Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përse Perëndia ka lejuar vuajtjet

Përse Perëndia ka lejuar vuajtjet

Pjesa 6

Përse Perëndia ka lejuar vuajtjet

1, 2. Si e shkatërruan prindërit tanë të parë fillimin e mrekullueshëm që Perëndia u dha?

ÇFARË nuk shkoi mirë? Çfarë ndodhi që u shkatërrua fillimi i mrekullueshëm, që Perëndia u dha prindërve tanë të parë në parajsën e Edenit? Përse në vend të paqes dhe harmonisë së parajsës, për mijëra vjet mbizotëruan ligësia dhe vuajtjet?

2 Arsyeja është se Adami dhe Eva e keqpërdorën vullnetin e tyre të lirë. Nuk mbajtën parasysh faktin se nuk ishin krijuar për të përparuar të pavarur nga Perëndia dhe ligjet e tij. Ata vendosën të ishin të pavarur nga Perëndia, duke menduar se një gjë e tillë do ta përmirësonte jetën e tyre. Kështu, ata ecën përtej kufijve të urdhëruar nga Perëndia për vullnetin e lirë.​—Zanafilla, kapitulli 3.

Çështja e pazgjidhur e sovranitetit universal

3-5. Përse Perëndia nuk e shkatërroi Adamin dhe Evën e të fillonte nga e para?

3 Përse Perëndia nuk e shkatërroi Adamin dhe Evën e të fillonte nga e para me një çift tjetër njerëzor? Sepse ishte vënë në dyshim sovraniteti i tij universal, pra, e drejta e tij e padiskutueshme për të sunduar.

4 Pyetja ishte: Kush ka të drejtë të sundojë dhe sundimi i kujt është i drejtë? Të qenët i gjithëpushtetshëm dhe Krijues i të gjitha gjallesave, i dha Perëndisë të drejtën për të sunduar mbi ta. Përderisa është pafundësisht i mençur, sundimi i tij është më i miri për të gjitha krijesat. Por, tani sundimi i Perëndisë ishte kundërshtuar. Gjithashtu, a kishte diçka që nuk ishte në rregull me krijesën e tij​—njeriun? Më vonë, do të shohim se si përfshihet edhe çështja e integritetit njerëzor.

5 Pasi njeriu u bë i pavarur nga Perëndia, u përfshi edhe një pyetje tjetër: A do t’ia dilnin mbanë më mirë njerëzit nëse nuk do të sundoheshin nga Perëndia? Krijuesi patjetër e dinte përgjigjen, por mënyra më e sigurt që njerëzit ta kuptonin, ishte t’u lejohej atyre liria e plotë që dëshironin. Përderisa kishin zgjedhur këtë rrugë në lidhje me vullnetin e tyre të lirë, Perëndia i lejoi.

6, 7. Përse Perëndia u dha njerëzve liri të plotë për kaq shumë kohë?

6 Duke u lejuar njerëzve kohën e mjaftueshme për të eksperimentuar në liri të plotë, Perëndia do të vendosë njëherë e përgjithmonë nëse njerëzit janë më mirë nën sundimin e Perëndisë apo në të vetin. Dhe koha e lejuar do të ishte mjaft e gjatë sa të mund t’u lejonte njerëzve të arrinin tek ajo që ata e quanin kulmi i arritjeve në fushën politike, industriale, shkencore dhe mjekësore.

7 Prandaj, Perëndia ua la njerëzve frerët të lirë deri në ditët tona për të treguar përtej çdo dyshimi, nëse sundimi njerëzor i pavarur prej tij do të kishte sukses. Kështu, njeriu kishte mundësi të zgjidhte ndërmjet mirësisë dhe mizorisë, ndërmjet dashurisë dhe urrejtjes, ndërmjet drejtësisë dhe padrejtësisë. Por, gjithashtu ai do të gjendej përballë pasojave të zgjedhjes së tij: mirësi e paqe apo ligësi e vuajtje.

Rebelimi i krijesave frymore

8, 9. (a) Si shpërtheu rebelimi në mbretërinë frymore? (b) Kë tjetër përveç Adamit dhe Evës, Satanai nxiti që të rebelohej?

