe do të jetojnë përgjithmonë të lumtur në një parajsë tokësore. Dhe mendo, të vdekurit do të ringjallen dhe do të kenë mundësi të jetojnë përgjithmonë!
3, 4. Përse këta persona janë kaq të sigurt për pikëpamjen e tyre?
3 Ky përfytyrim i së ardhmes, a është vetëm një ëndërr, vetëm një shpresë e paarritshme? Jo, nuk është aspak ashtu. Ajo mbështetet në besimin e bazuar mirë se ardhja e kësaj parajse është e sigurt. (Hebrenjve 11:1) Përse janë kaq të sigurt? Sepse këtë e ka premtuar Krijuesi i gjithëfuqishëm i universit.
4 Në lidhje me premtimet e Perëndisë, Bibla thotë: «Asnjë fjalë nga të gjitha fjalët e mira që Jehovai, Perëndia juaj ju ka thënë, nuk ka dështuar. Ato janë vërtetuar për ju. Asnjëra nga ato fjalë nuk ka dështuar.» «Perëndia nuk është një njeri që të gënjejë . . . A e ka thënë ai vetë e nuk do ta bëjë dhe a ka thënë një fjalë e nuk do ta çojë deri në fund?» «Jehovai i ushtrive është betuar, duke thënë: ‘Në të vërtetë ashtu siç e kam menduar ashtu do të jetë, dhe ashtu si kam vendosur, kështu ka për të ndodhur.»—Josiu 23:14, BR; Numrat 23:19, BR; Isaia 14:24, BR.
5. Cilat pyetje kërkojnë përgjigje?
5 Megjithatë, nëse qëllimi i Perëndisë ishte të vendoste një parajsë tokësore të lirë nga vuajtjet, përse ka lejuar të ndodhin gjëra të liga? Përse ka pritur gjashtë mijë vjet deri tani për të ndrequr atë që është e gabuar? Gjithë këta shekuj vuajtje, a tregojnë se Perëndia nuk kujdeset me të vërtetë për ne dhe madje se ai as nuk ekziston?
[Pyetjet]