Si mund të dimë nëse ekziston Perëndia
Pjesa 3
Si mund të dimë nëse ekziston Perëndia
1, 2. Cili parim na ndihmon për të përcaktuar nëse ekziston një Perëndi?
NJË mënyrë për të përcaktuar nëse ekziston një Perëndi, është të zbatojmë këtë parim të pakundërshtueshëm: Çdo gjë e krijuar kërkon një krijues. Sa më shumë e ndërlikuar të jetë kjo gjë e krijuar, aq më i aftë duhet të jetë krijuesi i saj.
2 Vështro, për shembull, shtëpinë tënde. Tavolina, karriget, tryeza e punës, shtretërit, tenxheret, tiganët, pjatat dhe enët e tjera të kuzhinës, të gjitha duhet të jenë bërë nga dikush, ashtu si dhe muret, dyshemeja dhe tavani. Megjithatë, këto gjëra janë relativisht të thjeshta për t’u bërë. Përderisa, gjërat e thjeshta duhet të jenë bërë nga dikush, a nuk është logjike që gjërat e komplikuara kërkojnë një krijues akoma më inteligjent?
Universi ynë madhështor
3, 4. Si na ndihmon universi për të njohur se ekziston një Perëndi?
3 Një orë kërkon një orëbërës. Ç’mund të themi për sistemin tonë të pafund diellor më të komplikuar me Diellin dhe planetet që rrotullohen rreth tij me përpikmërinë më të madhe, shekull mbas shekulli? Ç’mund të themi për galaktikën madhështore të quajtur Udha e Qumështit, në të cilën jetojmë, ku numërohen më shumë se 100 miliardë yje? A ke ndaluar ndonjëherë natën për të vështruar Udhën e Qumështit? A ke mbetur i habitur? Kështu, mendo për universin në mënyrë të pabesueshme të pamatë, që përmban miliarda galaktika, ngjashëm Udhës së Qumështit! Edhe trupat qiellorë janë kaq të saktë në lëvizjen e tyre gjatë gjithë shekujve, saqë janë krahasuar me sahatë të përpiktë.
4 Nëse një orë që është relativisht e thjeshtë, nënkupton ekzistencën e një orëbërësi, sigurisht universi që është pafundësisht më i komplikuar dhe madhështor, nënkupton ekzistencën e një projektuesi dhe krijuesi. Prandaj, Bibla na fton «të ngremë sytë e të shohim», dhe më pas pyet: «Kush i ka krijuar këto gjëra?» Përgjigjja është: «Është Ai që nxjerr ushtrinë e tyre edhe me numër, madje, që i thërret të gjitha edhe në emër, madje. Falë bollëkut të energjisë dinamike, pasi ai është edhe i fortë në fuqi, nuk mungon asnjë prej tyre.» (Isaia 40:26, BR) Kështu, universi ia detyron ekzistencën e vet një fuqie të padukshme, superiore dhe inteligjente—Perëndisë.
Toka e projektuar në mënyrë të mrekullueshme
5-7. Cilat fakte në lidhje me tokën tregojnë se ajo ka një Projektues?
5 Sa më shumë që shkencëtarët e studiojnë tokën, aq më shumë kuptojnë se ajo është projektuar në mënyrë të mrekullueshme për të shërbyer si banesë për njerëzit. Gjendet pikërisht në largësinë e duhur nga dielli, për të marrë sasinë e përshtatshme të dritës dhe të nxehtësisë. Një herë në vit ajo rrotullohet rreth diellit, me këndin e saktë të animit, duke bërë të mundur formimin e stinëve në shumë pjesë të tokës. Gjithashtu, çdo 24 orë toka rrotullohet rreth boshtit të vet, duke përcaktuar periudha të rregullta drite dhe errësire. Ka një atmosferë me përzierjen e përshtatshme të gazrave, në mënyrë që të mund të kryejmë procesin e frymëmarrjes dhe të mbrohemi nga ndikimi i dëmshëm i rrezatimit që vjen nga hapësira. Ka gjithashtu ujin e domosdoshëm për jetën dhe tokën të domosdoshme për prodhimin e ushqimit.
