Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Perëndia na njeh me qëllimet e tij

Perëndia na njeh me qëllimet e tij

Pjesa 4

Perëndia na njeh me qëllimet e tij

1, 2. Si mund të dimë se Perëndia u jep përgjigje atyre që kërkojnë me sinqeritet?

NJË Perëndi i dashur, në të vërtetë ua zbulon qëllimet e tij të sinqertëve që e kërkojnë atë. Ai u siguron njerëzve përgjigje për pyetjet si: Përse lejoi vuajtjet?

2 Bibla deklaron: «Në rast se ti e kërkon [Perëndinë], ai do të të lërë që ta gjesh.» «Ka një Perëndi në qiell që është Zbulues sekretesh.» «Zoti Sovran Jehova nuk do të bëjë asgjë pa ua zbuluar sekretin e vet shërbëtorëve të tij, profetëve.»​—1. Kronikave 28:9, BR; Danieli 2:28, BR; Amos 3:7, BR.

Ku gjenden përgjigjet

3. Ku mund ta zbulojmë arsyen se përse Perëndia i lejon vuajtjet?

3 Përgjigjet e pyetjeve të tilla si: Përse Perëndia i lejon vuajtjet dhe çfarë do të bëjë për këtë, gjenden në tregimin e frymëzuar për dobinë tonë. Ky tregim është Fjala e tij, Bibla e Shenjtë. «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, qortuar, ndrequr, për të disiplinuar në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë plotësisht i zoti, mjaft i përgatitur, për çdo vepër të mirë.»​—2. Timoteut 3:16, 17, BR.

4, 5. Ç’gjë e bën Biblën një libër të pakrahasueshëm?

4 Bibla është me të vërtetë një libër i pakrahasueshëm. Ai përmban tregimin më të saktë të historisë njerëzore dhe shkon deri përtej krijimit të njerëzve. Gjithashtu, ajo është bashkëkohore, sepse profecitë e saj kanë të bëjnë me ngjarjet e kohës sonë dhe të së ardhmes së afërt.

5 Asnjë libër tjetër nuk gëzon një besim të tillë për saktësinë historike. Për shembull, ekzistojnë vetëm disa dorëshkrime të shkrimtarëve të lashtë klasikë. Megjithatë, ekzistojnë shumë dorëshkrime të Biblës, disa të pjesshme dhe disa të plota: rreth 6.000 nga Shkrimet Hebreje (39 librat e «Besëlidhjes së Vjetër») dhe rreth 13.000 nga Shkrimet e Krishtere Greke (27 librat e «Besëlidhjes së Re»).

6. Përse mund të jemi të sigurt se Bibla sot është krejtësisht e njëjtë me atë që frymëzoi Perëndia?

6 Perëndia i Gjithëfuqishëm, i cili frymëzoi Biblën, ka bërë të mundur që në këto kopje dorëshkrimesh të ruhet integriteti i tekstit të tij. Prandaj, Bibla jonë sot është krejtësisht e njëjtë me shkrimet e frymëzuara origjinale. Një faktor tjetër që na ndihmon për të vlerësuar këtë gjë, është se disa kopje dorëshkrimesh të Shkrimeve të Krishtere Greke shkojnë prapa një periudhë rreth 100 vjet nga shkrimet origjinale. Kopjet e pakta të dorëshkrimeve që akoma ekzistojnë nga shkrimtarë të lashtë të botës, rrallë datojnë disa shekuj pas shkrimeve origjinale.

Dhurata e Perëndisë

7. Sa i përhapur është qarkullimi i Biblës?

7 Bibla është libri më i shpërndarë gjatë historisë. Janë shtypur rreth 3 miliardë kopje. Asnjë libër tjetër nuk mund t’i afrohet kësaj shifre. Bibla apo pjesë të saj janë përkthyer në rreth 2.000 gjuhë. Kështu, është llogaritur se 98 përqind e popullsisë së planetit tonë, ka mundësi për ta pasur Biblën.

8-10. Cilat janë disa arsye për të cilat Bibla meriton shqyrtimin tonë?

8 Sigurisht, një libër që pohon se është nga Perëndia dhe që i ka të gjitha provat e jashtme dhe të brendshme të autencitetit, meriton shqyrtimin tonë. * Ai shpjegon qëllimin e jetës, domethënien e kushteve botërore dhe se çfarë do të sjellë e ardhmja. Asnjë libër tjetër nuk mund ta bëjë këtë.

9 Po, Bibla është mjeti me të cilin Perëndia komunikon me familjen njerëzore. Me anë të forcës së tij aktive ose frymës, ai udhëhoqi shkrimin e saj dhe rreth 40 njerëz e hodhën me shkrim. Kështu, Perëndia na flet përmes Fjalës së tij, përmes Biblës së Shenjtë. Apostulli Pavël shkroi: «Kur e morët fjalën e Perëndisë, që dëgjuat nga ne, e pranuat jo si fjalë njerëzish, por, siç është në të vërtetë, si fjalë të Perëndisë.»​—1. Selanikasve 2:13, BR.

10 Abraham Linkoln, presidenti i 16-të i Shteteve të Bashkuara, e quajti Biblën «dhurata më e mirë që Perëndia u ka bërë ndonjëherë njerëzve . . . Pa të nuk do të mund të dallonim të drejtën nga e gabuara». Atëherë si na tregon kjo dhuratë e jashtëzakonshme se si filluan dhimbjet, përse i lejoi ato Perëndia dhe ç’do të bëjë ai për këtë?

[Shënimi]

^ par. 8 Për informata më të hollësishme në lidhje me autencitetin e Biblës, shiko librin Bibla​—Fjala e Perëndisë apo e njeriut (angl.), botuar në vitin 1989 nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

[Pyetjet]

[Figura në faqen 10]

Bibla e frymëzuar nga Perëndia, është mjeti me të cilin ai komunikon me familjen njerëzore