Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Qëllimi i Perëndisë shkon drejt plotësimit

Qëllimi i Perëndisë shkon drejt plotësimit

Pjesa 8

Qëllimi i Perëndisë shkon drejt plotësimit

1, 2. Cilat parapërgatitje ka bërë Perëndia për të eliminuar vuajtjet?

PËR shumë shekuj, sundimi i njerëzve rebelë dhe i demonëve e ka fundosur familjen njerëzore gjithnjë e më poshtë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Perëndia nuk i ka përfillur vuajtjet tona. Përkundrazi, gjatë gjithë shekujve, ai ka bërë parapërgatitje për t’i liruar njerëzit nga ndikimi i fortë i ligësisë dhe i vuajtjeve.

2 Në kohën e rebelimit në Eden, Perëndia filloi të zbulojë qëllimin e tij për të formuar një qeveri që do ta bënte këtë tokë një shtëpi parajsore për njerëzit. (Zanafilla 3:15) Më vonë, si zëdhënësi kryesor i Perëndisë, Jezui e bëri këtë qeveri të ardhshme të Perëndisë temën e mësimit të tij. Tha se do të ishte shpresa e vetme e njerëzimit.​—Danieli 2:44; Mateu 6:9, 10; 12:21.

3. Si e quajti Jezui qeverinë e ardhshme të tokës dhe përse?

3 Këtë qeveri të ardhshme të Perëndisë, Jezui e quajti «mbretëria e qiejve», pasi do të sundohej nga qielli. (Mateu 4:17) Gjithashtu, ai e quajti atë «mbretëria e Perëndisë», pasi Perëndia do të ishte Autori i saj. (Luka 17:20) Në shekuj, Perëndia i frymëzoi shkrimtarët që të hidhnin me shkrim profecitë rreth atyre që do të merrnin pjesë në këtë qeveri dhe për atë që ajo do të bënte.

Mbreti i ri i tokës

4, 5. Si tregoi Perëndia se Jezui ishte Mbreti i tij i miratuar?

4 Rreth dy mijë vjet më parë, ishte Jezui ai që plotësoi shumë profeci mbi atë që do të ishte Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë. Tregoi se ishte ai që Perëndia kishte zgjedhur për të mbretëruar mbi njerëzimin në këtë qeveri qiellore. Pas vdekjes së tij, Perëndia e ringjalli Jezuin në jetën qiellore si një krijesë frymore të fuqishme dhe të pavdekshme. Kishte shumë dëshmitarë të ringjalljes së tij.​—Veprat 4:10; 9:1-9; Romakëve 1:1-4; 1. Korintasve 15:3-8.

5 Atëherë Jezui «u ul në të djathtë të Perëndisë». (Hebrenjve 10:12, BR) Atje ai priti momentin, kur Perëndia do t’i jepte fuqi të plotë për të vepruar si Mbret i Mbretërisë qiellore të Perëndisë. Kjo plotësoi profecinë e dhënë në Psalmin 110:1, ku Perëndia i thotë atij: «Ulu në të djathtën time, derisa unë t’i vë armiqtë e tu për shtroje të këmbëve të tua.»​—BR.

6. Si tregoi Jezui se ishte i aftë për të qenë Mbret i Mbretërisë së Perëndisë?

6 Kur ishte në tokë, Jezui tregoi se ishte i aftë për një pozitë të tillë. Pavarësisht nga persekutimet, ai vendosi të mbante integritetin e tij ndaj Perëndisë. Duke vepruar kështu, ai tregoi se Satanai kishte gënjyer, kur pohoi se asnjë qenie njerëzore nuk do t’i mbetej besnike Perëndisë në provë. Jezui, një njeri i përsosur, «Adami i dytë», tregoi se Perëndia nuk kishte gabuar që kishte krijuar njerëz të përsosur.​—1. Korintasve 15:22, 45; Mateu 4:1-11.

7, 8. Ç’gjëra të mira bëri Jezui kur ishte mbi tokë dhe çfarë tregoi?

7 Cili sundues ka bërë kaq të mira, siç bëri Jezui në ato pak vite të shërbimit të tij? Me fuqinë e frymës së shenjtë të Perëndisë, Jezui shëroi të sëmurët, sakatët, të verbrit, të shurdhrit dhe memecët. Madje ai ringjalli të vdekur! Tregoi në një shkallë të vogël se çfarë do të bënte për njerëzimin në shkallë botërore, kur të vinte në fuqinë e Mbretërisë.​—Mateu 15:30, 31; Luka 7:11-16.