6 Pa gjithë këta faktorë dhe të tjerë akoma, nuk do të ishte e mundur jeta. Mos vallë e gjithë kjo erdhi krejt rastësisht? Revista Science News thotë: «Duket se kushte të tilla të veçanta dhe të përcaktuara mirë, vështirë të kenë lindur rastësisht.» Jo, nuk mund të jetë kështu. Ato përfshijnë një projekt të qëllimshëm nga një Projektues madhështor.
7 Nëse do të hyje në një shtëpi të bukur dhe do të shihje se ka ushqim të bollshëm, se ka një sistem të mrekullueshëm ngrohjeje e ajri të kondicionuar dhe se pajisjet hidraulike për furnizimin me ujë janë në gjendje të mirë, në ç’përfundim do të arrije? Se e gjithë kjo ka ardhur vetë? Jo, me siguri do të arrije në përfundimin se një person inteligjent e ka projektuar dhe e ka bërë atë me kujdes të madh. Edhe toka u krijua dhe u bë me kujdes të madh, në mënyrë që të siguronte atë që banorët e saj kanë nevojë dhe është e pajisur shumë më mirë se çdo shtëpi.
8. Ç’gjë tjetër në lidhje me tokën tregon kujdesin e dashur të Perëndisë për ne?
8 Mendo edhe për numrin e madh të gjërave që e bëjnë jetën më të këndshme. Shiko pafundësinë e shumëllojshmërisë së luleve të ngjyrosura bukur dhe aromën e tyre të këndshme që i kënaq njerëzit. Më pas vjen shumëllojshmëria e madhe e ushqimeve kaq të këndshme për shijen tonë. Ka pyje, male, liqene dhe vepra të tjera krijimi mjaft të këndshme për syrin. Përveç kësaj, ç’mund të themi për perëndimet e mrekullueshme të diellit që shtojnë kënaqësinë e jetës? Duke kaluar në mbretërinë e kafshëve, a nuk kënaqemi duke parë natyrën e dashur dhe lozonjare të këlyshëve, të koteleve dhe të kafshëve të tjera të vogla? Toka pra, siguron shumë kënaqësi të çuditshme jo absolutisht të domosdoshme për të jetuar. Të gjitha këto tregojnë se toka është projektuar me kujdes të madh, duke pasur në mendje njerëzit, që ata jo vetëm të jetojnë, por edhe ta gëzojnë jetën.
9. Kush e krijoi tokën dhe përse?
9 Prandaj, përfundimi i arsyeshëm është të njohim Dhuruesin e gjithë këtyre gjërave, ashtu siç bëri shkrimtari i Biblës i cili tha për Jehova Perëndinë: «Ti vetë ke bërë qiejt dhe tokën.» Për ç’qëllim? Ai e jep përgjigjen duke e përshkruar Perëndinë si «Formuesi i tokës dhe Krijuesi i saj, Ai që fortësisht e vendosi atë, që nuk e ka krijuar thjesht për asgjë, që e formoi madje edhe për të qenë e banuar».—Isaia 37:16; 45:18, BR.
Qeliza e gjallë mahnitëse
10, 11. Përse është kaq e mahnitshme një qelizë?
10 Ç’mund të themi për qeniet e gjalla? A nuk kërkojnë edhe ato një krijues? Mendo për shembull, mbi disa nga veçoritë mahnitëse të një qelize të gjallë. Në librin e tij, Evolucioni: Një teori në krizë, studiuesi në fushën e biologjisë molekulare Majkëll Denton deklaron: «Edhe sistemet e gjalla më të thjeshta sot mbi tokë, qelizat bakteriale, janë objekte jashtëzakonisht të komplikuara. Megjithëse qelizat bakteriale më të vogla janë në mënyrë të pabesueshme të vogla . . . secila në fakt është tamam një fabrikë e vërtetë e mikrominimizuar që përmban mijëra pjesë të projektuara në mënyrë të përkryer dhe mekanizma të ndërlikuar molekularë . . . shumë më të komplikuara se çdo makinë e ndërtuar prej njeriut dhe absolutisht pa barazvlerës në botën inorganike.»