8 Është për t’u shqyrtuar edhe një faktor tjetër. Prindërit tanë të parë nuk ishin të vetmit që u rebeluan kundër sundimit të Perëndisë. Por, kush tjetër ekzistonte në atë kohë? Krijesat frymore. Para se të krijonte njerëzit, Perëndia krijoi një formë më të lartë jete, një numër të madh engjëjsh, që të jetonin në mbretërinë qiellore. Edhe ata ishin krijuar me vullnet të lirë dhe gjithashtu me nevojën për t’iu nënshtruar sundimit të Perëndisë.​—Jobi 38:7; Psalmi 104:4; Zbulesa 5:11.

9 Bibla tregon se rebelimi në fillim shpërtheu në mbretërinë qiellore. Një krijesë frymore dëshironte liri të plotë. Ai donte madje që njerëzit ta adhuronin. (Mateu 4:8, 9) Ky rebel frymor u bë një faktor që ndikoi mbi Adamin dhe Evën të rebelonin, duke pohuar me gënjeshtra se Perëndia i kishte privuar ata nga diçka e mirë. (Zanafilla 3:1-5) Kështu, ai u quajt Djall (Gënjeshtar) dhe Satana (Kundërshtar). Më vonë, ai nxiti edhe krijesa të tjera frymore që të rebeloheshin. Ata u quajtën demonë.​—Ligji i përtërirë 32:17; Zbulesa 12:9; 16:14.

10. Kush ishte pasoja e rebelimit të njerëzve dhe krijesave frymore?

10 Duke u rebeluar kundër Perëndisë, njerëzit iu ekspozuan ndikimit të Satanait dhe demonëve të tij. Ja përse Bibla e quan Satanain «perëndia i këtij sistemi gjërash», i cili «ka verbuar mendjet e pabesimtarëve». Në fakt, Fjala e Perëndisë thotë që «mbarë bota ndodhet nën pushtetin e të ligut». Vetë Jezui e quajti Satanain «sundimtarin e kësaj bote».​—2. Korintasve 4:4; 1. Gjonit 5:19; Gjoni 12:31.

Dy çështje

11. Lidhur me cilën çështje tjetër Satanai e sfidoi Perëndinë?

11 Satanai ngriti një çështje tjetër për të sfiduar Perëndinë. Në fakt, ai e akuzoi Perëndinë se i kishte krijuar njerëzit në mënyrë të gabuar dhe se askush nuk do të vepronte drejt, nëse do të kishte presione. Në të vërtetë, ai pohoi se në prova madje do ta mallkonin Perëndinë. (Jobi 2:1-5) Në këtë mënyrë Satanai vuri në dyshim integritetin e krijesave njerëzore.

12-14. Si do ta tregojë koha të vërtetën mbi dy çështjet e ngritura nga Satanai?

12 Prandaj, Perëndia u lejoi kohën e mjaftueshme, në mënyrë që të gjitha krijesat inteligjente të shihnin se si do të zgjidhej kjo çështje si dhe çështja e sovranitetit të Perëndisë. (Krahaso Të Dalët 9:16.) Përvoja e paparashikuar e historisë njerëzore do të zbulonte të vërtetën mbi këto dy çështje.

13 Para së gjithash, çfarë do të zbulonte koha në lidhje me çështjen e sovranitetit universal, të drejtën e Perëndisë për të sunduar? A do të mund të udhëhiqeshin vetë njerëzit më mirë sesa nga Perëndia? Çfarëdolloj sistemi i sundimit njerëzor të pavarur nga Perëndia, a do të kishte sjellë një botë pa luftëra, krime dhe padrejtësi? A do të kishte eliminuar varfërinë dhe a do të kishte siguruar përparim për të gjithë? A do të kishte mposhtur sëmundjet, plakjen dhe vdekjen? Sundimi i Perëndisë kishte për qëllim ta realizonte gjithë këtë.​—Zanafilla 1:26-31.

14 Ç’do të kishte treguar koha lidhur me çështjen e dytë, për sa i përket vlerës së krijesave njerëzore? A kishte gabuar Perëndia në mënyrën në të cilën i kishte krijuar njerëzit? A do të vepronte drejt ndonjëri prej tyre në provë? A do të tregonte ndonjëri prej tyre se dëshironte sundimin e Perëndisë në vend se pavarësinë e sundimit njerëzor?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 13]

Perëndia u dha kohë njerëzve që të arrinin kulmin e arritjeve të tyre

[Burimi]

Shutle: foto e bazuar nga NASA