8 Jezui bëri kaq të mira kur ishte mbi tokë, saqë dishepulli i tij Gjon tha: «Ka edhe shumë gjëra të tjera që ka bërë Jezusi. Po të shkruheshin të gjitha ato, një nga një​— mendoj se bota do të ishte e vogël në krahasim me vendin që ato do të zinin.»​—Gjoni 21:25, ECM. *

9. Përse personat me zemër të sinqertë grumbullohen tek Jezui?

9 Jezui ishte i sjellshëm e i dhembshur dhe i donte shumë njerëzit. Ai e ndihmonte të varfrin dhe të shtypurin, por jo që të diskriminonte njerëzit e pasur dhe ata me influencë. Njerëzit me zemër të sinqertë iu përgjigjën kësaj ftese plot dashuri të Jezuit: «Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh. Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë që jam zemër butë e i përvujtë. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj, sepse, vërte, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë.» (Mateu 11:28-30, DSF) Njerëzit me frikë Perëndie u grumbulluan rreth tij dhe pritnin me padurim sundimin e tij.​—Gjoni 12:19.

Bashkësundimtarë

10, 11. Kush do të marrë pjesë bashkë me Jezuin në qeverisjen e tokës?

10 Ashtu si qeveritë njerëzore kanë zëvendës/administratorë, ashtu ka edhe Mbretëria qiellore e Perëndisë. Të tjerë përveç Jezuit do të marrin pjesë në sundimin mbi tokën, pasi Jezui u premtoi miqve të tij të afërt se do të sundonin me të si mbretër mbi njerëzimin.​—Gjoni 14:2, 3; Zbulesa 5:10; 20:6.

11 Kështu, bashkë me Jezuin, një numër i kufizuar njerëzish ringjallet në jetë qiellore. Ata formojnë Mbretërinë e Perëndisë që do t’i sjellë njerëzimit bekime të përhershme. (2. Korintasve 4:14; Zbulesa 14:1-3) Kështu, gjatë shekujve Jehovai ka vënë themelet për një qeveri që do t’i sjellë familjes njerëzore bekime të përhershme.

Sundimi i pavarur drejt përfundimit

12, 13. Çfarë është e gatshme të bëjë tani Mbretëria e Perëndisë?

12 Gjatë këtij shekulli, Perëndia ka ndërhyrë në mënyrë direkte në çështjet e tokës. Siç do të shpjegohet në Pjesën 9 të kësaj broshure, profecitë biblike tregojnë se Mbretëria e Perëndisë nën Krishtin u ngrit në vitin 1914 dhe tani është e gatshme të shkatërrojë mbarë sistemin e Satanait. Kjo Mbretëri është gati «të sundojë në mes të armiqve [të Krishtit]».​—Psalmi 110:2, BR.

13 Në lidhje me këtë, profecia e dhënë në Danielin 2:44, thotë: «Në ditët e atyre mbretërve [që ekzistojnë aktualisht] Perëndia i qiejve do të vendosë një mbretëri [në qiell], e cila nuk do të shkatërrohet kurrë, dhe as sovraniteti i saj nuk do t’i lihet një populli tjetër [nuk do të lejohet kurrë më sundimi njerëzor]. Ajo [Mbretëria e Perëndisë] do të copëtojë e do t’i çojë drejt fundit të gjitha këto mbretëri dhe ajo do të qëndrojë përgjithmonë.»​—Revised Standard Version.

14. Cilat janë disa nga dobitë që do të vijnë si rezultat i përfundimit të sundimit njerëzor?

14 Me eliminimin e çdo forme qeverie të pavarur nga Perëndia, qeveria e Mbretërisë së Perëndisë do të sundojë plotësisht mbi tokën. Dhe pasi Mbretëria do të qeverisë nga qielli, ajo kurrë nuk do të mund të korruptohet prej njerëzve. Fuqia për të qeverisur do të jetë atje ku ishte në fillim, në qiell, me Perëndinë. Dhe pasi qeveria e Perëndisë do të shtrihet në të gjithë tokën, askush më nuk do të jetë i mashtruar nga fetë e rreme, filozofitë e kota njerëzore dhe teoritë politike. Asnjëra prej këtyre gjërave nuk do të lejohet më të ekzistojë.​—Mateu 7:15-23; Zbulesa nga kapitulli 17 deri në 19.

[Shënimi]

^ par. 8 Për një trajtim më të plotë të jetës së Jezuit, shiko librin Njeriu më i madh i cili ka jetuar ndonjëherë, i botuar në vitin 1991 nga Shoqata Watchtower.

[Pyetjet]

[Figura në faqen 18]

Kur ishte në tokë, Jezui shëroi të sëmurët dhe ngriti të vdekurit për të treguar atë që do të bënte në botën e re

[Figura në faqen 19]

Mbretëria qiellore e Perëndisë do të eliminojë çdo formë sundimi të pavarur nga Perëndia