11 Në lidhje me kodin gjenetik të çdo qelize, ai deklaron: «Aftësia e ADN-së për të grumbulluar informacione e tejkalon në masë të madhe atë të çdo sistemi tjetër; kjo është kaq efektive, saqë gjithë informacioni i duhur për të përcaktuar një organizëm kaq të ndërlikuar sa njeriu, peshon më pak se një e njëqindmilionta e gramit. . . . Në krahasim me nivelin e aftësisë krijuese dhe të ndërlikimit të shfaqur nga mekanizmi molekular i jetës, edhe [prodhimet] tona më të përparuara duken trashanike. Para gjithë kësaj dukemi të pavlefshëm.»
12. Çfarë tha një shkencëtar në lidhje me origjinën e qelizës?
12 Denton shton: «Kompleksiteti i llojit më të thjeshtë të qelizës që njohim është aq i madh, saqë është e pamundur të pranojmë se një objekt i tillë mund të vijë papritmas si rrjedhojë e një ngjarjeje tekanjoze, tërësisht të pamundshme.» Dikush duhet ta ketë projektuar dhe krijuar.
Truri ynë i çuditshëm
13, 14. Përse truri është më i mahnitshëm se një qelizë e gjallë?
13 Më pas, ky shkencëtar thotë: «Në kushtet e këtij kompleksiteti, një qelizë e vetme nuk është asgjë, nëse krahasohet me një sistem të tillë si truri i gjitarëve. Truri njerëzor përmban rreth 10 miliardë qeliza nervore. Çdo qelizë nervore prodhon nga 10 mijë deri në 100 mijë fije lidhëse me anë të të cilave ato lidhen me qelizat e tjera nervore të trurit. Numri i përgjithshëm i lidhjeve në trurin njerëzor është rreth . . . mijëra miliarda.»
14 Denton vazhon: «Edhe sikur vetëm 100 prej këtyre lidhjeve të trurit të organizoheshin në mënyrë të veçantë, një gjë e tillë do të paraqiste përsëri një sistem që përmban një numër shumë më të madh lidhjesh specifike, sesa në mbarë rrjetin e komunikacionit në Tokë.» Kështu, ai bën pyetjen: «A do të mund ta kishte montuar ndonjëherë një sistem të tillë, çdo lloj procesi krejt i rastit?» Qartë, përgjigjja është jo. Truri duhet të ketë pasur një projektues dhe Krijues të kujdesshëm.
15. Ç’komentojnë të tjerë në lidhje me trurin?
15 Truri njerëzor bën që edhe kompjuterët më të avancuar të duken primitivë. Redaktori shkencor Morton Hunt, tha: «Kujtesa jonë aktive mban disa miliarda herë më shumë informacion, sesa një kompjuter i madh bashkëkohor kërkimesh.» Kështu, neurokirurgu dr. Robert J. White përfundoi: «Nuk kam zgjedhje tjetër përveçse të pranoj ekzistencën e një Intelekti Superior, përgjegjës për projektimin dhe zhvillimin e lidhjes së pabesueshme tru-mendje—diçka që është përtej aftësisë njerëzore për t’u kuptuar. . . . Duhet të besoj se e gjithë kjo ka pasur një fillim inteligjent, që Dikush e bëri që të ndodhë.» Përveç kësaj, duhej të ishte Dikush që kujdesej.
Sistemi i pakrahasueshëm i qarkullimit të gjakut
16-18. (a) Për ç’arsye sistemi i qarkullimit të gjakut është i pakrahasueshëm? (b) Ç’përfundim duhet të nxjerrim?
16 Mendo, gjithashtu, edhe për sistemin e pakrahasueshëm të qarkullimit të gjakut që transporton lëndë ushqyese oksigjen dhe na mbron kundër çdo infeksioni. Në lidhje me rruazat e kuqe të gjakut, një element kryesor i këtij sistemi, libri ABC’s of the Human Body, deklaron: «Një pikë e vetme gjaku përmban më shumë se 250 milion rruaza gjaku të veçuara . . . Trupi përmban ndoshta 25 mijë miliardë prej tyre, që mjaftojnë për të mbuluar katër fusha tenisi. . . . Çdo sekondë prodhohen 3 milionë qeliza të reja.»
17 Lidhur me qelizat e bardha të gjakut, një pjesë tjetër e sistemit të pakrahasueshëm të qarkullimit të gjakut, po ky burim thotë: «Ndërsa ekziston vetëm një lloj rruazash të kuqe, rruazat e bardha të gjakut janë të shumëllojshme, çdo lloj i aftë për të luftuar betejat e trupit në mënyra të ndryshme. Një lloj, për shembull, shkatërron qelizat e vdekura. Lloje të tjera prodhojnë antitrupa kundër viruseve, eliminojnë lëndët e huaja, ose fjalë për fjalë hanë dhe tresin bakteriet.»
18 Ç’sistem i mahnitshëm dhe i organizuar mjaft mirë! Sigurisht, çdo gjë që është e organizuar kaq mirë dhe që siguron një mbrojtje kaq të efektshme, duhet të ketë pasur një organizues shumë inteligjent dhe të kujdesshëm—Perëndinë.
Mrekulli të tjera
19. Si është raporti i krahasimit të syrit në lidhje me instrumente të punuara nga njeriu?
19 Në trupin njerëzor ka edhe shumë mrekulli të tjera. Një prej tyre është syri, i projektuar në mënyrë aq të mrekullueshme, saqë asnjë aparat fotografik nuk mund të barazohet me të. Astronomi Robert Xhastrou, tha: «Është e dukshme se sytë janë projektuar; asnjë projektues teleskopësh nuk mund t’i bëjë më mirë.» Dhe revista Popular Photography, shpjegon: «Sytë njerëzorë dallojnë një kufi shumë më të madh hollësirash, sesa një film. Ata shohin në tri dimensione, në një fushë këndore tmerrësisht të madhe, pa shtrembërim, në lëvizje të vazhdueshme . . . Nuk është aspak me vend që kamerat të krahasohen me sytë njerëzorë. Sytë njerëzorë i ngjajnë më shumë një superkompjuteri në mënyrë të pabesueshme të avancuar, me inteligjencë artificiale dhe mënyra veprimi që janë përtej çdo mekanizmi të shpikur nga njeriu, kompjuter ose kamera.»
20. Cilat janë disa nga aspektet e tjera mahnitëse të trupit të njeriut?
20 Mendo, gjithashtu edhe mbi mënyrën se si të gjitha organet e ndërlikuara të trupit bashkëveprojnë pa vetëdije nga ana jonë. Për shembull, ne çojmë shumë lloje të ndryshme ushqimi dhe pije në stomakun tonë dhe trupi i përpunon ato e prodhon energji. Provo të vësh një shumëllojshmëri të tillë gjërash në një serbator makine dhe shiko se sa do të mund të ecë! Më pas, është mrekullia e lindjes, nxjerrja në dritë e një foshnjeje të adhurueshme—një kopje e prindërve të vet—brenda vetëm nëntë muajsh. Gjithashtu, ç’mund të themi për aftësinë e një fëmije të vogël për të mësuar se si të flasë një gjuhë të ndërlikuar?
21. Duke menduar për mrekullitë e trupit njerëzor, çfarë thonë personat e arsyeshëm?
21 Po, krijimet e mahnitshme e të ndërlikuara të trupit të njeriut na mbushin me nderim. Asnjë inxhinier nuk do të mund t’i kopjonte gjëra të tilla. A do të mund të ishin thjesht vepra të rastësisë së verbër? Sigurisht që jo. Në vend të kësaj, kur mendojmë për të gjitha aspektet e mrekullueshme të trupit njerëzor, njerëzit e arsyeshëm thonë si psalmisti: «Do të të lavdëroj ty [Perëndi] sepse jam bërë në mënyrë tmerrësisht të mrekullueshme. Veprat e tua janë të mrekullueshme.»—Psalmi 139:14, BR.
Ndërtuesi Suprem
22, 23. (a) Përse duhet ta pranojmë ekzistencën e Krijuesit? (b) Ç’thotë Bibla me të drejtë për Perëndinë?
22 Bibla deklaron: «Sigurisht, çdo shtëpi ndërtohet nga dikush, por Perëndia ndërtoi çdo gjë që ekziston.» (Hebrenjve 3:4, The Jerusalem Bible) Përderisa çdo shtëpi, megjithëse e thjeshtë, duhet të ketë një ndërtues, atëherë universi shumë më i komplikuar bashkë me shumëllojshmërinë e madhe të jetës në tokë, duhet të ketë pasur gjithashtu një ndërtues. Dhe përderisa pranojmë ekzistencën e njerëzve që shpikën mjete të tilla si aeroplanë, televizorë dhe kompjuterë, a nuk duhet të pranojmë edhe ekzistencën e Atij që u dha njerëzve trurin për të bërë gjëra të tilla?
23 Bibla e quan atë «Perëndia i vërtetë Jehova . . . Krijuesi i qiellit dhe Madhështori që e shpalos atë; Ai që shtrin tokën dhe prodhimin e saj, Ai që i jep frymë popullit mbi të». (Isaia 42:5, BR) Bibla me të drejtë deklaron: «I denjë je, o Jehova, Perëndia ynë, për të marrë lavdinë dhe nderin dhe fuqinë, sepse ti i krijove të gjitha gjërat dhe për shkak të vullnetit tënd, ato ekzistuan dhe u krijuan.»—Zbulesa 4:11, BR.
24. Si mund të dimë se ekziston një Perëndi?
24 Po, mund të dimë se ekziston një Perëndi, nga gjërat që ai ka bërë. «Sepse cilësitë e tij të padukshme duken qartë që nga krijimi i botës, sepse ato duken nga gjërat që [Perëndia] ka bërë.»—Romakëve 1:20, BR.
25, 26. Përse keqpërdorimi i diçkaje nuk do të thotë se nuk ka një krijues?
25 Fakti se diçka është keqpërdorur, nuk do të thotë se nuk ka krijues. Një aeroplan mund të përdoret si aeroplan linje për qëllime paqësore. Por mund të përdoret edhe si bombardier për të shkatërruar. Përdorimi në mënyrë vdekjeprurëse, nuk do të thotë se ai nuk ka krijues.
26 Ngjashëm, fakti se shpesh njerëzit bëjnë një të keqe nuk do të thotë se ata nuk kanë një Krijues, se nuk ekziston një Perëndi. Kështu, Bibla vëren me drejtësi: «I keni përmbysur plotësisht gjërat. A mund të konsiderohet poçari i barabartë me argjilën? A mundet vepra t’i thotë atij që e ka bërë: ‘Nuk më ka bërë ai?’, ose gjëja e formuar t’i thotë atij që e ka formuar: ‘Nuk ka treguar zgjuarsi’?»—Isaia 29:16, BR.
27. Përse mund të shpresojmë se Perëndia do t’u përgjigjet pyetjeve tona në lidhje me vuajtjet?
27 Krijuesi e tregoi zgjuarsinë e tij përmes kompleksitetit të mahnitshëm të asaj që ai ka bërë. Ka treguar se kujdeset vërtet për ne, duke e bërë tokën të përshtatshme për të jetuar, duke e bërë trupin dhe mendjen tonë në mënyrë aq të mrekullueshme dhe duke krijuar kaq shumë gjëra të mira që ne të mund të gëzojmë. Sigurisht, ai mund të tregonte një kujdes dhe mençuri të tillë, duke na bërë të njohur përgjigjet e pyetjeve të tilla si: Përse Perëndia ka lejuar vuajtjet? Çdo të bëjë për këtë?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 5]
Toka me atmosferën e saj mbrojtëse është një vendbanim i jashtëzakonshëm i projektuar për ne nga një Perëndi i kujdesshëm
[Figura në faqen 6]
Toka u krijua me kujdes të dashur, në mënyrë që të mund ta gëzojmë jetën plotësisht
[Figura në faqen 7]
‘Truri përmban më shumë lidhje sesa mbarë rrjeti i komunikacionit në Tokë.’—Një studiues në fushën e biologjisë molekulare
[Figura në faqen 8]
«Është e dukshme se sytë janë projektuar; asnjë projektues teleskopësh nuk mund t’i bëjë më mirë.»—Një astronom